loader
Loading...
SHPIRTI QË ENDE NDRIÇON FSHATIN

Ishte dimër i madh atë vit në Kurvelesh. Viti 1995 sapo kishte shkelur në vatrat e fshatrave të kësaj krahine malore. Bora kishte zbardhur gjithçka dhe në fshat kish arritur mbi 0.5 metër. Këndrevica dhe majat e tjera të maleve ishin bërë njësh nga bardhësia.

 

Në fshatrat Nivicë e Rexhin nuk dalloheshin shtëpitë, por vetëm tymi i hirtë që dilte nga oxhaqet e tyre e që kish filluar të shtohej e dendësohej ato ditë të para të vitit të ri. Ende pa mbaruar mirë vizitat e urimet e para, ndërpriten dritat elektrike e të dy fshatrat mbeten në errësirë. Ai dimër i ashpër me borë, me erë e stuhi të mëdha kishte bërë që linja elektrike që vinte nga Salaria përmes Qafës së Kreshtës të këputej diku gjatë kësaj rruge.

 

Fshatrat kishin mbetur në errësirë. Ishte data 5 janar 1995. Shtepitë ishin plot me njerëz se kishin ardhur për vitin e ri dhe një pjesë e djemve që kishin emigruar ato vite të para pas  ’90-s. Familjet kishin nevojë për ndriçim, për gatim, për larje e ngrohje si dhe për komunikim në atë dimër të acartë. Nevojat e fëmijëve të vegjël , të moshuarve dhe e të sëmurëve kërkonte më së tepërmi lidhjen e shpejt të energjisë elektrike.

 

Të ndodhur në këtë situatë, një grup djemsh të fshatrave Nivice e Rexhin, pikërisht në datën 5 Janar 1995, vendosën që të vinin së bashku në kërkim të difektit duke ndjekur drejtimin e linjës elektrike, që vinte nga Qafa e Kreshtës. Më parë ishte bërë njoftimi për shkëputjen e lidhjes nga qendra për shkak të difektit të ndodhur nga koha e keqe.

 

Në këtë grup që u nisën për të gjetur vendndodhjen e difektit ishin : Artan Shakaj, Asim Qejvani, Llambro Isaraj, Petrit Bega, Ylli Xhebraj, Mentor Ruçi, Xhevahir Gjoni, Skënder Demiri, Pëllumb Isufi, Fein Xhebraj, Emin Xhebraj, Eduart Balili, etj.

 

Megjithë kohën e keqe e pengesën nga bora e madhe, ata u nisen të vendosur pa marrë parasysh vështirësitë, por edhe rreziqet e terrenit. Fshatit i duheshin patjetër dritat e komunikimi. Linja kalonte nëpër gryka e hone, kodra e brigje, të përpjeta e tatëpjeta, ata e ndoqën atë hap pas hapi deri sa e gjetën linjën e këputur në vendin e quajtur Lume Nivicë. Pasi provuan njërën fije, filluan ta tërheqin. Fija tjetër ishte më tej, po kush do vinte ta kapte? Të gjithë shikuan njëri tjetrin! Atëherë u hodh Llambrua, Llambro Isaraj nga Rexhini, djali 25 vjeçar, i cili kishte kryer shërbimin ushtarak në Gardën e Republikës dhe kishte marrë që nga ushtria një palë këpucë ushtarake që përdoreshin për kohë e terrene të vështira.

 

-Do shkoj unë – tha Llambrua – se kam këpucë të reja e të mira, por as ai dhe asnjë nga shokët s’e mendonte se ajo prekje e telit do të ishte fatale për Llambron. Mungesa e komunikimit kish bërë të mundur lëshimin e energjisë në kundër kohë. Ajo shkaktoi në trupin e njomë të Llambros një goditje të fuqishme elektrike duke ndërprerë jetën e djaloshit guximtar Llambro Isaraj. Iniciativa dhe guximi i tij shpëtoi jetën e gjithë shokëve, duke evituar një tragjedi të madhe.

 

Po kush ishte Llambro Isaraj?

 

Ai lindi në fshatin Rexhin të Kurveleshit më 21.01.1970. Prindërit e tij Islam e Lule Isaraj u gëzuan që shtëpia u shtua me një djalë, me një ëngjëll të vogël. Ata me gjithë vështirësitë e kohës, u munduan ta rrisin më së miri dhe ta shkollonin. Llambrua pas arsimimit 8-vjeçar ndoqi dhe përfundoi shkollën e mesme “Shuko Dalipi” të fshatit, dega agronomi.

