Është rritur nëpër këngë, në shtëpi
por edhe në gjitoni, ku sa herë vinte dikushpër darkë kënga do ishte një me
bukën. Jo rrallë, ashtu si fëmijë që ishin, do demonstronin këngët por edhe
imitacionet që kishin mësuar gjatë ditës me shokët të magjepsur pas këngëve apo
melodive të instrumenteve të popullore që çobanët i mbanin në stane e kullota.
Mes një ardhe moshatarësh, fëmijë shkolle të gjithë, Shkëlqim Guçe do të
shquante mes të gjithëve, edhe për këngë por edhe për imitime e recitime në
vargje. Në shtëpi ishin pesë vëllezër, të gjithë njëri pas tjetrit dhe të
gjithë me të njëjtin pasion për këngën, atë këngë që të mëdhenjtë e kishin
përcjellë nga brezat e që vazhdonin ta bënin në dasma e ziafete. Më pas, nëpër
skena e festivale nga vëllezërit do ta merrte pas Xhevairi, atij ju dha më
shumë edhe për këngë por edhe për valle. Ishte një kohë kur shkolla e Picarit
numëronte afro katërqind nxënës e ku aktivitetet kulturore bënin të gumzhinte
fshati e krahina e tërë. Një gurrë më vehte, si Gurra me ujin kristal që
shkonte te rrepet përfund fshatit. Nga nëna pati mësuar një këngë që akoma e
mban mend edhe sot, kur prej atëhere kanë kaluar rreth gjashtë dekada e kur si
nxënës shënonte vitin e parë.
U’ çoku do vete,
Lule, moj, lule,
Lart' e në kurbete,
Lule, moj, lule….
Nëna ka kënduar dhe hedhur valle të
mirë me grupin e Picarit, e njohur sidomos si vyrtuoze për të kthyerin tipike
graarishte e që Shkëlqimi duket se genin prej saj e ka trashëguar. Si bijë nga
Medari, një tjetër fshat me tradita të forta labërie po edhe derë kënge, Nislie
Çeli gjeti në Picar një tjetër gurrë trashëgimie po edhe sheshmejdanin e këngës
dhe valles së Kurveleshit të poshtëm, njohur në histori për dyfek e këngë.
Duket se në të dy mjediset familjare është përcjellë e qashtër atmosfera e
jetës baritore, e melodive, e këngëve dhe valleve nga ku dasmat sidomos,
ktheheshin në rituale që të rrëmbenin të tërin.
Ç’janë ata që shkojnë zallit,
Trimat e Çelo Picarit,
Mos i dil përpara kalit,
Se të merr lulen e ballit…
Janë këto disa nga vargjet e këngës
për njërin prej burrave më legjendarë të fshatit e cila si jehonë çfaqej në çdo
gur, shteg e udhë të Picarit e Labërisë. Me këto këngë u mëkua qysh fëmijë edhe
Shkëlqim Guçe i cili duket se nuk i ka rezistuar dot kësaj magjie zërash e që
prej fëminisë është bërë njësh me to. Në vitet e shkollës tetëvjeçare, me
bashkëmoshatarët e tij, do të ushtrohej si marrës i këngës por edhe si i pari
në valle. Duke u kthyer në ato vite ai kujton se mësuesi i gjuhë – letërsisë të
cilin e kishte edhe mësues kujdestar, Hysni Koka, do ishte njeriu që do ti
“injektonte” dashurinë për vallen, për vallen që në Labëri njihet si vallja e
burrave por që për ta mësuar duhet të ushtrohesh qysh fëmijë. Vallja e burrave
në fshatrat e krahinës së Kardhiqit por edhe në të gjithë Labërinë ka qenë një
“institucion” më vehte ku ashtu si dollia, jo të gjithë ja delnin, sidomos ata
që i prinin vargut. Ndërkohë që në Picar, Halil Bilaj, një prej burrave të
mëdhenj të këngës së këtij fshati e kësaj krahine për Shkëlqimin mbetej idhulli
