Ditën e djeshme, u përcuall me nderime të shumta, për në banesën e fundit, Golëmasi I mirë dhe LABI FISNIK, i paharruari SALI NEKI LESKAJ, nga Golëmi i Kurveleshit. Në jetë njeriu, lufton, jo që të jetë i përhershëm si trup, por të qëndrojë i përhershëm me punën e veprën e tij. I tillë, ishte Dr.Sali Leskaj , që në breza do të jetojë puna dhe sjellja e tij shëmbëllore. Dr. Salihu, lindi në Golëm, në gjirin e një familjeje të ndershme e patriote të Neki e Hava Leskaj, në dhjetor të vitit 1939. U rrit si gjithë moshatarët e tij, mes varfërisë dhe vështirësive që solli periudha mbas çlirimit. Malet u gjallëruan në verën e vitit 1945, kur dëgjuan zilet e këmborët e atyre pak kopeve të dhenve e të dhive, që dolën për verim, ndërsa në një shtëpi golëmase, sajuar si klasë për të mësuar, u degjua edhe zilja e pare e shkollës fillore, në mars 1945. Golëmasit, të etur për dije e shkollë edhe mes kësaj varfërie, hapën shkollën e parë fillore mbas çlirimit me mësues Ramadan Miraçin, nga fshati Tatëzat i rrethit Sarandë. Klasat ishin kolektive, para dite e mbas dite. Në bangat e klasës së pare, u ul edhe fëmija sydritë Sali Leskaj, bashkë me rreth 25 vajza e djem golëmas. Këta fëmijë, të etur për dituri e dije, mbasi mbaruan klasën e katërt fillore, vitin pasardhës, nuk patën mundësi të gjithë që të vazhdonin më tej. Vetëm nxënësi i dalluar në mësime e sjellje, Sali Neki Leskaj, i cili mbasi mbaroi shkollën fillore në Golëm me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi shkollën 7-vjeçare në fshatin fqinj Progonat, rreth 7 km larg. Këtë rrugë e bënte çdo ditë në këmbë, nëpër borë e shi dhe e mbaroi me vullnetin e një trimi. Kurdoherë, Dr. Salihu, gjatë bisedave miqësore, shprehte mirënjohjen e thellë për prindërit e tij, që jo vetëm sakrifikuan ekonomikisht, mbasi rritnin shtatë fëmijë, por patën guxim e besim tek djali i etur për dije, morën parasysh edhe vështirësitë e rreziqet e rrugës, ku kalohej mali i lartë rreth 1250 m me borë. Të rrallë prindër, në atë kohë në Labëri, ju jepnin të tilla “krahë” fëmijëve, që të “fluturonin sa më larg e lartë, rrugëve të jetës, për të mësuar, qoftë edhe me sakrifica. Midis shumë sakrificave e vështirësive, që kaloi në ato tre vite, kur ishte fëmijë, Dr. Salihu na tregon një rast: - Ishte muaj Nëntor i vitit 1950. Unë po kthehesha nga Progonati dhe nata më zuri në mezin e rrugës, mbasi u vonova për të kapërcyer përroin me ujë të shumtë të Gurrës. Binte shi dhe frynte erë. Rrugën me vështirësi e shikoja. Në kokë kisha një llabane leshi, e cila më mbronte vetëm kokën e shpatullat, se trupi kullonte ujë. Kur arrita në malin e Shëne Prëmtes, fryjti një erë e madhe, stuhi me shi e breshër dhe unë nuk mbajta më mënd si ndodhi. Nuk di për sa kohë, dëgjoj zëra njerzish. Kishin dalë prindërit e të afërmit dhe më kërkonin. Unë u permënda dhe pashë se era më kishte mbeshtetur tek një ferrë e madhe, e cila më kishte mbajtur gjallë, sepse, 10 metra më tej, ishte lera e madhe me ujë..! Shkuam në shtëpi dhe babai më tha: -Nuk do vesh më në shkollë, mor djalë, se ja si ndodhi, do bjerë bore e madhe dhe s’mund të të humbasim. -Jo baba- i thashë, -unë nuk e lë shkollën, se bisedova edhe me hallën në Progonat, që kur të jetë kohë shumë e keqe, të qëndroj atje..! Aman baba, mos më ndalo, se dua të mbaroj shkollën..! E mbaroi shkollën 7- vjeçare të Progonatit shkëlqyshëm. Me këto rezultate, ju hap rruga për të vazhduar gjimnazin në Gjirokastër, të cilin e mbaroi me rezultate të rralla...I doli e drejta për të vazhduar