loader
Loading...
ERDHI TAFILI NE TEPELENE

Më datë 4 tetor 2025, të katër këto pesha u bënë bashkë, në kryeqendrën tonë Tepelenën. I bëri bashkë Tafil Buzi, i derdhur në bronz me shtatore, e i vendosur sipër një guri që edhe fizikisht peshon tonelata. Eh, pesha e gurit është peshë që mbart histori qëndrese, është peshë që mbart rezistencë, që mbart rrënjë të thella, që mbart tradita familjare dhe komunitare. E ku se përveçse mbi gur mund të vendosej shtatorja e Tafil Buzit, shtatore e ideuar dhe realizuar nga skulptori i talentuar tepelenas, zoti Vladimir Llakaj. Në gur, në mënyrë simbolike, është e koncentruar gjithçka në 200 vjetët e fundit,  200 vjet të Tafilit: luftrat, bëmat, emri, vdekja, frymëzimi, mohimi, rivlerësimi, nderi, e deri te vënia sot në piedestal, mbi gurin e rëndë. Tepelena jonë do dijë ta mbajë peshën e gurit, mbi të cilin lartësohet Tafili. Është mësuar Tepelena jonë, kjo zonjë mijëvjeçare, me peshë të rëndë. Pesha e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi” në dy dekada e pak ka ardhur duke u rritur, duke kulmuar sot me një buqetë aktivitetesh për të nderuar kapedanin. Një rrugë e gjatë, njëvjeçare, me intensitet të lartë takimesh e sensibilizimesh për të nderuar kapedanin në bronz. E pesha e shoqatës nuk erdhi dhuratë, por u shtua e u rrit nga strukturat, nga anëtarësia, nga miqtë e dashamirësit e shumtë. Pesha e shoqatës nuk është artificiale; ajo është mbi baza reale, me 16 nëpër rrethe, e me një kryesi shoqate në Tiranë shumë aktive. Nisma e shoqatës për të vendosur me patjetër shtatoren e kapedan Tafil Buzit na vuri në revan të gjithëve pa përjashtim. Me detyra e punë të ndara, ne lëvizëm në të gjithë Shqipërinë duke bërë takime me institucione dhe individë. Me përjashtime të vogla, kemi gjetur mirëkuptim atje ku kemi trokitur. E, ashtu si bleta mbledh nektarin lule më lule, ashtu edhe ne si shoqatë bashkuam qindra e mijëra zemra për të sjellë të ardhura për shtatoren, por edhe ndjesi dhe emocione të një atmosfere përjetimesh. Shoqata mori peshë, se peshë i dhanë të gjithë buziotët, memaliotët, tepelenasit e shumë miq dhe dashamirës tanë. Kjo peshë e madhe e shoqatës u pa, u demonstrua dhe u derdh në kryeqendrën tonë, Tepelenën, me organizimin e bukur të gjithë aktivitetit të përurimit të shtatores, duke filluar me sesionin shkencor, zbulimin e shtatores, koncertin festiv, e më në fund koktejin në respekt të të gjithë pjesëmarrësve. Kur vijmë te pesha e fjalës, fjalët duhet t’i zgjedhësh. Fjala është fuqi e madhe. Me fjalën janë ndërtuar e rrëzuar shtete e perandori, janë nderuar e turpëruar burra, janë shkruar libra, e janë ndërtuar identitete kombëtare. E fjala pati peshën e saj të madhe në përurimin e shtatores së kapedanit. Fjala e akademikëve Pëllumb Xhufi, Hamit Kaba dhe profesor Bektash Mema, nën një moderim profesional të profesor Asim Brahimit, sollën para të pranishmëve në sallën e Pallatit të Kulturës në Tepelenë dimensionet reale, madhore të Tafil Buzit. U sollën nëpërmjet fjalës fakte të reja historike, por edhe vlerësime të merituara nga autorë vendas dhe të huaj. Me fjalë të shkruara u nderuan nga Shoqata disa personalitete në këtë ditë të veçantë. Me certifikatë mirënjohjeje, “Nderi i Shoqatës”, u nderua pas vdekjes intelektuali buziot, Limo Paza. Po ashtu, me certifikatë “Nderi i Shoqatës”, u vlerësua dhe poeti, publicisti, Feti Zeneli. Një nderim i veçantë u bë edhe për aktorin me famë të ndërkombëtarizuar, “Skënderbeun e gjallë”, struganin e shqiptarësisë, Xhevat Limani, me vlerësimin “Nderi i krahinës së Buzit”. Xhevati interpretoi vargje për heroin kombëtar Skënderbeun, me të cilat çoi peshë zemrat e të pranishmëve në