loader
Loading...
Dhjetori që Ndriçon


Me ardhjen e dhjetorit, qytetet dhe fshatrat e gjithë vendit vishen me një gjallëri të veçantë. Rrugët fillojnë të ndizen herët pasdite, duke krijuar një peizazh që të kujton kartolinat e vjetra festive. Në çdo cep dëgjohen tingujt e këngëve tradicionale të Krishtlindjeve dhe zhurma e gëzueshme e njerëzve që nxitojnë të përfundojnë përgatitjet e fundvitit. Është një periudhë ku përditshmëria sikur ndalet për t’i lënë vënd magjisë. Festat e fundvitit, që kulmojnë me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, nuk janë thjesht ngjarje kalendarike; ato janë një gjëndje shpirtërore që prek të gjithë – të vegjël e të mëdhenj. Tregjet festive mbushen me drita dhe ngjyra, shitësit ofrojnë lodra, buqeta me dekore tradicionale, ëmbëlsira të stinës dhe dhurata simbolike. Fëmijët e vegjël shikojnë me adhurim pemët e mëdha të zbukuruara në sheshe, ndërsa të rriturit gjejnë kohë për të menduar për njerëzit që duan të surprizojnë me një dhuratë të vogël, por të ndjerë. Në shumë familje, ditët para Krishtlindjeve shndërrohen në momente miqësie dhe bashkimi. Shtëpitë mbushen me aromë gatimesh tradicionale, ndërsa të afërmit mblidhen për të shkëmbyer urime dhe për të kujtuar vlerën e bashkimit. Kjo festë mbart jo vetëm kuptimin fetar, por edhe një simbolikë të gjerë njerëzore: mirësinë, kujdesin dhe solidaritetin. Ndërkohë, qytetet përgatiten për natën madhështore të ndërrimit të viteve. Në sheshet kryesore, punonjësit vendosin skenat, përgatisin ndriçimin dhe installojnë fishekzjarrët që do të ndezin qiellin e natës më të fundit të vitit. Familjet dhe të rinjtë planifikojnë mbrëmjen e fundit të vitit – disa zgjedhin të festojnë në shtëpi, të tjerë në lokale, por të gjithë e presin të njëjtin moment: çastin kur ora shënon mesnatën dhe një kapitull i ri  hapet. Kur akrepat bashkohen në orën 00:00, qielli shpërthen në ngjyra, dhe njerëzit përqafohen duke ndarë urime të sinqerta për një vit më të mirë. Mes dritave të fishekzjarreve dhe muzikës që kumbon nga sheshet, mbizotëron shpresa se viti që vjen do të sjellë më shumë begati, shëndet dhe paqe. Në thelb, festat e fundvitit janë një ftesë për reflektim dhe rinovim. Ato na kujtojnë se, pavarësisht sfidave të vitit që largohet, gjithmonë ka vënd për gëzim, mirënjohje dhe fillime të reja. Në këtë atmosferë të ndezur dhjetori, njerëzit gjejnë një arsye më shumë për të buzëqeshur, për të dashur dhe për t’u lidhur më fort me njëri-tjetrin. Larg merive, keqkuptimeve dhe sjelljeve të nxituara, me shumë  harmoni, bashkim dhe dashuri. Dhe s’ka si të  ndodhë  ndryshe edhe në  fshatrat e zonës  së Kurveleshit edhe pse gjallëria nuk është  si dikur, për  faktin e zbrazjes së fshatrave nga të  rinjtë, e megjithatë ajo ndjehet. Ndjehet në zemrat dhe shpirtin e gjithkujt, pavarësisht se ku ndodhet, por që mendjen dhe zemrën e ka aty, aty ku ja ka bërë koka bam, në trojet ku ka lindur. Prandaj ne, si staf i gazetës “Zëri i Kurveleshit” ju urojmë  një  vit të  mbarë  e plot suksese në familjet tuaja dhe kudo në jetë. Festa të  Gëzuara!.Urime,  Gëzuar ,KRISHTLINDJET, Gëzuar,  VITIN E RI 2026! Fat dhe mbarësi kudo për gjithësecilin!