loader
Loading...
Ka vënd për të gjithë!

Ka vend për të gjithë. Diversiteti nuk ul, përkundrazi rrit. Një shoqëri nuk matet me ngjashmëritë, por me aftësinë për të pranuar ndryshimin. Kur të gjithë mendojnë njësoj, askush nuk mendon mjaftueshëm. Ashtu si në një arë, ku një cep ka misër, një tjetër grurë, një tjetër vresht e më tej një pemë molle, secila bimë ka shijen dhe vlerën e vet. Njëri shkëlqen në mendim, tjetri në punë, njëri në art, tjetri në bujqësi, njëri di të udhëheqë, tjetri di të mbështesë.le të ilustrojmë pak!  Në një fshat jetonin dy vëllezër, i madhi ishte kryeplak, i njohur për mençurinë dhe gjykimin në kuvende, i vogli merrej me bujqësi e blegtori, punëtor i palodhur. Një ditë, nga fjalët dashakeqe të njerëzve, duke thënë që vëllai kryeplak ja bënë me hile vëllait tjetër, vendosën të shkëmbehen, kryeplaku u bë blegtor, e me punët e bujqësisë, edhe vëllai që merrej me bujqësi e blegtori i bë kryeplak. Të dy ktheheshin me mërziti në darkë, pasi asnjëri nuk ja doli, ndërrimi i roleve i dëmtoi të dy. Blegtori nuk dinte të drejtonte kuvendet dhe të pajtonte njerëzit, kryeplaku nuk ia dilte me arën e bagëtinë. Atëherë e kuptuan se forca e tyre nuk ishte te ngjashmëria, por te ndryshimi. Peshku nuk mund të ngjitet në pemë, as zogu të notojë në thellësi, secili ka detin dhe qiellin e vet. Vlerat janë të ndryshme, por jo të kundërta. Si gurët e një ure, secili ka vendin e vet, dhe mungesa e njërit e prish të tërën. Nëse përpiqemi t’i masim të gjithë me të njëjtin metër, është sikur t’u kërkojmë hardhive të bëjnë grurë, ose drithit të japë rrush. Kjo është mania e vogëlsisë, të shohësh tek tjetri rrezik, jo vlerat si pasuri. Ndërsa shpirti i madh di të shohë tek tjetri atë që vetë nuk ka, ta pranojë dhe ta çmojë. Dritëshkurtër është ai që sheh vetëm veten, largpamës është ai që gëzohet për dritën e tjetrit. Në fund, të gjitha këto vlera takohen në një pikë të përbashkët, dinjitetin njerëzor. Përjashtimi dhe nënçmimi janë shenja dritëshkurtësie, pranimi dhe respekti janë shenja qytetërimi. Askush nuk lartësohet duke tentuar të ulë tjetrin, madhështia e vërtetë është të ngresh të tjerët bashkë me veten. Shoqëria ku secili ka vend, është shoqëri që ecën përpara. Shoqëria ku përjashtohet i ndryshmi, është e dënuar të ngelet pas. Kush e kupton këtë të vërtetë, është një hap më lart se vetë koha.