sallë. E pesha e fjalës do vijonte në koncertin festiv në sheshin “Lord Bajroni”, ku e zonja e shtëpisë, mikpritësja, kryetarja e Bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, uroi mirëseardhjen për të gjithë mysafirët e kësaj ceremonie. Për të vijuar me fjalën e kryetarit të Shoqatës “Tafil Buzi”, zoti Bashkim Brahimi, i cili më së shumti në fjalën e tij u ndal në vlerësimet që Shoqata i ka bërë në këto 20 e ca vjet figurës së kapedan Tafil Buzit, por edhe në falënderimet për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre artistike për kapedanin. Vetë kryetari i Shoqatës, Bashkim Brahimi, do t’i jepte fjalën deputetes së qarkut Gjirokastër, zonjës Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit dhe Shkencës, e cila në fjalën e saj u ndal në mesazhin e bashkimit që figura e Tafil Buzit sjell nga shekujt, duke apeluar që kjo frymë duhet të na mbizotërojë edhe në ditët e sotme. E pesha e fjalës do rridhte në fjalëmbajtësit e tjerë: ish-kryetari i Bashkisë Tepelenë dhe deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Tërmet Peçi, i cili po ashtu vlerësoi me fjalë të zgjedhura kapedanin e Toskërisë dhe Labërisë, Tafil Buzin. Do të fliste në këtë ceremoni edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, zoti Albert Malaj, i cili në fjalën e tij, përveç figurës së Tafil Buzit, u ndal edhe në disa figura të spikatura të trevës së Memaliajt. Fjala e ka peshën shumë të madhe kur vjen me vargje. Aktori Xhevat Limani do recitonte vargje të zgjedhura nga “Baladë për Tafil Buzin” e poetit Feti Zeneli. Me një zë kumbues e diksion drithërues, Xhevat Limani e rriti edhe më lart në panteonin e nderit dhe lavdisë Tafil Buzotin. Moderatorja e talentuar, “Miss Shqipëria” Hygerta Sako, me prezantimin e saj të bukur artistikisht, i dha rreze të bukura drite koncertit festiv. E fundit, por jo për nga rëndësia, është pesha e këngës. Nga kënga dhe nga malet e kemi më së shumti Shqipërinë tonë. Kënga ka lartësuar figura historike kur mungonte fjala e shkruar. Kënga ka ruajtur traditën, kënga ka zbukuruar dasma e gëzime, kënga ka motivuar burrat për luftë, kënga na identifikon në morinë e kombeve të tjera, kënga na motivon e na ngushëllon. E kënga polifonike e popullore jehoi e gjëmoi fuqishëm brenda Pallatit të Kulturës e jashtë, në sheshin “Lord Bajroni”, duke krijuar një tjetër atmosferë, duke u ngjitur zërat në qiell, duke u bashkuar me publikun e duke u bërë bashkë me malet përreth. Do ngjiteshin njëri pas tjetrit grupet polifonike: grupi i Bashkisë Tepelenë, grupi i qytetit të Memaliaj, grupi i Buzit, “Zëri i Trebeshinës”, grupi “Epirotët”, grupi i qytetit të Tepelenës. Nuk kishte si të mungonte Ylli Baka, djalë i krahinës së Buzit, me zërin e tij brilant, me një buqetë këngësh nga repertori i tij. Grupet polifonike nuk mund të konceptohen pa veshjet popullore, veshje të cilat u japin grupeve një hijeshi tjetër. Artizania me famë kombëtare, Buqe Muka, ishte në mbështetje të aktivitetit me veshjet e saj popullore, larminë e ngjyrave të bukura të traditës. Do duhej kapedani që në kryeqendrën tonë, Tepelenën, të bëheshin bashkë pesha e gurit të rëndë të historisë, pesha e Shoqatës “Tafil Buzi”, pesha e fjalës dhe pesha e këngës. Si një kurorë mozaiku, të katër këto pesha çuan peshë zemrat e buziotëve, memaliotëve e tepelenasve, në një ditë të bukur me rreze dielli vjeshte, ku u bënë bashkë me ngjyrat e natyrës, ngjyrat e veshjeve popullore, e me nurin e bukur e të qeshur të qindra të pranishmëve në këtë ceremoni krenarie.Një falenderim të madh, një përshëndetje  shumë të madhe, po të madhe fare, për Enkeleida Fejzo, për mbikqyrjen dhe koordinimin e gjithë aktivitetit.