loader
Loading...

Një  video nga deputeti i Lumit të  Vlorës-Vullnet Ruzhdi Sinaj bashkë  me shoqëruesit e tij. Një  udhëtim mes maleve, luginave,  gërxheve dhe monopateve.  Përmes kamerës peizazhi rrotullohet dhe malet kryelartë duken sikur hedhin një  valle të  rëndë ...Dëgjohen cicërimat e zogjve , të lehurat e qenve të  ndonjë  stani dhe heshtja e natyrës që  flet gjuhën e dhimbjes e mallit të  njerzve të  ikur- në  botën tjetër apo të  larguar në qytete e tutje- në  botën e madhe si mërgimtare... Rrugëtimi përfundon poshtë, atje ku midis Këndrevicës dhe Çipinit ndodhet, Vermiku- vendlindja ime dhe vatra jonë, stërgjyshore tashmë  i braktisur.. Zemra mu dritherua! Sa kujtime mu rizgjuan dhe sa rrëfime të  prindërve e sidomos të  gjyshes time- kur bashkebisedoja me të,  netëve të  dimrit pranë  oxhakut. Nga fundi i videos duken gjurmët e trojeve të  fisit Bletaj, prej nga gjyshja ime ishte bijë. Pasi le Llufën e Nivicës, aty ne Kryet e ujit, në  Bletaj fillon sinori Vërmikut. Aty jetuan me nder e dinjitet breza të  tërë, me shpirtin lab të paepur, krenarë dhe në  përballje të  pareshtur me natyrën, ashpërsinë  e maleve dhe rrëmetet e kohrave. Aty mes maleve ngriten e seliten jeten, kenduan ne dasma e vajtuan ne vdekje. Çdo pllaje , gerxh, kodrine, perrua, burim, qafe, shpelle, pyll apo mal, aty mban një  emër,  ka një  histori , mbart gjurmët e brezave të  tërë  që  jetuan në  ato male. Vendlindja nuk është  thjeshtë  gjeografi dhe toponimi por edhe hartë  shpirtërore, ontologji e qënies- kujtesë, histori, identitet, mall dhe nostalgji. Aty janë rrënjët tona të  mpleksura me historinë  dhe kujtesën. Malet nuk ishin vetëm dekor por miku, aleati, bashkëbiseduesi dhe dëshmitari njeriut të atyre anëve. Me peshën e halleve mbi shpinë dhe detin e derteve në shpirt, në  vetmine e madhe , banori atyre anëve fliste e kuvendonte me malet:

O ju male me deborë

Pse s' qani hallet e mia ! 

Malet aty jane  topografia e shpirtit të  banorëve, reliev i i dhimbjes së ngurtësuar dhe simbol i qëndresës  përballe furtunave të  kohës...Për kë lind dielli tani atje mbi ballkonin e Kendrevicës?  Për kë  këndojnë  zogjtë?  Për kë  gurgullojnë  burimet, e me kë  flet era që  fryn nga Qafa e Pishës?  Për kë  psherëtijnë  stinët në  Qafën e Varreve?  Njerzit kanë  ikur por shpirtrat e tyre jane  aty, në  rrënojat e shtëpive dhe rrënjët e historisë . Me ata shpirtra flasin erërat, psherëtije pyjet, gurgullojnë  ujrat, vajton qyqja në  Rot, Duke pare  atë  dekor madhështor malesh të  vetmuara e të braktisura, prej tokës ngrihet zëri nostalgjik i shpirtrave të  mërguar:

O ju male qysh duroni, o male!

Kur me bore  u mbuloni

Zile e këmborë  s'dëgjoni

Zjarre në  stane s' shikoni

O male!

Kënga i referohet periudhës së  dimrit, kur stanarët me bagëtitë  e tyre zbrisnin në  vërri dhe malet mbeteshin shkretë. Kurse tani ato vënde të bekuara,  ato male, ai vënd...përjeton dimrin e vetmisë  së  madhe, braktisjen ...Por rrënjët  jane  atje..Atje koha ka ndalur dhe është kondesuar në  mall,  nostalgji dhe kujtesë...!