Për Hamdi Pulon, poetin e madh
popullor të Tragjasit e Labërisë. Është nga figurat më të mëdha të krijimtarisë
gojore të Labërisë, nga më të afishuarit krijues popullor në krijimtarinë
folkrorike të shekullit të njëzetë. Hyri vrullshëm, më saktë në fundin e viteve
gjashtëdhjetë, dhe vetëm për rreth tri dekada i dha krijimtarisë popullore
shpirtërore një korpus më vehte me një pasuri të jashtëzakonshme vargjesh e
këngësh popullore. Është nga figurat më të mëdha të krijimtarisë gojore të
Labërisë, nga më të afishuarit në krijimtarinë folkrorike në raport me
këngën.Hamdi Pulo u largua herët nga jeta, vetëm 62 vjeçar ishte atë ditë
shtatori të vitit 2003, por na la si trashëgimi një mal të tërë me këngë. “Jatagan
me trëndelinë”, tituli i librit me reth dyqind e pesëdhjetë faqe i thotë vetë
të gjitha. Një krijomtari e tërë në vargje që shkon nga epika hiostorike
shtrirë në të gjitha etapat e mbijetesës që ka kaluar atdheu e kombi, dertet e
dhimbjet e deri te lirikat pastorale e ato të dashurisë. Hamdi Pulo ka një varg
shumë interesant, të veçantë e të pa ngjashëm me të tjerë, varg që mund t’i
qaset shumë poezisë por duke qenë se është përdorur më shumë për këngën atëherë
natyrshëm futet në aradhën e poetëve popullorë të krahinës me dhunti të shquar
në lëvrimin e poezisë popullore. Me Hamdiun kam patur fatin të njihem herët,
prej kohës kur punonte në Gjirokastër, vendlindjen time, ndërsa unë sa kisha
nisur jetën studentore. Lastar siç ishte, me një pamje plot hieshi, i veshur
përherë me sqimë, e kuptoje prej të parës herë që ta takoje se kishe të bëje me
një intelektual të dorës së parë. Kishte mbaruar shkollën e mesme ushtarake e
më tej i diplomuar në Fakultetin Juridik të Tiranës ai ishte një jurist i
mirëfilltë, siç ishte dhe një krijues pasionant brilant. Hamdi Pulo fillimet e
krijimtarisë së tij në fushën e krijimtarisë popullore i ka në dy – tri vitet e
fundit të viteve gjashtëdhjetë, më parë kishte mbushur fletore të tëra me
vargje poezish rinore. Puna në Gjirokastër do ta njihte nga afër me shumë
bartës e krijues në zhanrin e këngëve popullore tradicionale të qytetit dhe
fshatrave të tjera të këtij rrethi ku shumë prej tyre janë pjesë e trevës së Labërisë.
Këtu do të takonte e njihej nga afër edhe me Agim Shehun, poetin e madh të
vendit i cili sa herë që organizohej festivali kombëtar i Gjirokastrës do të
zbriste në jug për të redaktuar e qemtuar tekstet e këngëve polifonike të cilat
“ormiseshin” për në Kala. Është pikërisht poeti i shquar lab që do ta nxiste
edhe më shumë në rrugën për tu marrë me tekstet e këngëve labërishte. I përket
kësaj kohe edhe njohja e miqësia me Halil Bilaj, përgjegjësin e shtëpisë së
kulturës të Picarit, njëherësh një nga këngëtarët më virtuozë të krahinës së
Kardhiqit. Është koha kur Halil Bilaj në marrje, Qerim Biraçi në pozicionin e
kthyesit dhe Asllan Thana në atë të hedhësit, të tre bashkë me grupin e
vendlindjes së Çelo Picarit e me vargjet e Hamdi Pulos, do ti jepnin këngës
labe një evoluim të pa ndodhur ndonjëherë më parë. Krijimet e Hamdiut shkruar
në strofa me katër vargje e refren bënë që Halil Bilaj me profesionalizmin dhe
njohuritë e thella për këngën ti japin polifonisë labe një stilt ë veçantë të
të kënduarit e cila rezultoi e pa ngjashme me stile të tjera në viset ku
lëvrohet kënga me iso. Ishin këto këngë që Hamdiun e futën me shpejtësi në
mjediset kulturore e artëdashëse të qytetit të gurtë ku trashëgimia shpirtërore
shkrihet si në asnjë vend tjetër me atë materiale. Falë edhe valëve të Radio
Gjirokastrës përmes të cilës të gjitha këngët që grupet e ndryshme atë kohë i
regjistronin e transmentonin u bë menjëherë i njohur dhe të gjithë filluan të
pyesin kush është dhe si ka mundësi që të na vijnë këto këngë me këto tekste
kaq shumë të kuruara.
