loader
Loading...
"THESARE" LABËRIE !
2 muaj më parë

"THESARE" LABËRIE !

" Ishin vitet 1790. Hrusho Totua, (kapedani nga Progonati), e bënte shpesh rrugën Progonat - Delvinë, dhe anasjelltas, pasi blinte drithëra dhe mallra pazari për familjen e tij dhe bashkëfshatarët. Nata në kthim e zinte në Zhulat ku bëhej mystafiri i agait të Zhulatit, Idriz Sullit, me të cilin i lidhte një miqësi e ngushtë e ngelur që nga kuvëndi i palcimit në Senicë më 1770, por edhe në kuvendin e dytë në Taroninë, në Zhulat, ku reformuan kanunin e Labërisë. Idrizi sipas zakonit e priste me nderime dhe përzemërsi, se aga Totua nga Progonati qe burrë i mençur dhe trim, dhe ishte edhe një "urë lidhëse" për Idrizin me kapedanët e Himarës të cilët rridhnin nga kjo derë e lartë e Progonatit. Pasi kuvëndonin gjithë darkën, në mëngjez agai e përcillte mikun e nderuar deri në të dalë të fshatit, duke i dhënë pas ushqime, bukë dhe verë. Edhe miku i thoshte që :-- "E di që ke shumë halle dhe punë, por, po t'u bë mbarë, hajde dhe në kurveleshin tonë se do gëzohet gjithë vëndi"!... Një ditë nga ditët, aga Idrizi shaloi kalin dhe shkoi për darkë në Progonat tek aga Totua. Miku e priti me shumë nderime aga Idrizin, këtë burrë zakoni dhe të mënçur, i njohur në gjithë labërinë. Idrizin e brente një merak, pasi miku i tij nuk ishte në gjendje ekonomike të mirë, por agai nuk e dha veten. Totua kishte tri dhi që s'kishin pjellë akoma dhe një lopë me viç në katua. Kërkoi për ndonjë kec a sheleg në fshat por nuk gjeti pasi akoma nuk kishin pjellë dhitë dhe tufat ishin akoma në kullotat dimërore në Sarandë. Totua theri viçin e vetëm që ti bënte nderet mikut. Idrizi e kuptoi pasi lopa pëlliti dhe kërkonte viçin, por nuk tha gjë pasi nuk donte ta vinte mikun në siklet. U mblodhë shumë miq dhe qëndruan deri afër së dirit. Në mëngjes e përcollën mikun e nderuar siç e kishin zakon dyert e larta. Idrizit i ngeli peng ajo që bëri Totua për të, dhe në mesin e muajit mars, kur kopetë e Zhulatit vinin nga barërat dimërore, Idriz Sulli mblodhi gjithë fshatin tek rrapi shekullor në qendër të fshatit dhe u thotë:-- Kam një hall o vëllezër, ju lutem më ndihmoni!.. Dua nga çdo shtëpi një dele me sheleg dhe delja të jetë me këmborë... Të gjithë dhanë pëlqimin, dhe u nisën në shtëpira dhe stane dhe i sollën sipas porosisë në qëndër tek rrapi shekullor. Deshtë dhe cjeptë me zile i bleu vetë Idrizi, bleu dhe dy qen stani dhe vuri edhe dy çobanë, dhe këtë stan e nisi për në Progonat, tek miku i tij që theri viçin e vetëm për të. Kur kopeja u fut në Progonat, doli gjithë fshati i çuditur nga kjo kope me treqind këmborë e zile. Një nga çobanët mori qentë me zinxhirë dhe i lidhi tek një mollë në bahçe dhe thirri:

O Aga Totua,... o Aga Totua!

Del e shoqia dhe i thotë:

- bujrum brënda!

-- Nuk vij dot se kam dhentë, por ushqei pak qentë.

- Hiqi qentë se mos më hanë, i përgjigjet zonja.

- Ushqeji që të të njohin se të tutë janë, se ata do të ti ruajën dhëntë.

-- Ç' dhën a derëbardhë, unë tri dhi dhe një lopë kam?

-- Ke ato atje, 300 dhën me treqind shelegë dhuratë nga Idriz Sulli nga Zhulati!.".

( kjo histori e vërtetë është e përmendur edhe tek libri i autorit Petrit Puli:

"Zhulati, Qëmtime në Histori".)

