loader
Loading...
Kurveleshi, një kështjellë natyrore, krijuar nga Zoti!

Miq, po guxoj të shkruaj për Kurveleshin, edhe pse e di që Kurveleshi është Himalaja e trojeve shqiptare, që nuk ngjitet dot kollaj; është miniera e madhe e diamanteve njerëzore që janë shumë thellë në shekujt e historisë, ku është e vështirë të depërtosh; është tempulli i madh ku burojnë vlera të trashëgimisë kulturore, historike e tradicionale; është lartësia ku burrat maten me malet; është çerdhja më e madhe ku kanë lindur burra të besës, të mençurisë dhe atdhedashurisë. Nuk jam historian, por e dua historinë e lavdishme të Kurveleshit e të popullit tim; nuk jam shkrimtar, por më pëlqen letërsia, letërsi që lartëson në mënyrë artistike krahinën dhe trevën; nuk jam nga Kurveleshi, por e dua atë zonë që ka rrezatuar qëndresë në shekuj e mençuri kombëtare. E vendosur mbi detin nga ana e Himarës, mbi Tepelenë e mbi Gjirokastrën, në një lartësi ku në shekuj ka qenë syri i shqiponjës që mbronte folenë Shqipëri. Flitet se emri Kurvelesh vjen nga fisi i Korvesejve që ka banuar në Mesjetë në këtë krahinë. Ka dhe variante të tjera, por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Kurveleshi i Sipërm me 10 fshatra: Lekdushi, Progonati, Nivica, Gusmari, Rexhini, Golemi, Picari, Kolonja, Kaparjeli, Medari, të shtrira rrëzë malesh e në këmbë të maleve, si një mozaik i radhitur bukur. Do të ndalem në historinë e 200 viteve të fundit, aty ku dhe faktet historike të krahinës janë më të freskëta, më të dokumentuara. Do ta ndaj në katër 50-vjeçarë, për të evidentuar ngjarjet dhe figurat e spikatura të këtyre periudhave. Periudha 1800–1850 ka përfaqësuesit e saj të denjë. Me Ali Pashën nuk i kishin mirë marrëdhëniet fillimisht, pasi ai donte t’i nënshtronte. Në rininë e tij, Aliu është strehuar për një farë kohë  në fshatin Bolenë dhe është rritur me Inxhin, të cilën e konsideronte motër, që më vonë do të bëhej nëna e Balil Nezhës. Inxhia do të shkonte në Janinë të takohej vetë me Aliun e t’i kërkonte që ta linte të qetë Kurveleshin. Pranë Aliut në Janinë, Kurveleshi do të kishte përfaqësuesit e vet: Çelo Picarin, Çobo Golemin, Ago Myhyrdarin (si sekretar pranë Aliut dhe komandant), po ashtu dhe djalin e tij Asllan Kuca, të cilin e gjejmë edhe në luftën për të marrë kalanë e Beratit në vitin 1834. Kanë mbaruar akademinë ushtarake në Janinë: Balil Nezha, Ago Veiz Hysoskëndaj, Hodo Nivica. Të gjithë këta që përmenda do të luanin një rol të madh në kryengritjet kundër osmanëve. Një figurë e spikatur në pashallëkun e Janinës ka qenë Rakip Çako (i vjetri), si administrator. Rol të rëndësishëm kapedanët e Kurveleshit kanë luajtur kundër reformave të Tanzimatit, reforma që shqiptarëve u rrisnin barrën e taksave dhe u kufizonin vetëqeverisjen. Një moment lavdie për Kurveleshin është çeta e Birbilenjëve, prej 13 djemsh të rinj, trima dhe të vendosur, që midis viteve 1850–1860 do të ishin mbrojtës të vegjëlisë, duke u kthyer në tmerrin e forcave osmane. Me në krye Birbil Shakon, nuk u trembën nga vdekja, kur i varën në Janinë. E si ta lësh pa përmendur dhe nderuar në këtë shkrim Hasan Gastarën Labin, për merita dhe trimëri ra në sy të Zylyftar Podës (gjeneralit të oborrit të Ali Pashës). Palla e Hasanit bëri kërdinë në luftën për çlirimin e Beratit në vitin 1834, ku sërish do ta gjejmë në luftë në vitin 1847 në brinjet e Shushicës, me shumë trima të tjerë nga Kurveleshi. Me pushkë e penë për mëmëdhenë. Kjo moto gjen kuptim dhe vlerë më shumë se kudo në Kurvelesh. Gjysma e dytë e shekullit XIX, periudha e Rilindjes Kombëtare, Kurveleshi do të kishte përfaqësuesit e vet. Do të mbaronin gjimnazin “Zosimea” në Janinë: Sali Nivica, Shuko Dalipi, Shaqo Buxo, Sinan Kërpi. Pavarësia e Shqipërisë, që kulmoi me ngritjen e flamurit në Vlorë, erdhi si rezultat i kombinimit të pushkës dhe të penës. Kurveleshi ka emrat e vet, përpjekjet e djemve të vet, të cilët kanë qenë aty në çdo etapë të rëndësishme të dinjitetit kombëtar. E çfarë mund të thuash, përveçse fjalë zemre për trimin Hito Lekdushi, pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, ku bashkë me Bajram Prongjin qëlluan pa iu dridhur dora dhe qerpiku mbi Bimbashin gjakatar, në mars 1908. Një figurë e spikatur e përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë është luftëtari Demo Emini, i cili kryesonte një çetë me rreth 70 luftëtarë. Vërtet flamuri u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912, por në Kurveleshin e trimave është ngritur më 11 maj 1911, me përfaqësues të të gjithë fshatrave të