loader
Loading...
PJESE NGA LIBRI  ALI NIVICA DHE BEQAJT E NIVICЁS

Aliu lindi në Selanik, më 16 maj të vitit 1900. Selaniku u bë djepi dhe arkivoli i tij. Duke gdhirë 16 maji i atij viti, Hadëri mori lajmin e gëzueshëm, se ishte bërë baba i një djali. Lajmin ia dha mamia, që kishte asistuar lindjen e fëmijës në shtëpi. Fluturonte nga gëzimi. Nuk i besohej sa të shihte me sy fëmijën, por mamia, që ishte shqiptare, e shtyu miqësisht tutje, me mendimin se ishte ende herët. Atëhere, zbriti shkallët, mori thuajse me vrap rrugicën dhe doli në breg të detit. Ecte, s’dinte për ku, sikur donte të lajmëronte Selanikun, e pse jo, gjithë botën, se ishte bërë baba i një djali. Gëzimi s’kishte kufi. Ditën e tretë të lindjes, i vunë emrin: -Do ta quajmë Ali,- i tha të shoqes, duke puthur lehtë në ballë dhe Faton dhe fëmijën. Të ketë emrin e hazretit Ali, që shpuri frymën e shenjtë në Tomorr dhe majë Këndrevicës. Selaniku i kapëtcyellit të shek.XIX, ishte një qytet i zhurmshëm dhe i pagjumë. Gëlonin lloj- lloj racash, kombesh, feshë, gjuhësh. Rrugët ishin plot tregtarë të pasur, peshkatarë pafund, punëtorë krahu e të papunë. Të varfër që lypnin për të jetuar, pasanikë, që as vetë nuk e dinin sa pasuri kishin, shitës ambulantë, që mezi nxirrnin bukën e gojës, dokerë anijesh, arixhinj me arinj të zbutur, që bënin kalamajtë të gajaseshin, shitës frutash e akulloresh, zonja të rënda e zotërij të pispillosur. Shihje rrugëve plot djem e vajza të bukura, ushtarë e oficerë me lloj- lloj uniformash, kalorës me kuaj, që askush s’e vriste mëndjen se nga vinin e ku shkonin. Selaniku frymonte nga lëvizja, zhurma, gjallëria. Lulëzonte tregtia korruptive, sidomos ajo e pijeve të forta alkoolike, e duhanit, e erëzave dhe e metaleve të çmuara. Lulëzonte jeta e natës, prostitucioni dhe kumari. Por mbi të gjitha ishin shtuar fallxhoret. Ato i gjeje në çdo rrugë e rrugicë, pranë vilave luksoze, në lagjet e varfëra periferike, te porti, në plazhet, ku pushonin njerëzit e kudo. Secila për hesapin e vet. Jo të gjitha me të njëjtin status e klientelë. Kishte nga ato që u kishte dalë nami se “ta jepnin fatin në pëllëmbë të dorës”, siç kishte të tjera, që jepnin e merrnin me myshterinj të dorës së dytë apo të tretë. Shtimi i fatthënseve ishte shënjë se qyteti s’do t’i kishte mirë punët në vitet që do të vinin. Më e kërkuara dhe e preferuara në ato vite, ishte fallxhorja Zengjine, që kishte një klientelë të sërës së lartë. Me këtë zanat kishte vënë para të madhe dhe kishte ndërtuar dhe një vilë. Ishte bërë modë në Selanikun e atyrë viteve, që, kur lindëte fëmija, ditën e shtatë, duhej t’I lexohej fati nga një fallxhore. Fatua mezi e priti këtë ditë dhe iu lut të shoqit, që patjetër, të gjente fallxhoren Zengjine, me nam të madh dhe le t’I jepte sa të kërkonte, me kusht se e donte të saktë, ç’kishte shënuar fati për Aliun. Hadëri nuk i tha as po, as jo së shoqes, pasi atë ditë kishte punë tjetër. Do të shtronte një drekë për shokët e tij të punës, me rastin e lindjes