loader
Loading...
POEMA

BIRI

Në emër të Birit,
Që thonë se është shembëllimi i përtejmë,
Edhe i imi,
Dhe i Atit që ndjejmë.
Zbritur në tokë fshehtas,
Andej nga zbresin dita dhe nata,
Nëpër ca shkallë që s’i shohim
As në çastet tona të mbramëta. 
Gatuar me mish e me gjak
E mbarsur, e mpiksur me frymë,
Që e shquajmë përherë e më qartë,
Pikërisht për gjërat që s’dimë...
Fëmijë dashurie e drite,
Larg epshit dhe vesit,
I ngjizur pa prekje 
Ndryshe nga njerëzit.
I ardhur të rrojë mes nesh,
Si shëmbëllimi njerëzor i Atit,
Kryqëzuar siç kryqëzohemi të gjithë
Me gozhdët e ndryshkura të fatit.

Që vdes dhe ngjallet sërish
Midis tokës dhe qiellit pa anë...

Ndryshe nga etërit
Dhe nga bijtë tanë.

Pasqyrë ku shikohen të gjitha dhe s’mbetet asgjë,
Qielli im, fanepsje kujtese dhe ëndrre,
Një jetë të tërë jam endur mes botës që u bë dhe u zhbë,
I veshur me avujt e frymës tënde.

Hamak i varur në degë të parrokshme nga syri,
Ku përkundemi nga pak të gjithë njëri pas tjetrit,
Unë, deti, shpendët, kafshët, bari dhe pylli,
Të gjallët dhe të vdekurit.

Kapriçio pasqyrash të thyera ku kryqëzohemi të rrojmë,

Gjendemi, humbim, vazhdojmë....

Qysh kur linda kam dashur të të shoh, të të prek,
Të të mbart mbi shpinë
Si udhëtari bohçen e vet.

Nën një diell djegës, nën një hënë të plotë,
Të të tërheq
Si hijen time mbi tokë.

Të më veshësh me pëlhurat që end në avlëmendin tënd,
Me retë, me borën e shiun, 
Kopsitur nga breshëri i argjendtë.

Të më ndiçosh me dritë e të më mbulosh me terr,
Të më bësh dhe ngricë
Edhe ylber.

Të më shpiesh atje ku bashkohen qielli me detin,
Të më mësosh të fluturoj me shpendët
Dhe të notoj me peshqit.

Të mugulloj me barin që ushqen insekte e gjallesa,
Që thahet e mbin
Sërish nga rrënjët e veta.

Të më veshësh siç di ti, jo si morali dhe nëna,
Të lakuriqtë nga jashtë, 
Të mbrojtur nga brenda.

Ç’do pranverë pemët lidhin fruta,
Ç’do natë qielli lidh yje.
Me bërthama të forta dhe me mishra të buta,
Kopsht i qershive...

Një jetë të tërë më ke tërhequr lart, duke më bërë një skulpturë me ajër, ujë dhe baltë.

Po asnjëherë s’më dhe krahë dhe pendë, që të nis fluturimet dhe të të qasem si shpend.

Dhe kurrë s’më dhe lastarë që çelin dhe gjethe, që të fëshfërij me ty qoftë dhe një herë të vetme.

S’më dhe as rrënjë që të mbahem diku, ndërsa zgjatem majë gishtave drejt kupolës blu.

Më le një përzjerje midis prushit që digjet dhe bimëve, që mund të të prekë vetëm me tymrat e mi të mendimeve.

Që mund të të shoh mirë vetëm në natën e plotë, me ato shenja dritash që s’i deshifroj dot.

Qiell pa fund e anë,
Në errësirë m’i tregon të gjitha të fshehtat me dritë,
Si puthja e etshme kur mbyllim sytë.

Në shtyllën e trupit tënd u kryqëzova unë,
Në shtyllën e trupit tim u kryqëzove ti,
U bëmë dhe qiell, dhe det, dhe lumë,
Dhe zjarr e shi.

Qysh kur e hëngrëm mollën tunduese të epshit,
Qysh kur zgjuam djajtë dhe engjëjt nga brënda
Mbetëm të kryqëzuar te njëri-tjetri
U bëmë Ati dhe Nëna.

E lamë përjetësinë dhe pranuam të vdesim,
Gozhduar nga mëria e lartë dhe fati,
Duke u bërë dhe Juda i trembur, njëherësh 
Dhe Ponc Pilati..

