Poezia “O
pylli me ferra” e Odise Kotës është një shpërthim i ëmbël ritmik dhe melodik,
ku tingulli i fjalëve bëhet po aq i rëndësishëm sa kuptimi i tyre. Në këtë
poezi, fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por vetë tingull i jetës, si
një frymëmarrje që natyra i ka besuar poetit. Vargu këtu nuk rrëfen, por
këndon; nuk përshkruan, por merr frymë, duke e kthyer gjuhën në një instrument
të padukshëm muzikor. Ajo duket sikur është shkruar për t’u recituar me zë të
lartë, ose më së shumti për tu këngëzuar me melodicitetin e saj të brendshëm,
pse vargjet rrokullisen njëra mbi tjetrën si dallgë, duke krijuar një hare të
brendshme, një muzikë që lind nga përplasja e rimave, nga përsëritja, nga ritmi
i brendshëm i gjuhës, nga zanoret. Kjo poezi ka një jetë të vetën: vrull,
shkundje, kërcim e melodi që e bëjnë lexuesin ta ndjejë si një këngë të
stuhishme dhe njëherësh lozonjare. Melodiciiteti i saj vjen jo vetëm prej rimës
e përsëritjeve, por edhe prej gjallërisë së imazheve, ku natyra dhe njerëzit
shndërrohen në një orkestër të përbashkët tingujsh e ndjesish.
Në këtë
pikë, nëse do të pyesnim se cila është qasja më e afërt e melodicitetit të saj
– iso-polifonia shqiptare apo muzika e kultivuar, përgjigjja do të anon më
shumë nga isoja polifonike. Poezia është e ndërtuar mbi përsëritje ritmike,
shpërthime zanore dhe shumëzëra tingujsh që kujtojnë këngët isopolifonike, ku
çdo zë nuk shuhet, por mbështet tjetrin në një harmoni kolektive. Vargjet
shfaqen si në një iso të gjallë, ku ritmi i brendshëm dhe forca e natyrshme e
fjalës krijojnë muzikën e vet. Kështu, melodiciteti i poezisë nuk mbetet vetëm
një ornament I jashtëm, por bëhet strukturë e brendshme, e cila kërkon të
lexohet si melodi e gjuhës dhe si iso e fjalës.Po cilat janë elementet që
shfaqin melodicitetin e brendshëm të kësaj poezie të Kotes?
1. Më së
pari shfaqen rrokjet dhe rimat, pse ato krijojnë një melodi që rrëshqet si
këngë popullore. Kjo duket qysh vargjet e para, ku poezia nis me një gërshetim
tingujsh që kanë ngjashmëri me këngën popullore, ku ritmi është i lehtë, por
njëkohësisht i ngarkuar me gjallëri:
“O pylli
me ferra, boronica, manaferra,
ku këndon
gushkuqi e fishkëllen era.”
Këtu, përsëritja
e tingujve “-rra” dhe “-era” i jep vargut një melodi rrotulluese, të shpejtë,
si një refren që mund të këndohet. Muzikaliteti nuk është i rastësishëm, por i
përftuar nga harmonia midis natyrës së përmendur dhe fjalëve që zgjedhin të
jenë vetë tinguj.
2. Lëvizja
dhe gjallëria e figurave bëhen ritëm i brendshëm I poezisë I cili nuk është
vetëm akustik, por edhe pamor: figurat që shfaqen, sikur janë në një vallëzim
të pandërprerë.
“Qeshin ca
çapkëne, çmenden ca leshprera,
rroku –
rrokulilsen përmbi luleshqerra”
Këtu
muzikaliteti lidhet me veprimin, me rrëzimin dhe ngritjen e vazhdueshme, me
përsëritjen e rrokjeve “rroku – rrokulilsen” që krijojnë ritëm të kërcyer. Ky
është një shembull i asaj se si muzika e brendshme nuk është vetëm tingull, por
edhe lëvizje e imazhit.
3.
