loader
Loading...
DUETI POLIFONIK I SHEKULLIT

Me këngëtarët e shquar, duetin e pa përsëritshëm të Bënçës, Golik Jaupi e Përparime Zilfaj. Seicili më vehte kishte kënduar edhe më parë por bashkë u bënë në vitin 1974. Golik Jaupi kishte plotë dhjetë vite që kishte nisur veprimtarinë artistike, njëherësh me krijimin e vet grupit të Bënçës.

"O Bënça mbi Tepelenë,

O shokë, more,

Ti që linde Abaz Shehnë,

O shokë, more..."

Kjo ishte kënga e parë që tregoi se djaloshi bënçor, as njëzet vjet mbushur, kishte shënja për tu bërë një këngëtar i ardhshëm i këngës labe. Nga ana tjetër Përparime Ziflaj e kishte nisur udhën e këngës në vitin 1968 me debutimin në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës me grupin e vendlindjes, Lekdushit, kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeçare. Me një grup vajzash bashkëmoshatare, të gjitha si thëllëza Këndrevice, do të këndonin një këngë që do ta shënjonte atë si këngëtare e që pas asaj do të mbetej vetëm e tillë.

"Doli hëna buzë malit,

Hënë, o hënë e bukur-o,

O yll’ i këputur-o…"

Pesë vite më pas, në festivalin e dytë të Gjirokastrës, do të vuloste përfundimisht vlerat e këngëtares polifone.

