loader
Loading...
"Nënë Ilmua, nëna shekullore" Edhe pse mungojnë fotot, ajo jeton në kujtime!

Nënë Ilmua, e njohur ndryshe si "Nëna shekullore," ishte një grua e veçantë, bijë nga fisi Xhaferaj i Kuçit dhe e martuar në Kallarat në fisin Maçaj të njohur për kontributet në mbrojtje të fshatit më 1914 ndaj andartëve grekë, pikërisht me Zenel Maçajn. Familja Maçaj ishte një familje e thjeshtë patriote që merrej kryesisht me punët në bujqësi e blektori. Në vitin 1921 familjes i erdhi në jetë djali i tyre i vetëm, Arshi Maçaj, i cili u rrit me ndjenjën e punës dhe të dashurisë për atdheun, ashtu si edhe paraardhësit e tij. Në kohën e pushtimit fashist e nazist të vendit, Arshiu duke qenë në një moshë rinore, ashtu si edhe shumë të rinj kallaratas dhe të zonës së labërisë, nuk ishte i orjentuar drejt me qëllimin e pushtimit të vendit dhe fillimisht nuk zgjodhi rrugën e shumicës së burrave e djemve kallaratas, por më vonë e kuptoi dhe u inkuadrua shpejt në përbërje të Brigadës së 23 Sulmuese dhe mori pjesë në luftimet për çlirimin e Shkodrës dhe deri në në ish Jugosllavi. Por një sëmundje e rëndë u shfaq në atë kohë, "Tifua e morrit", që preku shumë partizanë, midis tyre edhe Arshiun, i cili nuk i shpëtoi dot vdekjes. Në pamundësi shërimi, ai mbylli sytë më 15 janar1945 atje në tokën jugosllave, duke lënë në pikëllim e dëshpërim të madh prindërit e moshuar, xha Zenelin dhe nënë Ilmon, të cilët nuk i mësuan dot kurrë, as varrin, djalit të tyrë të vetëm

Për shkak të kritereve të asaj kohe, nuk iu njoh statusi "Dëshmor i Atdheut", duke e konsideruar "viktimë të luftës", çka e rëndoi akoma më shumë zemrën e nënë Ilmos, e cila nuk pati asnjëherë një varrë për të, ku t'a qante si çdo nënë djalin e vet.

E helmuar pas humbjes së të birit dhe më vonë rreth vitit 1956 edhe të bashkëshortit, Zenelit, nënë Ilmua jetoi e vetme mes pikëllimit e vështirësive të mëdha të kohës, atje në breg të Rapetës, ku edhe sot quhet "Bregu i Maçe", por gjithmonë me dinjitet dhe forcë shpirtërore, si një nënë labe e vërtetë.

Ajo, edhe pse me plot halle, jo vetëm të humbjes së njerëzve të saj, por edhe të shëndetit për shkak të moshës, ishte tepër humane. Kështu pas ndarjes së bashkëshortit, ajo për disa vite strehoi në shtëpinë e saj familjarisht Tahir Kondin, i ardhur nga Kurpica, që në atë kohë kishte nevojë urgjente për strehim. Aty nga viti 1968 Tahiri ndërtoi shtëpinë e tij në Morrez dhe nënë Ilmua mbeti përsëri e vetme. E mbetur në këto kushte, e vetme dhe pa përkrahje të afërt, ku mosha bënte të vetën, nënë Ilmua gjeti mbështetje te Sinan Hitaj një burrë plak që gjithashtu jetonte i vetëm. Ata vendosën të bashkëjetonin, por jo si bashkëjetesa e sotme e të rinjve, por për të ndarë të mirat dhe të këqijat e jetës, duke përballuar së bashku vështirësitë e moshës. Ky bashkëjetim në një shtëpi, për disa vite, u bë një shembull i humanizmit mes dy shpirtrave të vetmuar që gjetën ngushëllim dhe mbështetje tek njëri-tjetri.

