Me fyelltarin e madh
piluriot, Milto Gjiçali. Pa asnjë dyshim ai tani është kthyer në një simbolikë
të trashëgimisë shpirtërore piluriote, madje është edhe më shumë se kaq; mbetet
një bartës i të shkuarës historike por edhe të sotmes të një grupi kënge me shumë
histori e lavdi mbi vehte. Me Eleni Mërkurin përbëjnë dyshen folklorike që si
një fill i florinjtë lidh dy e më shumë gjenerata këngëtarësh; të parët që bënë
epokë me më të madhin krijues ndër të vdekur e të gjallë Lefter Çipën, dhe të
sotmit që me një tjetër krijues po të dinastisë Çipa, Kriston, si vazhdimësi
kanë nisur të shkruajnë historinë e tyre të re. Milto Gjiçali qëndron mes tyre
si personazh folklorik, si legjendë e gjallë, mjafton të çfaqet fizikisht me
kostumin kombëtar dhe vetiu të del përpara një mal i tërë me këngë e avaze
piluriote, një trashëgimi e gjallë shpirtërore më vehte. Milto kurdoherë del
vet i dytë, si gjymtyrë i është bërë cyla e zverdhëlluar, një jetë në buzë e
mes gishtrinjve që lozin mbi bira. Është rritur me të, në shtëpi e ka patur nga
babai e gjyshi siç e ruan dhe sot si relike e amanet. Ishte fare i holltë kur
nisi të dashurohet pas saj, mbrëmjeve kur mblidheshin në shtëpi se linin të
binte në shesh, të dy vëllezërit më të mëdhenj i shikonte në dritë të syrit, sy
e vesh sa herë që merrnin cylën e verdhë, sa njeri – tjetri. Mirë i binte dhe
Labua, i madhi, por Koçua e qante fare, atë kisha idhull në jetë- më thotë kur
e pyes. Kisha edhe Lefter Mërkurin, babain e Lenit, hedhëses pasionante të
grupit, edhe ai i binte mirë, nga më të mirët që kishte Piluri, vazhdon më tej
bisedën. Xha Lefterin e kishim gjiton, s'na ndante as nata as dita, nga ai
burrë kam mësuar shumë – më thotë kur e pyes për të tjerë emra piluriotësh të
dëgjuar për fyej e dyjare. Pastaj më tregon se shkollës i ra shkurt, e mbylli
me shtatëvjeçaren, edhe për të do të shkonte nga Piluri në Himarë, ashtu ishte
koha. Adoleshencën do ta kalonte fushës së Vanovës e maleve për rreth, në punët
bujqësore, pas të rriturve, herë – herë edhe me blegtori staneve e tëndave me
hie ndërkohë që fyellin se ndau nga vetja. Me këngë e avaze i shkoi edhe
ushtria, atë kohë shkollë më vehte për të gjitha. Pastaj çdo gjë e lidh me
njeriun që jo vetëm për të, për piluriotë të gjithë u bë “magneti” që i mblodhi
pas vehtes vashëzat e djemtë piluriotë për ti bërë “bilbila kënge”, siç kënga
vet e thotë. Ishte koha kur Lefter Çipa i kthyer nga qyteti i Vlorës në
vendlindje do të niste revolucionin e madh jo thjesht të këngës piluriote por
edhe të asaj shqiptare me iso. Ishte koha kur instrumentat , deri atë kohë
përdorur nga barinjtë në stane për të qarë hallet e dertet, për tu kënduar
bagëtisë e për ti shpurë ato në ujë, tani të futeshin edhe në këngë, në
shoqërimin e tyre me avaze fyelli e cyle dyjare. Kishin nisur përgatitjet për
festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe udhëheqësi i grupit të
Pilurit kishte nisur përgatitjet një vit më përpara e ku “Bejka e Bardhë” prej
at’here kishte marrë udhën për në Kalanë e Argjirosë. Tre vetave u kishte
besuar melodinë instrumentale, atë që do shoqëronte këngën, mes tyre në fyell
Milto Gjiçali. Në cylë dyjare Margarit Kongjini, një tjetër emër i madh i
grupit famëmadh të Pilurit e në kaba me fyell, Arqile Lapa. Lefteri i kishte
“vizatuar” e hedhur në “pentagram” të gjitha në mendje, edhe meloditë e
instrumentave edhe të këngës, një ndërmarrje sa sfiduese aq dhe e guximshme në
