Kënaqëse e jashtëzakonshme sot i ndodhur mdis miqsh,
familjarë dhe dashamirës të Diftir Hysaj!
Diftir Hysaj, zotëron një nga veçoritë e rralla që shumë pak
personalitete, të këtij rangu, ndajnë dhe përjetojnë në jetën e tyre: lindur në
Golëmin e lartësisë së Labërisë dhe Kurveleshit dhe rritur jetim, kur babai i
tij, Hyso Hysaj, patrioti dhe luftëtari i Luftës legjendare të Vorës, 1920, u
shua tepër i ri, duke e lënë Diftirin motak, në djepin e shpinës së nënë
Bajames, midis pesë fëmijëve (tre djemë e dy vajza).
Askush nuk do të mendonte, që me një jetë të filluar me plot
halle e vuajtje, rritur nëpër jetimoret e asaj kohe, sa në Shkodër e në Tiranë,
të ecte shkëlqyer, në një karrierë brilante, jo vetëm ushtarake, por në radhë
të parë njerëzore, miqësore, shoqërore dhe këmbëngulëse profesionale,
disiplinore, patriotike e atdhedashëse. Nga një aktivist i talentuar i
organizatës së rinisë, drejt një ushtaraku të thjeshtë profesional, të nisi dhe
përfundoi, duke krijuar tek ndokush në Transportin ushtarak shqiptar, njeriun
legjendë që transformoi vetveten dhe krejt strukturën e pajisjeve motorike
tokësore në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Njeriu Lab, Diftir Hysaj, me
jetën dhe karakterin e tij të veçantë, të burrit që i kishte peshë dhe lezet
mendimi i dhënë, që spikaste me organizimin e drejtimin e punëve të vështira,
paraqitet si një nga fenomenet më të habitshme në historinë e personaliteteve
të shquara të ushtrisë shqiptare, që në këtë kohë nuk ka pse të çuditemi që pak
është shkruar e dokumentuar për të.
Të mundësh “armikun” padije dhe ta detyrosh të pranojë
vullnetin tënd, ta nënshtrosh në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme
“përgjithmonë”; ta plazmosh dembelizmin dhe plogështinë sipas vullnetit tënd,
duke luftuar e ”ringjallur” me të pamundurën, të krijosh historinë individuale
në shërbim të së përgjithshmes, në shërbim të historisë së vendit tënd, duke
influencuar në rrugëtimin e rritjes, modernizimit dhe profesionalizmit të
strukturës së Transportit ushtarak shqiptar: ja përse vlejnë përpjekjet,
mundimet, sakrificat dhe privacionet deri në këtë ditë ku meritori, “Gjenerali”
i Transportit ushtarak, Difrit Hysaj nga Labëria dhe Kurveleshi, Personalitet i
Kurveleshit dhe i pese fshatrave të bashkuara ne ish-Kooperativen e Picarit,
“Mirënjohje” nga Labëria dhe nga i gjithë Kombi shqiptar, me zemrën e tij
përherë hambar, na mbledh sot për të bashkuar si gjithmonë me një kafe miqësie,
mirënjohjeje dhe paharruarsie. Ky njeri që zhduku me këmbëngulje nga jeta
praktike e tij, padijen dhe injorancën, duke mos u vetëkënaqur kurrë me atë çka
kishte fituar, momentalisht, një ushtarak i thjeshtë, specialist i ushtrisë
(nënoficer-shofer në Parkun e Ministrisë së Mbrojtjes) me vizionin, për arritje
e më të largëtit, bëri çmos, derisa përfundoi Shkollën e Lartë të Bashkuar të
Oficerëve, u titullua oficer, dhe pak më vonë përfundoi Akademinë Ushtarake të
Mbrojtjes. Duke njohur vetveten, karakterin e qetë, zemrën miqësore dashamirëse
bujare me këdo, njerëzit në nevojë, me bashkëpunëtorët e tij, i pandarë nga
problemet e vendlindjes, mundi të shkallmonte pengesat e së “pamundurës”, të
drejtonte e të udhëhiqte denjësisht shërbimin më të spikatur, e pse jo, më të
vështirin në Forcat e Armatosura: Transportin Ushtarak – aq sa ndokush, pjesë e
këtij oborri profesionist ta “dashuronte” Diftirin, mendimet dhe këshillat
prindërore që nxirrte përherë dhe pa u lodhur për këdo që rrezatonte dëshirë,
vullnet e përkushtim për punë, për këdo që ishte besnik ndaj ushtrisë dhe
Shqipërisë. Diftir Hysaj, luftoi me një qëndresë këmbëngulëse dhe të egër
kundër plogështisë e punëve të pambaruara, që në hapat e para të karrierës së
drejtuesit të Transportin ushtarak. Për këtë ai ishte i ndërgjegjshëm.