“Ja mori thellëza këngës,
bien cula e longarë,
çobanët e sektorit tonë,
sonte në festë seç janë…”.
Është koha që Picari i këngës po
krijonte një marrdhënie të re, të pa njohur më parë me vargun dhe melodinë. Stilit
tipik të këngës së Picarit vargjet e Hamdiut i dhanë një jehonë të veçantë duke
e radhitur ndër më të veçantët grupe të trevës së Labërisë. Kështu ky grup u bë
një nga më të dëgjuarit e më të adhuruarit në Labërinë e asaj kohe nga ku me
pjesëmarrjet në festivalet zonale apo kombëtare mbetej nga më të shquarit. Por
bashkëpunimi me picariotët e këngës nuk do të zgjaste më shumë se katër apo
pesë vite mbasi një “dallgë; e kohës do ta kthente në qytetin e Vlorës, nga ku
vendlindjen e tij Tragjasin do ta kishte shumë afër. …Ishte viti 1978, i fundit
vit i jetës time studentore, kur me një nga shokët e mi të fakultetit atë
mbrëmje ishim ulur në një nga tavolinat e bar-restorantit të Shtëpisë Qendrore
të ushtrisë, diku pranë urës së Elbasanit, në Tiranë. Nuk kaloi shumë kohë kur
tek dera ja behu një grup me gra e burra, aty tek pesëmbëdhjetë apo më shumë
veta. Më bëri përshtypje prej sa u futën tek dera e ndërsa dëgjoja akcentin
jugor të të folurit njoha mes tyre Hamdiun, mikun tim të njohur disa vite më
parë në Gjirokastër. Kisha disa vite pa e parë dhe u takuam me mall. Ç’janë
këta -i them duke drejtuar dorën nga të sapo ardhurit. Ky është grupi i këngës
së Tragjasit, kemi ardhur për të bërë disa regjistrime në Radio Tirana dhe në
Televizionin - më thotë Hamdiu. Këtu do të kalojmë darkën, do të vijë edhe Dule
Havari për ti dëgjuar, më thotë për rapsodin e njohur të Dukatit i cili atë
kohë ishte në një kurs formimi në kryeqytet. Dule Havari kishte një përvojë të
madhe me grupin e Dukatit i cilia në atë kohë me Pika Gjolekën, Qazim Hibraj,
Leko Gjolekën, Bego Vangjelin, Sulo Bozhanin, Asqeri Vangjeli e të tjerë ishin
në majat e grupeve labe. E dintë dashurinë dhe pasionin tim për këngën labe
ndaj menjëherë më kërkoi ti bashkohem grupit i cili ndërkohë kishte zënë vend
në disa tavolina të bëra bashkë. Bukë e këngë bashkë, një mbrëmje e pa harruar
polifonike në mes të kryeqytetit. Aty do ti dëgjoja për të parën herë një
dyzynë të tërë me këngë labe tragjasiote, të gjitha me tëkste të njeriut që me
këtë grup do të bënte histori të madhë duke e ngjituar atë në majat e këngës
labërishte. Për tri ditë sa grupi do të qëndronte në Tiranë në dispozicion të
grupit të xhirimit të radio Televizionit Shqiptar do ti shoqëroja në çdo hap. Për
specialistët e fushës së trashëgimisë në studjot e radios dhe televizionit kjo
prezencë e vrullshme e grupit shkaktoi jo pak befasi. Asnjëherë më parë një
grup polifonik nuk kishte njëherësh kaq shumë produkte folku në epizëm e
lirizëm, të gjitha të shkallës superiore. Risi në fjalë, risi në metrikën e stilin
e këngëve, risi në interpretim. Dukej se Hamdi Pulo jo vetëm si rapsod por edhe
si organizator e njohës i vijave melodike kishte bërë në fakt vet evolucionin e
këngës.Ishte koha kur Aranit Daupi marrësi legjendar i këti grupi prej këtej do
të vuloste e do të merrte udhën duke mbetur një prej emrave më të mëdhenj të
këngës tragjasiote e labërisë të tërë. Kënga e Tragjasit tani vinte si një
këngë ritmike duke përdorur stilin me katër vargje. Një stil që e kishte
prejardhjen nga këngët e rapsodit dhe këngëtarit Beqir Laçe, i cili disa vite
më parë aksidentalisht ishte ndarë nga jeta duke bërë që i gjithë grupi të
mbajë zi për një kohë të gjatë. Kjo ishte koha që vendosën ti kthehen këngës,
tani më me Hamdi Pulon në krye, duke u prezantuar si një shpërthim polifonik më
vehte e duke e bërë edhe më të dallueshëme stilin recitativ mbështetur në
strofat me katër vargje të nisur nga Beqir Laçe. Këngët e Tragjasit sakaq u
bënë të kudo ndodhura, të gjithë i mësonin e këndonin në dasma, davete e gëzime
veç të tjerash edhe për vargjet aq shumë shumë të bukura si në rrafshin epik e
historik e ca më shumë për lirikat e baritoret me lule akthi e trëndeline. Kam
parasysh disa nga e këngët e Hamdiut që atë kohë u bënë lajtmotive të djemurisë
po edhe të odave labe.