HISTORIA VAZHDON!..

Aga Hrusho Totua e shtoi mallin dhe gjënë pasi ju rritën djemtë dhe vajza. Djemtë e tij Selmani dhe Beluli u martuan lindën fëmijë, dhe ishin trima dhe sedërqarë. Kopetë dhe lopët e pelat e tyre i dimëronin në kullotat e bregdetit, në Skalomë të Borshit. Në kohën kur francezët pushtuan Korfuzin, (rreth vitit 1804), francezët blenë nga bejlerët e Kardhiqit edhe pyllin e Butrintit dhe Ksamilin (të cilat ishin shtetërore për kohën), gjë që zemëroi shumë Ali Pashanë dhe shtoi inatin kundra tyre. Francezët shumë herë zbarkonin brigjeve dhe sulmonin fshatrat e Bregut, si Qeparonë, Borshin, Nivic Bubarin... etj, dhe merrnin me forcë gjënë e gjallë. Borshi, për tu mbrojtur vendosi në kalanë e Sopotit tre topa në mbrojtje nga deti. Në një nga këto zbarkime frënjtë venë dhe sulmojnë stanin e Progonate, por hasën në rezistencë të madhe nga barinjtë dhe Selmani, por frënjtë në numur të madh dhe të armatosur ua morën tufën, dhe në përleshje me ta Selmani mbeti i vdekur... Ja si e përshkruan vajin për Selmanin populli: (Këto këngë e vaje i mblodhi konsulli austriak në Janinë Johan Gorge Von Hann, i cili në vitin 1854 vizitoi fshatrat e Kurveleshit me radhë)

Ç'ësht atje tej, o ju gra?

-- U vra Selman Totoja!

-- Si u vra, e ku u vra?

-- Në niza e në beda'!

Qaji male, qani fusha

U vra Selman Toto Rusha!

O Selman e Zeliha!..

E kunata Zeliha,

Dimbëdhjet- pare toka',

Nga shkëmbi u hodh e ra!

Porsi motra për vëlla,

Kur dëgjoi për Selmanë,

Copë cop e bëri shtanë,

Helmoi gjithë Progonanë!..

( gjendet në botimin e Dhimitër Kamardës, marrë nga Hann).

Dhe vaji me ligje e me kuje nuk pushonte në Progonat. Vajtonin labet siç dinin vetëm ato:

O Selman ç'i bëre dhëntë?

Në Skalom, i mjelin frënjtë,

Ulurijn e lehin qëntë,

Lop e pela turm e shtrënjtë,

O tëna në mes të malit,

Vate këmbor e Selmanit,

Gjëmonte grykës së zallit,

Si këman e Elbasanit.

Pesëdhjetë desh përçorë,

Treqind siska me këmborë,

Tetëdhjetë qëngje lara,

Cjapi si vezir përpara.

Gjëmon mali e gjëmon fusha,

Krisi jatagan e hushta,

Hingëllin e s'mahej mushka,

Ç'u vra Selman Toto Rusha!

Qante motra për vëlla,

Korba, Selmani mu vra!

Katërxhika Zeliha,

Ç'u këput nga shkëmbi e ra!

As motra për vëllanë,

As e bija për babanë,

Por kunata për kunanë,

Copë- cop e bëri shtanë!

( ky vajtim është mbledhur në Shtëpëz, dhënë nga Jaçe Ziflo).

Këngën dhe vajin për Selmanin e Progonate e këndojnë grupi i Dukatit në FFK 1988 Gjirokastër me tekstin:

O Selman ç'i bëre dhëntë,

Në skalom i therën frënjtë

O Selmane, Mane more Mane,

Ziljaaa...

( nuk e di në ka patur edhe një Selman tjetër nga Dukati që ti ketë ndodhur e njëjta histori me frënjtë!)...Edhe Beluli e mbajti miqësinë me derën e agait të Zhulatit. Ai së bashku me Myrteza Sullin luftuan në 1831 kundra osmanëve të Emin Pashës, në kalanë e Delvinës e në Palavli:

Ç'jan ata taborr më udhë?