Kurveleshit. Në qendër të Progonatit, ku ishin mbledhur burrat e Kurveleshit, atdhetari Shaqo Buxo godet me shollën e prrokës zabitin turk që krekosej. Para ngritjes së flamurit, në Progonat në vitin 1910 do të hapej shkolla e parë shqipe për Kurveleshin. Janë shumë, por do përmend disa kurveleshas që dritën e diturisë dhe gërmat e arta të gjuhës shqipe i përhapën në Kurvelesh dhe në të gjithë Shqipërinë. Nderime për Bilal Rukinë, Sinan Kërpin, Shaqo Buxon, Sali Nivicën, Shuko Dalipin,  etj., mendjendritur të Kurveleshit dhe shqiptarisë. Secili nga këta dritëpërhapës meriton nga një libër më vete për kontributin e tyre, por në këtë shkrim po ndalem përmbledhtas në figurat e shquara të Kurveleshit. Lufta e Vlorës kundër italianëve është një faqe tjetër e ndritur në historinë e Kurveleshit. Rreth 500 burra u mblodhën dhe lidhën besën më 27 maj 1920 për t’u bërë pjesë e formacioneve luftarake. Spikat Riza Runa e shumë të tjerë kurveleshas, çka e rreshton Kurveleshin në ballë të krahinave që zbuan italianët nga trojet tona. Periudha e mbretit Zog do të kishte përfaqësues të rëndësishëm edhe nga Kurveleshi. Vëllezërit Ethem dhe Ismet Toto kanë një kontribut të qenësishëm në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar. Është në gjenin Kurveleshas që krenarinë dhe dinjitetin e kanë të shenjtë. Ethem dhe Ismet Toto do të rebeloheshin ndaj mbretit Zog, pasi ishin kundër mënyrës si drejtonte vendin. Lufta e Dytë Botërore është një tjetër etapë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë, ku Kurveleshi ka gjurmët e veta të dukshme. Unë nuk dua t’i ndaj në partizanë e në ballistë ata që rrëmbyen armët kundër pushtimit fashist, pasi të dyja rreshtimet politike të kohës ishin për çlirimin e Shqipërisë. Do të evidentoheshin në këtë periudhë: Mustafa Matohiti, Ismail Golemi, Shefqet Peçi, Asim Zeneli, Veip Runa, Xheladin Beqiri, Ziflo Daci, Ethem Çako etj. Ndoshta këta burra i ndante ideologjia që kishin përqafuar, por i bashkonte Shqipëria, si atdheu i përbashkët. Trimëria, zotësia dhe atdhedashuria e kurveleshasve nuk ka pasur kurrë nevojë për nxitje. Në gjenin e tyre janë të trashëguara cilësitë e një zone që lirinë e ka gjënë më të shtrenjtë. Mbi ta janë vetëm malet, qielli dhe Krijuesi, dhe vetëm atyre u falen. Edhe periudha e sistemit monist do të nxirrte personalitete të shquara në çdo fushë. Dua të theksoj një fakt: në grupin e deputetëve të pushkatuar në vitin 1947 do të ishte një intelektual i niveleve të larta si Selaudin Toto. Pa u futur në analizë të sistemit 50-vjeçar monist, mund të them që lufta e klasave e dëmtoi dhe e prishi disi harmoninë e Kurveleshit. Gjithsesi, në 50 vitet e atij sistemi, një armatë e madhe kuadrosh, drejtuesish dhe intelektualësh të shquar dolën nga Kurveleshi. Pothuajse çdo fushë e veprimtarisë së shtetit shqiptar ka vulën e kurveleshasve. Po ndalem në disa emra të spikatur: Hito Çako, Martin Cukalla, Pëllumb Xhufi, Enver Guga, Leka Toto, Auron Tare, vëllezërit Duka, Daut Gumeni etj. Në përmbyllje të shkrimit, por jo nga rëndësia, po ndalem te polifonia labe. Polifonia, shpirti që nuk shuhet i Kurveleshit dhe Labërisë. Polifonia labe nuk është vetëm këngë, por fryma e përbashkët e një populli që ka kënduar edhe në stuhi. Ajo ka qenë bashkudhëtare e lebërve në punë e në luftë, në gëzime e në dhimbje, duke ruajtur gjallë kujtesën e brezave. Në mungesë të gjuhës së shkruar, kënga labe ka qenë libri i historisë, ku u ruajt kujtimi i trimave, i betejave dhe i dashurisë për vendin. Kjo këngë, e lindur në male e kanione, ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Është kënduar në Festivalet Folklorike Kombëtare, është ngjitur në skena botërore dhe sot mban vulën e UNESCO-s si pasuri e njerëzimit. Në çdo iso dëgjohet burrëria, besa dhe qëndresa e Kurveleshit dhe Labërisë, një jehonë që nuk shuhet. Falë njerëzve të shquar si valltari Alush Milori i Progonatit, zërat melodiozë Remzi Bana i Gusmarit, Shkëlqim Guçe i Picarit, poetët e spikatur Agim Shehu, Ilirjan Zhupa, Mihal Gjergji, Zaho Balili, Lirim Deda, Izet Culli e shumë të tjerë, polifonia vazhdon të jetojë si zemra e gjallë e Kurveleshit e Labërisë dhe si krenaria e gjithë shqiptarëve. Miq, ky shkrim për Kurveleshin, e di që nuk është i plotë në ngjarje, data historike dhe figura, por unë, nisur nga dëshira e mirë për të nderuar një zonë fisnike, jam munduar të sjell tek ju, të nderuar kurveleshas dhe tepelenas, aromën e fisnikërisë, rezistencës, vlerave, kontributeve dhe gjithçkaje të mirë të asaj zone me identitet të lartë kombëtar.