loader
Loading...
Misionarët e Diturisë

Një nga punët më të respektuara,  por dhe në të njëjtën kohë, nga më të vështirat është puna e mësuesit. Mësimdhënësit i japin fuqinë e edukimit ç’do brezi në të gjitha kohërat duke krijuar mundësinë për një të ardhme më të mirë. Për nga natyra njerzit gjithmonë flasin se sa e vështirë është të jesh prind, por akoma më e vështirë është të jesh edukues, pa të cilin nuk mund të rrisësh fëmijë të fortë, të sigurt dhe inteligjentë. Ҫ’do fëmijë është si një farë. Nëse atë e ushqen si duhet ata rriten në qënje njerzore të mrekullueshme. Ҫ’do nxënës sot është ndërtuesi i së nesërmes së këtij vëndi


Po kush ishte mësimdhënësi Zaçe Veshi, prejardhja, familja, arsimimi,  dhe pasionet e tij? Zaçja u lind në Nivicë të Kurveleshit, më, 20.03.1943. Ai erdhi në jetë nga dy prindër të urtë puntorë dhe në një gjëndje ekonomike tejet të varfër  por, bujarë e mikpritsa, nga Bardhua dhe Hyra.! Nga martesa e tyre do të vinin në jetë  plot 11 fëmijë, Kushulla, Hetemi, Ramadani, Zaçe, Mirise, Qeriba, Sulo, Thëllëz, Zerdeli, Namik dhe Adrian. Me gjithë vështirësitë e kohës për rritjen e fëmijëve, ata do të (…..kapërcenin) edhe një dhimbje të madhe me humbjen e vajzës së tyre Thëllëzës në  moshën 12 vjeçare. Po le të kthehemi tek Zaçja, arsimimi, puna, pasioni dhe jeta e tij. Mësimet e para i mori në vëndlindje. Edhe pse distanca  për të shkuar në shkollë ishte e madhe, pasi ata jetonin në periferi të  fshatit, në vëndin e quajtur “Stok”!  Më vonë ai do të shkollohej në Gjirokastër në shkollën Pedagogjike. Vëndi kishte nevojë për kuadro, ndaj ai që në moshën 17 vjeçare, do të caktohej në detyrën  e mësimdhënësit në fshatin Martalloz të  zonës së Lopsit në Tepelenë. Pas kësaj ai do të shkonte në shërbimin e detyruar ushtarak dhe pas përfundimit të tij, ai do të kthehej sërish në detyrën e mësimdhënësit në fshatin Gusmar,  e pastaj në fshatin e tij të  lindjes në Nivicë. Pasionet e Zaçes ishin të shumta, por ai, më i spikaturi ishte futbolli. Spartakiada të shumta midis fshatrave të zonës u organizuan. Ja ç’farë shkruhet në librin “Udha e një shkolle”. Një rast ai mori në ekip një  futbollist të ekipit të partizanit z. Safet Berisha që në atë kohë ishte në shkëlqimin e tij. Pasi ai kishte pësuar disa humbje në ekip, nga ai i fshatit Progonat, Zaçja me një fare  krenarie u thotë  se sot s’keni ku të futeni, do të rriheni si gomari në duhan. Por loja nuk erdhi kështu, pasi prapë ekipi i Progonatit ishte përsëri ne avantazh, 3 me 2.  Zaçja e thërret Berishën dhe flet diçka me të!  Ndërkohë rezultati shkoi 5 me 3. Atëhere Berisha e thërret përsëri Zaçen dhe dicka bisedon qetësisht. Ndeshja përfundon në barazim 5 me 5. Kështu është  më  mirë  për të  gjithë. Ndeshjet duhet të na bashkojnë  e jo të  krijojnë  pakënaqësi. Ky ishte edhe mirëkuptimi me Berishën”. Por përpos pasionit me futbollin Zaçja aktivizohej edhe me jetën sociale. Ai diskutonte me pasion dhe lirshëm për ato problem që kishte në fshat duke u bërë një promotor i devotshëm  për zgjidhjen e tyre. Krijonte unitet dhe harmoni midis njerzeve, i urrente mburrjet, ishte origjinal, ishte për natyralen, nuk i duronte “lulet”, teprimet,  elozhet, nuk fliste prapa krahëve, ishte i drejtpërdrejtë,  ta thoshte në  sy ç’farë mendonte, ishte shpirt njeriu, me sedër, i sinqertë, i palodhur,  kritikë,  i pamëshirshëm ndaj padrejtësive, buzeqeshja,  i  përhapej në  fytyrën  që i  shëndriste,  zemërbeharë,  sypatrembur, fisnik,  dinamik e optimist! Zaçja shërbeu për 36 vite në arsim dhe nuk mundi t’ja dilte për ta përmbyllur punën për të dalë në pension, për shkak se tinzarja vdekje, mundi ta rrëmbente para kohe në gjirin e vetë. Zaçja shoi në moshën 56 vjeçare duke lënë në pikëllim të thellë bashkëshorten Hyrien, fëmijët, Marjeta, Lindor, Justina  Diter dhe të gjithë ata që e njohën e punuan me të. Ju faleminderit për përkushtimin dhe  punën tuaj të palodhur mësimdhënësi Zaçe Veshi!  Shpirti juaj  pushoftë në parajsë!