“Fushatë me lule, maletë me bor, Qaj moj Shqipëri e ulërijë e gjor’…” ishte kënga që Parua do të këndonte në këtë festival më grupin e Zhapokikës, e përzgjedhur enkas për të qenë në një kombinacion të jashtëzakonshëm me kthyesin e pa arritshëm e të pa përsëritshëm, njeriun gykë, Hajri Çiçi. Këtu Përparime Zilfaj tregoi se vokali i saj ishte në regjistra që do të ishin të pranueshme edhe për një shkollë të mirëfilltë të muzikës së kultivuar apo institucione muzikore të mirëfillta për këngë. Jo vetëm vokali që arrin të kapë edhe tonalitete sipërore por edhe vetë timbrika e zërit flet për një yll polifonie që i vjen jo vetëm polifonisë labe të Tepelenes por edhe të gjithë trevës së Labërisë. Ata që kanë patur rastin ta dëgjojnë këtë këngë atë kohë po edhe të tjerë që e dëgjojnë sot përmes regjistrimit audio, me siguri e ndajnë pa hezitim këtë mendim. Ndërkohë Goliku që kishte nisur këngën me disa prej djemve e burrave më këngëtarë të kohës si Hajdër Pulashi, Fejzo Gërbi, Dervish Guma, Agron Selimi e të tjerë po shkruante natyrshëm emrin e tij si një marrës potent e plot ekspresivitet, të pa ngjashëm me të tjerë marrësa kënge. Me disa ndër ta do të vazhdonin edhe me grupin e ri ku Paro e Goliku do bëhëshin protagonist të dorës së parë. Kështu viti 1974 me këngën duet “Bij çobanësh kemi qenë” kënduar nga Golik Jaupi e Përparime Zilfaj shënohet jo vetëm nisja e bashkëpunimit të këtyre dy këngëtarëve por edhe dueti i parë kënduar prej tyre. Duet që do të bëhej një model dhe mënyrë të kënduari për këngët më të arrira në repertorin e këtij grupi të madh labërie. Me një kthyes të nivelit të lartë, ndër më të mëdhenjtë kthyesa të Labërisë si Dervish Guma, me një hedhje brilante nga Agron Selimi po edhe një iso det nga Bejo e Rustem Selimi me shokë, grupi i Bënçës do të niste të “shkruante” historinë e këngës së madhe. Në qendër përherë e të pa ndarë ata të dy, Golik e Paro ose Paro e Golik, të dy simbiozë e sinonim të njeri-tjetrit. Këngët e para të regjistruara dhe të emetuara nga Radio “Gjirokastra” dukej se njëhërësh me tingujt e meloditë e këngëve do të përhapnin shpejt edhe jehonën se një grup i veçantë, me këngë e avaze të reja labërie po vinte furishëm. Dy zëra të rinj që me vokal e interpretim përtej zërave tradicionalë po tregonin se vet kënga polifonike kishte hyrë në një stad evoluimi të pa kthyeshëm. Këngë shpërthyese, gati frenetike, zëra përtej këngëve të trapezave apo gostive e dasmave labe. Ndryshe nga kënga e shtruar një apo dy vargshe e deri at'herëshme në grupet e fshatrat e Labërisë. Askush më parë nuk pati kënduar me kaq shumë pathos e me kaq shumë shpirt interpretues me dy marrësa, duete të mirëfillta prej fillimit të këngës në fund. Si melodi e avaze por edhe si strukturë fjale. Piluri i Lefter Çipës e kishte nisur më parë por zakonisht të shoqëruara me avazet e instrumentave popullorë, fyej e dyjare, ansambël polifonik më vehte. Ky ndryshim i madh e kjo mënyrë e re të kënduari kishte ndodhur pas maleve, në bregdet; këtëj maleve Bënça me Maliq Lilën zot të vargjeve e drejtimit, përbënte risi më vehte. Ndërkohë që ndryshe nga Piluri ku zërat e dueteve ja linin vendin njeri tjetrit, në Bënçë nuk pati eksperienca të tilla. Kanë plot gjysëm shekulli që janë po ata. Pesëdhjetë vite që Golik Jaupi e Paro Zilfaj japin e marrin të pa ndarë në këngën e pa prerë përmes një duet gati historic. Bashkë në vitet kur të gjithë ishin bashkë, bashkë edhe në vitet që lëvizjet demografike si rezultat i ndryshimeve të sistemit ekonomik e shoqëror kanë bërë të vetën, veç të tjerash duke diktuar edhe largësinë fizike. Po duket se kënga polifonike është sa magjike po aq edhe manjetike sa që kur dashurohesh e lidhesh me të as ti mund ti ikësh e as ajo s'mund të të iki. Dyshja Jaupi – Zilfaj është treguesi më kuptimplotë i kësaj marrdhënie shpirtërore, i një ngjizje gati hyjnore. Qindra këngë ka grupi i Bënçës në repertor mes tyre dhjetra e dhjetra këngë të realizuara në duete. Gjithfarë tematikash, lloj-lloj melodi e avaze ku njera si ngjan tjetrës, të gjitha plot muzikalitet, ekspresivitet, ritëm, përformancë fantastike skenike. Duete të tilla si “Bijë çobanësh kemi qenë”, “Moj ftujë e bardhë e shullërit”, “Vlorë e detit me stërrallë”, Besë e shqipes, besë burri”, “Vashë trëndelinë”, “Miro, Miro, moj bënçore”, “Kush të ka dërguar hëna apo dielli”, “Syzezë e vetulla llaja” e të tjera mbeten disa prej dueteve perla të realizuara nga këta të dy këngëtarë dhe grupi emër madh i Bënçës. Pa folur për disa realizime tepër të veçanta sidomos në rrafshin emocional dhe interpretativ të cilat pavarësisht ngarkesës politike të kohës mbeten niveli më i lartë artistik që kjo dyshe polifonësh ka arritur të realizojë. Një perandori e tërë me këngë, një korpus më vehte duetesh polifonike që fare mirë mund të konsiderohen duetet e shekullit në polifoni. Se askush tjetër më parë nuk ka mundur që kaq shumë e kaq cilësisht ti realizojë, po as mund të ndodhë të përsëriten prapë. Golik Jaupi e Paro Ziflaj, të dy vlerësuar me titullin " Mjeshtër i Madh", mbeten pa diskutim mbreti dhe mbretëresha e duetit të Iso-Polifonisë shqiptare.