së djalit. Sidoqoftë, do të bënte të pamundurën. Në tavernën e madhe, në anë të detit, atë ditë kishte shumë klientë, që drekonin. U bashkuan dy tavolina për tetë vetë: Aliu, Aleksis dhe greku tjetër me emrin Fotaqis, dy turq, hebreu, maqedonasi dhe bullgari me emrin Nikolov. Tavolina u mbush plot, me gjitha të mirat dhe kjo e kënaqi shumë Hadërin, që e ndjente veten në qiellin e shtatë. Shokët hodhën në tabaka zarfat me para për urim dhe shakatë e të qeshurat arritën kulmin. Pikërisht, në kulmin e saj, hareja u pre krejt papritur. Një I panjohur, me uniformë ushtaraku, iu afrua tavolinës, ku drekonin tetë shokët. Të gjithë shikonin njeri-tjetrin të habitur. Për një çast kishte rënë heshtja në gjithë tavernën. Vetëm në këndin verior të tavernës, në një tavolinë të vetmuar mbi det, dikush këndonte, për qejfin e vet, një këngë ahengu në turqisht. Melodia vinte e zvargët, por, sidoqoftë, mbushej nga tingujt e nje qemaneje të madhe. Oficeri iu drejtua tavolinës, ku ishte Hadëri me shokët dhe tha: -Ejvallah, agallarë! Kush është efendi Hadëri prej jush? Shokët panë njëri- tjetrin në sy. Po kjo ç’qe? -Unë,- u përgjegj Hadëri, pa ia hequr sytë ushtarakut të panjohur, që rezatonte kulturë dhe mirësi. -Jam i dërguar nga Komandanti i qytetit, gjeneral Hasan Tahsin Pasha, të të uroj për lindjen e djalit. Futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe prej andej nxorri një zarf. -U bëftë 100 vjeç, biri yt! La zarfin mbi tavolinë dhe sërish bëri temena. Hadëri u hutua aq shumë, sa i ikën fjalët. Shokët e lutën ushtarakun, që të ulej në tavolinë, por ai përkuli trupin në shënjë nderimi dhe u largua, po aq befas sa edhe erdhi. -Për komandantin Hasan Pasha, këtë shëndet!,- tha njëri prej turqve dhe e ktheu me fund gotën e verës. E kthyen me fund edhe të tjerët. Siç duket, bisedën e ushtarakut e kishin ndjekur dhe tavolinat pranë, pasi dhe ata u ngritën në këmbë dhe i kthyen me fund gotat e verës, në shënjë respekti për Pashain e mirë. Pikërisht, në çastin që po uleshin, greku Aleksis, që ishte në krah të Hadërit, i ra me brryl, pa i hequr sytë nga dyqani, ku u shfaq papritur fallxhorja Zengjine. Hadëri, sa e pa, u ngrit vrullshëm, u mbështet te parmakët prej druri të tavernës dhe thirri: Hanëm Zengjine! Hanëm Zëngjine! Fallxhorja ktheu kokën nga erdhi zëri. -Lepe! -Kam një porosi për ty nga ime shoqe, nëse mundesh, urdhëro te tavolina, ku jam me shokët. Fallxhorja Zengjine, u bë gati t’i thoshte “Jo”, pasi personi që e ftoi, nuk ishte i njohuri i saj, për më tepër, nuk ngjante me ndonjë efendi të sërës së lartë. Por e ktheu mendjen dhe duke hedhur hapat si me përtese, iu drejtua tavernës duke shqiptuar nëpër dhëmbë: “Peqe!” Fallxhorja Zengjine, më e famshmja fallxhore e Selanikut, e ngjallur nga trupi, me një hejbe të vogël hedhur supit, ecte me hapa të rënduar, si ndonjë patë e dhjamosur. -Bujrum! Bujrum!,- thirrën burrat njëzëri, kur ajo iu afrua tavolinës. Ajo bëri shënjë të mos shqetësoheshin dhe iu drejtua Hadërit për ta pyetur