loader
Loading...
ALI NIVICA DHE BEQAJT E NIVICЁS

PROLOG

Sociologë, psikologë a psikanalistë të shquar, kanë vërtetuar se karakteret e njerëzve formohen a ndikohen, jo vetëm nga kushtet familjare e shoqërore, ku rriten e kalojnë jetën, por edhe nga mjedisi apo gjeografia, ku u ka rënë fati të jetojnë. Këto rrethana e bëjnë të veçantë jo vetëm fizikun a pamjen e jashtme të tyre, por edhe psikologjinë e shpirtin e gjithsecilit. Bie fjala, nëse shikon një të panjohur, me cilësi të veçanta, me trup të lartë, me ecje prej atleti, pa mish të tepërt në trup, me vështrim zhbirues, etj. Menjëherë mëndja të shkon se ky është malësor, lab, kurveleshas...Ndjesia nuk është e gabuar. Po, ai është malësor, lab, kurveleshas, sepse, veç të tjerash, tereni ku ka lindur e është rritur, e ka bërë të tillë. Ka jetuar në një gjeografi, ku fati ka qënë gjithnjë në zgrip. Por ka jetuar... A e keni parë atë dafinën në faqen e thiktë, në humnerën e ububushme, se si i është ngjitur shkëmbit? Me rrënjët e saj, delikate në dukje, ajo gjen veç një të çarë në faqen e frikshme të shkëmbit dhe kaq i mjafton, që, në mënyrë të pabesueshme, të rritet plot jetë e shëndet. Ç‘të rritur se..! Ajo është më e bukura e më erëmira e dafinave që ka bota. Se është rritur me sakrifica...Na pëlqen ta krahasojmë me jeten dhe sakrificën e kësaj dafine , jetën e banorëve të trevës së Kurveleshit, që kur ka lindur njeriu i parë e deri më sot. Përjetësisht jeta këtyre anëve, ka patur një histori të vrullshme në një gjeografi të aksidentuar.

KURVELESHI

Historia e Kurveleshit nuk mund të bëhet, vecse në kuadër të historisë së Labërisë, pjesë e së cilës është dhe ka një vend të vecantë në historinë e kombit. Falë kushteve të favorshme për mbrojtje, Kurveleshi ka qënë vatra kryesore e qëndresës në Labëri. Georg Hahni e ka quajtur këtë krahinë “një akropol të paarritshëm prej armiqve“. Shpirtin e kundërshtimit të së keqes, ngado që ka ardhur, nuk arriti ta shuante as gjysmëshekulli i diktaturës, as varfëria dhe rënia morale, që e pllakosi Kurveleshin në vitet e tranzicionit. “Ta fshehësh apo ta harrosh prejardhjen tënde, thotë Prof. Rahmi Mehmushi, është një gabim i pafalshëm. Kudo që ta kenë hedhur valët e jetës, kurveleshasi duhet të krenohet për prejardhjen e tij dhe ta dojë edhe më shumë vëndlindjen, njerëzit e saj, zakonet, traditat fisnike, për të cilat na kane lëvduar edhe të huajt. Dhe jo vetëm të krenohen, por edhe të përpiqen t’ia çojnë emrin më lart me sjelljet dhe veprimet e tyre, të bëjnë diçka te mirë për këtë krahinë, në mënyrë që të mos mbetet peng i tranzicionit.”(R. Memushi: Historiku i Kurveleshit) Ka qasje, kur, nga lodhja, shoqëria i flak tutje heronjtë dhe historinë, ashtu si një femijë hedh poshtë librat ditën e fundit të shkollës. Por këto çaste marrëzie nuk zgjatin shumë. Shoqëria ka nevojë për përvojat e kaluara dhe prandaj u kthehet atyre për të ndrequr shformimet e për të gjetur rrugën e duhur të së ardhmes. Banorët e kësaj krahine, përsa i përket origjinës së tyre, duke u nisur nga të dhënat