Me iniciativë të kryeministrit Micotaqis dhe qeverisë greke, të hënën më, 21 gusht, në kryeqytetin helenik janë ftuar të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, disa kryeministra të vendeve anëtare të BE dhe jashtë saj, sikurse paralelisht kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe kryetarja e komisionit europian Znj. Ursula fon der Lajen si edhe kryetari i këshillit europian z. Sharl Mishel. Ka konfirmuar pjesëmarrjen kryeministri kroat, si edhe kryeministrja Moldavisë Znj. Maja Sandu.. Gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti. Ndërkaq, e veçanta e këtij organizimi është mungesa e ftesës për kryeministrin shqiptar z. Edi Rama. Ftesa ju dërgua presidentit të Republikës z. B. Begaj. Ky i fundit u përgjigj se nuk do të mundet të jetë i pranishëm, për shkak të axhendës së programuar më herët se sa të vinte ftesa. Dhe kjo duket normale në një vështrim të parë. Ndërkaq, nuk është dhe aq e thjeshtë. Mediat në Greqi, i kanë kushtuar shumë vëmendje mos pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë mbrëmje! Kam lexuar disa prej gazetave kryesore greke, komente dhe opinione të ndryshme, që shprehnin qëndrime të kundërta, sipas këndvështrimit të tyre. Të gjitha këto, konkludonin se mos dërgimi i ftesës ndaj kryeministrit shqiptar z. Rama, është një mesazh i qartë për qeverinë shqiptare dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Shkaku, thonë këto media, komente e opinione është burgosja e ish kandidatit fitues për kryetar bashkie i bashkisë në Himarë, i cili, duhet theksuar se u kap dy ditë para votimeve, u kap në flagrancë, (me presh në dorë), duke vjedhur përmes shitblerjes së votave.... Pas kësaj ka patur një nervozizëm të qeverisë së kryeministrit grek Micotaqis, dhe diplomacisë greke, duke e shndërruar nga një çështje të drejtësisë shqiptare në një debat dhe problem grek dhe europian. Theksoj se, gjatë kësaj periudhe ka patur edhe raste të tjera në Shqipëri ku, kryebashkiakët në detyrë ose të rizgjedhur në po këto poste të larta janë vënë nën akuzë, madje (edhe një zëvendës kryeministër shqiptar,) dhe janë arrestuar e burgosur nga drejtësia shqiptare. Por, kryeministri dhe qeveria e diplomacia greke preferuan vetëm, çështjen Bejleris, duke mos përmendur dhe “marrë nën mbrojtje” asgjëkund edhe këto raste të tjera për ti shqyrtuar njësoj, sikurse për rastin e BejlerIt. Gjithkush, me dy para mend në kokë mund të pyes: - Përse ky diferencim?! - Nëse flasim për standard të ligjit! Në një vështrim të thjeshtë, kushdo mund të mendojë dhe pyes: - Përse, një çështje e drejtësisë shqiptare, kthehet në një “hall grek”?! Himara, është territor administrativ shqiptar dhe jo i aneksuar apo i huaj!
As territor me status të veçantë. Pastaj, kjo “çështja Bejleri” është akoma akt në duart e drejtësisë shqiptare, e cila nuk ka shqiptuar dhe zbardhur ende asnjë vendim. Pasi nuk është zhvilluar gjyqi. Nëse vendimi, do të jetë i diskutueshëm ose i gabuar, atëherë jo vetëm opinioni brenda shqiptar, ai i banorëve të bashkisë Himarë, por edhe i media e dhe qeverisë greke duhet të jetë pro drejtësisë. Vetëm atëherë unë, dhe jo vetëm, besoj se do i bashkoheshin protestave që mund të organizoheshin kudo dhe nga çdokush tjetër. Greqia, është një faktor relevant në çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit në Europën e Bashkuar, dhe nga ajo, Greqia, pritet gjithmonë një qasje europiane dhe e moderuar në të gjitha çështjet, përfshirë edhe ato shqiptare. Unë, kurrë nuk kam menduar se në Shqipëri, qeverisja dhe drejtësia i kanë “punët vaj”, edhe pse sot Shqipëria, nuk është më ajo e viteve të një dekade më parë. Sot, Shqipëria është e gatshme për sa i përket pjesës më të madhe të standardeve të jetë një vend i denjë i komunitetit europian... Shkaku që nuk është, janë edhe " gurët nën rrota" që jo pak herë hedhën fqinjët e saj. Gjithsesi, e quaj një “Gaf” mos ftesën për kryeministrin shqiptar, në një event të rëndësishëm siç është ai i 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku u hodhën