Kurvelesh pse të dhëmb gjiri
Kurvelesh o majë mali
Tek shkrep më mirë stralli
Tek derdh meloditë longari
Dhe ngrihen trimat nga varri
Dëgjohet një këngë malli
Ligjëron, labia te stani
Nga ligjet këputet xhani
Nga lotët nuk shuhet malli
Pa shpuzë, nuk të ngroh zjarri
Pa djem nuk duron vatani
Kurvelesh, flamur shpalosur
Përkëdhelur i pa joshur
Prerë djemtë e të pasosur
Larë gjak i pa përdhosur
Hasmi shqyer, handakosur
Kurvelesh pse të dhëmb gjiri
Pse s’këndon këngë bilbili
Bijtë që të kërkon syri
Mbetur botës vetëm filli
Me merakun tënd të vini
Gruas
Harrojmë që ke shpirt
Të krahasojmë me lule
Me hënën meit
Që në prehër ulet
Harrojmë që je shpuzë
Që s’shuhej natë e ditë
Dhe në gjirin tënd
Zjarr marrim të gjithë
Po se marrim hua
Për një copë herë
Se kush ka një grua
Ka hapur një derë
Ka hapur një çerdhe
Që është aq e ngrohtë
Sa rrebeshe vitesh
Nuk e ftohin dot.
Harrojmë, harrojmë
Kjo është e vërteta
Por brenda kurmit
Rrënjët i ka jeta!
Kush pi ujë në krua
Kush piu ujë në gurë
Që kur lindi u bë burrë
Kishin gjunjë, por kurrë s’u ulën
Se kish vendi halle shumë
Se kish halle Shqipëria
Gjakun kërkonte liria
O moj Nëna jon e mirë
Me barut na i dhe gjinë
Legjenda e një engjëlli
Një nuse në ëndrra
Mëkonte një jetë
Zoti lartë në qiell
Thoshte s’është e vërtet
Zoti ishte zot
Ai është një
Nëna ishte nënë
Dy s’bëheshin më
Dhe nëna një ditë
Na lindi një djalë
Zoti i inatosur
Deshi që t’ia marrë
Nëna merakosur
Thotë do lind një tjetër
Zemrën la te djali
Gjiri djepit mbetur
Ta lë dhe një herë
Tha zoti me vete
Dhe ta tretë ngadalë
Kocka le ti mbetet
Nëna lindi vajzë
Të bukur si hëna
Djalit atë natë
Zë i therte zemra
Nëna s’flinte gjumë
Zoti, po e po
Ti ç’kërkon nga unë
Ti nga unë, ç’do
Lërma engjëllin ta marrë
Lëre brenda gjirin tim
Jo, thotë nëna kreshpëruar
Se ky është qumështi
Edhe zoti morri udhë
Në qiell ku ka selinë
Do ta marrë se s’është punë
Atë engjëll aq të mirë
Nëna, nënë si gjithë nënat
Në gji e ka dhëmbshurinë
Po dhe zotin e mallkon
Ditën që i merr fëmijën
Ndaj dhe zoti u tërhoq
S’kish ç’të bënte ishte nënë
S’prishte dot folenë me zogjtë
Engjëllin këtu ka lënë
O kurbet, të zëntë nëma
Zemra derte zë e thotë
Pikon gjak e pikon lot
Pikon loti e plas guri
Mbetur përtej detit burri
Varur dyfeku për muri
Tharë shtrunga, nxirë hauri
Më la nuse e u plaka
Shami zeza, korba, nata
Nga dhembja rënkon gjiri
Po si trete si qiriri
Pa baba u rit biri
Prit e prit sa iu tha syri
Si duron në dhe të huaj
Hajde mos më lë të vuaj
Hajde në këto male
Je a s’je i gjallë fare
Bashkë ti heqim këto halle
Pa bukë e pa pikë dhallë
O kurbet të zëntë nëma
Na hape plagë të rënda
Balada e brengës
Më rëndon një gurë i rëndë
Më rëndon si gurë mulliri
Mu bë shpirti mëngë-mëngë
Copë e çik, zemra dhe gjiri
Mos merrni pe e gjilpërë
Që të qepni gjirin tim
Gjaku të rrjedh i tërë
Të mëkëmbë Shqipërinë
S’jam i pari, as i fundit
Që dheu do më mbuloi
Në më doni, pse s’përkundni
Djepin e kombit të rrojë
Po ç’i bëmë dashuritë
Thomëni ç’i bëmë vallë
Pse të vinin këto ditë
Pse të vriten Shqiptarët
Të rreckosur ngrysëm jetën
Të gjakosur, po ashtu
E kërkuam të vërtetën
E kërkojmë s’di se ku?!
Ngrehu, o Çelo Picar
E fol me Çobo Golemë
Burrat e rëndë si mban varri
Se i do vendi në këmbë
Shokë shpjermëni në Kaninë
Të shoh Ismail Qemalin
Gjithë trimat do më vijnë
Të vemi, ti puthim varri
Më duket se vjen nga deti
Me Evropën inatosur
Ylli, që një herë shkrepi
Mjekër bardhë, merak pa sosur
Labëri, moj këngërrënjë
Gjiri yt u bë buronjë
E vogël e një pëllëmbë
Përmbi shekuj rri si zonjë