Harmonia mes zërit të natyrës dhe shpërthimit njerëzor të hareve ëshytë një nga
veçantitë e kësaj poezie, ku muzika e pyllit takon muzikën e shpirtit. “në furi
aromash, def - dëfren hareja.” Këtu fjala “def” përthith ritmin e veglës muzikore
dhe e përçon atë te lexuesi. Është një pikë kulmore ku tingulli bëhet një
instrument i drejtpërdrejtë në poezi. Poezia shndërrohet në një festë
polifonike ku të gjitha elementet këndojnë bashkë: fustanet që fluturojnë,
aromat që shpërthejnë, të qeshurat që shpërndahen.
4. Pauza
dhe pasqyrimet në poezi krijojnë një kadencë të qetë, si frymëmarrje. Kështu,
pas stuhisë së ritmit, poezia merr frymë, si për të qetësuar melodinë.
“rreze
diellore,
eh gjethe
lëpjetash,
pasqyra të
bujshme …”
Këtu
muzikaliteti është më i butë, i thyer me pauza që krijojnë ndjesinë e një
kadence, si kur muzika ndalet për një çast dhe kthehet në reflektim. Shkëlqimi
i fjalëve “rreze”, “pasqyra”, “eh” është si tingulli i lehtë i një flauti mes
një orkestre që sapo ka pushuar së luajturi.
5.Poezia
“O pylli me ferra” e Kotës është e përflakur nga një melodi e brendshme që nuk
vjen vetëm nga ritmi, rimat apo përsëritjet, por sidomos nga zanoret. Ato janë
fryma e vargjeve, tingujt që hapin dhe mbyllin rrokjet, që krijojnë gjallërinë
dhe butësinë, vrullin dhe qetësinë. Poezia duket si një këngë ku zanoret
lëkunden si valë, herë të gjata e të ëmbla, herë të shpejta e të forta, duke i
dhënë melodisë një karakter dinamik, të gjallë dhe lozonjar, por edhe meditiv
në fund. Le të analizojmë ndikimin e tytre në melodicitetin poetik, ku dallojmë
se
a. Zanorja
“a” mbart vrullin dhe lëvizjen e stuhishme të poezisë e cila përsëritet me
ngulm, duke krijuar një ritëm që shkund dhe vë në lëvizje:“O pylli me ferra,
boronica, manaferra,/ku këndon gushkuqi e fishkëllen era.” Këtu “a”-ja e hapur,
e gjatë, e përsëritur disa herë në “ferra, manaferra, era”, krijon një lloj
zhurmë të vrullshme që të kujton hedhësin e këngës isopolifonike. Është zanorja
që i jep poezi vrull, e bën vargun të mos qëndrojë në vend, por të rrokulliset.
b. Në
shumë vargje vërehet shpërndarja e “e”-së, që është më e butë, më e freskët,
dhe sjell një melodizëm lozonjar: “Qeshin ca çapkëne, çmenden ca
leshprera,/rroku – rrokulilsen përmbi luleshqerra.” “e”-ja përsëritet si një
këmbanë e vogël që ndriçon mes ritmit të ngjeshur. Ajo i jep melodisë një
kthjelltësi, një dritë, sikur të ishin tingujt e një fyelli në një orkestër
popullore. Përmes saj, muzikaliteti merr frymë lehtë, duke shmangur rëndesën.
c. Kur në
poezi futet “i”-ja, ritmi bëhet më i mprehtë, më kërcyes, më i lartë:“Hypin
maje pishash edhe laureshat,/ujëra kristali bredhin në rrekezat.” Ndjehet
se“i”-ja këtu është një zë fëmijëror, një thirrje e gëzuar. Ajo i ngjit vargjet
lart, në “maje pishash”, si një këndëzim zogjsh dhe i shton melodisë një
energji të kthjellët. Është zanorja që krijon një hapësirë të tejdukshme, një
kërcim melodik drejt lartësive.