Përkushtimi, autoriteti, sinqeriteti, besimi në organet e larta drejtuese dhe
mbështetja e vazhdueshme dhe e pandërprerë që kishte si asnjë tjetër, që në
ditët e para të emërimit si Drejtor i Përgjithshëm i Autotraktorëve dhe
Agregateve të Ushtrisë Shqiptare, pasqyroi mjeshtërinë më të madhe, duke e
kthyer në shkollë kombëtare, profesionale këtë shërbim.Mjaftojmë shkurt të
përmendim: Hapjen e Fakultetit të Transportit Ushtarak, si shkollë e lartë
universitare, shkollat dhe kurset e ndryshme profesionale pranë çdo komande
Korpusi, Regjimenti, Divizioni e Brigade të ushtrisë, ku përgatiteshin shoferë
dhe profesionistë drejtues të niveleve të ulëta të transportit, nënoficerë,
mekanikë të profesioneve të ndryshme të mirëmbajtjes, riparimit e shfrytëzimit,
përdorues, administrues e planëzues. Me këmbënguljen e tij të vazhdueshme,
qendrat e mëdha studimore e shkencore të ushtrisë u lidhën, bashkëpunuan dhe u
familjarizuan me universitetet politeknike të vendit, me institutet e ndryshme
kërkimore e shkencore, me ndërmarrjet dhe uzinat e mëdha mekanike, anë e kënd
Shqipërisë. Njëkohësisht, ky personalitet vizionar pa qartë se modernizimi,
stërvitja, organizimi, ruajtja dhe mirëmbajtja, nuk do të kishte perspektivë
qëndrueshmërie në qoftë se drejtuesit e saj nuk do të përgatiteshin me kulturën
e arsimit të lartë universitar profesionist. Kështu që, në të gjitha shtabet
dhe komandat e Korpuseve, Divizioneve, Brigadave dhe reparteve autonome të
Shtabit të Përgjithshëm, në drejtim të transportit u vendosën ushtarakë
inxhinierë, me shkollë të lartë ushtarake dhe me një personalitet të veçantë
drejtimi strukturor të emëruar: Zëvendës komandant për teknikën motorike
tokësore.
Njerëzit, ndoshta e kanë të vështirë tani, të kuptojnë këtë
transformim njerëzor dhe krijimin e këtij potenciali profesionistësh, një
armatë e tërë vlerash që përgatiteshin në të tilla kursesh e shkollash
profesioniste ushtarake, pa kosto e shpenzime familjare, por që i shërbenin
jetësisht vetvetes, familjeve të tyre, por edhe tërë shoqërisë dhe ekonomisë
shqiptare. Diftir Hysaj ishte një fenomen i asaj natyre, ku organizimi,
këmbëngulja e tij e vazhdueshme bëri që në çdo qelizë Transporti ushtarak të
funksiononte si një sahat, kudo në çdo kohë dhe në çdo vend; dhe kjo,
realizohej e sinkronizohej, krahas planëzimit, njëkohësisht, disiplinohej nga
rregulloret dhe manualet e ndryshme ushtarake. Rregullore të tilla si ato të
shfrytëzimit, mirëmbajtjes, stërvitjes, ruajtjes dhe administrimit të teknikës,
janë ende dhe sot në përdorim të ushtarakëve profesionistë dhe që ndikuan, sado
pak, në modernizimin dhe futjen e ushtrisë shqiptare në strukturat e
mirëpritura të NATO-s. Epopeja legjendare drejtuese dhe organizuese për vite të
tëra e këtij njeriu, lidhet me fenomenin historik që ka marrë emrin: “Si koha e
Diftir Hysit”. Stërvitjet teknike, organizimi i kolonave të transportit në
ndihmë të popullsisë dhe ekonomisë së vendit, fatkeqësive natyrore e për çdo
nevojë që kishte vendi, shoqëria dhe popullsia, ende dhe sot, rregullohen e
sigurohen nën siglën e historisë së asaj periudhe. Ky ishte me shumë pak fjalë,
talenti që Diftir Hysaj, gdhendi në histori, duke dhënë përcaktimin e tërësisë
së cilësive që duhet të ketë një njeri, një Gjeneral i madh, një drejtues i
ushtrisë, që dashuron profesionin, Shqipërinë, familjen dhe shoqërinë.
Kjo hapësirë dimesionale, si nga lartësia ashtu dhe nga baza
– që kuptojmë karakterin e një njeriu sfidues, trimërinë, guximin,
vendosmërinë, dhe me lartësinë e tij përherë në ngritje si; inteligjencën,
cilësinë, profesionalizmin dhe vizionin në shërbim të Kombit, Atdheut e
Ushtrisë. Prandaj vlerësoj dhe i jam shumë krenar, që kam punuar në strukturat
drejtuese të Transportit ushtarak shqiptar me një drejtues të këtij niveli të
lartë profesional dhe njerëzor. Brezin tim, që në hapat e para të karrierës
sonë profesioniste ushtarake, na përzgjidhte dhe na ndiqte hapa pas hapi në
ecurinë arsimore, inxhinierike dhe profesionale, duke na inkurajuar për vizione
të mëtejshme, duke thyer dhe kapërcyer çdo gardh, penges të kohës. Jemi përsëri
mirënjohës, si dhe mjaft pjesëmarrës në veprimtari nga Transporti ushtarak
shqiptar, familjarë dhe të afërm nga Golëmi i Gjirokastrës, miq dhe shokë nga
të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga çdo strukturë e transportit dhe e
mirëmbajtjes të njësive dhe reparteve të ushtrisë, si dhe ne që morën pjesë në
këtë takim miqësor. I urojmë përzemërsisht Drejtorit tonë të lavdishëm, kolegut
tonë të dashur, mikut dhe shokut tonë njerëzor, Diftir Hysaj, shëndet, jetë të
gjatë dhe mbarësi familjare.
Faleminderit i dashur dhe përherë u mbledhshim për te tilla organizime.