Me Vasil Çuçin, kthyesin legjendar të
këngës lunxhiote. Kështu do të thoshte për Vasil Çuçin, kthyesin e këngëve të
Lunxhërisë, poeti i ndritur i Labërisë Agim Shehu në një nga herët e vajtjes në
Dhoksat, si një nga miqtë e mëdhenj të grupit të këngës. Në një davet për nder
të poetit, ishte koha, kur për ta kishte shkruar fjalët e valles “Lunxhëri plot
lezete”, që u bë hit në zhanrin e këndimit polifonik, grupi e gdhiu me këngë. Në
të gjitha këngët ja kthente vetëm njëri, Vasili. Në fund poeti do t’u thoshte:
“në grykën e këtij burri janë mbledhur e këndojnë të gjithë bilbilat e
Lunxhërisë”. Dhe nuk gaboi, koha më pas e vërtetoi katërcipërisht këtë cilësim
që poeti penëartë i bëri Vasil Çuçit i cili sot konsiderohet si një nga
kthyesit më të mëdhenj të shekullit të XX, për Lunxhërinë por edhe për
Gjirokastrën të tërë. Koço Vasili, një nga shokët e pa ndarë prej fëminie madje
me të njejtin vit lindjeje e që më pas kur do të bëhej drejtues i grupit do ta
kishte në krahun e djathtë, më thotë se e veçanta e këtij njeriu qëndron në
faktin se ai, ndryshe nga shumë të tjerë, qysh fëmijë zuri pozicionin e
kthyesit të këngës e më su nda. As marrje, as hedhje, as në iso – asnjëherë nuk
u përzie me to, vetëm si kthyes, prej këtëj e qysh atëhere mori rolin e
liderit. Fare i vogël nga pasioni e
dëshira e madhe për të kënduar u bëhëj rodhe më të mëdhenjve, kur vinte darka
sidomos e kur burrat e moçëm të fshatit dilnin e mblidheshin në qendër të
fshatit nga ku grupe-grupe ja nisnin këngës ku të mundnin; në sokaqe, në pezule
e sofate, te çesma e fshatit, në shtëpitë e njeri tjetrit. Genin e kishte të
dyfishtë, nga babai dhe nëna. Babai, Koço Çuçi, kishte qejf t’ja merrte,
sidomos këngëve lirike e që kur ja merrte po të shkoje rrugës do mbaje hapin:
Te porta me dy pezule,
Aman mike, aman nure…
Ndërkohë që nëna, Marina, ishte një
personazh folklorik më vehte. Edhe sot përmëndet për marrdhënien e saj me
këngën, si marrëse por edhe si një vjershëtore popullore ku në dasma e davete
s’kishte tjetër ti delte përpara. Siç qepte e ormiste kostumin e lunxhit, një
mrekulli më vehte. Në Lunxhëri këndojnë të gjithë por dahat në Dhoksat. Në çdo
shtëpi kanë qenë me nam kënge po në Dhoksat dy familje kanë qenë me nam fare e
që përbënin grupe polifonik më vehte, në Naçaj dhe Çuçaj, e para arriti të
kishte edhe tetë anëtarë në grup ndërsa Çuçajt e Vasilit këndonin të gjithë sa
ishin. Kështu Vasili u mëkua me dy palë trashëgimi, edhe atë familjare por edhe
atë tradicionalen fshatçe ku Dhoksati ishte derë e këngë, vatër e sofra daveti.
Ndërkohë Vasil Çuçi po rritej në këtë mjedis ku kënga mbetej bashkëushëtare e
ditëve që kalonin e që pa u shpallur dukej si një mision trashëgimtarësh. Askund
më bukur e më shenjtërisht se në këto anë nuk festoheshin festat pagane nga ku
të gjitha ktheheshin në dasma apo festivale kënge. Vasilin prej viteve të
shkollës, në ushtri, në brigadë, në ara e lëmenj e kudo ku bëhej këngë do ta
gjeje përherë në pozicionin e tij të kthyesit. Nga ushtria do të kthehej edhe
me një violinë me të cilën në mënyrë autodidakte e falë intonacioneve me këngën
polifonike do krijonte meloditë e ëmbëla që krijon harku mbi tela e me të do të
organizohej në orkestrinën popullore të zonës për dasma e gëzime. Pastaj prej
vitit 1969, atë kohë vetëm njëzëtë e tre vjeçar, Vasil Çuçi do të atashohej
pranë grupit të të rriturve e nuk do të ndahej më asnjëherë duke bërë një
histori kënge të pa shkruar nga të tjerë më parë. Këtu do të bëhej bashkë e nuk
do të ndaheshin më në jetë e në këngë edhe me shoqen e tij të jetës Natalia Çuçi
Thalo e cila, për koiçidencë, edhe ajo ja kthente jo pak në këngët e vallet e
grupit të vajzave e grave. Në Dhoksat e në krahinë dalja në skenë e Vasil Çuçit
vinte pas emrit të Gole Priftit, më parë ai mbahej si kthyes i veçantë, nuk
kishte të dytë kur këndonin burrat. Vasili e shpuri edhe më tej trashëgiminë e
Goles mbasi arriti të jetë një kthyes që punonte në të gjitha regjistrat po
edhe tipologjitë e këngëve; me burra, me gra, të përzier, këngë, valle. Askush
tjetër në krahinë nuk shënon një jetëgjatësi të tillë artistike mbi dyzetë
vjeçare siç Vasil Çuçi arriti të realizojë. Një kthyes melodioz, tepër stoik,
një portret i përkorë folkloristi i vendosur në qendër të grupit si një garanci
qëndrueshmërie avazesh e trashëgimie. Kthyes me një autoritet artistik të pa
diskutueshëm, njohës deri në “qelizë” të këngëve të lunxhit me një regjistër të
përsosur vocal ai mbetet i vetmi që realizon deri në përsosmëri si të kthyerit
në këngë burrash, në këngën e grave por edhe në vallen e kënduar me gra e burra
bashkë. Është edhe për meritë të këtij interpreti të jashtëzakonshëm polifonik
mrekullia e krijuar për herë të parë në një valle të përzier në vitin 1978 ku
grupi i Lunxhërisë realizoi një nga përlat e festivalit folklorik të
Gjirokastrës e fonotekës tonë kombëtare.