se ç’hall kishte. Përballë ishte një det i qetë Selaniku, ku vozitnin varka të shumta peshkatarësh, që, shumica, sapo ktheheshin nga gjuetia. Rrallë ndodhte që në këtë muaj, deti të ishte kaq i qetë. Aliut iu bë deti si një djep I stërmadh, që përkulej fare lehtë nga valët lozonjare, si për të mos prishur gjumin e Aliu dhe gjithë fëmijëve të botës. -Sot është dita e shtatë, që unë jam bërë babai i një djali dhe dua prej teje të më tregosh, se cila është rruga e fatit e tim biri,- tha Hadëri, duke mos ia ndarë sytë fatthënëses. Pazarin bëje vetë. Fallxhorja Zengjine, e rrahur me vaj e me uthull, i vuri syrin njërit prej zarfave me para, që ishin ende mbi tavolinë dhe zgjati dorën drejt zarfit më të trashë, atij të gjeneralit. -Si shpërblim dua këtë zarf. Tashti më jep ndonjë nishan të tët biri,- tha fallxhorja, që e peshonte zarfin ende në dorë. Hadëri futi dorën në xhepin e jelekut dhe nxorri një shami të vogël mëndafshi, ku Fatua kishte mbështjellë ca fije flokësh nga balli i Aliut të vogël. Të tetë burrat, por edhe nga tavolinat përreth, i ngulën sytë te fallxhorja. Pyeti për emrin e foshnjës, pastaj, me shumë kujdes, nxorri fijet e flokëve nga shamia e mëndafshtë. Tha diçka nëpër dhëmbë, u fryjti fijeve të flokëve me delikatesë, si të trëmbej se mos i iknin nga duart. Hapi gojën fort tri herë, sikur të kishte një javë pa gjumë. Pa nga Hadëri, pastaj e uli vështrimin mbi fijet e flokëve, me aq vëmëndje dhe përqëndrim, sikur do zgjidhte hallet e botës. Fytyra e saj i ngjante një maske. Asnjë muskul nuk I lvizte. Vetëm sytë ishin në kohë të plotë pune. Hadërit iu bë sikur fallxhorja, mblodhi vetullat e balli iu mbush me rrudha, sikurse ndodh kur vështrojmë diçka që s’na pëlqen. Pastaj, pasi u bind se diçka kishte lexuar te ato fije flokësh, hapi gojën: -Jeta e evlatit Ali do të jetë, jo si ky det i sotëm,- dhe hodhi sytë nga deti, që ishte vaj, por si deti i të xhumasë që vjen, pas tre ditëve. Inshallah, qoftë det si ky i sotmi, por…ngriti supet, si për të thënë se s’është në dorë time dhe pa Hadërin në sy, sikur t’i thoshte se rrugëtim të vështirë paska,yt bir! Por nuk foli. Mori zarfin, bëri sërish temena dhe u largua, po me atë ecje të rëndë prej pate, që kishte ardhur. Gjer të xhumanë, Hadërin dhe Faton s’i mbante vendi. Si do të ishte fati I Aliut? Ç’fat i kishte shkruar Allahu? Po të xhumanë nuk ishte nevoja të shihje detin. Gjithë natën rrufetë s’kishin të pushuar dhe kishte gjëmuar me kërcëllimë, sa njerëzia s’kishin mbyllur sy. Zhurma frikësuese e dallgëve, vinte deri te kodra, ku kishte shtëpinë çifti i ri. Sidoqoftë, Hadëri doli herët. Dukej sikur ishte përmbysur bota. Dallgët kishin arritur gjer te dyqanet dhe katet e para ishin mbushur plot. Varkat dhe anijet dukeshin si lëvozhga, me të cilat, dallgët e detit bënin ç’ju donte qejfi! Hadëri, i mërzitur, u kthye në shtëpi. -Pse ky fat i trazuar, biri im?- dhe shtrëngoi fort Faton, që dridhej. -Pse ky fat, bir?,- përsëriti dhe Fatua nëpër dhëmbë dhe u shkreh në vaj.

