Marrëdhëniet e Petrit Rukës me Pilurin
ishin të veçanta dhe specifike, madje me një ndjenjë respekti e dashamirësie të
dyanshme. Duhet të themi se merita për këtë i takonte më së pari Petrit Rukës,
më shumë se vetë Pilurit, fshat i njohur për traditën e mikpritjes, të cilën
koha jo vetëm që nuk e zbehu, por sikur e theksoi edhe më tepër. Në këtë
marrëdhënie, ishte sikur vetë guri i Pilurit dhe ajri i malit të kishin gjetur
te poeti një pasqyrë shpirtërore ku mund të shihnin veten.
1.Kështu, Petrit Ruka, pas njohjes me
Pilurin, si poet dhe me frymën e trashëguar të tij në fushën e artit poetik
popullor, vendosi dhe ripruri të zgjeruar baladën e famshme “Kostandini i
vogëlith” me titullin “Nëntë vjet e nëntë ditë”. Subjektin e saj e vendosi në
fshatin Pilur, ose më saktë, Kostandinin e baladës e bëri djalë të lindur në
një familje pilurjote. Në këtë akt poetik, Petriti nuk ndryshoi vetëm një
vendngjarje; ai rilindi një mit. Ai i dha një atdhe shpirtëror legjendës, duke
e bërë Pilurin një kod mitik, ku njeriu dhe legjenda takohen në gjakun e fjalës.
Sigurisht, ky fakt krijoi një tronditje krenarie te banorët e fshatit dhe i
nxiti krijuesit e tij t’i përgjigjeshin me të njëjtën mënyrë. Kështu, Kristo
Çipa shkroi esenë “Balada e të gjallit” për këtë libër, ku vlerësonte artin
mjeshtëror të Petrit Rukës. Te kjo baladë zuri fill edhe bashkëpunimi im me
Petritin. Pas analizës që i bëra baladës “Nëntë vjet e nëntë ditë” e shoqërova
poetin në të gjitha baladat e tjera të tij, të përmbledhura më vonë në librin
“Andej baltë e këtej erë”, duke realizuar analiza artistike, etnokulturore e
historike. Të gjitha këto u bashkuan në librin: “Petrit Ruka, Kostandini i
baladave” . Në çdo faqe të atij libri, dallohej një frymë ringjalljeje, si të
zgjoheshin zërat e moçëm të kombit nga thellësia e shekujve dhe të flisnin
përsëri përmes vargjeve të Petritit. Për kontributin e Petrit Rukës në heqjen e
pluhurit të kohës dhe të propagandave kundërshqiptare që kishin rënë mbi supet
e baladave, kam folur gjerësisht në libër. Ai u shpërnda gjerësisht në ditën e
inaugurimit të monumentit të tij, ndaj nuk zgjatem këtu, por nuk mund të lëmë
pa përmendur se emri i tij u bë i dashur në fshat dhe baladën e tij e lexonin e
e komentonin me krenari të rinj e pleq. Në çdo shtëpi pilurjote, emri i
Petritit u bë sinonim i dritës së fjalës. Ishte si të kishin fituar një bir
poet, që u mësonte njerëzve se kujtesa nuk është vetëm e kaluar, por një mënyrë
e re për të jetuar të tashmen. Por nuk mjaftoi kjo. Ishte Petrit Ruka ai që
bëri dokumentarin për Lefter Mërkurin, një plak pilurjot i njohur për urtësinë
e tij proverbiale. Shfaqja e dokumentarit në Pilur u shndërrua në një event
emocional, në fund të të cilit të gjithë pleqtë e plakat e fshatit që asistuan
në shfaqje e përqafuan Petritin me fjalët: “Na e prure të gjallë Lefterin,
djalo, patç uratën, more bir.”Në atë përqafim u ndje sikur një brez i tërë i
jepte bekimin e vet poetit. Ishte një çast ku arti u kthye në jetë, dhe jeta,
në art. Petriti ishte i pranishëm në çdo event kulturor në Pilur. Ai s’kishte
nevojë për ftesë; i njoftohej vetëm ora kur fillonte aktiviteti, se për të
tjerat e dinte vetë. Ai ishte djali shpirtëror i Pilurit dhe vëllai i
pilurjotëve.Në fakt, lidhja e tij me fshatin tonë nuk ishte vetëm miqësi; ishte
një bashkëfrymëmarrje. Poeti dhe fshati ishin bërë një trup i vetëm në frymë,
një zë i vetëm në këngë.
