loader
Loading...

Nismës tonë për dizenjimin e një kartolinë për Vitin e Ri, pak i veta iu përgjigjën, të cilët gjejmë rastin ti falënderojmë. Nga punimet e paraqitura, sipas kritereve që kishim vendosur, përzgjodhëm si më të arrirë artistikisht, por edhe në përmbajtje, kartolinën e punuar nga një vajzë nga Vranishti, mbesë në Kallarat, vajza e Eglantina Shytaj (Demiri), Vanesa Shytaj, nxënëse e klasës së 8 -të në shkollën 9 - vjeçare "24 Maj", Vlorë.

Kryesia e shoqatës e falenderon nga zemra Vanesën për përfshirjen e saj në këtë nismë, sa artistike aq edhe festive.

Kartolina e realizuar nga Vanesa, është një përmbledhje simbolike që reflekton bukurinë e traditës, historisë dhe identitetit të fshatit Kallarat, si pjesë e trevës së labërisë.

Përfshirja e Vanesës në këtë krijim tregon dhe shpreh dashurinë e saj për gjyshin, gjyshen dhe vendlindjen e mamasë së saj, Kallaratin.

Elementet kryesore përfshijnë kartolinën:

1. Natyra

Në qendër të kartolinës qëndron një pamje e mrekullueshme e malit të Bogonicës, veshur me vellon e bardhë, që tregon stinën e dimrit dhe që simbolizon krenarinë e qëndresën e kallaratasve ndër shekuj. Ky mal është pjesë e identitetit gjeografik dhe shpirtëror të fshatit tonë.

2. Urimi "Gëzuar Kallarati!": Shkruar me një dizajn të bukur artistik, ky urim pasqyron shpirtin e bashkimit dhe gëzimit për ardhjen e Vitit të Ri.

3.Simbolet Kombëtare:

Flamuri shqiptar: Paraqitur në formë dekorative, flamuri me shqiponjën dykrenare, i jep kartolinës një dimension patriotik.

Qeleshja: Qeleshja e bardhë përfaqëson traditën dhe kulturën e Labërisë dhe më gjerë të shqiptarëve. Qeleshja në Labëri është një nga pjesët më të njohura të veshjes tradicionale të burrave shqiptarë dhe ka një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.

Qeleshja nuk është thjesht një mbulesë koke; ajo është një simbol i traditës, nderit dhe identitetit lab që vazhdon të ruhet dhe të trashëgohet nga brezi në brez.

Qeleshja dhe sharku: Personazhi në të majtë është veshur me kostum tradicional, ku bie në sy qeleshja dhe sharku, veshje simbol e çobanëve dhe burrave të Kallaratit e të mbarë Labërisë, që i ka mbrojtur nga të ftohtit dhe shiu. Sharku i çobanit në Labëri është një veshje tradicionale dhe funksionale, e cila përbën një simbol të jetës së vështirë dhe të lidhur ngushtë me natyrën të çobanëve. Sharku është i njohur për rolin e tij praktik, por edhe për vlerën kulturore dhe simbolike që mbart. Qeleshja në kombinim me elemente të tjera si sharku, fustanella dhe këngët labe, formojnë një pjesë të rëndësishme të kulturës dhe historisë së Labërisë.

4. Instrumenti muzikor

Longari: Instrumenti muzikor i paraqitur në të djathtë është një simbol i muzikës tradicionale shqiptare të labërisë. Longari ose cylja dyjare është më shumë se një instrument muzikor. Ai është pjesë e identitetit kulturor të Labërisë, duke shoqëruar këngët, historitë dhe traditat që e bëjnë këtë krahinë unike në trashëgiminë muzikore shqiptare.Tingujt e tij të veçantë vazhdojnë të mbushin me emocione festat dhe ngjarjet e rëndësishme, duke lidhur të kaluarën me të tashmen. Ky instrument shpesh lidhet me jetën e çobanëve në vetmi dhe muzikën që ata krijonin në male gjatë kullotjes së bagëtive.

5. Atmosfera Festive:

Kartolina është e mbushur me fishekzjarre dhe elementë të artë, që pasqyrojnë gëzimin dhe festimin e Vitit të Ri 2025.

Si përfundim mund të themi se Vanesa ka përmbledhur e kombinuar me mjeshtëri, artin, traditën dhe ndjenjën patriotike të kallaratasve, duke krijuar një kartolinë të bukur që përfaqëson, jo vetëm një urim, por edhe krenarinë për origjinën dhe historinë e origjinës së saj Kallaratin. Ky krijim përbën një shembull të shkëlqyer për brezat e rinj që mbajnë gjallë trashëgiminë kulturore dhe historike.

Me këtë rast Vanesa shpallet fituese e këtij konkursi në prag të festës së Vitit të Ri. Kjo kartolinë do të jetë kartolina me të cilën natën e Vitit të Ri do të urojmë gjithë kallaratasit kudo që ndodhen, miqtë dhe shokët dhe gjithë dashamirësit e Kallaratit.

Kryesia e shoqatës "Kallarati" i uron Vanesës, dhe me këtë rast gjithë fëmijëve kallaratas e jo vetëm, "Suksese në rrugën e dijes e të ruajtjes së traditave të trevës së labërisë dhe asaj shqiptare"