Pavarësisht llojit të personave, gjithmonë ka diçka që mëson nga ata. Njerëzit me aftësi të kufizuar janë veçanërisht ndikues, sepse vështirësitë në jetën tone, nuk mund t’i harrojmë lehtë. Ҫ’do ditë të jetës duhet ta kalojmë me forcë dhe vendosmëri pavarësisht, se shumë njerëz dorëzohen dhe përmbysen nga vështirësitë. Të jesh i kufizuar fizikisht, është padyshim e vështirë, por është gjithashtu një nga “shkollat” më të vlefshme, që një njeri mund të përjetojë. Ka shumë gjëra, që njerëzit me aftësi të kufizuar na i mësojnë : Të mësohesh dhe përqafosh faktin se je ndryshe nga të tjerët, mund të jetë një nga ndjenjat më bukura të të qënit i lirë, sepse lumturia e vërtetë gjendet edhe në trupat “e thyer”. Ҫ’dokush i përket vetes, dhe ne të gjithë e dimë këtë. Dhe kjo ndjenjë është e mrekullueshme. Të jesh ndryshe është një mundësi, që të bie në pjesë, por jo se e dëshiron. Prandaj nuk mund t’i gjykosh njerëzit nga pamja e tyre, sepse jeta është e shkurtër dhe dobësia nuk është gjithnjë negative. Le të ndalemi konkretisht tek një person nga Nivica e Kurveleshit Baki Merjo. Po kush ishte Bakiu, ky njeri që e pranoi realitetin në sy, duke u përshtatur në mënyrën më të mirë të mundëshme.
Bakiu e dashuronte jetën dhe vëndlindjen. Baki Ramadan Merjo, ka lindur në Nivicë të Tepelenës në vitin, 1931. Nëna e tij, Zilkë Merjo, ishte bijë nga Hajnajt e Lekdushit. Ramadan Merjo kishte lindur në vitin 1900, ishte një burrë i gjatë, i zgjuar, e plot bejte. Qylafin e mbante në kokë. Ishte një blekror i zoti. Pushtimi ishte i egër dhe i pa përballueshëm. Lufta ishte edhe aty në skajet më malorë. Ramadani, do të bëhej pjesmarrës në luftën e Vlorës dhe më pas, në çetat territoriale. Pas çlirimit u mor me blektori. U nda nga jeta në vitin 1980. Ndërsa i biri, Bakiu do të rritej si gjithë moshatarët e vetë, në skamje dhe në varfëri, për shkak të luftës që ishte prezente edhe aty në ato treva të thyera malore. U nda nga jeta më, vitin 1995, pas një sëmundje të rëndë. Kishte dy vëllezër Selmanin dhe Bejon dhe një motër Razikën. Në moshën 8 vjeçare Bakiut, i ikën dëgjimi dhe zëri për të folur. Shumë u munduan prindërit, por nuk arritën ta shëronin, sepse edhe mjeksia nuk ishte në nivelin e saj, e pothuaj në ato treva ishte pothuaj inegzistente. Ramadani i kishte lidhur fejesë që në djep. Ai, me Leskon babain e Selvisë, si dy miq të vërtetë, kishin lidhur fjalë. Nëse Zilka do të lindë djalë dhe jot shoqe do të lindë vajzë, do t’i lidhëm me kurorë, do ti martojmë bashkë. Po kështu edhe anasjelltas. Dhe fjala ishte fjalë. Selvi Merjo bijë nga Banajt e Gusmarit, lindur në vitin 1931, u bë bashkëshortja e Bakiut. Në moshë fare të re Bakiu, martohet me Selvinë. Aty ku jepej fjala, edhe dashuria do të mbijë, si guri! Shumë të vështira do të ishin vitet e para të martesës për Selvinë. Kishte vështirësi të shumta në komunikim. Ajo, jo vetëm që nuk u dorëzua, por u bë edhe njeriu më i afërt, spjeguesja dhe përkthyesja më e mirë për gjithë të tjerët. Kjo grua fjalë pak, nga dera fisnike e Banajve të Gusmarit nuk u dorëzua kurrë. Nga martesa e tyre erdhën në jetë tre fëmijë. Luani, Bame, dhe Pëllumbe. Bakiu që i vogël ishte shumë i shkathët. Mësoi të shkruante. Pati shumë pasione në jetë, ai ishte një rrobaqepës i shquar në zonën e Kurveleshit. Punonte shumë! Ai nuk ndalej, e donte jetën, komunikonte me shumë njerëz, të cilët e donin dhe e respektonin. Ç’farë i shikonte syri, ja bënte dora. Sytë kishin një rruzullim loti. Nuk mund të shprehej në thjeshtësinë e një gjesti. Ai rrëzim, që fshihej pas dritës së tyre, si një det i brendshëm, që nuk mund të shuhej. Dallohej tek Bakiu, zgjuarësia e tij, ndershmëria, që ua la trashëgim dhe të pasmëve të tij, fëmijëve, nipërve dhe mbesave. Përveç rrobaqepsisë, Bakiu kishte edhe plot pasione të tjera. Shquhej për heqjen e dhëmbëve e dhëmballëve, të shumë njerëzve, që kishin dhimbje, sigurisht me mjete primitive, jo se ishte ndonjë stomatolog, por pasioni dhe nevoja e detyruan të kryente një mision të tillë. Në të përditshmen Bakiu ishte, një mjeshtër në frutikulturë. Ai ishte njeriu që nuk dëgjonte, por me inteligjencën e tij, merrte vesh edhe lajmin e fundit, për ç’do gjë që ndodhte. Njeriu që nuk fliste, por që, me mënyrën e tij të pyeste dhe të shpjegonte, ç’do gjë, që ndodhte e diskutohej përqark. Kurrë nuk e kufizoi shpirtin e tij, i ndikuar nga gjendja fizike, sepse inteligjenca është aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve. Kam vënë re se edhe njerëzit që pretendojnë se gjithçka është e paracaktuar dhe se nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar atë, edhe ata kontrollojnë para se të kalojnë rrugën. Aftësia e kufizuar mund të prekë këdo. Bakiu ishte i veçantë, sidomos për sistemin. Ai i përballonte situatat me qetësi e ndershmëri. Ndaj, fëmijët e tij, nipër e mbesa, sot janë shumë krenarë, për të dy prindrit e tyre Baki e Selvi Merjo. Tërë kjo mori frymëzimi dhe afshesh shpirtërore, e luftarake, që Bakiu mbarte me vehte, është njëfarë dashurie për vëndlindjen dhe jetën, përçuar nga uji kulluar nga krojet, që niset nga gurrat e shkëmbinjve, nga rrëza e Këndrevicës, e që zbret rrëmbyeshëm e kumbues, kapërcen pragje shkëmbinjsh, bëhet dallgë e shkumbëzuar , thërmitet në stërkala, tek të cilat shndritin gjithë ngjyrat e ylberit, bashkohet prapë, dhe del në një fushë të butë, kalon disa grima qetas nëpër një amëzë të shtruar, pastaj vërvitet sërish nëpër ngushtica dredha-dredha, egërsohet, buçet, sulmon, godet, derdhet kanioneve dhe çan udhën si fitimtar. E tillë rrodhi edhe jeta e Baki Merjo, që do ngelet i pa harruar tek familja dhe shoqëria, tek ata njerëz, që e njohën nga afër, punuan dhe jetuan me të!