i interpretimit dhe mjeshtërisë së këngës picariote. Ishte koha kur Halili me
Qebir Karabinën, Asllan Thanën, Qerim Biraçin, Banush Malon e të tjerë e patën
bërë kala më vehte këngën vënçe të Picarit. Veç të tjerash këngët me vargjet e
poetit të shquar tragjasjot Hamdi Pulo, Halil Bilaj me shokë i ktheu në gurë të
xhevairta në gjerdanin e më të mirave këngë polifonike shqiptare. Prej kësaj
hapësire këngëtore e me ëndrra për artin e trashëgiminë djali i Dalip Guçes do
të nisej drejt kryeqytetit, në shkollën e mesme të kulturës, kohë kur ju krijua
mundësia të njihte nga afër shumë prej atyre që kishin bërë emër në këngën dhe
artin popullor.Këtu do të bëheshin bashkë edhe me vajzën piluriote Ermioni Muço
(Mërkuri) e cila më pas, me grupin legjendar të Pilurit e nën drejtimin e
Lefter Çipës, do të bëhej një nga emrat më të mëdhenj të këndimit dhe
interpretimit polifonik të Bregdetit e Labërisë. Për Shkëlqimin dhe Ermionin të
cilët vinin nga vende të njohura kënge ishte një rast i artë që së bashku edhe
me shoqe dhe shokë të tjerë nga viset jugore të formonin grupin polifonik të
shkollës i cili do të merrte pjesë në shumë aktivitete të kryeqytetit nga ku do
të zinte një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të tij. Përveç Ermionit,
Shkëlqimi më përmend edhe emrat e Marika Zotos, Eli Bicit, Panajot Diamantit,
Roland Shkurtit, Bako Skëndit e Spiro Vitos me të cilët i bashkoi kënga jugore
me Iso edhe pse dikush vinte nga Labëria, një tjetër nga Bregu i Detit, dikush
nga Zagoria, nga Fterra, Delvina apo Lazarati. Më pas Shkëlqimi do të
diplomohej edhe në të tjera fusha të lidhura me historine, gjeografinë apo
arkeologjinë por asnjëra nuk ja veniti dashurinë për këngën dhe vallen
tradicionale të vendlindjes e Labërisë. Përkundrazi puna dhe kontributi në vite
në sektorë të ndryshëm të kulturës e artit do ta evidenntonin atë si një prej
interpretëve më të shquar që krahina e Kardhiqit dhe Gjirokastra ka nxjerrë në
vite. Grupi i të rriturve me Halil Bilajn me shokë mbasi e ngritën aq shumë në
piedestal këngën picariote thuajse pa zhurmë e bujë nisën tërheqien dhe një
tjetër grup me vajza e djem të rinj nisën rrugëtimin si përfaqësues të këtij
fshati me traditë të madhe këngë në koncerte e skena festivalesh. Dituri Thana,
Dhurim Saraçi, Fazo Isaraj, Trëndafile Gorrica, Idriz Isaraj, Ilirjan Karabina,
Xhevair Guçe, Jaçe Peçi e Islam Koko me shokë jo vetëm që u bënë vazhdues të
këngës tipologjike picariote por edhe bërthama që i dhanë zë " Gurrës së
Picarit ", një nga formacionet më të hershëm folklorike me karakter jo
publik ideuar e udhëhequr nga vet Shkëlqimi. Shkëlqim Guçe për herë të parë
skenën e kalasë së Gjirokastrës do të ngjiste në vitin 1988 dhe prej atëherë
nuk do ti mungonte asnjëherë festivalit kombëtar, ndoshta më unikalin në të
gjithë Europën e më gjerë. Ka qenë një pjesëmarrje disa planshe ajo e daljes në
Kala për të parën herë. Si njohës deri në imtësi i jetës baritore, melodive të
instrumenteve popullorë, të avzeve e cicërimave të zogjve, të fërfëritjes së
gjetheve e çdo gjejë që ka të bëjë me mjediset pastorale ai do të befasonte një