LUFTA E VLORËS DHE ALIU

Aliu 20- vjeçar, me të atin, ishin dëshmitarë dhe pjesëmarrës të ngjarjeve të motit 1920. Ai pa sesi më 24 maj, u përzunë italianët nga Kurveleshi dhe në krahë të Riza Runës, pritën Halim Xhelon nga Tërbaçi, për të ngritur flamurin në Nivicë. Atë natë, Halim Xhelo Tërbaçi, ishte mik në shtëpinë e Hadër Mevlanit. Më 25 maj, erdhën në Nivicë edhe Selam Musa Salaria dhe të nesërmen Gani Aliko nga Shkoza dhe Hazbi Ceno nga Mavrova. Të gjithë këta burra të shquar, të shoqëruar nga R. Runa dhe të shoqëruar nga djaloshi i shkolluar, Ali, bujtën disa vakte në Beqaj. Aliu me të atin, Hadërin, ishin më 27 maj në Gusmar, ku burrat e Kurveleshit, lidhën besën për të luftuar përkrah vlonjatëve për të hedhur italianët në det. Mbledhja u zhvillua te Rrapi i Tahire, ku morën pjesë Selam Musai, At Ahmet Turani, Gani Aliko e Hazbi Ceno. Në mes të mbledhjes, ku burra të mënçur e trima, diskutonin për çështjen, u ngrit dhe një djalosh, që, gjithë zjarr, tha; -Ua kemi borxh vlonjatëve këtë ndihmë. Na mbajtën për tre vjet me ç’kishin, si vëllezër e fëmijë të tyre, në kohë të liga të masakrës shoviniste. Jam i pari që do t’i bashkohem çetës së xha Rizait. Rroftë Vlora! Rroftë flamuri! Ishte Aliu. Burrat e përqafuan, ndërsa Hadëri u përlot nga ky gjest i të birit. Më 6 qershor, çeta prej 70 vetësh, me pjesëmarrës nga Nivica, Rexhini dhe Gusmari, u nisën për në Vlorë. Me ta ishte edhe Selam Musai, vetë i pestë. Çeta u përcoll nga At Ahmet Tuani, nga gjithë banorët e fshatrave dhe nga nxënësit e shkollës, që tundnin flamurin kombëtar dhe këndonin këngë patriotike. U krijua një atmosferë e veçantë. Aliu i përjetoi me shumë emocion këto momente. Shpejt e shpejt takoi njerëzit e familjes, pastaj të ëmën, Faton, mori bekimin e saj dhe u vu në ballë të çetës me flamurin në dorë. Grumbullimin e parë çeta e Nivicës dhe ajo e Kurveleshit, e bëjnë në Beun. Aliu, si më me shkollë se të tjerët, merr përsipër të jetë kronikani dhe poeti i kësaj lufte. Orator dhe i shkathët, për çdo ngjarje mban shënime dhe këto shënime do të jenë “brumi”, me të cilën do të “gatuajë” poemën e ardhshme “Lufta e Vlorës”. “Në mbledhjen e Beunit,- shkruan Aliu,-Riza Runa zgjidhet anëtar I Komisionit dhe caktohet komandant i Çetave të Kurveleshit“ Pastaj vazhdon:“ Në Luftën e Vlorës, morën pjesë të gjithë burrat e fshatit Nivicë, Rexhin, Gusmar, të aftë për të mbajtur armë. Ndërresa e luftëtarëve bëhej çdo 15 ditë, gjatë tërë periudhës së luftimeve. Rizai ishte komandant I çetës së Kurveleshit, ndërsa çeta e Nivicës, është komanduar nga Shaqo Llapi, Mulo Kaçupi e Cano Duka. (Lufta e Vlorës, Ali Nivica. Faqe 12). Aliu pa me sytë e tij heroizmin e kurveleshasve dhe rregjistroi çdo çast të këtyre betejave. U pikëllua, kur në sytë e tij, u vra gabimisht nga çeta e Nivicës, gjenerali italian Enriko Gotti, i cili ishte në besë të niviciotasve.