loader
Loading...

 

 

KONTRIBUTI I USHTRISE ANTIFASHISTE VULLNETARE NACIONAL - ҪLIRIMTARE PER 9 MAJIN 1945.

Pseudointelektualë dhe pseudohistorianë, kanë botuar në pacavuret e tyre tezën më injoruse dhe eliminatore të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, se gjoja ajo nuk ka qenë luftë brenda koalicionit antifashist botëror për clirimin e Shqipërisë nga nazi-fashizmi, por “luftë civile”. Këta matrapazë dhe tellallë të bashkëpunëtorëve të nazi-fazhizmit, falsifikojnë edhe deklarimet e dy pëfaqësuesve të mëdhenj të Koalicionit antifashist; Departamentit të shtetit Amerikan dhe Curcillit, i cili në 17 dhjetor 1942, në Dhomën e Komuneve deklaronte: “Qeveria e M. Tij simpatizon fatin e Shqiptarëve, një popull që ka qenë nga viktimat e para të agresionit fashist. Ajo dëshiron ta shohë Shqipërinë të cliruar nga zgjedha e Italisë dhe të rimëkëmbur në pavarësinë e saj … Me mijra luftëtarë shqiptare po luftojnë në malet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tye. Nga përvoja e vendeve të tjera të pushtuara, ata kanë mësuar se e ashtuquajtura pavarësi e dhënë prej gjermanëve, është krejt e rreme…Pak javë më parë pushtimi fashist, të cilin ata për më se katër vjet e kishin kundërshtuar, u zëvëndësua nga ai gjerman. Gjermanët përdorën metodat e zakonshme me të cilat ata kërkojnë të përkulin popujt luftarak … por cetat shqiptare vazhdojnë ta bezdisin armikun dhe të sulmojnë komunikimet e tyre…Ne i shikojmë shqiptarët të luajnë pjesën e tyre, ashtu si ua kërkon tradita e vjetër luftarake, në kuadrin e zhvillimeve të ardhme në Zonën e Mesdheut ... është dëshira e jonë ta shohim Shqipërinë të cliruar nga zgjedha e Boshtit dhe të rivendos pavarësinë e saj. Kufijtë e saj do të vendosen në Konferencën e Paqes.“ (AQSH, F. 441, d. 7, f. 15). Nuk ka asnjë nuancë të “luftës civile“ në këtë deklaratë publike, të njërës prej fuqive kryesore të Koalicionit antifashist. Kryeministri Britanik pranonte, se shqiptarët prej katër vjetësh, e kishin kundërshtuar pushtimin fashist italian, ndërkohë që mercenarët e tyre, i cuan në Romë Kurorën e Skënderbeut dhe u vunë në shërbim të pushtimit, duke spiunuar, burgosur dhe goditur cetat partizane, prandaj nuk ka, nga aleatët e koalicionit Antifashst, asnjë vlerësim pozitiv për Ballin Kombëtar. Kryeministri Britanik bën publike luftën e cetave partizane shqiptare, të cilat, me sakrifica të mëdha, kanë luajtur pjesën e tyre në këtë koalicion, sikurse ia kërkonte tradita luftarake dhe interesi kombëtar për njohjen e Shqipërisë si vend i pavarur. Ishte ky kontribut i Ushtrisë Antifashste Vullnetare Nacionalclirimtare, që në Jaltë, u respektua vullneti i popullit shqiptar për vetvendosje. Është shkruar nga disa hisorianë, se në ditët që zhvilloheshin punimet e “Konferencës së Teheranit”, “Çurçilli la të kuptohet se duheshin mbështetur monarkistët në Greqi dhe komunistët në Jugosllavi...ndërsa Shqipëria duket se nuk ishte prezantuar fare si një problem politik në takimin e tre të mëdhenjve në Teheran. Është harritur deri atje, sa ky qëndrim është trajtuar si një harresë, një injorim, një neglizhencë, apo një faktor i papërfillshëm për fatet e frontit të luftës! Citojnë vetëm fjalët e Çurçillit, jo fjalët e Stalinit dhe Ruzveldit. Nëse do të kishim procesverbalet e diskutimeve, mund të gjykonim më realisht për qëndrimin që ishte mbajtur ndaj Shqipërisë.  Madje shkruajnë, se në takimin e Çurçillit në Kremlin, me Stalinin, më 9 tetor 1944, Çurçilli iu drejtua Stalinit: “Le t’i zgjidhim problemet tona në Ballkan. Ushtritë tuaja janë në Rumani dhe Bullgari. Ne kemi interesa, misionarë dhe agjentët tanë atje. Le të mos i lëmë interesat tona të përplasen për gjëra të vogla. Për sa kohë Britania dhe Rusia kanë interesa, si do ta vlerësonit faktin që ju do të kini 90% të predominancës në Rumani, ndërsa ne të kemi 90% në Greqi dhe të kemi 50 me 50 në Jugosllavi”?  Këta njerëz i ka ngrenë meraku, se me Shqipërinë, në atë copë letër, ky vend i vogël as nuk ishte shënuar, as nuk ishte përmendur! Ky realitet nuk sjell keqardhje, sikurse kanë demostruar disa historianë të çakorduar, por krenari. Kemi mendimin se propozimi i Çurçillit me atë “copë letër” ishte provokim ose parabisedim në një nga seancat e shumta që kërkonte Çurçilli për takime me Stalinin dhe jo seancë pune, ku do të mireshin vendime. Mungesa e presdientit amerikan, nw atw takim, na bind për një takim rastësor jashtë formatit zyrtar. Mendojmë gjithashtu, se propozimet e Çurçillit nuk ishin i njëjti mentalitet edhe tek Stalini, sepse nuk ka dokument që vërteton, se Stalini e aprovoi ose e diskutoi propozimin e Çurçillit, përveç komenteve subjektive. Stalini as denjoi ta shikonte copën e letrës, që Çurçilli i la mbi tavolinë, madje në përfundim të bisedës i tha: “Merre këtë”! Fjalët e Çurçillit s’mund të miren si aprovim nga ana e Stalinit. Ishte e drejta e Çurçillit të tirrte dhe të propozonte çfarë të donte, sikurse ishte e drejta e Stalinit të heshte për çfarëdo pazar të Çurçillit në biseda të rastësishme. Në këtë kuadër e shikojmë ne, heshtjen e Stalinit për propozimet e Çurçillit në Moskë.  