kala të tejmbushur me spektatorë e studiues folklori me trillin baritor të
përgatitur si të ishin duke luajtur instrumentistët e filarmonisë së Vjenës. E
ndërsa Vlora pesë vite të shkuara, falë përpunimit të etnomuzikologut të madh
Haxhi Dalipi, përmes njëmbëdhjetë mjeshtrash në instrumente popullorë me fyej,
cula dyjare, xambare, bilbila, zile e këmborë e imitues zogjsh të malit do të
sillte një mozik plot kolorite folklorike, Picari pesë vite më pas përmes
mjeshtërisë artistike të Shkëlqim Guçes do të na binte në skenën e kalasë një
tjetër mrekulli folklorike baritore. Një uverturë të rrallë të mbushur plot
tinguj e avaze të magjishme stanesh e kopesh me këmborë e zile të rënda. Po në
këtë festival Shkëlqimi do të demonstronte për herë të parë në një skenë të
tillë edhe talentin dhe mjeshtërinë e të kërcyerit në vallen e burrave të
Labërisë. Organizatorët e festivalit atë kohë përzgjodhën djemtë dhe burrat më
të mirë në ushtrimin e kësaj valleje dhe e quajtën vallja e burrave të
Kardhiqit e ndërsa në rreshtin e parë si i pari i valles do të ishte Mirte
Pula, një nga korifejtë e kësaj valleje në Zhulat e Labëri, në rreshtin e dytë,
rreshti i veshur me fustanellën e bardhë labe, do ti besohej Shkëlqim Guçes,
picariotit që prej asaj kohe do të mbetej në krye të kësaj vlere të
jashtëzakonshme të folklorit lab. Portreti folklorik i Shkëlqim Guçes është
shumë plansh dhe radhitet në të paktët artista popullorë me dhunti e diapazon
kaq të gjerë interpretative. I prerë për këngë, i prerë për valle, i prerë edhe
për instrumente e imitacione popullore. Vetëm këngëtari e valltari i
jashtëzakonshëm i Vranishtit Arap Çeloleskaj në të tria këto tipologji kënge
shquante njësoj edhe pse me “apapa”-në e tij proverbiale mbetet meteor i valles
burrërishte labërishte. I tillë më çfaqet edhe Shkëlqim Guçe në të gjithë
repertorin e tij, një korpus i tërë me këngë e valle të kënduara por edhe të
krijuara nga ai vetë. Një këngëtar e krijues i mjaft vargjeve të këngëve të
mrekullueshme epike e lirike. Mjafton të përmendim vetëm këngët e kënduara në
Kalanë e Gjirokastrës për të thënë se kemi të bëjmë me një bartës dhe interpret
nga më të shquarit në të gjitha krahinat ku këndohet kënga me Iso. “Bën
beslidhje Kurveleshi”, “Ra një vesë, mbuloi dhenë”, “Dritëro moj Argjiro”, “Kurvelesh
katër nishanë”, “Në Trojet e Ilirjanëve”, “Do ta bëjmë Shqipërinë”, janë këngët
e kënduara vetëm në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në
sheshmejdanin e pasurisë shpirtërore të kombit. Një këngëtar me një potencial
epik të vokalit e me një ekepresivitet të mahnitshëm interpretativ i cili për
nga regjistrat e zërit natyrshëm mund të radhitet me Hysen Rukën e Tomorr Lelon
e Cmokthinës, Golik Jaupin e Bënçës, me Aranit Daupin e Tragjasit e Syrja Hodon
e Tërbaçit, me Ajet Dukën e Delvinës, me Fatosh Likoj , Bajram Hundën e Berdo Berdon e
Dukatit, Pelivan Basho, Gjergji Aliko e Ëngjëllush Keraj të Zhulatit, Viktor Aliun e Kalivaçit apo Hosho Onjenë në
Fushë-Bardhë.
"Ç’janë ata shkëmbenj të bardhë,
Kurvelesh, ç’djem që rrite,
Lapidar maleve ngrite.
