Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2025, plot paqe e të mira! Në emër të redaksisë së gazetës “Zëri i Kurveleshit”, të gjithë lexuesve e shqiptarëve kudo që ndodhën e kremtojmë në Atdhe apo nëpër botë. Urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: Qoftë, Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore. Ç’do vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy viteve, sonte le t’ia lartojmë Zotit, lutjen tonë të falënderimit e të mirënjohjes, për të mirat që ka bërë, për ne dhe për të gjitha çastet që kemi përjetuar gjatë këtij viti që po mbaron. Ndërsa në orën 24 të mesnatës, Viti 2024, i’a lë vendin Vitit të Ri 2025 e njerëzit lartojnë gotat, për t’i uruar njëri-tjetrit një Motmot të Ri të gëzuar, e në qiell të ndizen dritat e fishekzjarrëve, dhe ne në heshtje të thellë, do t’i lutemi Zotit që Viti 2025 të jetë Viti i Mëshirës e i Paqes, i mbrojtjes së mjedisit, viti i ndërtimit të qytetërimit të ri, mbështetur mbi mirëkuptimin e të vërtetën. Pikërisht për këtë, le t’i lutemi që të gjejmë forcën, të vijojmë udhën e jetës gjatë Vitit të Ri, që po agon, të bindur se përmes planeve të mistershme gjatë shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi, forca, mëshira, dashuria e paqja dhe çdo e mirë, që mund të na dëshirojë zemra. Prandaj, Urimi jonë për Vitin e Ri është që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e mira të të gjithëve. Atij pra, t’ia besojmë dëshirat, synimet e planet tona. Uroj në këtë Vit të Ri shpresa dhe aspirata të reja, së bashku me zellin, guximin dhe angazhimin tuaj për t’i arritur. Shpresa të reja, plane të reja, përpjekje të reja, ndjenja të reja, përkushtim të ri. Paçi një Vit të Ri të gëzueshëm, plot ngjyra, të ndritshëm, më shkëlqim, të artë dhe të begatë. Viti i Ri t'ju japë forcë për të përballuar sfidat e jetës, kurajo për të rregulluar velat në mënyrë që të merrni çdo situatë në favorin tuaj. Duke ju falenderuar dua tju sjell ne kujtesë se pa ndihmën e të gjithë juve, që keni kontribuar me shkrimet tuaja kjo gazetë nuk do të kishte jetë. Po kështu një falenderim të veçantë për gjithë ata që kanë kontribuar financiarisht për mbajtjen gjallë të gazetës. Ju mirëpresim me shkrimet tuaja për dokumentimin e ngjarjeve dhe historive të Labërisë! Paçi një vit të mbarë përpara! Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2025 !!!