loader
Loading...
RUNAJT E DRASHOVICES
9 muaj më parë

RUNAJT E DRASHOVICES

 Drashovica, ky fshat i vendosur në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, ku që në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës ka bërë, që ndër shekuj të konsiderohet si “Porta e Labërisë”. Ky fshat ka një histori të paktën 585 vjeçare dhe mendohet të jetë themeluar në vitin 1431. Drashovica ka kontribut të spikatur për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etno-kulturor dhe polifoninë labe. Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë. Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat, por një urë- kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës.

 

Bukurinë fshatit ia shton edhe monumenti madhështor  i Drashovicës,  i ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë-Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30 metra  nga ura e famshme e  Drashovicës. Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale e krijuar nga skulptorët shqiptarë përkujton këto dy luftëra dhe u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë. Më parë fshati ndodhej lart në kodër, ku ende edhe sot gjenden disa gërmadha, njëra prej të cilave është shpallur edhe shtëpi muze, ndërkohë që fshati i përket periudhës së Mesjetës dhe është me vlera të larta arkitekturore. Ndër monumentet më të rëndësishme të Drashovicës janë, pikërisht rrënojat e fshatit të vjetër të cilat ndodhen mes ullinjve shekullorë. Të gjitha shtëpitë këtu kanë qenë të vendosura shkallë shkallë, në formën e një amfiteatri. Banesat e larta me 2, 3 e katër kate, të gjitha të punuara me gurë të bardhë të Kallafetit, kanë qenë të vendosura në qendër të fshatit. Në Drashovicë janë  zhvilluar dy luftëra me rëndësi në  historinë kombëtare, më 1920, Lufta e Vlorës, që përfundoi me çlirimin e Vlorës nga italianët dhe më 1943, Epopeja e Drashovicës, luftë  frontale popullore kundër nazistëve gjermanë. Dhe nuk kanë ndodhur rastësisht këtu. Luftërat e mëdha ndodhin gjithmonë në kufi dhe për kufijtë. Pushtuesit kanë dashur ta kalojnë gjithnjë urën – kufi, të hynin në Labëri, ta pushtonin atë, të zotëronin majat e larta të saj. Me rëndësi historike ka qenë edhe Kuvendi ndërkrahinor i Drashovicës, korrik 1911, ku rreth 3000 labë, u përgatitën me armë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Por, Drashovica nuk është vetëm e luftës, ajo është edhe e penës. Drashovicën nuk e bën vetëm vendi pozicioni i  tij strategjik, por madhështinë, ja bëjnë njerzit me historitë e tyre dhe ata që jetojne aty! Po le të ndalemi në një ditë të zakonshme në Drashovicë. Rasti na e solli që një ditë marsi se bashku me tre miq të merënim rrugën për në Nivicë të Kurveleshit. U nisëm herët nga Tirana dhe vendosëm që kafen ta pinim në zonën e Labërisë  e pikërisht në luginën e lumit të Vlorës.  Ndalesa e parë do të ishte pikërisht aty ku ndër shekuj ka qënë prita e parë nga ku do të ndërmereshin vendimet dhe sulmet për ç’do histori të shkruar. Para nesh shfaqet, Ura e Drashovices. Kalojmë përpara monumentit, ku në mënd na vijnë me qindra  episode, aty ku burrat thurnin kuvënde për shpëtim. Kalojmë urën dhe ndalojmë në qënder të fshatit. Ndalojmë në një  klub dhe përshëndetemi me banorët aty. Duke shijuar kafen në ajrin e pastër dhe gurgëllimën e lumit shushica, në një tavolinë pranë qëndronin disa burra që  nga dialekti  i të folurit na bënë përshtypje!  Ishte i njëjti dialekt me atë tonin. Muhabeti vazhdonte dhe nga tavolina ngjitur vijnë ngacmimet e para. Nga ju kemi. Për ku jeni nisur dhe pse ndaluat pikërisht këtu. Mundohemi ti sqarojmë dhe ju bëjmë me dije se këtu është vëndi kuvëndeve dhe ndaj ndaluam. Këtu ka qënë porta e  Hodo Aliut, Zenel Gjolekës, Selam Musait e sa e sa të  tjerë, që kanë  lënë gjurmë në histori! Po ju ku do të shkoni? Ne jemi për në Nivicë, në  fshatin e Hodo Beut. Ndërpritet muhabeti! Një zë therret kamarjerin. SIllu nga një kupë  raki këtyre burrave. Jo faleminderit,  se jemi për rrugë!  Ndërkohë që kamarjeri mori porosinë njëri prej tyre na zgjat qesen me duhan.  Dridheni nga një duhan, mor burra se tavolina e do kupën e rakisë dhe duhanin. Dhe si për të  zgjatur muhabetin tregon se edhe ne prej andej jemi, nga Runajt e Nivicës, por jemi larguar herët prej andej. Filluan historitë dhe prezantimi!. Unë jam Gjoleka, kam lindur këtu në Drashovicë më, 15 janar 1949. Jam i biri i Selamit dhe Afetes. Ata sollën në jetë plot 8 fëmijë, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Një psherëtimë e thellë i del nga gjoksi dhe sytë i mbushen me lotë! Pastaj me vargje vazhdon! O, Nivicë, o rrënjë lisi, stërgjyshër të  këtij fisi! Prejardhja jonë vjen nga një familje pinjolle me histori nga  Runajt!, Dy vëllezrit Riza dhe Veip Runa dy luftëtarë, patriot e atdhetarë pjesmarrës në luftra dhe kanë mbajtur detyra të larta shtetërore. Edhe këtu në Drashovicë, jemi një lagje e tërë! Janë niprit me familjet e tyre, Zanua dhe Maksimi. Sot quhemi vëndali edhe pse origjina jonë shumë e hershëme është nga Nivica e Kurveleshit. Ja! .. Maksimi ka disa vite si kryeplak i fshatit Drashovicë. Njerzit na duan se kemi punuar me drejtësi. Sakaq muhabeti u ndez. Bejtet e Gjolekës nuk kishin mbarim. Na solli edhe dy libra të cilat i kishte botuar. Ja si shprehet Prof. dr.Bardhosh Gaçe në promovimin e librit ”Gurgëllon shpirti në vargje” të poetit popullor Gjolek Runaj. “Krahas peisazhit të atdheut dhe botës psikologjike shqiptare, gjënden mjaft portrete luftëtarësh të afërm e bashkëkohës, të cilët me karakterin dhe amanetin e tyre përcjellin mesazhe të bukura për fatin dramatik  të jetës shqiptare, si dhe përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut”!. Largohemi për rrugën e nisur duke marrë me vehte një copëz  Nivice dhe në vesh më kumbojnë fjalët e Gjolekës! Historia e jetës po nuk u shkrua , në të ardhmen ajo është e harruar!



Nga e djathta: Zano Runaj, Neki Ҫako, Gjolek Runa, Mihal Gjergji, Maksim Runa (ky I fundit momentalisht Kryeplak i fshatit Drashovicë).Tetë fëmijet e Selam Runa – 1 Bejko,2- Bardha, 3-Pellumbesha, 4-Sokrati, 5-Gjoleka, 6-Jetmiri, 7-Pajtime, 8-Ҫumani