arkeologjike, historike dhe linguistike, janë autoktonë në trojet ku banojnë. Fisi i fundit ilir, që ka jetuar në këtë krahinë, ka qënë ai i Korvesejve, prej të cilit ka prejardhjen Kurveleshi. Sufflay, në një dokument të kohës, publikuar në librin e tij, flet për një kryengritje, që ka shpërthyer kundër turqve në vitin 1481, ku ndër të tjera, shkruan:“Popullsia e këtyre malësive përbën më shumë se 50 fshatra, ku dalloheshin krahina si njësi etnike më vete, me treva të vecanta, si: himarjotët, grisejtë dhe korvesejtë“.(Sufflaj, “Serbët dhe shqiptarët“, Tiranë, 1926)Përpara korvesejve, në lashtësi, krahina që sot quhet Labëri, quhej Kaoni dhe banorët e saj, kaonë. Kaonët kanë qënë një nga fiset e Ilirisë jugperndimore, që përmenden për herë të parë prej Hekateut, dijetar grek I shekullit V. p. e.r. në librin e tij,“Udhëtime rreth botës“. Ndërsa Skilaksi, bashkëkohës i Hekateut, thotë se:”Pas ilirëve vijnë kaonët, pas kaonëve vjen fisi i Thesprotëve“ Kaonët i përmënd edhe Tuqididiti, në çerekun e fundit të shek. V. p.e.r., si aleatë të spartanëve dhe ambrakasve kundër Athinës. Emri i kaonëve dhe i Kaonisë, del te të gjithë autorët e mëvonshëm grekë dhe romakë, duke përfunduar me Stefan Bizantinin, i cili jep hartën etnike të Epirit, rreth shek. VI pas Krishtit, para se fiset të zhduken përgjithmonë. Pa diskutim, Korvesejtë janë pasardhës të fisit të Kaonëve. Sipas Kristobul, historian grek i shek.XV,i cili përshkruan fushatën e vitit 1459, të Sulltan Mehmetit II, kundër vendeve përballë Korfuzit, thotë se në fillim ilirët e kësaj treve quheshin mahaonë,(Kaonë). Emri Kaoni, që më vonë u shua dhe nuk përdorej më, u ruajt në folklor. Vargjet e një kënge të vjetër të Himarës (Labërisë), thonë: “Ata dinë ç’trima jemi/që në kohë të Kaonisë/“. Por edhe te mbledhësi i hershëm i folklorit, Spiro Dine, përmëndet dy here emrin Kaoni.Kur përmëndim sot emrin Kurvelesh, kemi parasysh pesë fshatrat që përbëjnë këtë njësi administrative: Lekdush, Progonat, Gusmar, Rexhin dhe Nivicë. Të pesë fshatrat, si pesë gishtrinjtë e dorës, në një vendosje gjysëmrrethore, janë ngritur në prehër të maleve. Aleatë të përjetshëm me malet, në të mirë e në të keq! Të pesë fshatrat gjirin ia kanë hapur diellit të mëngjesit, që me rrezen e parë, ngroh, pemët, drurët, gurët, arat,barin, lulet, pyjet, shpirtrat e banorëve të këtyre anëve…Para Luftës se Dytë Botërore, nocioni gjeografik dhe administrativ, Kurvelesh, ka qënë më i gjerë se kaq. Kurveleshi përbëhej nga Kurveleshi i Sipërm dhe ai i Poshtëm. Gjithësej 15 fshatra, që kanë bërë pjesë si njësi administrative, herë në Pashallëkun e Delvinës, herë në atë të Vlorës. Në kohët e lashta, deri në mesjetë, Kurveleshi ka bërë pjesë në krahinën e Himarës, e cila përmblidhte 50 fshatra, deri në Tepelenë. Tradicionalisht Kurveleshi ishte i përbërë nga këto fshatra: Nivicë, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekdush, Bënçë, Shtëpëz, Picar, Humelicë, Kolonjë, Kaparjel, Golëm, Vërmik, Kallarat, Kuç, Fterrë, Çorraj,Borsh. (AQSH, nr. 311, viti 1929, Dosja 1,).

