loader
Loading...
DITË JANARI NË KALANË E ALI PASHË TEPELENËS

Sa më shumë lexon për Ali Pashën, aq më tepër del në pah figura komplekse, e tij. Si tiran? Po edhe si hegjemoni i parë shqiptar sikurse kanë vënë re me të drejtë, me studime të thelluara autorë të respektuar si Dorian Koçi, Irakli Koçollari, etj.

Këtu fryjnë erërat e historisë dhe legjendave.

Në mjediset dhe objektet e trashëguara deri sot prej kohës së shkëlqimit të Pashallëkut të madh, ke ndjesitë se ende pranë këtyre mureve dhe rënojave, ndihen si pëshpërima, zërat e kështjellarëve, konsujve të huaj, dërgatave, agjentëve, banorëve myslimanë, të krishterë dhe hebrej, femrave bukura të haremit dhe roje, roje, sa shumë roje...

Është ditë dimërore janari pa shi. Në mjediset e brendshme të Kalasë së Pashait në Janinë, mund të fiksosh përtej pluhurit të historisë, objektet kryesore/Monumente kulture/ në ruajtje maksimale.

Këtu sheh vizitorë nga çdo vend i botës, studjues, historianë njerëz të letrave, etj., që intrigohen rreth kësaj figure unikale dhe epokës së tij.

PORTA. XHAMI. MUZE. MUZEU BIZANTIN. THESARI. KISHA E SHËN ANARGJIIRIT. XHAMIA E ASLLAN PASHËS. BIBLIOTEKA TURKE. BANJAT BIZANTINE, HAMAMI. XHAMIA E FETIQESË. KOMPLEKSE NDËRTIMORE. Dhe ai, VARRI i famshëm i tij.

Të rinj, familje me fëmijë, të dashuruar, nxënës, studentë, të gjithë vizitorë të zë syri gjithandej në kala si në një pelegrinazh turistik.

Si njeri, që kam lindur dhe kam kaluar fëmijërinë pranë mureve të kalasë tjetër të Aliut në vendlindjen e tij në Tepelenë, përmbi Vjosë; pak ditë më parë e vizitova atë Kala.

Pashë që po realizohej më në fund një tjetër projekt rehabilitues, në mjediset e brendshme të Kalasë, këtij kompleksi monument kulture i kategorisë së parë. Uroj, që të përfshihet këtë herë edhe Muzeu i munguar i Aliut, që qytetin ku sot, ka vetëm një bulevard kryesor me emrin e tij por, jo një muze. Dhe ai, quhet Ali Pashë Tepelena (jo: Ali Pashë Janina).

Duke menduar këto, para një monumenti kulti në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, befas, ngrita sytë nga qielli se nisën pikat e shiut dhe , thashë me vete: ZOT, boll kemi vuajtur nga varfëria e mendimit dhe vizionit !...


Fotot: arkivi personal Sh.Hajno.