Kënga thotë: “Kurveleshi, mal mbi malë”, ndërsa një tjetër varg përvëlon: “Kurvelesh, zemra ime, përvëluar, bërë thërrime”. Nuk flitet më për dhimbje flitet për mall. Për atë ndjenjë që mbetet pas kur ikën dhe të thërret sërish, si një zë i brendshëm që nuk të lë të harrosh se këtu, në këtë copë toke të heshtur dhe fisnike, ti e ke lënë një pjesë të shpirtit që s’mund ta marrësh më me vete. Këtë radhë udhëtimin për në në Kurvelesh e nisa nga Vlora, aty ku flamuri u ngrit për herë të parë, dhe ku historia kombëtare fillon të ndjejë si zemër. Pas një ndalese në Drashovicë, rruga nis të bëhet më e heshtur, më e thellë, më e ftuar drejt brendisë. Kalon përmes luginës së lumit Shushica, ku gjurmët e brezave ruhen në rrëfime të pathëna, pastaj në Brataj dhe Kuç, e më tej drejt Nivicës, ku guri dhe fjala janë një. Kur rruga të çon në Progonat dhe, përtej tij, te ujëvara e Peshturës, e kupton se ke hyrë në një botë tjetër, jo më të ashpër, por më të vërtetë. Kurveleshi është i vendosur mes dy lumenjve që rrjedhin pa ngut Shushica dhe i mbështetur mbi krahët e luginës së Bënçës, për tu derdhur në shtratin e Vjosës. Nuk është thjesht një krahinë gjeografike, por një mënyrë e të qenit. Një vënd që nuk të jep bukuri për ta ekspozuar, por rrënjë për të qëndruar. Ai flet me gurët, me ujin, me këngën dhe me heshtjen, jo me zhurmën apo ngutjen. Fshatrat e tij, të shpërndarë si gurë të rrallë mbi një bluzë malli, ndahen në Kurveleshin e Sipërm dhe të Poshtëm, por kjo ndarje është vetëm për hartën. Sepse në thelb, zemra është një – një rrahje që vjen nga isoja, nga kujtesa, nga ndjenja. Në Kurveleshin e Sipërm, dhjetë fshatra të gurta Gusmari, Nivica, Rexhini, Progonati, Lekdushi, Golëmi, Kaparieli, Picari, Kolonja dhe Medari qëndrojnë si një kështjellë mbi lartësi. Ata nuk janë ngritur për të parë poshtë, por për të mbrojtur brendinë, për të ruajtur një ndjeshmëri të ashpër e ndershme që nuk shprehet me fjalë, por me gjeste. Ndërsa në Kurveleshin e Poshtëm, fshatra si Kuçi, Bolena, Kallarati, Fterra dhe Çorraja janë më të heshtur, më të brendshëm, më të butë. Ata nuk kanë dashur të bëhen zë janë bërë kujtim. Aty ku toka përkëdhel ujërat, njerëzit janë njësoj të thellë si ata të maleve.