Zenel Gjoleka mbi kalë,
Çobo Golëmi dhipllarë,
Besën me Çelo Picarë…." (nga
kënga “Kurvelesh, ç’djem që rrite)
Apo:
"Djemt’ e djepit prej stërralli,
Flamurin lidhur te balli,
Djemt e maleve të sertë.
Me jatagan ndez rrufetë… " (nga
kënga “Kurvelesh katër nishanë”)
E më tej:
"Ato Princeshat me derte,
Ler’ mbi heshta, mbi dyfeqe,
Gjiri nënave-eeeeee,
Në truall të ilirianve,
Tundet djepi kapetanve…" (nga
kënga “Në trojet e ilirianëve”)
Asnjëra këngë si ngjan tjetërës përveç një shtrati të
përbashkët dhe një vokali thellësisht epik të prerë për këngë të serta e
trimërore, këngë me erë malesh e jehonë grykash, gurgullimë e pa shterur gurre.
Çdo këngë duket si kushtrim më vehte, si tipologji që më shumë se krahinës së
Kardhiqit do ti shkonin asaj të Kurveleshit, në pjesën e poshtme të të cilit
gjeografikisht ndodhet edhe vet vendlindja e këngëtarit.
Këngët e Shkëlqim Guçes me shokë i kanë shtuar edhe
një gurrë tjetër, një gurrë shpirtërore, ujrave që burojnë nga malet e derdhen
përfund zallit të Picarit, është fjala për gurrën e traditës popullore që në
këtë fshat duket se në çdo kohë ka qenë e është përcjellë me tepri. Kënga vënçe
e Guçes ruan jo vetëm fizionominë e këngës tradicionale të Picarit në gati
gjysmën e dytë të shëkullit të XX por edhe evoluimi që ky këngëtar i ka bërë
asaj ruan besnikërisht ashtën e një tipologjie të dallueshme nga realizimet më
të mira të këngëve të këtij fshati.Ndërkohë që ajo vjen më e plotë, më e prerë
dhe më me acent të melosit labo-kurveleshas.
"Dilni djem se doli ylli,
Kërkon Gjolekën, Tafili,
Gjolekë mandile ziu,
Treqind trima pas vetiu,
Ç’janë ashtu burrat e dheut,
Si vetëtim e Shëndreut,
Gjak nga gjaku i Skënderbeut…" (nga vallja “Dilni
djem se doli ylli”) Nga vallet më të bukura mes valleve burrërishte të krahinës
së Kardhiqit e Labërisë. Këtu Shkëlqim Guçe na tregon edhe një herë se është jo
vetëm një këngëtar shumë i veçantë e i pa ngjashëm me të tjerë në viset ku
këndohet labërishtja por edhe një valltar me dhunti të rralla. Këngëtar me fuqi
shprehëse të fjalës por edhe espresiv e dinamik me gjuhën e trupit, me lëvizje
të prera e të shdërvjellëta që i japin shkrepëtimë gjurit dhe gjuhës, të asaj
që mbetet e para, fjalës.Këtu s’ka asnjë shenjë evoulimi, këtu vallja vjen siç
është kënduar e hedhur në tërë brezat në Krahinën e Kardhiqit dhe Labërisë. Siç
ëhtë hedhur në Zhulat, Në Kolonjë, në Golëm por edhe në Fushë-Bardhë e gjetkë.
Fat i madh që kjo pasuri e madhe shpirtërore na vjen kaq shumë e ruajtur, kaq
vërtetësisht orgjinale, kaq pastërtisht autentike.Dhe për Shkëlqim Guçen do
mjaftonte kjo për të mbetur ndër kontribuesit e mëdhenj e të çmuar në fushën e
trashëgimisë kulturore, në misjonin e ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj pasurie
identitare kombëtare në breza, kjo edhe si amanet nga brezat që shkuan. Shkëlqim
Guçe mbetet gurgullima këngëtore e Gurrës kristalore të Picarit, njeriu virtuoz
e plot shkëlqim i këngës e valles burrërore të Kardhiqit, Kurveleshit e
Labërisë dhe një gurë i rëndë në themelet e trashëgimisë tonë kombëtare.