Atje majë kodrës, në "Grykë të Hite", të cilën do t'a zbriste e ngjiste sa herë për të mbushur ujë në Qafë të Rrepeve, për të marrë bukën në furrën e fshatit e shërbime të tjera, apo edhe për vizita në familjet kallaratase, do të jetonte rreth 20 vjet me radhë nënë Ilmua, kjo nënë e veçantë, e fortë dhe një trimëreshë e vërtetë.

Ajo u nda nga kjo jetë në vitin 1987, në moshën 99 vjeçare, pak pa mbushur shekullin, nën kujdesin e Sinan Hitit, e rrethuar nga respekti dhe përkrahja e bashkëfshatarëve të saj, të cilët e vlerësonin për mirësinë dhe zemrën e saj të madhe. Nënë Ilmua kishte një dashuri të pafund për çdo kallaratas, një dashuri që e ndante pa kursim edhe në periudhat më të vështira të jetës, duke dhuruar ç’të kishte e duke përkrahur të gjithë.

Nënë Ilmua ishte grua e fortë, e duruar dhe fjalëpak. Shpesh rrinte në heshtje, por fjalët e pakta që thoshte ishin plot mençuri dhe dashuri. Ndonëse e varfër, ajo kishte zemrën e hapur dhe një shpirt të pasur, që reflektonte dhembshuri dhe kujdes për të tjerët. EDHE KUR KISHTE PAK, AJO DHURONTE SHUMË ME GJITHË ZEMËR. Një grusht sheqer, një palafike, një vesh rrush, një kokërr kumbulle e fiku, a një vezë të zier, dhënë me dashuri e bujari prej dorës së saj, kishte vlerën e mijëra të mirave materiale, që mund të të dhuronin të tjerët.

Të tillë e mbaj mend unë nënë Ilmon, të cilën e kishim gjitone dhe vinte shpesh te gjyshja ime, nënë Hatixheja me të cilën tregonin e qanin hallet e dertet e jetës, por ne si fëmijë shkonim më shpesh te shtëpia e saj në Grykë të Hite, qoftë edhe me bagëti. Ndoshta në atë kohë isha i vogël dhe nuk mund të kuptoja e përfytyroja dot se çfarë mbanin përbrenda rrudhat e saj në fytyrë, por sot duke kujtuar gjithë ato vuajtje të saj shpirtërore e ekonomike, me plot gojën them se ajo ishte një "Nënë Heroinë".

Nënë Ilmua u nda nga kjo jetë, duke lënë pas uratën e saj për kallaratasit, një trashëgimi shpirtërore që do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre. Kujtimi i saj, si një nënë e vuajtur e dhembshur, është një homazh për të gjitha nënat kallaratase që janë larguar nga kjo jetë, por kanë lënë pas dashurinë e pakushtëzuar dhe përkushtimin e tyre të pashtershëm. Ato janë shembulli i fortë i shpirtit të pastër e të patundur të nënave, që mbartën mbi vete dashurinë për familjen, njerëzit dhe vendin. Sot, nënë Ilmua, nuk ka asnjë pasardhës të afërt, por vlerësimi dhe mirënjohja për të mbeten të gjalla ndër breza. Për kallaratasit që e njohën, nënë Ilmua është më shumë sesa një kujtim i së shkuarës, ajo është simboli i dashurisë, humanizmit dhe sakrificës.

Ndërsa kujtoj sot portretin e figurën e saj të një "Nëne labe", në mendje më vinë si zë i tanishëm fjalët e saj të dashura: “Të keqen nëna, të marsha,” një shprehje dashurie që dëshmonte shpirtin e saj të pakufishëm prej nëne e gruaje të vuajtur, por tepër dinjitoze.

Qoftë i paharruar kujtimi i kësaj nëne kallaratase!

(Foto të saj nuk disponojmë, por ajo me siguri duhet të jetë në këtë foto të vitit 1961, ku gratë e Kallaratit bëjnë homazhe pranë varrit të nënë Duzes, nënës së Heroit të Popullit, Mumin Selami)