loader
Loading...
FANEPSJA.
1 muaj më parë

FANEPSJA.

Tregim

 Kishte ulur kokën dhe nxitonte. Të jepte përshtypjen se ecte me vrap, sikur donte të arrinte sa më shpejt për diku. Dukej ashiqare që kohën do ta kishte të kufizuar, të pamjaftueshme.  Ka shumë të ngjarë që të mos kishte fare kohë, e megjithatë insistonte të arrinte në kohë, patjetër atje! Por sakaq bëri një ndalesë të befasishme në vend. Dukej sikur ngriu, u rrotullua paksa mbi njërën këmbë dhe, për një çast të vetëm, të shkurtër kohe, për fare pak sekonda ndenji në vend, ashtu pa lëvizur fare. Të jepte përshtypjen se kishte ngrirë në vend. Një grimë herë ndenji ashtu. Si një shtatore, që shfaqet befas, në mes të një parku bosh. Pastaj lëvizi lirshëm duart, me gishtat e dorës së majtë fërkonte flokët, sikur donte ti krihte. Si i çliruar nga një peshë e bezdisshme dhe e rëndë që e pati munduar gjatë me duart që i futi në xhepat e xhaketës së zezë që mbante veshur. I kishte pëlqyer gjithmonë ngjyra e zezë. E zezë në gjithçka! Mjafton shpirti të jet i bardhë, tha, të tjerat rregullohen. Ngjyrën e zezë sidoqoftë, e kishte fiksim. Ndoshta i jepte më shumë peshë, dhe përqëndrim seriozitetit të tij. Nxorri telefonin dhe formoi një numër. Askush nuk ju përgjigj, mesa duket në anën tjetër të telefonit, ngaqë shumë shpejt e futi përsëri në xhep, atë send të veshur në të zeza. Kishte kohë që se kishte parë. Nuk kishin komunikuar që prej sa javësh, këto kohët e fundit. Dhe padurimi për ta parë sërish i lexohej që larg. Nuk ishte e vështirë të kuptohej nga lëvizjet që bënte. Bëri për nga dalja e metrosë, lexoi një tabelë orientuese dhe, mori shkallët të cilat i ngjiti me nxitim një e nga një. Vetëm pak hapa më para tij lëvizte ngadalë një siluetë gruaje. Nga përshtypja e parë, flokët e prerë jo aq shkurt, qafa e bardhë, të mbrapmet e derdhura gjykoi se duhet të ishte ajo. Kishte dëshirë , thuaj më mirë të ishte ajo! Dhe, një dëshirë e papërmbajtur e mikloi të lëvizte vëndit, të ecte pak metra përpara, ta arrinte, ti prekte dhe ledhatonte flokët ngjyrë ari.  Ta shikonte në sy dhe ti fliste, ti rrëfente gjithçka. Pastaj ti thoshte diçka të rëndësishme?  T’i thoshte se për shkak të saj, kishte kaluar kaq shumë kohë, në vetmi. Për shkak të saj kishte filluar të thinjej nga pritjet dhe  mosardhja...! T’i thoshte se për shkak të saj pritja është “një kohë e bukur”,  por e pakapshme, e pa arritshme, e pa durueshme. Por  kujt t’ja thoshte..?! - Me cilën të bisedonte..?! Vërtet, ku mund të ishte ajo në këtë çast, vallë...?! Malli e përshkoi gjithë qënien e tij, si një sekuencë tensioni elektrik dhe ndjeu si gjaku i gulshoi me hove nëpër damarë. Ndjeu gëzim dhe lumturi së bashku, përzier me një ndjenjë trishtimi të lehtë!  Ndoshta, herën tjetër  mendoi, do jemi së bashku.....!