“Më dhëmbi shpirti, do të shkruante, për vrasjen gabimisht të gjeneralit, pasi ishte në besën tonë. U helmuam të gjithë dhe veçanërisht anëtarët e Komisionit, që e varrosën me nderime të mëdha“.(Po aty). Më 27 korrik, sulmohet Vlora nga shtatë drejtime. Çeta e Kurveleshit, së bashku me vullnetarët e ardhur nga Korça, sulmojnë nga ana e Llakatundit. U muar Qafa e Koçiut me luftime të përgjakshme. Selam Musai me shokë, u fut nga ana e Babicës, brenda në llogore të armikut. Si një dragua legjendash,mbeti i vrarë, duke ia zënë frymën topit armik, së bashku më Dule Dalanin, Memë Sherifin dhe Shefqet Shehun nga Nivica. Këto ngjarje heroike, që Aliu i pa me sy, i ka përjetuar në vargje: Në kodrat e Babicës,\ Parreshtur u vërvinë,\ Çeta e Riza Nivicës,\ Mbi mitraloza u ngjinë.\ Më tej: Selami parreshtur hyri,\ Qafat i zuri të gjitha,\ Burra, përsipër hidhi,\Forca, o Riza Nivica!\ Shefqet Shehu nga Nivica,\ Është vrarë më top nga deti\ Për të mban zi Këndrevica,\ Vajton gjithë Kurveleshi.\ Lufta heroike e gjunjëzoi ushtrinë mbretërore italiane. “S’ka ushtri e armatim, që nuk mposhtet, - shkruan Aliu,- kur ke në zemër flamurin dhe atdheun!” Si djalë i ri dhe i shkolluar, ishte shumë aktiv në luftime,por edhe në diskutime e debate. Fitoi zemrën e komandantëve dhe të luftëtarëve. Zuri shumë mik Ago Agajn,nga Lumi i Vlorës, pasi dhe ai burrë i zgjuar, e jetonte luftën, jo vetëm si luftëtar, por edhe si vëzhgues i hollë, që kur gjente kohë, hidhte impresionet në bllok. Ishte gojëmbël dhe të gjithë e donin shumë. Aliu nuk zemërohej kurrë. Edhe kur mendoje se nuk kishte rrugëdalje, ai e gjente shtegun. Aty mësoi shkollën e luftës dhe qoftë në shkrimet e tij a qoftë në bisedat e pasluftës, ai përulej me nderim para atyre trimave, që historia i ka shkruar me gërma të arta, si: Selam Musai, Sali Vranishti, Kanan Maze, Dule Dalani, Shefqet Shehu, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Hasan Hyso, Duro Shaska, Osman Haxhiu, Shero Emini, Ahmet Lepenica, Sait Toptani, Riza Runa e plot të tjerë. Ishte me Ago Agajn, i cili në kujtimet e tij përshkruan një ngjarje, të denjë për penat më të ndritura të botës, ngjarje që edhe Aliu e tregonte shpesh dhe në poemën e tij ka një strofë për atë trim, akti i të cilit, barazohet me aktet e luftëtarëve trojanë.“ Ja ç’përshkruan Ago Agaj: “Në rrëzë të një ulliri të vjetër, u përpoqëm me një burrë të panjohur, që pas veshjes duhet të ishte i mesaplikas, i cili, i plagosur në gjoks, kërrusej e drejtohej herë pas here nga dhimbjet, po zë nuk nxirrte. Vrapuam pranë tij, por s’kish mundësi ta ndihmonim, as unë, as Aliu, as mjeku më i madh i botës. “Mbahu, or mik, se kështu e kanë burrat dhe hidhe mëndjen te Zoti!“Na shikoi qetësisht të dyve në sy dhe tha: “Im gjysh e im atë, kështu kanë vdekur, por lanë djem pas. Unë s’lë njeri pas vetes.” Dhe pastaj, u mblodh e u mblodh dy-tre herë dhe tha: Punë e madhe! Le të rrojë Shqipëria! U trondit edhe një herë te trungu i ullirit, u mbështet mire për të dhe dorëzoi shpirtin e tij trim” (Ago Agaj, Kujtime)