loader
Loading...
Kontribuues me të gjitha yjet

Me majën e një gjilpëre, Buqe Muka qëndis historinë dhe traditën. Shqipëria është ndoshta nga vendet e rralla në botë me një larmi të madhe të veshjeve popullore, gati-gati me ndryshime të theksuara edhe brenda një rrethi apo qarku. Nuk jam ekspert i kësaj fushe, por mendoj që përveç traditës vendase, patjetër që edhe ndikimet e huaja kanë rolin e tyre. Si vend blegtoral që jemi, leshi i deles është baza e veshjeve popullore, duke krijuar një traditë të konsoliduar në këtë fushë. Punimet në tezgjah kanë dominuar pothuajse në të gjitha trevat, po ashtu punimet e dorës me fije leshi, qëndisjet e ndryshme etj. Burrat shqiptarë janë veshur nga gratë dhe nënat e tyre, ku secila zonë sipas traditës së vet, në një farë mase ato kanë qenë rrobaqepëset e para. Në festivalet e ndryshme lokale dhe kombëtare shikohet manifestimi dhe reklamimi më i madh dhe i dukshëm i kësaj trashëgimie kulturore. Vitet e fundit ka një zhvillim dhe interesim më të madh për sa i takon kësaj fushe, pasi edhe interesi i turistëve të huaj është goxha i madh. Një emër i spikatur në qarkun e Gjirokastrës, por edhe më gjerë, është artizania Buqe Muka. Njeriu në jetën e tij ka rrugëtimin jetësor dhe atë profesional. Rrugëtimi jetësor i Buqes fillon nga vendlindja në Dëshnicë të Përmetit, mandej në Këlcyrë, martuar në Dragot të Tepelenës, dhe prej gati dy dekadash e pak në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku jeton me familjen dhe ku ka ndërtuar aktivitetin e saj si artizane, mjeshtre e veshjeve të traditës popullore. Rrugëtimin profesional, gjykoj që si amatore e ka filluar që e vogël me punimet me grep, me qëndisje etj. Është traditë në familjet shqiptare që nënat t’i mësojnë bijat me punime dore. Sigurisht që jo të gjitha të rejat kanë pasionin dhe talentin e duhur që të kthehen në mjeshtre e në artizane, siç është rasti i Buqe Mukës. Përpara se Buqa t’i përkushtohej totalisht artit të veshjeve popullore, në Gjirokastër është marrë me arredime shtëpish karakteristike, dhoma hotelesh, me paja për nuse, e me arredime lokalesh me perde dhe mbulesa. Rreth vitit 2020, që përkon edhe me pandeminë e Covid-it, si fillim i lindi dëshira të realizonte një veshje popullore për veten e saj, për ta mbajtur gjithë kohës në dyqan e për t’ua promovuar turistëve të shumtë që vinin. Duke parë se nga të huajt kishte një interes të shtuar për veshjet popullore tradicionale, e nxiti dhe e inkurajoi që t’i përkushtohej më shumë, duke kërkuar dhe studiuar veshje të zonave të ndryshme, por më shumë e fokusuar në veshjet popullore të Tepelenës. Shumë veshje popullore të Tepelenës deri atëherë nuk punoheshin dhe nuk reklamoheshin. Nëpërmjet të birit që ka mbaruar liceun për pikturë, filluan të shikonin skica modelesh nëpër libra etnografikë dhe foto të vjetra nga festivale folklorike apo foto të ndryshme personale. Kështu, pak nga pak, fillon rrugëtimi profesional dhe artistik i Buqes. Themi edhe artistik, pasi veshjet popullore duan kreativitet, intuitë, disiplinë pune etj. Në pak vite Buqa ia ka dalë të certifikohet si Bartëse e Trashëgimisë Kulturore dhe Etnografike, kryesisht për veshjen popullore të Jugut. Në vitin 2022, certifikohet nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë si Mjeshtre Artizane Qëndistare. Po në këtë vit përzgjidhet si Ambasadore e Qytetit