loader
Loading...

Me zemër të thyer dhe dhimbje të thellë, Kryesia e shoqatës "Kallarati" dhe familja Demiraj njoftojnë për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 41-vjeçare, të Dorjan Demirit, ose siç e thërrisnim me dashuri të gjithë, "Dori".Dori lindi në Kallarat më 11 nëntor 1983 nga prindërit Luto e Vera Demiri, vëllai i Loretës, Etlevës, Eglantinës, Valgertës dhe Detionit. Dori u largua nga kjo jetë pas një beteje të gjatë dhe të mundimshme me sëmundjen, një betejë që e përballoi me një forcë dhe dinjitet që pak njerëz do ta kishin pasur. E dhimbshme, shumë e rëndë dhe e pabesueshme kjo ndarje e parakohshme e Dorit, gojëmbël, të mençur, të urtë dhe të dashur, që ishte shembulli i shpirtit të paepur. Sëmundja e rëndë e torturoi për vite të tëra, por asnjëherë nuk e mposhti, nuk e gjunjëzoi. Ai mbeti gjithmonë ai Dori i dashur, me buzëqeshjen dhe humorin e tij të hollë, me mendjen e ndritur dhe shpirtin e pastër, që mbante gjallë shpresën dhe forcën te të gjithë ata që e rrethonin. Edhe pse për shkak të sëmundjes i lidhur me karrocën e tij, ai jetoi me një dëshirë të pashuar për jetën, për Kallaratin e tij të dashur, për shokët e fëmijërisë, për çdo zhvillim në vend. Ishte një tifoz i çmendur i futbollit dhe një njeri që nuk e ndali kurrë kureshtjen për botën. Shëtiti, pak dhe jetoi, si të ishte i lirë nga çdo pengesë fizike. Ai nuk ishte një njeri i zakonshëm.  Ishte një shembull i vërtetë i forcës njerëzore.!  Sa e rëndë kjo ndarje për prindërit e tij, Luton dhe Verën, për motrat Loretën, Etlevën, Eglantinln, Valgertën për vëllanë Detionin, që i qëndruan gjithmonë pranë me dashuri të pakufishme! Ata bënë gjithçka për ta mbajtur Dorin mes tyre, duke e çuar në çdo spital, duke shpresuar deri në fund për një mrekulli. Por sëmundja ishte e pamëshirshme, dhe Zoti e thirri në amshim më shpejt nga ç’e mendonim. Nuk do ta harrojmë Dorin tonë të dashur! Ai do të jetojë gjithmonë në kujtimet dhe zemrat tona, me atë dritë që përhapte kudo ku ndodhej. Në këtë ditë të dhimbshme, Kryesia e Shoqatës "Kallarati" i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Demiraj, të afërmve, miqve dhe gjithë atyre që e deshën dhe e çmuan Dorin tonë. Qoftë i paharruar kujtimi i tij!  U prehtë në paqe, Dori ynë i dashur!

( Shënim  i redaksisë ) Në shënjë respekti e mirënjohje, Redaksia e gazetës “Zëri I Kurveleshit” i shpreh ngushëllime të sinqerta, familjes të afërmeve dhe dashamirësve, për përballimin e kësaj dhimbje kaq të rëndë dhe të parakohshme. Shpirti i tij u prehtë në kopështet më të bukura të parajsës!