2.Ndaj edhe Kristo Çipa, kur e morën
në telefon që të asistonte në ceremoninë e përurimit të monumentit të tij në
Tepelenë, para se t’i thoshnin pse i bënë zile, pyeti vetë i pari: “Në ç’orë
fillon ceremonia?” Sigurisht, vetëm ora i duhej të dinte për të llogaritur
rrugën, sepse grupin dhe këngën e kishte gati prej kohësh. Është e rrallë kur
poezia dhe kënga përgatitet para ceremonies, sepse këtu nuk ishte porosi, ishte
përjetim. Sa për tekstin e këngës, Kristo Çipa e nxori nga shpirti i ëmbël i
Pilurit për të ëmbëlin Petrit Ruka, me titullin shpirtëror që vetëm Petritit i
shkonte: “O i ëmbli i kësaj bote”. Titulli është si një përqafim i dheut me
qiellin: për ta quajtur dikë “i ëmbli i kësaj bote” do të thotë t’i njohësh
brenda dhe jashtë dritën njerëzore. Unë nuk do ju analizoj tekstin e këngës se
ai është i lexueshëm për këdo që e ka njohur poetin dhe shpirtin e tij dhe
sigurisht që e di dhe miqësinë vëllazërore që kishte me Kristo Çipën, ca më
shumë tani që njohët mardhëniet e tij me Pilurin dhe pilurjotët.
3.Ka diçka më shumë se të kënduarit
pilurjot kjo këngë për Petritin kënduar në ditën e inagurimit të monumentit të
tij në sheshin “Bajron”të Tepelenës në dt 27.09.2025. Zyrtarisht ishte dita e
inagurimit të monumentit, shpirtërisht ishte dita e rikthimit të Petrit Rukës
që shënoi gjithashtu edhe ditë-nisjen e një epoke të re të vlerësimit dhe
nderimit të njerëzve të artit dhe kulturës. Rikthim është "një emancipim
shoqëror, është një akt drite" do thoshte në fjalën e tij Prefekti Kote,
por unë do t'a quaja një ditë e Ringjalljes, pa i vënë një emër të përveçëm apo
një emërtim dukurisë, por duke ja lenë në dorë lexuesit ti mbajë të bashkuara
si dy vargje kënge. Dhe me që erdhëm te kënga, unë do dëshiroja t'ju flisja pak
për melodinë e kësaj kënge pilurjote kushtuar Petrit Rukës dhe interpretimin e
saj, jo vetëm pse jo të gjithë lexuesit ishin të pranishëm në ceremoni, por
edhe pse këto të dyja flasin më shumë se një reportazh i mundshëm. 4.Marrësia e
mirënjohur e grupit “Bejk’ e Bardhë” Persa Miha afrohet edhe më pranë
mikrofonit dhe këndon dy vargjet e para:
“Ti që nuk ri dot me yje
Portën e parajsës dogje”
Qysh në krye shihet se marrësia është
në vokal dhe interpretim në shkallën më të lartë të saj, ndoshta është kënga më
e mirë e kënduar prej saj. Rrëfimi melodik dhe trajtimi zanor i fjalës është
perfekt. Është momenti kur kthyesi Dhimitraq Bala, zakonisht në rolin e tij
është tepër stoik, këtu i ka ndarë kohët e këngës pa asnjë çedim dhe e kthen
këngën në melodicitetin dhe funksionin e saj. Hedhësia Valentina Gërdhuqi është
e rë në këtë pozicion, dhe përpos ankthit të parë, ka mundur që vijën e këngës
dhe kulkmet e saj ti rruajë, duke e mbuluar mjeshtërisht mungesën e hedhëses
legjendare Eleni Mërkuri. Tani është fjala e iso-s nga grupi i përbërë nga
Petrq Gërdhuqi, Milto Gjiçali, Agron Kreku, Foto Leka dhe Kristo Çipa që me
melodinë e këngës e ndalën për një cast erën e malit mbi Tepelenë dhe rrjedhën
e Vjosës ujëshumë. Pastaj me një zë ku dallohej një tis mallëgjimi Persa këndoi
dy vargjet e dyta:
“Borzilog shpirti tu kthye
Erdhe me këngën e zogjve” duke u
rikthyer rituali i zërrave të grupit në melodinë e këngës.