ç. Poezia
nuk është vetëm e lehtë e lozonjare, por ka edhe një muzikë të brendshme që
thellohet. Këtu hyjnë në lojë “o” dhe “u”, që japin një rezonancë më të rëndë,
më të plotë:, sit e vargu:“në furi aromash, def - dëfren hareja.”ku “o”-ja e
gjatë tek “furi”, “aromash”, “dëfren” krijon një jehonë të brendshme, një
kumbim të ngjashëm me daullet, ndërsa “u”-ja sjell peshën dhe zhurmën e
përplasjes. Ato i japin poezisë një ngarkesë ritmike të ngjashme me bubullimën
e largët që shoqëron festën.
6. Në
fundin e saj, kur vargjet zbuten dhe marrin një ton meditative, tingëllon edhe
një hijhe e muzikës së kultivuar, sepse melodia përqëndrohet, qetësohet dhe
merr pamjen e një cadence shpirtërore. Këtu zanoret e holla, “i” dhe sidomos
“ë”-ja, e bëjnë melodinë më të butë, më të qetë:“shpirt i shpirtit ti o pylli
me ferra,/shtrëngatë e padukshme …” ku zanorja “ë” në “shtrëngatë, padukshme” e
ngadalëson ritmin, i jep vargut një ton të heshtur, pothuaj psherëtimë dhe
melodia përfundon jo me vrull, por me një kadencë të qetë, ku zëri i brendshëm
zëvendëson muzikën e jashtme.
Në të
vërtetë, zanoret nuk janë vetëm tinguj fonetikë, por fryma e shpirtit që kërkon
të shfaqet; ato janë dhimbja, gëzimi dhe heshtja e vargjeve. Mënyra si
shpërndahen zanoret në këtë poezi të kujton se muzika e brendshme e gjuhës nuk
krijohet, por zbulohet, si një melodi që gjithmonë ka qenë aty, e fshehur në
gjuhë.
Unë ju
them se melodiciteti i brendshëm i kësaj poezie është një element i gjallë,
organik dhe që ndikon në strukturën poetike, nuk është jo një zbukurim i
jashtëm. Ai vjen nga ritmi i gjuhës, nga rimimi i brendshëm, nga shpërthimi i
figurave, madje dhe kur kthehet në një heshtje të mbushur me tinguj të
padukshëm. Poezia është si një këngë që nis me hare, lëviz me vrull e ritëm,
dhe mbyllet me një meditacion të thellë. Të krijohet ndjessia se vargjet e
fundit përmbledhin gjithë këtë udhëtim melodik, duke e kthyer pyllin në një
instrument shpirtëror: “shpirt i shpirtit ti o pylli me ferra,/shtrëngatë e
padukshme …”
7. Duhet
ta themi qysh në krye se kjo është një poezi moderne, e rrymës neomoderniste ,
ku fjala nuk rrëfen thjesht ndonjë ngjarje, por shndërrohet në muzikë, në
ritëm, në shpërthim ndjesish. Kjo poezi e shquan veten jo vetëm për gjallërinë
e imazheve, por për melodinë e brendshme që buron nga vetë zanoret dhe sidomos
pse melodiciteti nuk është dekor, por një strukturë e brendshme, një gjuhë e
padukshme që e bën poezinë të rrjedhë si këngë dhe njëherazi si vallëzim.