Është shkruar dhe komentuar shumë për këtë problem, por për t’u sqaruar përfundimisht, duhet edhe dokumenti i Arkivave të Moskës, i cili duhet të jetë në proces-verbalin e mbajtur me stenogram në atë takim. Nga ballafaqimi mes tyre, lexuesi do të krijonte bindjen për qëndrimin e Stalinit ndaj pazareve të Çurçillit.  Në atë moment delikat të luftës, Stalinit ende i duheshin aleatët sa të përfundonte lufta, sepse e dinte mirë, se pas saj, edhe Britania edhe Amerika, si përfaqësues të imperializmit botëror, do t’i vërsuleshin Bashkimit Sovjetik, sikurse iu vërsulën, edhe pas Luftës së Parë Botërore, për ta shkatërruar dhe përmbysur socializmin si sistem shoqëror. Këtë e ka konfirmuar edhe vet Dallesit me projekte prej disa milarda dollarësh të Qeverisë Amerikane. Mendojmë se problemi i Shqipërisë, qëndron ndryshe, nga ç’e kanë shtruar historianë dhe komentatorë ordinerë. Ishte Lufta e vendosur dhe heroike e popullit shqiptar, e cila siguroi çlirimin me forcat e vete, pa ndihmën e asnjë ushtari të koalicionit antifashist, që nuk i dha mundësinë dhe kënaqësinë Çurçillit të vinte % edhe mbi Shqipërinë, sikundër vendosi mbi Rumaninë, Jugosllavinë dhe Greqinë, të cilat u çliruan me ndihmën e Ushtrisë së Kuqe, ndërsa Greqia u çlirua me ndihmën e trupave ushtarake britanike. Automatikisht këto vende e kishin ndikimin politik të Bashkimit Sovjetik dhe të Britanisë, prandaj do të pretendoheshin respektivish nga çlirimtarët, por ata e dinin se nuk kishin asnjë të drejtë të pretetendonin mbi një popull që ishte çliruar me forcat e veta dhe nuk kishte asnjë ushtar të huaj brenda. Ndryshe do të quhej okupacion ushtarak. Misionet britanike gjatë luftës i bënë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mbetej nën influencën e Britanisë. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe të datës 13 gusht 1944, thuhet: “Nuk është në interesat tona politike të perspektivës, që Lëvizja Nacionalçlirimtare të ketë nën kontrollin e vet të gjithë Shqipërinë”(Pro-F0 /371/43551, memorandum mbi gjendjen politike në Shqipëri, AIH, Tiranë) Sikundër shihet, problemin shqiptar Qeveria Britanike e shikonte brenda interesave politike të perspektivës së vet, çka do të thoshte, se Shqipëria nuk ishte subjekt pa rol strategjik në planet e Britanisë së Madhe!  Meqenëse Britania, nuk e arriti dot kontrollin mbi Shqipërinë, Ministri i Jashtëm Britanik, Iden, në prag të takimit të Çurçillit me Stalinin në Jaltë, pikërisht më 9 tetor 1944, përmes një radiogrami, i paraqiste Çurçillit taktikën që duhet të ndiqte në mbledhjen me aleatët: "Në këto rrethana nuk ka asnjë alternativë tjetër veç njohjes së plotë të Frontit NacionalçLirimtar, që të mund të mbajmë nën kontroll Shqipërinë pas luftës dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar një lidhje të plotë si kundërpeshë e influencës ruse". (W. Bland, J, Price, “The Tangle Web”, Londër 1986, f. 111, dokumenti FO 371/43555/71/R16104) Ishte ky radiogram i Idenit, që frenoi Çurçillin në kërkesat e veta, sepse rrethanat aktuale nuk lejonin asnjë alternativë, veç njohjes së plotë të Frontit NCL, por edhe nuk e pengonin vazhdimin e luftës për të siguruar në të ardhmen kontrollin mbi Shqipërinë, si kundërpeshë e influencës ruse. Nëse Çurçilli do të kishte alternativë tjetër, doemos ai nuk do ta “harronte” Shqipërinë, por në kushtet aktuale, kur në Shqipëri nuk kishte asnjë ushtar britanik, apo sovjetik, Çurçilli s’kishte përse e kujtonte një vend që e kishte përcaktuar vetë rrugën e tij! Kjo rrethanë e pengoi Çurçillin të vinte % edhe mbi Shqipërinë, edhe për faktin sepse e dinte mirë qëndrimin parimor të Stalinit, i cili nuk do t’ia pranonte. Ka pseudohistorianë që deklarojnë se Çurçilli e “harroi” Shqipërinë, sepse nuk kishte peshë në strategjinë e Mbretërisë Britanike. Si mundet, që Çurçilli ta trajtonte Shqipërinë si një vend që nuk kishte peshë në strategjië e tij, ndërkohë që kishte folur për të në Dhomën e Komuneve në nëntor të vitit 1943? ( “Paralamentiary Debates Offical Raport of Commons” F. series, Volumi 353, f. 57-58)