Epilog i një aktiviteti të organizuar
me shumë dashuri, për t'u kthyer sikur një grimcë nga borxhi që jeta u pati
njerëzve të luftuar nga diktatura monstruoze. Gjithashtu për të nxjerrë në pah,
për publikun e huaj, një të vërtetë historike të një populli të sprovuar, me
pasoja që ende ndihen. Ky aktivitet ishte një privilegj jete. Nuk ka nder më të
madh se sa të vihesh në shërbim të së vërtetës. Nëse nuk mund të jemi gjithmonë
zëri më vokal i saj, le të jemi shërbyes të përkushtuar dhe të ndershëm në
promovimin e saj.
P.s. Po kanë mbetur ende nga ata
"ekspertë" që mblidhen nëpër tavolina dhe kritikojnë detaje, ky
aktivitet na hapi sytë, të paktën, se madhështia e dikujt/diçkaje nuk matet nga
aspekte të jashtme, por nga thelbi dhe ndikimi. ![]()
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi në
bashkëpunim me Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, realizuan në amfiteatrin “Antonis
Tritsis” të Qendrës Kulturore të Bashkisë së Athinës, aktivitetin kushtuar
jetës dhe veprës së shkrimtarit, poetit, ish-diplomatit, dhe ish të
përndjekurit politik, z. 𝐃𝐚𝐮𝐭 𝐆𝐮𝐦𝐞𝐧𝐢, titulluar: “𝐃𝐢𝐚𝐥𝐨𝐠 𝐦𝐞 𝐃𝐚𝐮𝐭 𝐆𝐮𝐦𝐞𝐧𝐢𝐧: 𝐋𝐢𝐫𝐢𝐚, 𝐐𝐞̈𝐧𝐝𝐫𝐞𝐬𝐚, 𝐋𝐞𝐭𝐞̈𝐫𝐬𝐢𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚”.
Të pranishëm në
këtë aktivitet ishin përfaqësues të trupit diplomatik, personalitete greke nga
fusha e akademisë dhe gazetarisë, artistë shqiptarë dhe adhurues të letërsisë
dhe figurës poliedrike të z. Gumeni.
Mbrëmja u hap nga
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila veçoi se “Daut Gumeni nuk është vetëm një shkrimtar që rrëfen
historinë e jetës. Ai është një ambasador i kujtesës, një dëshmitar i së
vërtetës, një intelektual që e ktheu dhimbjen në rrëfim, heshtjen në fjalë,
ndërsa fjalën e ktheu në akt shërimi.” Duke na rikujtuar se memoria nuk është
luks dhe kujtesa është përgjegjësi, Ambasadorja Hajdaraga theksoi se “liria
mbijeton tek njeriu që nuk dorëzohet dhe letërsia kthehet në dëshmi të
dinjitetit njerëzor. Përpjekja për të prezantuar veprën e tij për publikun grek
dhe për Trupin Diplomatik është një dëshmi e fuqisë së dialogut kulturor dhe e
afërsisë mes shoqërive tona.” Anëtari i AIDSSH z. Altin Hoxha pas fjalës
përshëndetëse prezantoi pjesë nga dosja e Daut Gumenit, duke hedhur dritë mbi
përndjekjen dhe qëndresën e tij. Znj. Brikena Qama, Kryetare e Lidhje së
Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi “LiterArt” vlerësoi kontributin e autorit
në letërsinë shqiptare, ndërsa përkthyesi Kosta Jani prezantoi veprën e tij në
gjuhën greke.
Në pjesën e dytë
të mbrëmjes u shfaq fragment nga dokumentari “Një burrë në udhë”, i realizuar
nga regjizori Ylli Pepo, Artist i Merituar, i cili mbajti dhe fjalën e rastit,
ndërsa Dr. Stavri Dajo solli një qasje akademike mbi veprën dhe figurën e
autorit. Më pas gazetari, poeti dhe shkrimtari Panajot Boli ndau reflektime mbi
poezinë e Gumenit. Diskutimi u pasurua me analizën diplomatike të Dr. Dimitris
Moschopoulos, ish-Ambasador, Kreu i Zyrës së Ndërlidhjes së Greqisë në Kosovë,
si dhe me video-mesazhin e për këtë aktivitet të gazetarit të SKAI TV, Christos
Nikolaidis. Z. Skënder Vrioni, anëtar i AIDSSH foli mbi figurën, por dhe
kontributin e autorit në këtë institucion.
Momente mallëngjyese
përjetoi publiku me interpretimin e disa prej krijimeve të autorit Daut Gumeni,
si ai i aktores Algiona Aga me poezinë “Urata e mëmës”, e cila ndau me publikun
edhe përjetimet e saj personale nga ajo epokë e errët, në nderim të emrit të
gjyshit të saj të pushkatuar, Sazan Hadëri. Gjithashtu poeti Agim Basha
interpretoi me emocion dhe me ngjyrimet e dialektit lab poezinë “Autoportret”,
ndërsa aktorja Marsela Lena drithëroi të pranishmit me interpretimin e një
pjese nga monodrama “I marri fisnik”. Mbrëmja u kurorëzua me një dialog të
hapur mes Daut Gumenit dhe publikut, të moderuar nga gazetari Pano Boli.
Aktiviteti u mbyll me surprizën e sjellë nga grupi Lab “Lot Kurbeti”, me një
këngë të bukur polifonike, i cili shfaqi para publikut dhe një dimension tjetër
artistik të z. Gumeni, atë të isopolifonisë. Në fund të pranishmit u njohën me
librat, realizuan fotografi dhe shijuan një banket nën një atmosferë miqësore
bashkëbisedimi. Moderimi i këtij aktiviteti u krye nga përfaqësueset e dy
insitucioneve, znj. Joana Zhonga për Ambasadën e RSH-së dhe znj. Elona Baci për
AIDSSH.
Ambasada e Republikës së
Shqipërisë në Greqi shpreh mirënjohjen më të thellë për Bashkinë e Athinës - Δήμος Αθηναίων, e cila vuri në dispozicion mjediset e Qendrës Kulturore me bujari dhe
mbështeti organizimin e këtij aktiviteti. Një falënderim i veçantë u shkon të
gjithë folësve, personaliteteve shqiptare dhe greke, që udhëtuan nga vise të
ndryshme të Shqipërisë dhe Greqisë për t’i dhënë zë kujtesës dhe veprës së Daut
Gumenit, duke mishëruar vlerat tona të përbashkëta për liri, demokraci dhe
vëllazëri. Faleminderit të gjithëve për praninë, për respektin ndaj së shkuarës
dhe për besimin tek fuqia e fjalës së lirë.