a. Qasja
me isopolifoninë shqiptare i jep melodisë shumëzëshme thellësi pse këtu, çdo zë
jo vetëm që nuk zhduket, por mbështet e thellon tjetrin. Po ashtu, edhe zanoret
nuk janë të shpërndara rastësisht, por janë të vendosura (nëpërmjet zgjedhjes
së fjalëve). Nqse do analizojmë qasjen e funksionit melodictë zanoreve në
poezi, kemi një qasje interesante me funksionin e zërave në këngën
isopolifonike dhe konkretisht: Zanorja “a” funksionon si zëri i pare i
“marrësit”, ai i hapur, i fortë, që udhëheq dhe jep vrull. Zanorja “e” është si
zëri i kthyesit që pret e kthen zërim e marrësit me finesse. Zanorja “i” është
si zërri I hedhësit, i ngjitur lart, që i jep këngës tingëllimën e forcën, këtu
të gëzeshme dhe “o” dhe “u” janë si zërat e trashë të iso-s, që mbajnë themelin
dhe japin rezonancën e thellë, ndërsa “ë” është si kthyesi i dytë, një lloj
zbutje a heshtja e brendshme, që i jep këngës një si psherëtimë. Por ajo që
duhet të theksohet është fakti se kjo shumësi tingujsh, ashtu si isopolifonia,
nuk është një kaos, por një harmoni. Melodiciteti i brendshëm i poezisë është
një këngë e shumëfishtë, ku natyra, njeriu dhe gjuha mund të shihen më shumë si
një grup këngëtarëssh ase sa si një orkestër e vetme. Ashtu si kënga iso që
bashkon shumë zëra në një harmoni të vetme, edhe kjo poezi dëshmon se gjuha nuk
është një, por një shumësi zërash që përqafohen mes tyre, duke ruajtur
identitetin dhe duke gjetur përjetësinë në harmoni. Në këtë mënyrë, poezia
bëhet një lloj ‘polifonie e brendshme’, ku zëri i natyrës dhe i njeriut nuk
dallohen më, por bëhen një trup i vetëm.
b. Madje
dhe në dukjen e jashtëme, njësoj si këngët lirike isopolifonike që nisin me
tone të larta dhe mbarojnë me zbutje të qetë, edhe kjo poezi nis me një ritëm
të zjarrtë dhe përfundon me një kadencë intime: “shpirt i shpirtit ti o pylli
me ferra,/shtrëngatë e padukshme …”gjë të tregon se melodiciteti nuk është më
vrull i jashtëm, por një jehonë e brendshme. Zanorja “i” e përsëritur në
“shpirt i shpirtit” krijon një tingull të hollë, të tejdukshëm, ndërsa “ë”-ja
në “shtrëngatë, padukshme” e shndërron melodinë në heshtje, si mbyllje e një
kënge iso-polifonike.
Si
përfundim të kësaj analize mund të themi se poezia “O pylli me ferra” është një
krijim modern që, përmes , ndërton një muzikë të brendshme sa popullore, aq
edhe universale. Ajo është një polifoni e fjalëve, ku secila zë merr rolin e
saj: njëra jep vrullin, tjetra kthjelltësinë, një tjetër lartësinë, e një
tjetër peshën. Ky shumëzërëshim është pasuria e vërtetë e poezisë dhe ajo që i
jep jetë, vrull e frymë. Në fund, lexuesi mbetet me përshtypjen se ka dëgjuar
jo thjesht një poezi, por një këngë të lashtë që vjen nga thellësia e pyjeve
dhe shpirtrave njerëzorë. Poezia ‘O pylli me ferra’ na kujton se arti i fjalës
është në thelb art i muzikës së brendshme, ku çdo rrokje është një notë, çdo
varg një valë, dhe e tëra një simfoni e shpirtit.
Sarandë,
më gusht 2025
O pylli me
ferra …
O pylli me
ferra, boronica, manaferra,
ku këndon
gushkuqi e fishkëllen era.
Qeshin ca
çapkëne, çmenden ca leshprera,
rroku –
rrokulilsen përmbi luleshqerra,
buçasin në
vena ndjesi të pandjera.
Vijnë ca
miturake, ikin ca të tjera,
fustane të
kuqe, fustane të verdha,
grisen
dekolte, shqyhen ca dantella,
në furi
aromash, def - dëfren hareja.
Hypin maje
pishash edhe laureshat,
ujëra
kristali bredhin në rrekezat,
rreze
diellore,
eh gjethe
lëpjetash,
pasqyra të
bujshme ...
shpirt i
shpirtit ti o pylli me ferra,
shtrëngatë e padukshme …