këndimin tradicional të Bregdetit e Labërisë. Milto Gjiçali e Margarit Kongjini
të dy shokë, të dy vërsnikë, të dy as njëzetepesëvjeçarë kurdo të realizonin
avazin melodik, avaz që do të “mbushej” nga Arqile Lapa. Arqilea, edhe ky me
fyell ishte më i rritur e ai do të bënte mbushjen, “Iso”-n instrumentale, edhe
kjo po aq e rëndësishme sa Isua në këngë. Fazat që u prinin festivalit kombëtar
do ti kalonin me vlerësimet më makimale, në Himarë së pari e pastaj në Vlorë,
specialistët e kulturës për kohën në përbërje të komisioneve seleksionuese do
ta kuptonin shpejt se diçka e re dhe e pa ndodhur më parë po vinte nga Ballkoni
i Bregut, nga Piluri ku biri i atij fshati Lefter Çipa kishte nisur të
shkruante një faqe të re kulturore jo thesht të këtij fshati me bëma të mëdha
trimërie por tani me shpirtin polifon të popullit, këngën. Në Gjirokastër, në
Kalanë e festivalit grupi i Pilurit do të krijonte befasinë e madhe, “tërmet” folklorik
më vehte mënyra e këndimi dhe interpretimit, asnjëherë ndodhur më parë. Askush
tjetër gjer atë kohë nuk kishte mundur të binte në skenën e madhe të folkut
kombëtar një këngë të tillë shoqëruar me “orkestër” kaq orgjinale e kaq
pastorale, me fyej e dyjare. “Bejka e bardhë” përmes një dueti nga më të
arrirat në këngën polifonike shqiptare me Vasillo Koka Lapa e Vangjel Gjiçalin
nuk po vinte vetëm si një lirikë e mahnitshme baritore , ajo vinte si një fllad
i bukur pranveror mbushur me tinguj e zëra zogjsh të maleve të Akrokeranës.
Është e pa imagjinueshme se si dy mjeshtra të vërtetë, njeri në fyell e tjetri
në cylë dyjare të krijojnë një magji të tillë avazesh e të derdhin bash aty në
skenën më të madhë të folklorit kombëtar një “simfoni" folklorike të pa
dëgjuar më parë. Milto Gjiçali e Margarit Kongjini po edhe Arqile Lapa në “iso”
krijuan një trio të pa përsëritshme shoqëruese për këngët liriko-erotike të
grupit të këngës piluriote, pikuar me mëndjen e penën e artë të Lefter Çipës.
Janë disa këngë, besoj një dyzinë e ca, që shoqërohen me instrumentat popullorë
të Labërisë, më saktë të çobanëve në male por asnjera nuk ngjan me tjetrën.
Duhet të jesh njohës i mirë i i melodive baritore për të ditur ku është vija
melodike e njerit e ku e tjetrit, kaq shumë janë shkrirë fyelli e dyjaria me njera
tjetrën, kaq shumë interpretët janë futur në botën e melosit labo-himariot po
edhe këngëve epokale piluriote. Kaq shumë janë futur në "lëkurën" e
njeri tjetrit këta artistë malesh. Askush tjetër në vist ku lëvrohet kënga me
iso, askund edhe në ato treva ku instrumentat popullore baritore gjënden si
traditë nuk kanë mundur të realizojnë interpretime me kaq shumë mjeshtëri e
magji sa dyshja piluriote Gjiçali e Kongjini, të gjitha me një përsosmëri të
rrallë. “Bejka e bardhë” hapi udhën pastaj “Kuaca e kuqe”, “O moj culë e
Labërisë”, “Në të marrça manushaqe”, “Thëllëzë e maleve t’borës”,”Kaq të bukur
jo s’të dija”, “Lule verdhë e barë i njomë” e të tjera këngë të shoqëruara me
instrumenta popullorë tradicionalë përbëjnë një gjerdan më vehte e një pasuri
të rrallë në korpusin e madh të këngëve piluriote. Milto Gjiçali fyellit i bie
me buzë ashtu si është edhe mënyra më tradicionale e këtij instrumenti, vonë,
të tjerë përdorin edhe atë që quhet me “dhëmbë” kur perimetrin e metaltë të
fyellit e vendos diku midis dhëmbit. Gjiçali i Pilurit është tërësisht në
traditën e herëshme, madje edhe fyellin e përdor me gjashtë bira, e shtata
qendron e hapur në pjesën e mbrapme dhe që përdoret në rolin e “kthyesit”.