Mendimet që qarkullojnë nga njerëz të ndryshëm se rregjimi komunist e shpërbëri Kurveleshin, fshatrat e të cilit i kaloi në administrimin e katër rretheve: Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelene, se mos Kurveleshi, po të ishte i bashkuar mund ta “ trovoliste” rregjimin, duken infantile. Rregjimi i asaj kohe kishte mundësinë dhe forcat për të mposhtur çdo kundërshtim. Aq më tepër që Kurveleshi, si krahinë, kishte dhënë një kontribut si rrallë krahina gjatë Luftës së Dyte Botërore dhe rregjimi e mbante si” kështjellë të kuqe”. Shkaku përse u shpërbë Kurveleshi, është racional dhe shumë i arsyeshëm. S’mundej, me që bie fjala, Vërmiku, Kuçi, Bolena apo Kallarati, të vinin në Gusmar, si qëndër nënprefekture, për çdo problem administrativ. Theksojmë se për ta bërë këtë, u duhej të bënin nga katër deri në pesë orë udhë më këmbë. Në dimër është pothuaj pamundësi. Fshatrat më lart iu atashuan Vlorës. Çorraj, Fterra dhe Borshi kaluan me Sarandën, ndërsa Shtëpëzi, Humelica, Kolonja, Golëmi dhe Kaparjeli, u lidhën me Gjirokastrën. Nivica, Rexhini, Gusmari, Progonati dhe Lekdushi mbetën me Tepelenë Historia e kësaj krahine dëshmon për shumë ngjarje të rëndësishme duke u vënë përballë rrebesheve të kohës. Por ka qëndruar me dinjitet. Pa e mekur vështrimin, pa e thyer gjurin. Kurveleshi është kocka e Labërisë dhe na vjen mirë të perifrazojmë Prof. Dr. Rexhep Qosen, kur thotë: „Sa herë ka hall Shqipëria, e para është Labëria.“ ( Patjetër kocka- Kurveleshi! ). Dëshmohet nga gojëdhënat, folklori, dokumentet arkivore, monumentet historike, gjetjet arkeologjike etj. se Kurveleshi, si gjithë Labëria, ka pësuar mbi kurriz goditje tronditëse, djegje, shkatërrime nga të gjitha pushtimet. Por më mizoret kanë qënë ato të v. 1913- 1914, ku andartët grekë, me urë zjarri në dorë, dogjën Kurveleshin. Këtë dhimbje, e pasqyron edhe kënga e popullit, kur thotë:“ O Kurveleshi me derte\ Qysh duron për ato lezete,\ Për ato odat me qelqe\ T’i dogji e t’i zhuriti\Venizellua nga Gjiriti...“\(Manxhar Taka “Drithërimat e Katërmbëdhjetës“ E tillë ishte edhe mësymja fashisto- naziste e Luftës së Dytë Botërore, ku Kurveleshi iu kundërvu pamëdyshje bishës nazi- fashiste, por pagoi kosto të lartë. Gjaku i shumë bijve të saj u vu në altarin e lirisë. Kurveleshi doli ballëlart nga kjo luftë dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Ai ballendritur kishte dalë nga përplasja me armiqtë e Shqipërisë në çdo kohë. Emrin e ka të shkruar me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë. Një goditje tjetër, e dhimbshme, trishtuese, e pakuptimtë, ishte ajo e pas viteve 1990. Pati një shpërngulje masive të familjeve kurveleshase, një boshatisje biblike të fshatrave, duke mos i kuptuar drejt hapësirat e pafundme që të jep demokracia. Të abuzosh me të është e dëmshme. Sidoqoftë ikjet, braktisjet, largimet nga vendlindja, janë dhimbje. Familje të tëra, me kokën pas, për një jetë më të mirë, u vendosën kryesisht në Tiranë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër apo edhe jashtë atdheut, si: në Greqi, Itali, Gjermani, Angli e SHBA e deri në Australinë e largët. Kudo që shkuan, punuan me dinjitet dhe përmes vështirësive të panumërta, ruajtën krenarinë dhe u integruan në qytetërimet ku vajtën, si të barabartë e dinjitozë Tani, shumë prej të emigruarve, i kanë kthyer sytë nga vendlindja. Kjo, për fat të mirë, nga që po krijohen kushtet infrastrukturore në krahinë. Është si një ëndërr e bukur, kur, pas asfaltimit të rrugës Tepelenë- Nivicë, ka nisur një ndërmarje e gëzuar e plot shpresë për të ardhmen, ajo e hapjes dhe asfaltimit të rrugës Gusmar- Kuç-Kudhës- Qeparo- Himarë. E pabesueshme, por e vërtetë! Kjo rrugë turistike, me parametra maksimalë, do të lidhë Kurveleshin me Himarën dhe fshatrat rreth saj. Për 40 minuta, nga qendra e Nivicës, mund të shkosh dhe ta pishë kafenë në Spile dhe e kundërta. Eshtë një lidhje shumë e dëshiruar, si nga kurveleshasit, ashtu edhe nga bregasit. Jemi një gjak, një gjuhë, një ADN dhe kemi një atdhe: Shqipërinë. Kemi të njëjtat karakteristika antropologjike dhe të njëjtin karakter. Me djem e burra “që të marrin gjak në vetull“e vajza e nuse të bukura, si të stërpikura me dritë hëne. Jemi fis kaonësh! Vetëm dy shekuj më parë Himara ka qënë kryeqendra e Labërisë. Pse të mos bëhet edhe tani? Kemi qënë gjithnjë bashkë. Familje të shumta kurveleshase kanë miqësi të ngushtë me ato të Bregut. Shumë familje në Himarë dhe fshatrat e Bregut, janë me prejardhje nga Kurveleshi, si: Rexhajt nga Rexhini, Bollanaj apo Kokaj nga Progonati, etj. Edhe në vitet e diktaturës, nuk i jemi ndarë njeri- tjetrit. Kemi përjetuar të njëjtin fat. Gjatë verës, tufa bagëtish nga Himara dhe fshatrat e saj, veronin në kullotat malore të Kurveleshit, ashtu si në dimër bagëtitë e Kurveleshit zbrisnin në bregdet. Ёshtë shumë e afërt dita, kur prodhimet e mrekullueshme blektorale, si: mishi, djathi, gjalpi, gjiza, qumështi, do të furnizojnë, me kosto të ulët, tregun turistik të Bregut. Ashtu si agrumet, ulliri dhe vaji i ullirit, do të zënë vend lehtësisht në menunë e tavolinës kurveleshase. Më shumë se kaq! Himarë e Kurvelesh,( Labëri ) janë një trup e një shpirt dhe na vjen mirë, të citojmë Bajronin, poetin anglez të shek. XIX, që, kur vizitoi Himarën dhe Labërinë, i mahnitur, tek poema e tij madhore,” Çajld Haroldi”, shkroi:“ Të rreptë bijtë e Shqipes!” Vetitë nuk u mungojnë, por të ishin më të arrira. Kush e duron si ata mundimin e luftës!? Shkëmbijtë e tyre s’janë më të patundur se ata, Në rast rreziku dhe nevoje! Ç’armiq për vdekje, por sa miq besnikë! Kur besa a nderi i thërret të derdhin gjakun, Si trima turren ku i thërret i pari i tyre…