“Shqipëri moj pallë xhveshur,
që kur lindi historia,
dyfeku të mbet në supe,
gjer sa të erdhi liria…”, apo më tej:
“Mos harroni historinë,
Këtu miza bluan hekur,
Bujrum koka po t’ua presë,
Kockën kemi për t’u tretur…”
Të gjitha këngë të shkruara nga Hamdi
Pulo e të performuara me aq pathos e fuqi interpretative nga Aranit Daupi, nga
marrësat më virtiuozë të Labërisë. Po jo më pak të ngërthen vargu i derdhur në
lirikat e Hamdiut, në ato baritoret sidomos.
“Kur vjen era trëndelinë,
kur lulet mbulojnë vendë,
çobanët lënë vërrinë,
dhe nisen të bëjnë tëndë…”
Një muzikë e gjallë, një bukuri si
vetë trëndelina në buzën e Lefteri Alimerkos kthyer nga më të veçantët këngëtar
tradicional të Tragjasit, Hasko Xhuveli. Këto këngë, të gjitha, u bënë shumë
shpejt pjesë e repertorit të këngëve më të bukura e më perla të Labërisë po
edhe të vet polifonisë shqiptare duke mbajtur si rapsod firmën e Hamdi Pulos. Pikërisht
ky koncert që grupi i Tragjesit regjistroi në radio televizionin shqiptar bëri
asokohe një bujë të madhe po njëkohësisht edhe arriti ta njohë Hamdiun si një
rapsod të mirëfilltë, si një krijues që jo vetëm shkruan por njëkohësisht di
edhe të organizojë, di edhe të merret konkretisht me grupin e këngëtarët për
t’i selitur këngët e për t’i bërë të gjitha të magjishme. Në këtë kohë ai
arriti të lidhej edhe më shumë me rapsodë të tjerë të Vlorës, me majat e
vjershërimit popullor të cilët kishin kohë që lundronin në “limanin” e
polifonisë labo-himarjote. Lefter Çipa, Muhamet Tartari, Feti Brahimi, Kujtim
Mici, Dule Havari, Maliq Lila, Nertesi Asllani, Teno Lona, Kastriot Muçaj, Zaho
Bailli, Pelivan Bajrami kishin tani në krahë edhe një “gjeneral” të vargut për
këngë, Hamdi Pulo Tragjasin. E jashëzakonshme puna që Hamdi Pulo bëri gjatë
përgatitjes për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës të vitit 1978 ku ndryshe
nga shumë grupe të tjera që nuk mundën dot të bëheshin pjesë e tij qoftë edhe
me një këngë, grupi i Tragjasit arriti të dalë në skenën e Kalasë me dy këngë,
një epike dhe një këngë tjetër lirike. Këtu Aranit Daupi këndoi këngën e
famshme që u bë lajtmotiv për shumë e shumë kohë e breza, për njerëz që donin
të këndonin apo të njiheshin me këngën e bukur të Labërisë.
“Argjiro vetulla shkruar,
hapi krahët, dil nga shkëmbi,
kala e vjetër në jugë,
seç ka që lëviz nga vëndi..”
Një timbrikë krejt e veçantë e një
interpretim i jashtëzakonshëm i Aranitit po edhe kthyesit Neki Stepa e hedhësit
Ali Meço shoqëruar nga një det me iso. Po kështu, brenda këtij festivali, u
këndua edhe kënga tjetër, “Leshverdha culën dëgjoi”, një këngë kjo e kënduar
nga Selvi Meço, me Aranit Daupin si kthyes e përsëri Ali Meçon hedhës. Nga më
të bukurat e të spikaturat këngë lirike të Labërisë e cila atë kohë mrekulloi
edhe gurët e sokakut - kur i thonë në Gjirokastër.
“Një çoban lartë nga mali,
po ia thoshte me zambare,
më lëndoi plagët dhe mua,
ndaj mora culën dyjare.