---Ësht Isufi me Belulë

Kërkojnë Myrteza Sullë.. etj

Beluli, i vëllai i Selmanit, luftoi me bashkëfshatarët e tij Asllan Kucën, e Veliko Jaçen nga Progonati, dhe Abaz Thanën nga Picari, dhe në vitin 1930 thirret nga Mehmet Reshit Pasha në Manastir, por kupton dredhinë dhe nuk shkon. Belul Totua vritet me të pabesë. Ja si na e përshkuan vrasjen e tij, me vajtimin e saj motra e Belulit:

Zot i bejendisurë,

për ca të kalldisurë,

që t'ishnë kumbisurë.

Ata që s'duaj pashai,

i shpëton Belul agai.

Zoti im ballëhajduti,

rixhal dhe sulltan Mahmuti,

me nam o aga!..

( Mbledhës të hershëm të folklorit, vëllimi I )

Beluli la djalë Alemin i cili vazhdoi në rrugën e të parëve të tij, një trim kurveleshas i cili u bashkua me Zenel Gjolekën e Hodo Nivicën në kryengritjen e Tanzimatit. Në 1852 shkoi dhe luftoi në Mal të Zi. Helmohet pabesisht nga turqit në Trikallë afër Janinës.

...Ç'të gjet o Progonat nuri,

Mes për mes të shkoi lumi,

Që kur vdiq Alem Beluli,

Alem Toto, Alem be,

Të shpunë në kafene,

Të qirasnë me kafe,

Të helmuan e se pe.

O kullë e bardhë në brinjë

Dyzet vjet e mbajte zinë,

Për Alush Toto vulëxhinë!

Alem Toto Progonati

Treqind lira të bën ati ( kali)

Njëmijë e diqind sahati!...

( Nafize Ismail Lesko, v. 8. mbledhës së folklorit).

Dhe këngët për Totajt e Progonatit vazhdojnë;

Edhe folklori Zhulatas nuk mund ta linte pa përmendur në radhën e heronjve të Labërisë:

...Mbaj zi për ca kapetanë,

Për Idriz bujar Zhulanë,

Smail Kaninën që vranë

Për Velikon e Asllanë

Hodon e Gjon Lekë labnë

Rakip Hormov e Zhulanë,

Alem Toto Progonanë,

Met helmuar në Trikallë!...

Gruas së Alem Totos i ngeli gjithë barra, kullotat gjëja e gjallë dhe pasuria që la Alemi. Dhe kënga thotë:

Progonat a mbeç për lumë

Mbeti zonja si kushullë,

Vargje stisi e s'mori burrë,

Bëri be: s'martonem kurrë!

Nuk e shkel Alem Belulë!..

O moj zonj' e Progonate,

Të fortë mëndje që pate

Kullanrise shtatë irate,

Katër i shite e tre i mbajte...!

Alemi sipas dokumentave ka lenë djalë Rizanë. Rizai la mbrapa:

Etem Toton lindur 1898

Ismet Toto lindur 1908

Tahsin Toto lindur 1912

Selaudin Toto lindur 1919.

Dihet tashmë saga e këtyre intelektualëve dhe patriotëve të cilët i përndoqi Ahmet Zogu.

Hetem Totua, ish ministër i Brendshëm, organizon kryengritjen kundra Ahmet Zogut, dhe i rrethuar nga zogistët vret veten, (apo e vranë), në Golëm të Gjirokastrës në vitin 1937. Ismet Totua, i lauruar në universitetin e Sapiencës në Itali, arrestohet dhe dënohet nga Zogu me varje dhe ekzekutohet në Gjirokastër në 9 gusht 1937. Në letrën e lënë para ekzekutimit, shkroi: " Bota është e atyre që digjen, e jo e atyre që ngrohen"! La pas shumë botime, monografi, mbi 20 poezi, artikuj dhe skica letrare. Selaudin Totua mori pjesë në lëvizjen antifashiste në luftën për çlirimin e vëndit. Në vitin 1945 zgjidhet deputet i "Grupit të patriotëve pa parti", ku qëndroi deri në shtator të 1947. Arrestohet nga rregjimi i Enver Hoxhës dhe ekzekutohet së bashku me 16 veta të tjerë. Pra nga katër vëllezërit Totaj, dy i vrau Zogu dhe dy i vrau Enveri. Duhen të kujtohen këta kapedanë dhe patriotë të labërisë, se thotë një thënie e urtë që: " Populli që harron të kujtojë të parët e ç'muar, është i përcaktuar të zhduket!"...