loader
Loading...
VALLJA LABE E KURVELESHIT:

Në thellësitë e maleve të Labërisë, në një troje ku koha duket se rrjedh më ngadalë dhe natyra ruan me fanatizëm çdo frymë historie, ekziston një traditë që nuk njeh harresë: valla e burrave të Kurveleshit. Një valle që nuk është thjesht një kërcim, por një rrëfim i fuqishëm i shpirtit labër i guximit, i krenarisë, dhe i lidhjes së ngushtë me tokën dhe me historinë e një populli.Kur përmendet Kurveleshi, mendja shkon menjëherë te kjo valle, një nga thesaret më të vyera të folklorit shqiptar, ku çdo hap, çdo rrotullim dhe çdo tingull i këngës ka një kuptim të thellë shpirtëror dhe kulturor. Ajo është jo vetëm shfaqja më e gjallë e shpirtit lab, por edhe pasaporta e identitetit të tyre, që me sukses ka kaluar sfidat e kohës dhe ka ruajtur gjallë lidhjen me të kaluarën.

Alush Milori – Mjeshtri që ngriti vallen në art.

 

Në këtë rrëfim të paharrueshëm të kulturës labë, një emër qëndron i shkëlqyer: Alush Milori. I njohur si virtuoz në vallen labë të burrave në Kurvelesh, ai ka qenë jo vetëm një valltar i jashtëzakonshëm, por edhe një simbol i fuqisë, elegancës dhe frymës burrërore të labëve.Me fustanellën e tij të bardhë që tundej me çdo lëvizje, me 60 palë që i jepnin një ndjesi fluturimi mbi skenë, Alushi ngjante si shqiponja e maleve që hap krahët për të mbrojtur tokën e vet. Në ç’do performancë, ai nuk kërcente vetëm për publikun; ai kërcente për të tregua historinë, për të thënë me trupin e tij atë që fjalët nuk mund ta përshkruanin betejën e burrërisë, nderin e trashëgimisë dhe lidhjen e pathyeshme me vendin e tij.Vallja labë e Kurveleshit zhvillohet në dy rreshta burrash, të vendosur në gjysmërreth. Në këtë formacion unik, valltarët këndojnë në mënyrë polifonike, duke krijuar një dialog muzikor që ngrihet e zbret si dallgë, një ritëm që mban edhe dramën edhe energjinë e shpirtit labër. Teksti i këngës alternohet midis dy grupeve, ndërsa refreni bashkon të gjithë në një thirrje të përbashkët, plot zjarr dhe emocion.Hapat e vallen janë të rëndë dhe të fuqishëm, të përbërë nga rrotullime të vrullshme, ulje të thella dhe kërcime që godasin tokën me një forcë thuajse shpirtërore. Secili valltar, por mbi të gjitha hedhësi i valles përçori është në fokus të vëmendjes, pasi ai është ai që drejton ritmin dhe komunikon me grupin nëpërmjet shikimeve dhe lëvizjeve të saktë. Kjo komunikim pa fjalë është një prej elementëve më magjepsës të vallen, ku valltarët janë një trup i vetëm. Simbolika e kostumit tradicional, ku spikat fustanella e bardhë, sharku i zi dhe dyfeku krahut, është jo thjesht estetike, por edhe një kujtesë vizuale e lidhjes së ngushtë midis burrërisë, mbrojtjes dhe krenarisë. Vallja labe e Kurveleshit nuk është vetëm pjesë e kulturës popullore; ajo është një trashëgimi shpirtërore, një urë mes të kaluarës dhe të tashmes. Në kohërat kur moderniteti dhe globalizimi kërcënojnë të fshijnë traditat lokale, kjo valle mbetet një mburojë, një mënyrë për të ruajtur identitetin dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e labit.Kjo valle është një formë shprehjeje që ka kapërcyer breza, duke kaluar nga familjet e valltarëve, siç ishin vëllezërit Alush dhe Neim Milori, te grupet folklorike të Tepelenës dhe më gjerë. Emra të njohur si Sali Shena, Xhevit Abazi e Besim Zekthi, kanë kontribuar në përhapjen dhe zhvillimin e saj në skena kombëtare, duke e çuar vallen labë nga malet e Kurveleshit në skenat më të mëdha të Shqipërisë. Për labët, vallen nuk është vetëm një aktivitet artistik; ajo është një mënyrë jetese dhe një gjuhë shpirtërore. Ajo përcjell historitë e jetës, sfidat dhe fitoret, dashurinë për tokën dhe familjen, dhe mbi të gjitha, ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë. Në çdo hap, në çdo lëvizje dhe në çdo këngë, valltarët e Kurveleshit përcjellin me pasion emocionet më të thella të shpirtit labër, duke ftuar çdo brez të ri të njohë, të dashurojë dhe të ruajë këtë thesar të pashtershëm kulturor.Vallja labe e Kurveleshit është një nga ato artet e rralla që nuk mund të kuptohen vetëm me sy apo veshë, por me zemër dhe shpirt. Ajo është shenja e krenarisë dhe guximit të një populli, zëri i të cilit nuk ka pushuar asnjëherë së kënduari dhe kërcyer për lirinë dhe nderin e vet. Në botën e sotme, ku traditat shpesh harrohen, kjo valle është më shumë se një kujtim i së kaluarës; është një përpjekje e gjallë për të mbajtur gjallë shpirtin dhe zemrën e Labërisë. Dhe aty, në çdo hap dhe në çdo tingull, fluturon shqiponja e Kurveleshit krenare, e fortë dhe e papërkulur.