Gjashtë birat janë për melodi, shatë janë për nota- më thotë Miltua kur tentoj
të më thotë diçka më shumë rrreth fyellit që përdor. Të rënët me buzë është
tjetër gjë, meloditë kanë tjetër ëmbëlsi, tjetër ndjesi dëgjimi, tjetër shprehi
avazesh. "Kur i bije culës-ë, Me anë të buzës-ë..." thotë kënga. Në Pilur
fyelltarët kanë qenë me nam, falë natyrës si askund tjetër me male e vërri, nga
vendet me traditë të lashtë blegtorale si rrallë në viset labo-bregase. Të
parët si trashëgimi tani na kanë lënë pas kujtimet ndërkohë që Milto Gjiçali ka
kohë që ka krijuar mbretërinë e tij të pa konkurueshme në përdorimin e fyellit
të metaltë. Aty brenda asaj cilindratoje të bronxtë mblidhen e bëhen bashkë
gjuhët e zogjve, ligjërimat e nënave, haretë e kopeve me zile e këmborë,
fëshfërima e barit, gurgullima e krojeve, flladi i detit, nuret e vajzave …- Më
trego ndonjë histori të ndodhur gjatë jetës artistike, një jetë në koncerte e
skena, si është ajo puna e culës nën mëngë, vazhdoj si për ta ngacmuar. - Atë e
dinë të gjithë-më thotë, bëri bujë të madhe. - E dinë por tjetër gjë kur tregon
vetë dora për mëngoren e tij, i them dhe aparatin e telefonit e çoj te
regjistruesi. Dhe Milto Gjiçali nis të tregojë. Pas suksesit të madh që pati
“Bejka e bardhë” në Kala na caktuam të jemi pjesë e koncertit me numërat më të
mira të festivalit i cili do të jepej përpara udhëheqies së kohës në Tiranë. U
gëzuam sa s’kishte ku të vinte, për vehte dhe për këngën. Por duket se ishim
gëzuar përpara kohe, kur po bënim prova për koncertin Lefterin e thirrën
organizatorët, ata që merreshin me ato punë, emra dhe artista të mëdhenj ishin.
Kënga do këndohet pa e shoqëruar me instrumenta, vetëm kënga si këngë, i thonë
prerë. Lefteri ishte përpjekur tu mbushte mendjen se kishin të bënin me një
krijesë orgjinale shqiptare por s’qe e thënë. U dakortua se ashtu do të
vepronte si ata po i thoshin ndërkohë që tjetër plan kishte bërë në mendje. Ti
Milto, mu drejtua mua, do ta futësh nën mëngë, edhe ti Arqile, i tha Arqilesë.
Ti Margarit, në brez, nën brez- i thotë Margaritit për dyjaren që është e
shkurtër. U tha, u bë. U bë prezantimi i grupit dhe dolëm. Sa u vendosëm pranë
mikrofonave, si me komandë nxorrëm “armët” e fshehura sipas porosisë. Ç’u bë më
pas as unë s’di ç’të them, di që të gjithë u ndgritën në këmbë me duartrokitje
e brohorima të mëdha. Kur dolëm pas skene që mbaruam, vetë ata që i kishin
thënë Lefterit të mos përdornim instrumentat ju hodhën në qafë e s’mbaheshin
nga gëzimi. Edhe sot më shkojnë mornica kur e kujtoj -më thotë dhe sytë duket
se i rrëmbushen prej nostalgjisë e mallit...për shokët e kryearkitektin e
grupit. Tani po shkon drejt mbushjes se dy shtatave por duket se shifrat do
shënohen thjesht si numëra për statistikë, mosha artistike ende se ka arritur
finishin. Shoqërimi i “Konovakës” piluriote në Kalanë e Gjirokastrës, në
festivalin kombëtar vetëm përpara një viti, po edhe kënga perlë kushtuar
“Nderit të Kombit” Lefter Çipa vetëm pak kohë më parë në skenën më të madhe të
kryeqytetit nuk lenë vend për fjalë. Kristo Çipa me “Bejkën e bardhë”
vazhdojnë ta kenë në ballin e grupit duke endur të tjera melodi e magji avazesh
folklorike piluriote.
Sejmen Gjokoli.
Vlorë; 21.06.2024