Detarët ndjekin shenjat e qiellit, për të gjetur rrugën në dete; këmbësorët për të gjetur rrugën në tokë. S’janë zjarre, janë fare. Netët pa yje janë një humnerë në të cilën humbim dhe shpresën, dhe rrugën, dhe ëndrrën, dhe peshën. Ndryshe nga lakuriqët e natës. Jemi krijesa të gatuar nga drita dhe të mbrojtur nga drita. Jemi shkëndija të vogla drite, që shuhemi duke u përpjekur të mbajmë gjallë zjarrin. Jemi meteorë. Jemi prushi i mbështjellë nga ky hi i shpupuritur i qiejve.

Të pikuar nga qielli, ndjekim e lakmojmë atë. Dielli na verbon, yllësitë na qetësojnë. Dielli na arratis prej vetes, yjet na kthejnë te vetja. Dielli na ndez lakminë, yjet na ndezin ëndrrat. Jemi midis qenies dhe sendeve. Midis avullit dhe kondensimit. Midis gjumit dhe zgjimit. Midis mbarsjes dhe dështimit. Jemi midis zjarreve të vegjël të natës që regëtijnë për së largu me ca shenja kuptimplota. Lentja jonë qiellore, e vendosur mbrapsh, na zmadhon ç’kemi afër për të na bërë rob të sendeve. Dëshmorë të trishtë të sendeve.

Vallë kjo është arsyeja që të dashurit tanë përpiqemi t’i çojmë në qiej, si Noja. Jezusin, Kasiopenë, Kristin, Orionin, Lisianin, Gjuetarin, Odisenë, Karrocierin, Aleksandrën, Herodotin, Skulptorin...

Në Rrugën e Qumështit, te Ylli i Mëngjesit, Flokët e Veronikës, Sytë e Valentinës...

Duke u dhënë me vete veglat më të domosdoshme: Shkallë, Orë, Lira, Ujëmbajtës, Arra, Skepar, Kompas, Vela, Furra, Lumë...

Në shoqërinë e shpendëve dhe kafshëve që popullonin botën: Arusha e Madhe dhe Arusha e Vogël, Mjellma, Qeni i Madh dhe Qeni i Vogël, Zogu i Parajsës, Shqiponja, Xhirafa, Qentë Gjuetarë, Balena, Pëllumbi, Korbi, Delfini, Peshku i Artë, Kali i Vogël, Gjarpri i Vogël, Zhapiku, Lepuri, Ujku, Macja e Egërr, Palloi, Peshku Fluturues, Dhelpra, Miza,...

I kemi çuar të gjitha në qiell për mos i humbur në tokë? Pasi ndjehemi kalimtarë në këto dhera dhe ujëra. Me mend e kemi braktisur çerdhen tonë të ngrohtë, qiellin tonë të ajërt, për t’u vetëkryqëzuar sërish tej, te Kryqi i Jugut... (?!)

I pari vizitor që u nis nga toka për të arritur në qiell, thonë ishte Jezuja.
Që shkon dhe kthen si korrier midis nesh dhe Atit të madh,
Me shumë plagë në trup, në këmbë dhe në duar,
Që kullojnë gjak dy mijë vjet me radhë.

Qysh kur kuptuam këtë braktisje të shenjtë, deshëm të shkojmë dhe ne,
Në qiejt pa fund, si fëmijtë mëkatarë të mbushur me lakmi dhe ëndrra,
Ndaj kemi çuar më parë gjërat tona më të dashura atje,
Duke mbetur vetë bosh nga brenda.

Qielli im, këmishë e leskëruar,
Endur çdo ditë
Me një fill e copë tjetër, 
Arnuar me dritë dhe mballoma.
Janë yje ata që digjen së tejmi,
Apo gjaku i plagëve tona.

Qielli është lëkura e dheut,
Tej së cilës duam të shkojmë,
Zogj që dalim prej vezës dhe prej lëkurës sonë.

Duam të arrijmë më tutje
Se caku i fundit i syrit,
Si shëmbëllesa të reme mëkati të Atit të shenjtë dhe Birit.

Atje ku s’shkon hapi, shkon syri,
Kur qielli është i pastër si qelqi,
Nëse ëngjëjt nuk munden më tej, përherë në ndihmë na vjen dreqi.

Atje ku s’shkon syri shkon mendja, 
Atje ku s’shkon mendja shkon fryma,
Për t’i ndarë yjësitë që s’janë tonat, në jotja dhe imja.

(V0; Vijon në nr. e ardhshëm)