Gjithë jetën
Në jetën time, moj mike,
Njoha borën, edhe brymën,
Edhe fllade romantike,
Po asgjë s’ma zuri frymën.
Ato fllade që më frynin,
Vesë lulesh nëpër sy,
Si ato petale binin
Sapo kthehesha tek ty.
Sa kam bërë mëkate në jetë,
Si thotë botë e çoroditur,
Në kam bërë një gjë vërtetë,
Them se isha i mërzitur.
Më tutje fjalën ç’ta ngasim
Ecëm tok e patëm fat.
Njerëzit nga mërzia vrasin,
Jo më unë, pakëz mëkat.
S’ia vlen më të llafosim,
Ato vite që janë tretur
Bashkë e nisëm e do sosim
Këtë rrugë që na ka mbetur.
Të kam thënë….
Të kam thënë moj flutur
Po ti nuk përgjigjesh:
“Mos iu afro flakës
Në s’do që të digjesh!”
Të kam thënë moj flutur
Po ti më mërzitesh:
“Mos iu afro dallgës
Në s’do që të mbytesh!”
Të kam thënë sërish,
Po ti nuk dorëzohesh”
“Mos iu afro dritës,
Në s’do të verbohesh!”
Të kam thënë moj flutur,
Po dhe ti më thua:
“Dhe flakën dhe dallgën,
Dhe dritën e dua!!!”
Dhe flakën dhe dallgën,
Dhe dritën e dua,
Nuk e njohu frikën,
Kush u dashurua!…
Në ato të shkreta hije
Sup më sup me mua rrije
Në ato të shkreta hije,
M’u në vesh më cicërije
Fjalë mjalti-dashurie
Me një gjuhë perëndie
Mbylle sytë po dot nuk flije
Se e diej dhe e dija,
Ç’do të thotë ëndërr magjie,
Dhe të doje, dot s’e blije
Flori e argjend të shkrije.
Sup më sup me mua rrije,
Si një valëz psherëtije,
Zemrën time se ç’e shkrije,
Me ca lodra miturie
Në ato të shkreta hije.
Gjithë jetën
Në jetën time moj mike,
Njoha borën edhe brymën,
Edhe fllade romantike,
Po asgjë s’ma zuri frymën.
Ato fllade që më frynin,
Vesë lulesh nëpër sy,
Si ato petale binin,
Sapo kthehesha tek ty.
Sa kam bërë mëkate në jetë
Siç thotë botë e çoroditur,
Në kam bërë një gjë vërtetë,
Them se isha i mërzitur.
Më tutje fjalën ç’ta ngasim,
Ecën tok e patëm fat,
Njerëzit nga mërzia vrasin
Jo më unë, pakëz mëkat!…
S’ia vlen më të llafosim,
Ato vite që janë tretur
Bashkë e nisëm e do sosim
Këtë rrugë që na ka mbetur.
Tani
Tani,
Jam një makinë e prishur
Që do grasatuar
Dhe vajisur…
Një makinë pa rrota,
Pa timon,
Një makinë e prishur
Që rënkon!…
Si ti nuk ka tjetër
Thonë s’ka më të ëmbël
Se mjalti në zgjua
Po un’ them se janë
Dy buzët e tua.
Po un‘ them se janë
Dy buzët e tua,
Kush i puthi vallë
Edhe s’u shërua
Janë të ndritur yjet,
Lart, në qiellin blu,
Por jo më të ndritur
Se dy sytë e tu.
Po jo më të ndritur
Se dy sytë e tu
Dhe kur si kam pranë,
Dritën lënë këtu.
Shtatë janë mrekullitë
E gjithë kësaj bote,
Po s’ka mrekulli,
Jo, si zemra jote.
Po s’ka mrekulli
Jo, si zemra jote,
Ajo sfidon vitet,
Rinohet në mote.
Të paanë detet,
Në botën e tërë,
Po ky shpirti yt
Është më i gjerë.
“Urrejtja dhe dashuria”
Një
ndjenjë e re – që zemrën peshë ma mban,
sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,
do të harroj çdo gjë që ne na ndan,
e atëherë çdo gjë do na bashkojë.
Kufijtë
e ndarjes e të dashurisë,
si fije peri – krejt të holla janë,
ndaj dhe dilemma rron mes njerëzisë,
kur të dy ndjenjat rriten pranë e pranë.
Dhe
njëra tjetrën natë e ditë ushqejnë,
në një mënyrë krejt të rastësishme.
sot njëri tjetrin për vdekje urrejnë.
nesër shkrihen në puthje të magjishme.
Mes
njëra tjetrës kufij të saktë s’ka,
se zemra s’mund të ndahet me kufi,
kur ndez e shuan zjarre të mëdha,
kur rrit urrejtje edhe dashuri.
Nuk
shkroi më kot poeti i lavdishëm:
“Urrejtja është zjarr’ i dashurisë,
tërmetet s’janë nga ‘to më të fuqishme,
të dyja tok – motor i njerëzisë”.
Kaq
kam mësuar unë nga kjo jetë,
jo thjesht për faktin se më la rinia,
po Bota krejt lëviz – në të vërtetë,
o nga urrejtja – o nga dashuria.
Dhe
– për më tepër – ndoshta mund të vlejë,
ajo që mbi të bardhë u shkrua me bojë:
“Një zemër që s’ka forcën të urrejë,
nuk ka fuqi as të dashurojë!”
“Një rrëfim i sinqertë!…”
Në greminë të kësaj jete,
unë shoh dritën dhe tek honi,
ndaj dhe nuk shkrova për vete,
po për juve që s’shikoni!
S’e kam jetën mjaltë blete,
dhe tani në fund kam mbërritur,
por nuk kam shkruar për vete,
po për ju, o të uritur!
Nëpër akull, nëpër vapë,
jeta s’më ka përkëdhelur,
por për veten s’shkrova prapë,
po për ju që jeni shkelur!
S’gjeta flori në minierë,
dhe nuk jam unë një i zgjedhur,
ndaj dhe shkrova kurdoherë,
veç për ju që jeni vjedhur!..
Gjer mes yjesh shikoj mirë,
edhe ditën, më besoni,
ndaj prapë shkrova me dëshirë,
veç për juve që s’shikoni!
Shpesh kam folur nëpër netë,
edhe me të madhin Zot,
ndaj shkrova në këtë jetë,
për juve që s’flisni dot!
Krimbi s’mund të fluturojë,
s’do shumë mend për ta kuptuar,
ndaj s’kërkoj që të më dojë,
kush mes llumit ka jetuar!
As prej djallit të mallkuar,
nuk jam trembur ndonjëherë,
po injorancë e harbuar,
më fut dridhmat dhe në verë!
Mbi dy brigje unë hedh urat,
po prapë shahem e mallkohem,
se të gjitha diktaturat,
mbi idiotët lartësohen!
Pushteti kafshon si gjarpër,
se është kohë e arrogantëve,
dhe në qofsh Sokrat i Varfër,
ke mllefin e injorantëve!…
Dhe gomari e kupton,
përse mbetëm kështu trokë,
se çdo popull meriton,
qeverinë që ka mbi kokë!
Shkrepën yje kuq e blu,
ne te bisht i urës mbetëm,
po unë prapë do jem kështu,
dhe në mbetsha Një i Vetëm!
Do shpëtojë Shqipëria,
dhe ky popull për ibret,
veç ditën që Drejtësia,
do të shpallet këtu Mbret!