Llambrua vinte nga një familje me aktivitet patriotik. Babai i tij, Islami, ishte pjesëmarrës me armë në dorë në luftën nacional çlirimtare rreshtuar në radhët e Brigadës  I S , që luftoi deri në Kosovë për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit gjermanë. E ëma e tij, Lulja, nga Kuçi i Labërisë, ishte një grua e zgjuar, punëtore dhe aktiviste e kohës. Të dy prindërit ishin shembull i mire, jo vetëm për fëmijët, por edhe për bashkëfshatarët e tjerë. Ata përçuan tek Llambrua cilësitë e virtytet më të mira. Paraardhësit e familjes Isaraj, Balil Isaraj, ishte pjesëmarrës në luftërat kundër turqve për pavarësinë e Shqipërisë. Gjyshi i Llambros, Shukua, ishte pjesëmarrës me çetën e fshatit në luftën kundër andarteve greke më 1913 dhe në Luftën e Vlorës më 1920 kundër italianëve. Kështu ai mori prej tyre ndjenjën e fortë të patriotizmit. Llambrua po rritej dhe po behej një djalë që gëzonte respektin e gjithë komunitetit. Ai, pasi mbaroi shkollën e mesme, shkoi për pak kohe në emigracion dhe shpejt kthehet në vendlindje pranë familjes e prindërve qe po e prisnin me mall. Djalë i ri e energjik, ai kishte ëndrrat e tij të moshës, shpejt do të njihej me një vajzë nga Kuçi dhe të dy filluan të gëzonin, sepse shkonin shumë mirë, bisedonin dhe bënin planet e jetës, pa e ditur për ditët e zeza që vinin pas. Pa kaluar 6 muaj nga martesa, Llambrua shkëputet nga gjiri i familjes, të afërmve dhe shoqërisë në moshën më të bukur.

 

Pas thirrjes për ndihmë për gjetjen e difektit elektrik, që kish lënë në errësirë të dy fshatrat, Nivice e Rexhin, ai si gjithnjë i pari me ndjenjë të lartë përkushtimi e sakrifice shkoi vullnetar në ndihmë të komunitetit, për të larguar errësirën, për t’i dhënë dritë fshatit.

Shokët e tij që ishin me të, do të bëheshin dëshmitar të një ngjarje të rëndë e tepër të dhimbshme. Jeta e Llambros u këput aty ku ai deshte të lidhte telat e këputur, për të prurë dritën, për të

ndriçuar fshatin, jetën e njerëzve, por me aktin e tij sublim, ai shpëtoi dhe jetët e shokëve. Humbja ishte e rëndë dhe dhimbja e madhe për familjen e gjithë bashkëfshatarët. Por ai rron në zemrat e kujtesën e gjithë komunitetit. Shpirti i tij i pastër është kthyer në dritë që ndriçon që lart fshatin, për atë dritë që ai dha jetën e tij të re. Humbja e tij u ndje jo vetëm në fshat, por në gjithë krahinën dhe akti i tij sublim u përcoll me nderim nga të gjithë. Ai është kujtuar e vlerësuar në vazhdimësi nga komuniteti e organet e zgjedhura. Shtypi i kohës, në Gjirokastër, që në ditët e para i bëri jehonë aktit të tij. Qysh atë vit, në Festivalin Kombëtar Folklorik që u zhvillua në Berat, u kushtua një këngë nga rrethi i Tepelenës, për jetën dhe veprën e djaloshit nga Rexhini, po kështu në vendin e ngjarjes është ngritur një lapidar në nderim të tij.

 

Komuna e Kurveleshit me vendim nr. 36 datë 12.11.2013, e ka nderuar me titullin e lartë “NDERI I KOMUNES” Llambro Islam Isaraj.

Gjithë bashkëfshatarët e Krahinws së Kurveleshitqë e kanë njohur atë dhe veprën e tij, flasin me respect e admirimdhe të gjithë janë tw mendimit se ka ardhur kohaqë sakrifica e tij duhet të rivlersohete që duhet që organet kopetente,locale e qëndroretw marrin nismën për shpalljen e Llambro Islam Isaraj: , “Dëshmor i Atdheut”

 

I paharruar përjetë do të mbetet e do kujtohet me nderim Llambro Isaraj.