5.Para se të vazhdojmë tekstin e
këngës le të themi disa fjale për melodicitetin e saj. Kjo këngë është lirikë
elegjike ku mbizotlron krenaria kombëtare mbi dhimbjen e ikjes së
poetit.Melodia merret me dy vargje dhe kalon edhe dy vargje në natyrën klasike
të këngës së Pilurit. Strofa e dytë me tekstin:
“Ti nga vdekja nuk u ngjalle
Po të gjallë të mbajti pena
Se i zbardhe netët labe
Zgjove nga gjumi legjendat”, është
një valëzim midis krenarisë dhe dhimbjes. Krenari se atë që bëri Petrit Ruka
për rikthimin në kohën tonë, të gjalla dhe të pastruara nga pluhuri i shekujve
për legjendat shqiptare, që në thelb janë elementet bazë të identitetit
kombëtar nuk e ka bërë asnjë institucion e jo më ndonjë person. Ai, duke i
rishkruar me një art që evidenton dhe freskon origjinën e tyre, na tregon edhe
se si mbritën në kohen tonë këto legjenda me dhjetra vargje, ndërsa në origjinë
kanë qenë mesazhe disa vargore, duke na treguar se çdo epokë ka patur nga një
Petrit Ruka që i ka “rishkruar” ato. Nxënësit e shkollave mjafton të mësojnë të
lexojnë e përjetojnë këto balada dhe ju siguroj unë që do bëhen shqiptarë më të
mirë e më të ditur.
Në refrenin: “Në qiell shkojnë
Profetët
Në popull rrojnë Poetët”! Kemi kredo sipërore që rrallë është përdorur në iso-polifoni por në këtë rast i shkon filozofizë së përjetësisë së poetëve. Kënga kushtuar Petrit Rukës me siguri duhej të kishte dhe diçka të re, jo vetëm në melodicitet dhe interpretim por edhe në strukturë dhe këtë e këmi te marrja e tretë, ku, ndryshe nga tradita e këngës pilurjote, që marrësia këndonte dy vargje, të kjo këngë marrësja i thotë të katër vargjet, por në mënyrën e një rrëfimi dramatik- lirik- elegjik. Të kënduarit e katër vargjeve nga marrësi është traditë e të kënduarit në variantin lab të këngës iso-polifonike, por në këtë rast e këndoi grupi i Pilurit pikërisht për Petrit Rukën si një afëri shpirtërore me poetin. Ndërhyn kthyesi në fund të vargut të katërt: dhe shtrihet kënga tek gjydëm vargu “Poet- shenjtor je”! Në këto vargje, populli shqiptar i jep vetes një kumt përjetësie: profetët i merr qielli, por poetët i ruan toka, sepse janë zëri i saj. Pas valëzimit të strofës së dytë vemi tek krenaria e strofës së katërt që tregon dashurinë e popullit për Petritin dhe strofa e katërt lshtë finalja për kavdinë e Tepelenës dhe sheshit që ka dy poetë( Bajronin dhe Petrit Rukën) dhe pasha Aliun. Refreni këndohet si marsh ku shkrihen zëri i marrësses me zërat e tjerë:“Në qiell shkojnë Profetët/Në popull rrojnë Poetët”! Dhe kënga vazhdoi: Kush e dëgjoi me vëmendje interpretimin e kësaj kënge, sigurisht ka dalluar ndonjë nuancë drithëruese në zërat e këngëtarëve. Mos e konsideroni këtë “shmangie apo devijim melodik”; ka qenë thjesht një ndjenjë mallëngjimi e këngëtarëve, sepse po këndonin për sivëllain e tyre. Në iso-n e tyre dridhej një mall që nuk ishte vajtim, por gjallim, sepse poetët nuk vajtohen, ata këndohen. Dhe kur këndohen, kthehen përsëri mes nesh si Petrit Ruka i ëmbël.