loader
Loading...
AGRON SELIMI, VIOLINA E KËNGËS BËNÇORE

Me hedhësin e grupit të Bënçës për gjysëm shekulli pa prerë. Në se ka një këngëtar që nuk është shkëputur një herë nga pozicioni i tij, nga ai pozicion që e ka nisur udhën e këngës, ky është hedhësi i këngës bënçore, Agron Selimi i grupit legjendar të Bënçës. Të gjithë në grup e kanë bërë nga një “pushim”, qoftë edhe Golik Jaupi që është arësyeja pse ky grup ekziston ende me të njëjtën famë ka patur raste që, kur dikush tjetër ja ka marrë një kënge, të ketë kaluar në iso, Agron Selimi i pa ndryshuar kurrë. Me siguri është unik në lloin e vet, mes këngëtarëve hedhësa që gjallojnë grupeve të Labërisë është krejt i veçantë, i pa ngjashëm me askënd tjetër. Dhe jo vetëm në raport me pandryshueshmërinë e pozicionit por edhe mënyrën e hedhjes e cila është tipologji më vehte. Nuk ka të bëjë me një hedhje tradicionale apo vënçe siç rëndom përdoret për këngët orgjinale të kënduara dekada apo edhe shekuj më parë kur ende nuk patën lindur “laboratorët” e evoluimit apo përpunimit. Po nuk ka të bëjë as me një lloj hedhje që ka ardhur prej këtij evoluimi e që ka marrë nocionin me “vibrime”. Agron Selimi në asnjë nga këto targete nuk mund të futet siç askush tjetër nuk mund t’ja hedhë këngës së Bënçës si ai. Po edhe pse është më i pa arrritshmi në stilin e tij, edhe pse është i pa zvëndësueshmëm në atë që bën, është po aq modest e i pa dëgjuar në madhështinë e tij. Ndërkohë që ka mbi gjashtë dekada në këngë, mbi gjysëm shekulli vetëm si hedhës, si rrallë burra kënge trojevë të Labërisë. Vetëm katërmbëdhjetë vjeç ishte kur do aktivizohej me grupin e të mëdhenjve të fshatit, vendlindjes së tij, Bënçës. Atë kohë grupi i Bënçës ishte si gjithë të tjerët por dikush prej bashkëfshatarëve të tij e kishte dalluar që kishte një vokal që premtonte për këngë dhe i kishte marrë leje të jatit për ta aktivizuar me grupin e të rriturve. - Do na i japësh djalin të na ndihmojë për iso se do regjistrojmë ca këngë në radio, i kishin thënë të jatit, Çobo Selimi. - Po merreni, ç’më pyesni, kur mos ta mësojë tani, kur do ta mësojë – u’a kishte kthyer i jati, si për tu thënë se këngën e kemi si zanatet. Vetëm pak kohë më pas do të bënin disa regjistrime këngësh në radio Gjirokastra e cila ato kohë shërbente si një sheshmejdan për grupet që vinin e regjistronin këngët e tyre nga gjithë Labëria. E nisi me Sulo Osmënin, Bejkush Gërbin, Hadër Pulashin e të tjerë, po edhe me Fejzo Gërbin, nga më të mëdhenjtë kthyes të asaj kohe. Mban mend që atë kohë këndonte e ja merrte këngës edhe Veziko Jaupi, e motra e Golikut i cili vetëm pak kohë më pas do bëhej edhe vetë marrësi kryesor i grupit e prej at’here do mbetej balli i tij. Për një kohë të gjatë grupi kishte hedhës Hadër Pulashin dhe vetëm kur ju desh të mos këndonte më, siç thotë Agroni sebep ju bë ndarja nga jeta e të jatit, “pozicioni” mbeti bosh. Goliku që e kishte vënë re talentin e Agronit, vokalin e tij aq të kthjellët e melodioz e që shkonte përtej iso-s i thotë të zërë pozicionin. - Prej asaj kohe nuk e kam ndryshuar asnjëherë të vetme, as rolin e hedhësit e as pozicionin e qendrimit në rreshtin e parë, më thotë Agroni kur flasim për rrugën e tij në këngë. Ishte viti 1974 kur grupi do të regjistronte dy nga këngët e para që u përhapën rrufeshëm anë e mabanë trevave të Labërisë. “Bij çobanësh neve jemi” dhe “Kënga për Mitro Xhanin”, dy nga këngët që shënjojnë për grupin e Bënçës fillimin e evoluimit të këngës bënçore dhe fillimin e një epoke të tërë e që më pas do ta kapërcente gjysmën e shekullit. Ishtë koha kur në grup ishte atashuar edhe bija e Lekdushit, ajo që vetëm një vit më parë në festivalin Foklorik të Gjirokastrës do të këndonte këngën “Qaj moj Shqipëri, ulërij e gjorë” e ku në pozicionin e kthyesit do të ishte Hajri Çiçi nga Zhapokika i cili do të befasonte me të kthyerit me grykë, të pa dëgjuar më parë. Tani në “formacionin” kryesor ishte bërë pjesë, në rolin e kthyesit, Dervish Guma, me të cilin katërshja e grupit të Bëçës do ta çonte në majat më të larta këngën bënçore. Maliq Lila, rapsodi e fokloristi i shquar tepelenas pikërisht me katërshen e famshme Jaupi-Zilfaj-Guma e Selimi do të realizonte majat më të larta polifonike jo vetëm në Tepelenë e Labëri por në të gjithë hapësirën e këngës polifonike shqiptare. Agron Selimi ky këngëtar grykë violinë e i pa gojë ka vendin e vet të pa diskutueshëm në panteonin e fokloristëve të shquar të trashëgimisë shpirtërore. - Ç'i bën zërit, i them, ç'është kjo hedhja jote që s'ka një të dytë ta bëjë ? - E këndoj dhe unë, jam si një marrës më vehte po në tjetër tonalitet e si me gjysmë zë - më thotë dhe ja nis një demostrimi me zë të lehtë:

"Lu-le, Mitro komisari,

Ti-ku, do ishe i pari...".

Ai është ende në pozicionin që e ka zënë plot pesëdhjetë e një vite të shkuara, i pa tjetërsuar, i pa ndryshuar, me të njejtën taktikë e fuqi interpretative, me të njëjtin vocal plot ëmbëlsi e harmoni vjoline. Aty është, si askush tjetër, dhe aty do të jetë përherë mbasi askush deri sot nuk ka munduar as ta imitojë e as ta kopjojë. Agron Selimi është shkollë më vehte, si i lindur për grupin famëmadh të Bënçës dhe këngën bënçore që edhe vetë është e pa ngjashme me të tjera.