“Ç’nur që ka vallja lunxhiote.
Lunxhëri plot lezete,
Ç’bukuri ke mbi vete…”
Është kjo këngë-valle një nga
realizimet më magjike të grupit të Lunxhërisë nga ku vallen e lunxhit me
marrëse Katerina Çipin e ktheu në një margaritar të të gjithë korpusit të
valleve të kënduara shqiptare. Vasil
Çuçi do të jetë edhe këtu në “komandën” e drejtimit për të ruajtur të pa
cënuara jo vetëm avazin tradicional të këngës por edhe hapin e ritmikën plot
nur e muzikalitet të valles. Ishte viti 1983 kur në Gjirokastër mbahej i
katërti në radhë i Festivalit Folklorik Kombëtar dhe, zipas traditës, të zotët
e shtëpisë mbanin koncertin e mirëseardhjes. Disa herë ky koncert mbahej në të
njejetën skenë ku mbahej festivali, lart në Kala, por atë vit organizatorët
kishin menduar për një tjetër skenë dhe si e tillë ishte zgjedhurr fusha e
blertë e stadiumit të Gjirokastrës në pjesën e poshtme të qytetit të gurtë. Njerëzit
mendjendritur të asaj kohe, regjisorë e drejtues me emër të madh në punët e
artit e kulturës gjirokastrite, kishin menduar që pikërisht në mes të fushes,
aty kur përherë ka vendin e vet një rreth i bardhë, të vendoset skena e
konceptuar si një sofër e madhe, si sufranet e dasmave të Labërisë. Si pjesëtar
i grupit folklorik të Tepelenës, mes festivalistëve ardhur nga të gjitha
rrethet e vendit, do të zija vendin pikërisht në një nga shkallët e tribunës
për të qenë sa më përballë skenës që të befasonte edhe ashtu si zgjidhje
artistike. E pikërisht këtu, në përbërje të këtij koncerti do ta shikoja nga
shumë afër vallen e bukur të Lunxherisë e cila pesë vite më parë ishte bërë
himn i valles së kënduar shqiptare, kaluar kufijtë e krahinës e të vet jugut të
vendit. Këtu këngëtarja tjetër lunxhiote Zengjine Vasili do merrte këngën e do
hiqte vallen:
“Lunxhëri krahina jonë,
Kodrat-o, plot me pemë,
Vreshtat-o, rrush me erë…”
Një tjetër perlë lunxhiote si buqetë
festivali ndërsa i kurdohershmi Vasil Çuçi do derdhte përsëri merkullinë e
grykës së ergjentë. Është shumë e veçantë tipologjia e këngës dhe valles
lunxhiote, ajo të theksuar ka prerjen po edhe konçizitetin, pa shumë zgjatje e
tjerrje vargu e melodie. Me këngën lirike në shumicë, me ëmbëlsinë dhe kadifenë
e melodisë e avazeve ajo është e pa konkurueshme me tipologji të tjera visesh
ku trajtohet kënga me iso. E shquar për këngët e përziera gra e burra bashkë,
si askund tjetër kombinacione të tilla polifonike, në jo pak raste, bie fjala
në një këngë të shtrirë në shtatë apo tetë minuta valë kohore mund të dëgjosh
edhe një dyzinë me marrësa. Të gjithë me veçoritë e veta vokale, të gjithë me
tonalitete të ndryshme për të krijuar thyerje, të gjithë me ritme e melodi të
ndryshme, vetëm njeri qëndron aty I pa ndryshuar dhe ky është Vasil Çuçi,
njeriu i vetëm i përshtatjes dhe harmonizimit të të gjithë zërave përmes një
gryke bilbilash.Vasili shënon në repertorin e tij me qindra këngë të kënduara
në dhjetra e dhjetra koncerte e festivale, me një pjesëmarrje të
jashtëzakonshme në aktivitete kombëtare e nderkombëtare. Ashtu si këngët të
shumtë janë edhe marrësit e interpretët e tyre të cilët mbeten thesar
trashëgimie në panteonin e polifonëve lunxhiotë duke filluar me Athina Kaçin me
të cilën ka nisur rrugëtimin e këngës në grupin e të rriturve në vitin 1969 e
duke vazhduar me Kiki Kallucin, Katerina Çipin, Lefteri Binjakun, Kristaq e
Niko Nerënxin, Zengjine Vasilin, Qendro Çobin, Koço Vasilin e të tjerë. Një
aradhë e tërë me këngë e valle të mjaltuara lunxhi, kthyer nga njeriu me
bilbilat e Lunxhërisë në grykë. Këtë vit, Vasil Çuçi, ka nisur të mbushë
dekadën e tetë të jets nga të cilat më shumë se gjysmën ja kushtoi këngës dhe
trashëgimisë shpirtërore të vendlindjes së tij. Pa asnjë kusht të vendosur
kundrejt gjithëçkaje shpirtërore që ka bërë për vendin e tij ndërkohë që mbetet
një prej figurave më emblematike të folklorit të Lunxhërisë e Gjirokastrës.