Ka një krim që nuk bëhet me thikë, as me zjarr, por me “përmirësime”, me zbukurime të kota dhe me një dashuri të rreme për traditën. Është krimi i bastardimit kulturor. Dhe viktima e tij, sot, është kënga jonë polifonike, fyelli, veshja popullore – vetë kujtesa shpirtërore e këtij vendi. Kënga polifonike shqiptare, ajo me iso, labe, shumëzërëshe, fosforiane, vënçe e me të gjitha degëzimet e saj autentike, nuk ka lindur për skena artificiale, as për konkurse ku fiton ai që bën më shumë zhurmë. Ajo ka lindur nga dheu, nga dhimbja, nga gëzimi kolektiv, nga nevoja njerëzore për t’u shprehur në harmoni me tjetrin. Polifonia nuk është spektakël – është rit. Sot, mbi këtë rit po bëhen ndërhyrje që nuk janë as evolucion, as pasurim, por thjesht deformim. Shtohen zëra që nuk i përkasin strukturës së saj, prishen raportet mes marrësit, kthyesit dhe iso-s, ndërhyhet në frymën e këngës për ta bërë “më moderne”, më të shitshme, më të pranueshme për skenat televizive.Shumë herë marrësit e këngës janë kthyer në rolin e aktorit që,si e si të nxjerin në pah egon e autorit të tekstit . Por në këtë proces, kënga humbet atë që e bëri pasuri botërore: origjinalitetin. Nuk është rastësi që kënga polifonike është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Por kjo mbrojtje nuk është e përjetshme. Ajo kushtëzohet nga ruajtja e formës autentike. Nëse ne vetë vazhdojmë ta tjetërsojmë, ta bastardojmë dhe ta shesim si diçka që nuk është, rrezikojmë që një ditë ta humbasim këtë status – jo sepse na e mori bota, por sepse e shkatërruam vetë. E njëjta dhunë i bëhet fyellit. Fyelli nuk është thjesht një instrument, por një zë i lashtë, i drejtpërdrejtë, i zhveshur nga tepricat. Kur i shtohen pjesë të tjera, kur modifikohet për të “pasuruar tingullin”, në të vërtetë i hiqet shpirti. Melodia e fyellit nuk ka nevojë për proteza. Ajo jeton në thjeshtësinë e saj. Çdo shtesë artificiale është një largim nga origjina. Pastaj vjen veshja popullore. Ajo që dikur ishte kod, simbol, identitet krahinor dhe shpirtëror, sot shpesh trajtohet si kostum ***** karnavalesh. Vishen sipas qejfit, sipas shijes personale, sipas logjikës së “patriotizmit të shpejtë”. Shqiponja, simbol i shenjtë, vendoset kudo: në brez, në gjoks, në këpucë, madje edhe atje ku tradita kurrë nuk e ka lejuar. Kur dihet qartë se shqiponja vihet vetëm në krye, sepse ajo përfaqëson lartësinë, udhëheqjen, shikimin përtej. Kjo nuk është dashuri për kombin. Është keqpërdorim simbolesh. Dhe më e rënda: e gjithë kjo pasuri shpesh përdoret për epshe politike. Folklori bëhet dekor fushatash, kënga bëhet sfond propagande, veshja bëhet mjet identifikimi partiak. Vlerat folklorike nuk respektohen për atë që janë, por shfrytëzohen për interesa të çastit. Kur politika hyn në trashëgimi pa respekt, ajo nuk e promovon – e konsumon. Trashëgimia kulturore nuk ka nevojë për shpëtimtarë zhurmëmëdhenj. Ka nevojë për ruajtës të heshtur, për njerëz që e njohin, e ndiejnë dhe e transmetojnë me përulësi. Sepse tradita nuk është pronë personale, as skenografi patriotike. Është amanet.Po te shikosh nëpër festivale folklorike nëpër juri, janë ata që kanë qënë para 50 vjetësh ,që kontrollonin koncertet qeveritare totalitare dhe që nuk e njohin fare këngën polifonike, labe. Dhe amaneti, kur tradhtohet, nuk fal!