Kanë kaluar tashmë dy ditë nga Samiti i Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë. Tapeti i kuq u mblodh, udhëheqësit shtetërorë u larguan dhe kamerat nuk po filmojnë më. Tani që duartrokitjet po zbehen, mund të marrim frymë dhe të pyesim veten se çfarë ndodhi ekzaktësisht? Jo çfarë u tha, jo ç’marrëveshje u dakordësuan dhe as çfarë problemesh u zgjidhën apo ç’pyetje morën përgjigje. Vetë thelbi i samitit – rrjedhojat e tij gjeopolitike, apo rëndësia demokratike – u tret shpejt nën peshën e sipërfaqësores dhe asaj çfarë u duk se mbetet problemi kryesor për Shqipërinë si shtet dhe ne si shoqëri: Si do na shohë Perëndimi? Si të sillemi? Si do të peceptohemi? Diçka e tillë ngre disa pyetja më të thella dhe të parehatshme: Pse jemi kaq të investuar tek syri i tjetrit?
Përse rënia në sy, sa më pozitivisht,
mbetet më e rëndësishme se realiteti në të cilin jetojmë? Dëshira për t’u
njohur dhe për t’u vlerësuar nuk është diçka e re, por një ndjesi koloniale në
strukturë, e rrënjosur thellë në identitetin tonë post-diktatorial. Ne nuk
dolëm nga dekada të tëra izolimi me një vizion, por me një dëshirë për t’u
ndjerë të përfshirë, për t’u duartrokitur dhe përthithur. Me dëshirën që më në
fund t’i përkisnim Europës që kishim mitologjizuar, duke e shndërruar atë në
një pasqyrë. Një kontrollues. Një standard, të cilin nuk e përcaktuam ne, por
me të cilin duhet të mateshim dhe vazhdojmë ta bëjmë. Kështu, reshtëm së
pyeturi se çfarë mendojmë ne në lidhje me politikën,
institucionet dhe të ardhmen tonë, dhe filluam të pyesim nësei aprovon
Europa Por, ndërsa
sforcohemi çdo ditë për t’iu përshtatur standarteve të imagjinuara, cila është
linja me të cilën kërkojmë të përputhemi? Një kontinent që e flet rrjedhshëm
gjuhën e të drejtave të njeriut, por mbetet çuditërisht i heshtur teksa uria
merr jetë fëmijësh në Gaza. Një union që në letër e mbron mospajtimin dhe
kundërshtitë, por e ka të vështirë të veprojë kur popullsi të tëra rrethohen me
gardhe e ushtri, zhvendosen me forcë, apo edhe më keq vriten. E testuar
përkundër sfidave gjeopolitike, busulla morale e Europës fillon të lëkundet. Po
flasim për të njëjtin union që e lartëson demokracinë si një nga shtyllat
e veta themelore, identiteti i përbashkët i të cilit (unionit) supozohet t’i
ketë rrënjët tek demokracia, debati dhe pluralizmi, por që nuk ka zë të flasë
për represionin që ndodh fare pak larg kufijve të tij. Në Serbi, protestat
masive të studentëve kundër rrëshiqtjes së vendit në autoritarizëm, u përballën
me dhunë policore, intimidim dhe manipulim mediatik, ndërsa Brukseli pati forcë
vetëm të pëshpëriste disa kritika standarte. Në Greqi, po njësoj. Nga ana
tjetër, brenda vetë BE-së forcat e ekstremit të djathtë forcohen dita-ditës
duke gërrryer nga brenda institucionet demokratike. Dhe cila është përgjigjia e
unionit ndaj gjithë këtyre? Në rastin më të mirë, vërejtje teknike në vend të
një qëndrimi të qartë politik dhe në rastin më të keq, indiferencë. Thënë
ndryshe, një union që flet me gjuhë filozofi, por sillet si tregtar.Pra, çfarë
na tregon e gjithë kjo? Se ‘Projekti Europian’, siç implementohet aktualisht,
nuk është domosdoshmërisht moral. Se uniteti i tij, shpesh varet më tepër nga
heshtja se sa nga parimet. Se, të ashtuquajturat vlera europiane –
demokracia, dinjiteti njerëzor, solidariteti – vlejnë për t’u aplikuar në
mënyrë selektive. Dhe këto kontradikta nuk janë të parëndësishme sepse, kur një
bllok politik flet për virtyte por toleron dhunën, kur predikon reformim tek
vendet aspirante dhe justifikon kalbjen e brendshme të disa prej anëtarëve,
atëherë “rruga Europiane” nuk i ngjan më një ideali të përbashkët, por një
hierarkie të përbashkët bindjeje. Një lloj skene ku përfshirja kthehet në
teatër, ku përkatësia nuk varet edhe aq nga ajo çfarë bën, por nga sa mirë e
luan rolin. Dhe ne, me zellin për t’u dukur të gatshëm, bëjmë sikur gjithçka
është në rregull. Kjo nuk do të thotë të shpërfillim ambicien, apo nevojën për
bashkëpunim më të thellë me Europën, por të kërkojmë më me këmbëngulje se çfarë
ndryshon realisht dhe cilat probleme mbeten të pazgjidhura? Një vend nuk mund
ta ndërtojë të ardhmen e vet demokratike me estetikë të marrë hua. Duhet,
fillimisht të përballet me kontradiktat e veta dhe jo t’i groposi ato në emër
të progresit. Megjithatë, çështje të tilla rrallëherë bëhen pjesë e narrativës
publike, pasi e ndërlikojnë imazhin. Sfidojnë duartrokitjet. Na kujtojnë se të
dukesh modern nuk është njësoj si të jesh demokrat. Sado joshëse, rënia në sy
nuk e zëvendëson dot nevojën për reflektim, pasi të dukesh dhe të shihesh nga
tjetri nuk është e njëjta gjë si të kuptohesh. Siç na kujton Edward Said,
vështrimi i më të fortit nuk është kurrë i pafajshëm. Ai na përcakton, na
modelon dhe na disiplinon. Nën pretendimin se vetëm vëzhgon, ai krijon kronizën
të cilës ne të tjerët duhet t’i përshtatemi. Dhe, siç Milan Kundera
paraljmëronte dikur, fati i kombeve të vogla është që të jetojnë me frikën se
mund të harrohen dhe për shkak të kësaj frike, na duhet të kapemi pas rënies në
sy si mënyrë mbijetese. Perfomanca e Shqipërisë në skenën europiane i reflekton
të dyja këto të vërteta. Ne jo vetëm po pozicionohemi me Europën, por po i
përgjigjemi vështrimit të saj duke e modeluar veten sipas pritshmërive të tyre,
ndërsa shpresojmë të mos zhdukemi plotësisht. Por, në proces e sipër,
rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që shpresonim të ruanim: zërin tonë. Pyetja
atëherë nuk mund të jetë më si u dukëm, por kur
do të fillojmë të shohim?