loader
Loading...
DUDI STRATJA - NUSJA ME FLAMUR

Kallaratasit në shekuj janë shquar si patriotë e atdhetarë. Aty kanë lindur burra kazaje e vilajeti, që kanë zgjidhur nyje të vështira, si dhe gra që me bëmat e ligjërimit të tyre kanë lënë gjurmë historie. Dekada më parë bisedoja me një grua moshatare dhe ajo mes të tjerash në tregoi dhe për vitet e shkuara. Mes të tjerash më tha: "Qyq më që (ishte shprehja e saj dashamirëse) në kohën tonë ne vinim nuse me flamur dhe vetëm të hipur në kalë". Për një nga këto nuse me flamur mendova të shkruaj. Ajo është Dudi Hodo Stratja, apo siç njihej Dudi Hodja. Dudia ishte bijë e kuçiote. Në dekadën e fundit të shekullit të 19-të u martua me Çelo S. Stratin në Kallarat. Vitet rridhnin, ajo u bë e respektuar në vëllezëri dhe më gjerë. Shtëpia e saj ishte derë e hapur. Bujaria, fisnikëria e mikpritja e saj ka mbërritur në ditët tona tek shprehja: "Më me shije një ve (vezë) e Dudës se një pjatë meze me mish". Jeta nuk qe e lehtë për Dudën. Ajo provoi plagë zemre, por nuk u ligështua, kur e donte puna, bëhej pjesë e veprimtarive që organizoheshin në fshat. Një gjë e tillë ka gjurmë të thella tek të gjithë kallaratasit, si grua me vlera që lartësoi jo vetëm atë, por gruan kallaratase. Një ngjarje ishte ajo e 28 nëntorit 1919-ës. Paria e fshatit organizoi festimin e 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Atë ditë në Qafë të Ubavit, tek shtëpia e Zenepe Toçes, që shërbente edhe si shkollë, ishte mbledhur i gjithë fshati. Pjesë e kësaj festë ishte edhe Dudia. Atë ditë ajo nxori nga sepetia e nusërisë, që ishte e gjitha e veshur me punime argjendi, flamurin, bezen e kuqe me shqiponjë, që i kishte mbuluar shtatin ditën që u bë nuse. E kishte ruajtur flamurin si kujtim. Shqiponja me bezen e kuqe me pasqyrën te balli kishte një domethënie për rrugën e jetës së saj. U valëvit ai flamur i nusërisë së Dudisë atë ditë te shtëpia - shkollë, si një sozi e atij që Ismail Qemali dhe patriotët shqiptarë ngritën në Vlorë më 28 nëntor 1912 dhe shpallën pavarësinë e Shqiprisë. Gjendjen e mbuloi gëzimi e hareja. Të pranishmëve u foli mësuesi Meçan Selami që ishte anëtar i shoqërisë patriotike, ndërsa nxënësit recituan vjersha e pjesëmarrësit kënduan e hodhën valle - shkruan në kujtimet e tij pjesëtari i ngjarjes Hasan Shamua (Kallarati). Që nga ajo ditë Qafa e Ubavit u bë qendra historike e fshatit. Gëzimi i festës, i asaj "Dite të Madhe" për kallaratasit nuk zgjati shumë. Drejtuesit e fshatit dhe nënë Dudia u ndeshën me reprezaliet e pushtuesve italianë. Në fillim të dhjetorit erdhi në Kallarat një patrullë karabinierësh italianë. Ata arrrestuan mësuesin Meçani Selami, Remzi Janjin, Shamo Meçen, Alem Toton, Selam Bajramin dhe Dudë Hoden. Të lidhur i shoqëruan për në Himarë. Pas një proçedimi të rëndë, të lidhur dhe në këmbë i çuan në Vlorë. Aty i mbyllën në burgun e Medresesë. Pas 4 muajsh burgim i nxorrën në gjyqin ushtarak (Tribunale Militare di Guerra). Prokurori kërkoi dënimin me vdekje për Meçan Selamin, Remzi Janjin, Shamo Meçen, Alem Toton, Selam Bajramin dhe për Dudi Hoden 3 vjet burgim. Provoi Dudi Hodja dhe vëllezërit e saj bashkëfshatarë qelitë e burgjeve të pushtuesve italianë, në atë dimër të acartë të atij viti, por nuk u gjunjëzuan. Kallaratasit me dashurinë dhe respektin që kishin për njëri - tjetrin nuk qëndruan në heshtje. Ata grumbulluan 6000 lireta, prej të cilave 3000 i pagoi Hodo Kalemi dhe paguan avokatin italian. Në ditët e fundit të marsit 1920 fituan pafajësinë. Dudia kishte një djalë të vetëm Feinin. E kishte ushqyer me dashurinë për vatanin, që kur duhej t'i dilte zot. Dhe pak muaj më pas, Feini vihet në krye të çetës luftarake të kallaratase në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Në fushën e betejës Feini u shqua si komandant i zoti dhe luftëtar trim. Bashkëfshatarët për të kanë shkuar, e kanë epitetuar e portretizuar dhe këngë i kushtuan: Feim Çelo Kallarati/ burrë trim e fjalë vrapi/ i çau si ujku i marsit". Vite e dekada që pasuan, veprimtaria patriotike e atdhetare e nënë Dudisë, e bashkëfshatarëve me të cilët provoi qelitë e burgjeve të italianëve dhe të djalit të saj Feinit, jo vetëm u la në harresë e askush nuk e përmendi qoftë edhe njëherë, por edhe u tjetërsua. I vetmi që hodhi dritë ishte Hasan Shamo Meçaj në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit që lamë, pasi në shënimet e tij historike, botuar në gazetën Kallarati, flitet për këtë ngjarje. Dudi Stratja mbetet simbol i "Nuses me flamur", i nënës që rriti patriotë, i gruas që nuk u ligështua e gjunjëzua nga burgjet e pushtuesit të huaj. Ajo mbetet gruaja e vetme kallaratase, por edhe më gjerë, që ngriti lart vlerat e flamurit të lirisë e pavarsisë.


Kallarat më 5 prill 2025.