loader
Loading...

Lindi ne Tepelenë me 12 Janar 1953. Familja e tij nga fshati Rexhin i Kurveleshit është pjesëmarrëse e luftës së Vlorës dhe asaj nacional-çlirimtare. Gjyshi i tij, Zaçe Hasanaj, është dëshmor i luftës. Hasani është diplomuar në vitin 1977 në Fakultetin Gjeologji-Miniera si inxhinier nafte. Filloi punë në kantjer në N.N.N.Patos. Qysh në fillimet e punës së tij spikatën  aftësi të shkëlqyera teknike dhe përkushtim në punë. Ai ishte njeri me shpirt të lartë sakrifice e novacioni. Gjëndej ku problemet ishin më të mprehta e delikate, duke u dhënë zgjidhje në dobi të rritjes së prodhimit të naftës.

Ing. Hasan HASANAJ

Dëshmor i Atdheut

Për këtë emërohet në drejtimin teknik të ndërmarjes. Ai, në bashkëpunim me institutet shkencore të naftës, u dha zgjidhje mjaft problemeve që lindën në “djegjen nëntokësore” që aplikoheshin për herë të parë në vendin tonë. Në punimet për likujdimin e fontanës së hapur në pusin Cakran 12 e më pas në Ca-37, Hasani ka kontribuar drejtperdrejt si anëtar i shtabit të posaçëm. Përmes flakës e zjarrit, rrezikut të intoksikimit nga gazet vdekjeprurëse, ai nuk u tërhoq, por dha kontribut maksimal duke u shquar për mendimet racionale me efektivitet të lartë në mbylljen e fontanave. Zemra dhe truri i Hasanit punonte për naftën, por njëherazi ai ishte si meteor dhe në fushën e artit e kulturës. Përmes morive të punës ai gjente kohën të shpërthente edhe talentin e tij artistik. Hasani është nismëtar dhe organizator i trupës teatrale të ndërmarjes dhe mbeti i pavdekshëm në filmin artistik “Dëshmorët e Monumenteve” duke bashkëpunuar me artistë  të tillë si Demir Hyskja, Luftar Paja, Albert Verria, Leka Bungo, Petrit Llanaj, Hasan Bregu, Astrit Hasani,etj.N.N.N.Patos duke parë cilësitë e veçanta profesionale dhe organizative të tij e emëroi Përgjegjës të sektorit IV Visokë. Këtu, Hasani me stafin drejtues të sektorit ju fut punës me përkushtim për të intensifikuar aplikimin e metodës me “djegje nëntokësore”. Në punë e sipër ai ra në krye të detyrës, atje në grykën e pusit Dj-38 në Visokë, më 24 gusht 1985, 40 vjet më parë në moshën 32 vjeçare. Vdekja ia preu jetën në mes, ndaj ishte e rëndë, prekëse e rrënqethëse njëkohësisht. Ja si e vajtonte e ëma, Filja, ish-luftëtare e brigadave partizane, me ligje te labërisë: 

Korba për ditën e shtunë,

djalë xhani!

Korba seç pësova unë,

E zeza ç’pësova hata,

I madh mal që më ra.

Korba trimi me lezete,

Pse i zure nën vehte,

Hasan xhani im me derte,

Unë fol e tinë  lepe.

Ҫ’më bëre djalë xhani,

më cënove në mëlçi.

Kush do më bëhet si ti,

Natën vije në shtëpi,

më hiqje ato lloi.

Qyqja unë për atë djalë,

që s’i ngjit më ato shkallë.

U veje të tërëve me radhë,

sido që ta keshe hall’,

sa tu thoshe nja dy fjalë.

 Hasan Hasani është një emër që zor se shkulet nga zemra dhe mendja e shokëve dhe miqve, e familjes dhe të dashurve të tij. Respekt, përkushtim e mirënjohje nga miqtë,shokët dhe komuniteti ku jetoi e punoi,   për inxhinierin e palodhur Hasan Hasani, njeriun  e dashur me të gjithë, njeriun e çiltër e zemër gjerë, njeriun e sakrificës deri në vetmohim. Një emër që i ka dhënë lavdi gjithë Labërisë nuk do të shuhet,por të mbetet në zemrat e të gjithëve. Hasani ishte shumë i lidhur me fshatin e origjinës Rexhin të Kurveleshit. Për këtë do të gjente kohë të shkonte atje dhe të bisedonte me bashkfshatarët e tij e të qante hallet me ta e të gjendej në gëzime e hidhërime.Shpesh, nën shoqërinë e tij, kanë shkuar në Kurvelesh edhe drejtues të lart të sektorit të naftës,si Drejtori i Përgjithshëm i Naftës,Engjëll Beshaj,për të bërë të mundur ndihmën me bazë materiale e transport,si tubacione për ujin,etj. Nostalgjia dhe dashuria për vëndorigjinën  bëri që edhe vajzës t’ja vinte emrin Rexhina,si emri i bukur e i dashur i fshatit të tij,ndërsa djalit Ermal ashtu si vet flladi i atyre anëve. Këtë dashuri ua kultivoi edhe fëmijëve të cilët kanë ditur ta ruajnë e ta mbajnë lart emrin e tij. Vajza Rexhina  ka mbaruar studimet e larta per farmaci në Itali, ndërsa djali, Ermali  pasi mbaroi shkollën ka emigruar në Gjermani duke u bërë mbështetje për familjen. Të dy fëmijtë të rritur me shëmbullin e tij dhe nën kujdesin dhe sakrificën e Arjanës, të bashkuar e kanë përmbushur amanetin e tij. Me Vendim  të Qeverisë, Hasan Hasanaj është shpallur Dëshmor i Atdheut, ndërsa Bashkia Patos e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Lavdi emrit dhe veprës së tij!