Po i bjerë duke qarë,
Cula dhëntë i tërboi,
Zëri culës mori fshatin,
Leshverdha culën dëgjoi…”
Çfarë lirizmi, ç’mrekulli baritore në
penën e Hamdi Pulos e në buzën vajzërore të bareshës- vajzë tragjasiote. Kështu
këngët e Hamdiut shumë shpejt u futën në shpirt të dëgjuesve, të atyre që e
aspirojnë dhe e duan këngën labe dhe që pas pjesëmarrjes në festivalet e
Gjirokastrës do të vazhdonin edhe më të vrullshme e do të bëheshin edhe më
interesante. Hamdi Pulo tani do të bëhej njësh me grupin e vendlindjes së tij
dhe me Aranit Daupin me shokë do të shkruante histori të madhe kënge. Hamdiu me
vargje dhe Aranit Daupi me vokalin e mjeshtërinë e rrallë interpretative u bënë
një binom i pa zgjidhshëm. U bë kaq e fortë kjo ngjizje me këtë këngëtar të
madh tragjasiot sa unë nuk e di nëse ka lindur Hamdiu për Aranitin apo Araniti
për të vënë në buzë e interpretuar vargjet e Hamdiut. Nuk është e rastit që në
tre festivale kombëtare njeri pas tjetrit, duke filluar prej atij të vitit 1978
e deri tek ay i vitit 1988, në një hark kohor prej plot pesëmbëdhjetë vitesh
Tragjasi do të dalë në Kalanë e festivalit me këngët e shkruara nga Hamdi Pulo
dhe në të tri festivalet marrësi kryesor i këngëve do të jetë Aranit Daupi. Ruaj
kujtime të jashtëzakonshme për këtë grup margaritar të kohës me të cilin u
lidha për shkak të dashurisë që pata për vargun e Hamdiut por edhe për
këngëtarët e Tragjasit e për Tragjasin vetë, si vend historie e kënge. Për mua
Hamdi Pulo ishte një fenomen, një magjistar fjale formuar përmes një laboratori
me një diapason të gjerë krijues. Një krijues me thyerje e kontraste të mëdha
temash që ndonjëherë shkojnë në ekstreme gati të pa besueshme.
“Plaku me mjekër të bardhë,
rëndë ngjitet në pallatë,
kalonte rojet me radhë,
burrë i shtetit diplomatë…”
Vargjet e Pulos i gjejmë sa të
ngjizura në tema të forta epike po aq edhe në këngët e kadifejta me leshverdha
e cula dyjare. Ndryshimi i madh social-ekonomik në filimin e dhjetëvjeçarit të
fundit të shekullit të njëzetë solli edhe një çoroditje jo të vogël edhe në
jetën e grupeve të këngës tradicionale, deri atëhere të trajtuara si
institucione kulturore më së shumti ku kjo mënyrë të kënduari kishte traditë. Shumë
grupe u shpërbënë, shumë këngëtarë me emër morën rrugën e emigracionit. Por
Hamdiu asnjë herë nuk u shkëput nga kontributi për të “ushqyer” grype e
këngëtarë me krijimtarinë e tij që asnjë çast nuk i rreshti. Si sot e kam në sy
bashkëpunimin e drejtpërdrejt me të kur në vitin e mrapshtë të ’97, në
përgatitje të koncertit jubilar të 85 vjetorit të Pavarësisë, nga udhëheqësi
artistik i koncertit, muzikologu i shquar Haxhi Dalipi, na u besua kënga
polifonike. Në vend kishin ndodhur gjëma, në tokë e në det, dhe rrth kësaj
këmënguli ta gjenim subjektin. Shkruaj e shuaj, “luftë” jo për një varg po edhe
për një fjalë e gërmë, I prerë dhe skrupuloz i pa ndreqshëm. Deri momentin që
këngëtarja e shquar e Dukatit Tajre Bozhani Ago me grupin “Bilbili” do ta këndonte atë ditë të nëntorit të tetëdhjetë e
pestë të Pavarësisë në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës.
"O more deti me valë,
pse u nxive këtë radhë,
dhe na more djemtë tanë,
det o det
a’h more deti me valë.
Ti det që në gji i more,
si s'u thave po durove,
more lulet arberore,
det, o det,
ah more deti me valë…"
Hamdi Pulo mbetet një qytetar dhe poet popullor përherë i angazhuar dhe i dedikuar për ti kënduar vendit të tij të cilën e bëri herë me dhimbje e herë me dashuri, herë me vargun e sertë si presë jatagani e herë me penën të ngjyer në akth e trëndelinë mali. Krijimtaria e Hamdi Pulos është e do të mbetet një mal i lartë ashtu si Lungara që vendlindjes së tij, Tragjasit, i rri mbi krye por edhe e gjerë si deti që ka tek dera.