loader
Loading...
POEZI
1 muaj më parë

POEZI

E FUNDIT VJESHTË
  

Gjethe floriri në Kunjovë,

kjo vjeshta e fundit më tremb

humbet argjendi , pikon loti,

dridhem i pashpresë.

 Tej në rrëzë të borshe ,

dallgëzuar vendi i shenjtë,

Shën Mëria është agimi ynë,

cullufja e kësaj hëne më step.

 Atje zgjimi dhe rrezja e çmendur,

e veriut   dhe e thëllimit thjeshtër,

lutemi te Shën Prokopi në Gjomit,

-Zot  na e beko të tjera  vjeshtë.

 

Letër për Amanden

Për pak bëhet muzg në Kunjovë

thëllimi ka rënë në shtegun e dhirtë

as sonte s’vij ,mos pritë.

Më mbyti trishtimi.

Ku ishe ,çfarë bëre ?

Preva ca degë me  koçimare.

Shkova deri te qisha  e vjetër .

Qimiteri kishte rënë.

Xhan-xhin njeri.

Ku je o prift të rrëfehemi !

Kryq në mes të udhës një breshkë.

Çfarë shkrove gjithë javën poet?

Vetëm një letër. 

E postova në E-mailin e vjetër.

Mbusha ujë gurre me kotruve .

Kujtimi yt mu fanit.

Parfumi më mbyti .

As sonte s’vij ,mos pritë .

Të të citoj një reshtë me pyete :

Muzg  lugjesh mes nesh .

 

KUAJ TË BARDHË

 Mbrëmë në ëndërr ,

pashë kuaj të bardhë,

ardhur nga vise të largëta

përsipër hedhur vello nusërie .

-Nëna ime si loznin ,

si merreshin vesh nën hënë,

dallgëzuar jelet  e bardha,

kuajt e viseve të largëta.

Atë fushë se kisha parë kurrë në Goronec,

hapësirë pamat mbushur me kuaj të hazdisur,

shkelnin me këmbë shegët rruaza bardha.

Flokët  e mi , shikoja ti merrte era

shpërndarë tej e përkund në ag,

dallgëzimin e  kisha nga nëna ,

frymëmarrjen nga hëna,

iknin veç  atë natë, kuaj të bardhë.

Me vite prita në Goronecin tonë ,

të më shfaqej si një film  pa zë e njëjta ëndërr ,

gërshetat e mia të mpiksura nën hënë,

-U thinjën nëna ime, duke mbjellë thekër në Goronec

duke u lutur te lisat e qishës .

Tani në pleqëri i shikoj shpesh,

ato ëndrra me kuaj të bardhë,

që vijnë në Goronecë.

 

 

KUAJT

Kuaj të  panjohur,

 në mëhallën tonë

mbrëmë,hardallë,

trokonin,nuk iknin

as  nxitonin

në të kundërt të erës

qëndronin.

Në të egër

vraponin,

në të panjohur

mërgonin.

Erë dhe ngricë,

frymë dhe frikë.

Nga kanë ardhur këta kuaj

pyesnin  në Gjomitë?

 

UJËRAT

Ujërat  nuk rrjedhin

burimi në buronja  i thare

diell i pa mpiksur  në lindje,

bora zë shtruar në perëndim ,

zbrazur lumi me dije,

lotët  ende të  patharë

gurët si qelqe ndrijnë,

oshtin  në shurr të  Kuçe

mraten troftat, në lëpushë

nën gurët e zinj.

Mjegull e breruar,

poshtë muzgu i heshtur

gjurma e ëndrrave të mia,

shkruante :dritë,dritë,dritë

Si shteruan ujërat

pyesnin  në Gjomitë

 


Shegët

Shegët me bojën e kuqe.

Buzët e saj.

Të varura në pemishte.

Në errësirë, unë nuk mund ti

shoh flokët e saj.

Pastaj mbrëmë frynte.

Një erë veriore.

Ajo vështronte ,paskësaj.

Me dorën e vogël fshinte,

të kuqin e buzëve.

Si shegët e saj.

 

 Poezi

Më pëlqente ajo kohë,
se hëna e bukur në qiell,
s’ishte e plotë dhe e dua
mirëpo për plakjen e saj ,
ajo fajësonte mua.

 

 Poezi

Frymëmarrja ime e gjitha në mjegull,
këmisha ime e grisur e varur në këtë pjergull.
Një zë i largët gris vetmin,
një qiri i ndezur diku shuhet në shi,
një thëngjill i ndezur mbetur nga ky prush
plakat e kanë mbuluar me hi.

 

Thënia jote.

Që ti të na marrësh zemrat.

Thonë shenjtorët.

Nuk mjafton një gjest i dorës.

Zemrat tona, janë marrë,

me dhimbje dhe mundim

gjithë kohës.