themelet e Integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ishte iniciativë edhe e kryeministrit të atëhershëm të qeverisë greke (në mos gaboj ishte Pasok në qeverisje. Dhe, unë e di se këto standarde Greqia i ruan, pavarsisht ndryshimeve në qeverisje. Roli “hegjemon” nuk është standard demokratik, madje është i papranueshëm për EU. Në një event të tillë, edhe kryeministri shqiptar duhet të ishte, sigurisht pas një ftese prej organizatorëve dhe pritësve të takimit. Marrëdhëniet edhe diplomatike por edhe në nivel kryeministrash mes dy vendeve kanë qenë të mira. Dhe, kjo klimë nuk duhej në asnjë mënyrë të prishej! Sepse vetëm komunikimi dhe dialogu mes palëve bën të mundur që të moderohen dhe afrohen qëndrimet. Nëse do duhej të ishte kështu që, për ç’farëdo çështje një qeveri ti imponohej tjetrës, në raportin Greqi-Shqipëri. Atëherë, secili që e njeh mirë situatën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në greqi, ç’farë do mund të thoshte?! A e di, me siguri që e di. Kryeministri grek z. Micotaqis, se mban peng rreth nja dyqind treqind mijë emigrantë shqiptarë me status emigranti akoma dhe jo qytetarësh të lirë....?! I mban peng përmes leje qëndrimeve të pa dhëna, vonesave dhe vendosjes së kritereve mbi kritere, udhëzime të brendshme dhe burokracisë dhe racizmit ende, në administratën publike! A e di kryeministri Micotaqis, me siguri që e di, se po mban peng qindra dhe mijëra qytetarë shqiptarë që kanë punuar dhe derdhur kontribute në sigurimet shoqërore të shtetit grek, duke e ndihmuar në maximum arkën e këtij institucioni, për të paguar pensionet, ndërsa nuk jepen pensionet e kontributeve të derdhura prej punëtorëve shqiptarë. Të cilët kanë sot një moshë të avancuar! Këto të fundit janë çështje shumë më emergjente dhe egzistenciale për mijëra qytetarë shqiptarë, se sa një çështje ordinere e një qytetari që shkel ligjin duke vjedhur dhe paguar votuesit, diçka e ndaluar si prej ligjit shqiptar, ashtu edhe atij grek! Tani, unë besoj se këshilltarët pranë kryeministrit grek Micotaqis, do të reflektojnë dhe do të rishqyrtojë konsultat e tyre me kryeministrin, për çështjen e mos dërgimit të ftesës për kryeministrin shqiptar! Më në fund, mund të themi se: - përjashtimi nga një mbrëmje e tillë për kryeministrin e një vendi fqinj, siç ishte ajo për z. Rama, ul asetet etiko - morale të z. Micotaqis, i cili nuk mund të justifikohet se, i dërgoi presidentit. Kur e di mirë se edhe presidenti shqiptar është njësoj si ai grek, me një rol honorifik. (ishte sikur të ftonte një kukull plastike...) Sepse një fjalë e urtë shqiptare thotë: - ” e lava gojën” dmth.” Ne i thamë” e njëjtë siç tha Ponc Pilati: “unë i lava duart”. Kjo nuk është as sjellje diplomatike, porse më tepër dëshmon për imponim dhe rol “hegjemon”, të një shteti ndaj një tjetri! Diçka e tillë, është e pa pranueshme sot, në procesin e integrimeve dhe zhvillimeve europiane dhe më gjerë. Sot, diskutimet dhe problemet janë të shumta, për shkak të ndryshimeve klimaterike, si edhe të atyre gjeopolitike që po ndodhin, edhe në kufijtë e europës (lufta Rusi-Ukrainë) , çka dëshmon dhe imponon bashkëpunim dhe mirëkuptim, paqe dhe solidaritet, miqësi dhe harmoni. Shqipëria është gjithmonë një vend paqësor dhe i lire, miqësor dhe bashkëpunues. Si do jetë të nesërmen e takimit të së hënës...?! - E sigurtë është që, temperaturat e motit do të jenë të larta edhe në vazhdim. Uroj që klima mes dy kryeministrave, atij grek dhe atij shqiptarë, të bëhet më e favorshme dhe në interes të të dy vendeve, që edhe pas këtij “incidenti” do të jenë aty. Dy gjitonë, të përjetshëm! Rasti i kësaj mbrëmjeje, mbase do të duhej të ishte fatlum për kryeministrin grek z. Micotaqis! Me ç'rast do tërhiqte çdo lloj manovre dhe akuzash të nxituara dhe të pabazuara në asnjë fakt, në çështjen Bejleris, që diplomacia dhe vetë ky i fundit, kryeministri grek, kishin adresuar ndaj drejtësisë dhe kryeministrit shqiptar. Mbase ndodh fundja, ditët në vazhdim, qoftë edhe mbas të hënës në mbrëmje...! Deri atëherë, Mirupafshim!