loader
Loading...
RINI SHQIPTARE.
4 ditë më parë

RINI SHQIPTARE.

Nga Daut Vela

Nuk është krim të emigrosh, për një jetë më të mirë apo për realizimin e një ëndrre apo për t`u pasuruar dhe pastaj të investosh në vëndin tënd të lindjes. Krim është të mendosh si të pasurohesh për një kohë të shkurtër duke u marrë me lloj lloj pisllëqesh e veprime kriminale gjë që dihet se si është fundi i tyre. Realiteti shqiptar i viteve mbas diktaturës e tregoi këtë, me dhjetëra e dhjetëra djem shqiptar ndodhen burgjeve të botës për drogë, prostitucion e krime të ndryshme. Me dhjetëra e dhjetëra djem të vrarë për pazare të pista, për pronat, për gjakmarrjen e fenomene nga më të ndryshmet. Ja si shprehet shkrimtari Kim Mehmeti: ”Tërë një popull mund ta mposhtësh pa shkrepur asnjë plumb, por vetëm nëse arrin t`ia shkatërrosh më të vlefshmen që ka Rininë! E rininë mund t`ia asgjësosh, o duke ia ndaluar shkollimin, me çka ajo do të kriminalizohet, o duke ia degraduar sistemin arsimor deri në ato përmasa sa të prodhosh të shkolluar e të paditur, të cilët tërë jetën do e mbjellin farën e injorancës dhe do të ndjehen inferior ndaj bashkëmoshatarëve të etnive të tjera”. Rini  Shqiptare  në mbarë kombin shqiptar dhe kudo ku jeton e punon nëpër botë, ne jemi ende një kombi vogël, i varfër, i paformësuar, një komb në rritje që kërkon kufijtë e tij natyror në kuadër të Bashkimit Evropian. Ju bie juve barra e madhe për të marrë përgjegjësi mbi vete. Rini  Shqiptare, ne jemi ende një shoqëri me shumë probleme sociale, ekonomike, kulturore e politike. Ju duhet të reagoni dhe të luftoni fuqishëm që të ndërtojmë një realitet krejt ndryshe. Ne nuk kemi pse të zvarritemi e zvarritemi për shumë e shumë kohë. Rini  Shqiptare, juve ju bie barra e madhe që ta ndërtoni, formësoni, begatoni dhe civilizoni këtë komb që të bëhet i lavdishëm dhe i fuqishëm ekonomikisht. Por kjo kërkon punë, punë, shumë punë e shkollim cilësor dhe jo të blini diploma që kurrëkujt nuk i hyjnë në punë. Me ju në krye me mendje të kthjellët e plot mençuri kombi shqiptar duhet të ngadhënjejë. “Të rinj, tunduni, vihuni në lëvizje sepse kemi nevojë për gjithë entuziazmin tuaj, organizohuni sepse kemi nevojë për forcën tuaj, studioni sepse kemi nevojë për inteligjencën tuaj. – ka thënë “Antonio  Gramshi”, filozof e politikan Italian. Të rinj e të reja! Mos harroni kush ju solli në jetë, mos harroni se ku keni lindur, mos harroni se ku jeni rritur, mos harroni se ku jeni shkolluar, mos harroni, mos harroni, mos harroni…! Nuk është faji i nënës që një familje është në vështirësi ekonomike, por i bijëve të saj të cilët duhet të marrin përgjegjësi në situata të tilla. Kjo vlen dhe për familjen e madhe me emrin Kombi  Shqiptar. Ne duhet të mbështetemi mbi shtyllat e njerëzores, mençurisë, dinjitetit dhe dashurisë të cilat na kanë karakterizuar edhe në kohët më të vështira. Ende mbetet shumë aktuale mesazhi për të rinjtë i amerikanit Johan Tapene: “Gjithmonë dëgjojmë të rinjtë që ankohen “Çfarë të bëjmë, ku të shkojmë?”. Dhe përgjigja ime është kjo: Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, bëj detyrat e shkollës, vizito një të sëmurë dhe pasi t`i kesh mbaruar lexo një Libër. Vëndi yt, nuk të detyrohet të të sigurojë ambjente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vet jetën. Ti i detyrohesh botës diçka. Ti i detyrohesh duke i dhënë kohën tënde, talentin tënd, kështu që askush nuk do të jetë në luftë, i sëmurë apo i vetmuar. Me fjalë të tjera: Rritu.! Mjaft duke qarë e qurravitur. Zhvillo një karakter të fortë. Fillo të sillesh si një person i përgjegjshëm. Ti je i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Është shumë vonë të sillesh vërdallë dhe të presësh dikë. Një ditë është “tani” dhe dikush je “TI”. Rini  Shqiptare, e bukur siç je vet ti, mos harro kurrë se askush nuk është përgjegjës për jetën tënde dhe këtë duhet ta ngulitni thellë në mëndje. Përgjegjës për jetën tënde duhet të jesh ti dhe askush tjetër. Merr përgjegjësi mbi vete, nuk ka asgjë të pamundur. Prindërit gjithçka që kishin i dhanë për mirërritjen tuaj, tashmë u ka ngelur veçse të dhurojnë për ju dashuri e respekt njerëzor. Rini  Shqiptare! Shkollohuni, punoni, shfaqni vlera e dashuri njerëzore. Shpirti njerëzor është i pashtershëm dhe vazhdimisht në lëvizje. Qytetarizoni veten dhe shoqërinë. Boll më me drogë, prostitucion, vjedhje, vrasje, gjakmarrje, korrupsion. Le të triumfojë arsyeja dhe logjika e shëndoshë dhe këtë më mirë se ju nuk mund ta bëj askush tjetër. Kombi shqiptar ka nevojë për ju dhe ju keni nevojë për të. Bëheni të LAVDISHËM.!!