Universitetin Shtetëror në Tiranë, fakulteti i Mjekësisë. Mbaroi me rezultate shumë të mira këtë fakultet dhe u diplomua si mjek patholog i përgjithshëm. Mbas çlirimit, Dr. Rushena dhe Dr. Salihu, ishin doktorrat e pare të Golëmit dhe ndofta edhe në Kurvelesh. Filloi punën si mjek në spitalin e Tepelenës, ku tregoi vehten se do të bëhej një mjek, që do linte gjurmë të mira! Në vitin 1964, filloi punën si mjek në Progonat, ku gjeti vetëm një infermjer dhe një godinë të vogël, që i shërbente atij populli. Me punën dhe përkushtimin e tij, si dhe me përkrahjen e pushtetit të asaj kohe, që kishte qëllim, përhapjen e shërbimit shëndetësor edhe në malësinë e Kurveleshit e kudo, Dr. Salihu, arriti që të ngrejë spitalin e pare në Kurveleshin e Sipërm, atë të Progonatit. E paisi më së miri, me mundësitë e kohës dhe në vitet 1980, arriti që në spitalin e tij, ku ishte drejtor, krijoi mundësi për shërbime dentare, mami, farmaci etj, me specialist mjekë e ndihmës mjekë të kualifikuar. Në atë spital kishte 10-15 shtretër, ku shtroheshin dhe kuroheshin të sëmurët nga gjithë fshatrat: Nivicë, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekëdush , Golëm etj. Në atë godinë të rregullt e të pastër, u kompletuan dy-tri dhoma me shtretër për mëmat që lindnin fëmijë, në duart e sigurta të atij personeli të mbrekullushëm, ku nuk kishte ndodhur asnjë rast vdekjeje, nga mos shërbimi mjekësor. Në zyrën e tij të madhe, dalloje edhe një bibliotekë të bollshme, kryesisht me libra e revista për shendetin e mjeksinë. Ajo bibliotekë, e bëri që të ecte me kohën, të kualifikohej dhe t’u përgjigjej sfidave të jetës në mjekësi, më së miri. Emri i Dr. Salihut përmëndej për mirë në ç’do vatër familjare të Kurveleshit të Sipërm e më tej, për sjelljen, fjalën e ëmbël, përkushtimin, kopetencën mjekësore, sherbimet e pakursyera, natën e ditën, në shi e diell. Ishte model i një njeriu me sjellje të pakrahasushme. Në atë spital, shërbeu për disa vite edhe bashkfshatari ynë i nderuar, me plot kulturë e fisnikeri, i paharruari Besim Rroshi, me moshë më të madhe se Dr. Salihu. Në një muhabet tek një shtëpi në Golëm, ku ndodhej edhe babai arsimdashës i Salihut, i ndjeri Besim i thotë me dashamirësi: - Ti xha Neki e linde, Dr. Salihun, por e gëzojnë të gjithë Kurveleshasit lartë, Progonati etj.. - Do t’u a marrim, - i tha me të qeshur xha Nekiu, qoftë dhe me forcë..! -Nuk ju a japin më progonatasve, sikur edhe të vriten, xhaxha, ..! Ata japin më mire 10 djem të tyre dhe Dr Salihun nuk e japin, se ju shton jetët..! Në vitet 1970, - tregon Gjeneral Hito Çako, nga Progonati- unë kisha mundësi që mëmën time, t’a marrja e të jetonte në Tiranë, midis të mirave, por mëma nuk donte, se nuk ndahej dot nga vendlindja. Në një rast mëma u sëmur shumë. Shkova në Gjirokastër dhe mora dy doktorrë të zotë të spitalit në Gjirokastër, Koço Andonin -patholog dhe Kristaq Dukën – kardiolog, të paisur edhe me mjete më të specializuara për t’a vizituar. Arritëm me makinë në Progonat dhe shkuam e takuam mëmën në shtëpi, ku mbi krye të saj i qëndronte Dr. Salihu. Me mirëkuptim, të dr. Salihut, mëmën e vizituan të dy mjekët, që çova unë, rreth një orë. Biseduan me Dr. Salihun, për diagnozën që kishte përcaktuar ai dhe për ilaçet që i vazhdonte për kurim. Në atë kohë, të dy doktorrët, futën mjetet në çantat e tyre dhe më thane: - Neve n’a keni sjellë kot, shoku Gjeneral, se mëma juaj dhe gjithë ky popull paskanë këtë fat të madh, që kanë një doktor kaq të aftë e të specializuar, për të gjitha llojet