FLETE NGA JETA.

EVRIHE SHENA, BONJAKJA E PROGONATIT 

     

Evrihe Shena, kjo bijë  Progonatase ka lindur në  vitin 1934,  po në fshatin e saj, në Progonat të  rrethit Tepelenë. Kohë  lufte. Skamja dhe mjerimi ishin ulur këmbë kryq. Vite të vështira. E rritur jetime, pasi babai ju vra nga gjylet e pushtuesve. Pas humbjes së  babait, atë  do ta linte edhe nëna, Murrë Shena, e cila nuk mundi ta përballonte jetën pas humbjes së  të shoqit, Haskos,  këtij patrioti zemërbardhë. Në këto kushte të  vështira, Evriheja ngeli e vetme. Dy motrat e saj, Sosja dhe Sumbulla si dhe vëllai i saj nuk mundën të  jetonin. Pas kësaj Erviheja ngeli fillikat. Jeta dhe kushtet e jetesës ishin të  vështira. Për Ervihenë, nuk kishte më njeri që  të  kujdesej, dhe aq më  keq për ta rritur e shkolluar atë. Njerzit e afërt u interesuan, e mbajtën afër, por mundësitë ishin të pakta. Me përpjekjet e tyre ata  mundën ta dërgojnë  në  “Jetimoren e  Shkodrës”. Aty do të  rritej nën kujdesin e vazhdushëm dhe me përkushtimin e edukatoreve të  Jetimores. Ato thonë se këta fëmijë nuk kanë një atashim të sigurt, sepse nuk kanë marrë dashurinë e prindërve që i kanë sjellë në jetë, pavarsisht punës tonë. Ndërsa Erviheja e nis me fëmijërinë, me momentet e vështira, por dhe me kujtimet e bukura me motrat dhe vëllezërit ashtu sikurse i quan ata me të cilët është rritur. Jetimorja për të ishte një familje e madhe, megjithatë, jo gjithçka ecte vaj. Institucioni na mbushte nevojat bazike tregonte në kujtimet e saj  ajo, por s’na mbushte dot  nevojën për të thënë nënë edhe babë me gjithë shpirt. Boshlliku ishte gjithmonë i pranishëm.


 Pasi përfundoi arsimin shtatë  vjeçar me rezultate të  mira, ajo do ti drejtohej “Normales së  Elbasanit” në  degën mësuesi. Erviheja e lodhur e drobitur dhe pa kujdesin prindëror, i vuri qëllim vehtes që    mësonte dhe dijet që  do të  fitonte ti vinte në  shërbim të njerzëve. Mëndja i rrinte në Progonat, tek të afërmit e saj. Pas përfundimit të Normales, ajo do të  rikthehej në  fshatin e saj të  lindjes në  vitin 1959, ku do të  fillonte të parën punë. Ishte e gëzuar, por  edhe e shqetsuar, nëse do t’jua  kthente mbrapsht përkushtimin që ishte treguar ndaj saj. Pas një periudhe pune në  fshatin e saj të  lindjes, ajo do të  emërohej në  qytetin e Tepelenës si kujdestare konvikti, detyrë    cilën e kreu në  mënyrë  të përkryer,  për vetë  kushtet në   cilat ajo ishte rritur. Me rritjen e saj do të  vinte edhe kurorëzimi i jetës së saj. Ajo do të  gjente e do njihej edhe me njeriun e dashur,  bashkëudhëtarin e saj të  jetës.  Ajo do të lidhte kurorë, do të  martohej me mësimdhënsin, Zenel Bejko dhe pjesën e saj të  jetës do ta kalonte në Starovë    Pogradecit së  bashku me shokun e  saj të  jetës. Zoti nuk i gëzojë  me pasardhës. Thonë se zoti i ka ndarë fatet. E, fati i trishtë do ta ndiqte pas. Ajo do të  humbiste jetën në  vitin 1967, duke lënë    pikëllim bashkëshortin. Amaneti i saj ishte vendlindja, të  prehej në  gjirin e familjes së  saj pranë  nënës, babait, motrave dhe vëllait. Dhe ashtu u bë. Ajo sot prehet në  varrezat e fshatit të  saj të  lindjes në  Progonat. Le ta kujtojme sot në  vigjilje të  festave të  7-8  Marsit, këtë  arsimtare dhe grua të përkushtuar, që me vullnetin e një labeje tipike, të vërtetë, u bë promotore e lëvizjeve me karakter patriotik  dhe edukues për brezat. Ndaj le të krenohemi me këtë zonjë, që me magnetin e shpirtit të saj, mblodhi pareshtur thërrimet e dritës, për t’i  ndarë përjetësisht në vëndlindjen e saj e më tej!.