të Gjirokastrës, si Mjeshtre Qëndistarie dhe Eksperte Artizane në Fondacionin “Mikalenxhelo”, fondacion që bën bashkë mjeshtër artizanë nga e gjithë bota. Buqa është e para nga Shqipëria që prezanton veshjen popullore shqiptare në këtë fondacion. Në shkurt të vitit 2025 vlerësohet me çmim të parë nga "Turizëm Grand Excellencë", me motivacionin: Praktika të përfshirjes sociale në turizëm, ruajtja e traditës dhe impakti në komunitet. Po ashtu në mars të 2025 certifikohet nga Federata e Paqes Universale si Ambasadore për Paqen. Gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj, realizoi për pavionin etnografik që është hapur së fundi 12 veshje popullore, ku një ndër to është edhe veshja popullore e gjeneral Tafil Buzit. Në gjithë këtë larmi punësh, vlerësimesh dhe inkurajimesh, Buqa nuk ka qenë e vetme. Ajo falënderon pa masë të birin, Markelianin, si krahun më të fortë në punën e saj. Markeliani vijon studimet për Histori dhe Etnografi, ku me siguri do të jetë një etnograf i ardhshëm i suksesshëm, që vjen nga Tepelena. Nuk rri pa falënderuar bashkëshortin Torin, i cili është suporti i madh moral dhe financiar, pasi këto lloj punimesh kanë kosto të madhe. Ndihem mirë kur Buqa thotë fjalët më të mira për vjehrrën e saj, bijën e lagjes Panjovë, të fshatit Zhapokikë e Sipërme, Fatmira Muka Hamata, nga një derë e madhe fisnike. Vjehrra, na thotë Buqa, punon sot e kësaj dite në procese të ndryshme të veshjeve popullore. Aktualisht Buqa është duke punuar për të realizuar edhe një tjetër veshje të fisnikërisë tepelenase, e cila është vetëm nëpër foto të dokumentuara nga Instituti i Antropologjisë. Një karrierë profesionale e ngjeshur dhe shumë dinamike. Të gjitha këto arritje nuk kanë ardhur vetvetiu, por falë një pune pasionante dhe këmbëngulëse.Duart e Buqes janë të mpira nga puna me gjilpërë, por kurrë nuk është tërhequr apo dekurajuar. Ajo që mua personalisht dhe Shoqatën Atdhetare Kulturore "Tafil Buzi" na gëzon, është fakti që Buqa, me iniciativën e saj, ka realizuar veshjen e Tafil Buzit, dhe e tëra kjo në vigjilje të inaugurimit të shtatores së Tafilit. Nuk mund të rri pa shprehur impresionet e mia për këtë punim. Veshja e Tafil Buzit nuk është thjesht tekstil, është rrëfim i një kohe, pasqyrë e fisnikërisë tepelenase dhe kujtesë që na lidh me rrënjët tona. Kur historia takohet me mjeshtërinë e dorës, çdo detaj flet dhe çdo ngjyrë ruan shpirtin e të parëve.

Shumë faleminderit dhe mirënjohje, Buqe Muka, për realizimin dhe ekspozimin që u bëni veshjeve të kryeheroit tonë identitar, Tafil Buzi. Realizimi i kësaj veshjeje të Tafilit është në kohën e duhur dhe në sinkron me përpjekjet tona për vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës. Heroi ynë nuk mund të vinte i plotë, pa skulptorin, pa poetët, pa shkrimtarët, pa Shoqatën "Tafil Buzi", pa kontribuesit e shumtë e pa talentin tënd me mjeshtërinë, fantazinë dhe durimin tuaj. Krenar për të shkuarën, krenar për rrënjët tona, krenar për të gjithë ata dhe ato që po bëjnë të mundur memorizimin e historisë. Promovimi i turizmit nuk bëhet vetëm nga qeveria dhe Ministria e Turizmit, por bëhet edhe nga persona si Buqe Muka, që me artin e tyre dinë të tërheqin interesin e vizitorëve të shumtë. Shumë urime dhe suksese në punimet e tua artistike, në ruajtjen e vlerave historike dhe etnografike, mjeshtre duarartë Buqe Muka.