e sëmundjeve, sikur të ishte në spitalin e Gjirokastrës me mjetet që kemi ne atje. U hodhën, e përqafuan dhe përgëzuan dr. Salihun, me një konsideratë të madhe. Ai kishte një shpirt tamam demokrat, nuk kishte dallime , në sherbimet e tij, nga mosha, biografia, fshati etj. Këtë shpirt demokrat e përgjegjëshmëri në punë, u mundua që t’i edukonte edhe tek gjithë personeli i spitalit. Ai edukonte mes shëmbullit të tij dhe jo me anë të karrikes e zërit të fortë. Me fjalën e tij të ëmbël, me zërin e qetë, me maturinë dhe gjakftohtësinë e rrallë, me seriozitetin dhe tolerancën e përhershëme, krijoi një dashamirësi tek i gjithë populli zonës.. - Ai njeri i rrallë, të shëron, më shumë me fjalën e ëmbël, se sa me ilaçe- shpreheshin sidomos të moshuarit. Ai i kishte në shpirt të mbira këto cilësi të rralla ,prandaj, një shpirt i madh, nuk mendon se si e gjykojnë të tjerët. Dr. Salihu, vinte shpesh pranë prindërve e vëllezërve në Golëm, duke bërë në këmbë atë rrugë malore, që e kishte kalitur për tre vjet rresht..! Mbasi takohej me prindërit dhe të afërmit, nuk përtonte për të vizituar edhe golëmas, që mund të ishin sëmurë, kur e thërrisnin që t’i vizitonte. Ishte i gatshëm nga hera, bile edhe në mezin e natës, pa dallim, tek të gjithë, duke bërë më të mirën si doktor. Shërbeu në spitalin e Progonatit deri në vitin 2004, me një ndërgjegje të pakrahasuar. E donin dhe e respektonin edhe “gurët e rrugës”. Rrallë mund të ketë patur mjekë e kuadro, që kanë sherbyer për 40 vjet në një spital, e fshat malor dhe të jetë larguar kaq me respekt e dashuri nga gjithë zona. Dr. Salihu, nuk punoi për lavdi e dekorata, por populli i Progonatit dhe i zonës, që ju kishte shërbyer me aq përkushtim, dije dhe mirësi, nuk kishte mundësi, që të mos e vlerësonin të mirën dhe mirënjohjen e tyre e shprehën më së miri me një fakt konkret.. Më 26 Qershor 2004, pushteti vendor i komunës së Progonatit, organizon një cermoni dhe aktivitet të bukur artistik e sportiv, për nder të mjekut e birit golëmas Dr. Sali Leskaj. Për punën e tij shembullore, gjatë 40 vjetëve në atë zonë, atë ditë i dorëzojnë dekoratën “Qytetar nderi i Qarkut të Gjirokastrës“ dhe “Qytetar nderi i Kurveleshit”, akorduar nga pushteti vendor i Tepelenës dhe i Komunës së Kurveleshit (zona e Progonatit). Merrnin pjesë burra, gra, të rinj, të reja, e fëmijë nga kjo zonë, si dhe të afërm e bashkëfshatarë të shumtë të Salihut. Gjithashtu, merrnin pjesë edhe Gramoz Ruçi nga Salaria (Sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste) dhe Et’hem Ruka (ministër). Aktiviteti ishte i larmishëm dhe shumë i pasur, me këngë, recitime, ndeshje futbolli midis skuadrave të djelmoshave nga Golëmi, Nivica e Progonati. Të pranishmit, kaluan një drekë të këndshme nën hijen e rrapit madhështor në qëndër të Progonatit, sponsorizuar nga komuna vendore. Aty, në qëndër të Progonatit, nën hijen e këtij rrapi madhështor, Dr, Salihu do të qëndrojë si monument i njeriut më të vlerësuar të zonës, për sherbimin e përkujdesjen mjekësore në malesinë e Kurveleshit.!. Me vdekjen, nuk e ka fituar askush betejën.! Dr. Salihu, Ju vërtet sot u futët në gjirin e tokës e të prindërve, por do të qëndroni kurdoherë midis nesh, midis popullit të Kurveleshit, midis bluzave të bardha të mjekësisë, si golëmas model, si Kurveleshas i rrallë dhe si mjek “nxënësi më i mirë i Ipokratit”..! Kujtimet e mira që mbolle, nuk do të na lënë kurrë vetëm! Lamtumirë Dr. SALIHU..! U PREHSH NË PAQE, O NJERIU I PAQES, O DOKTOR I MIRËSISË ME PAMJE ËNGJËLLORE..!