loader
Loading...
DAMO LABA
2 javë më parë

DAMO LABA

Kur përmëndim sot emrin Kurvelesh, kemi parasysh 15 fshatrat  që përbëjnë këtë Krahinë. Të gjithë fshatrat, shtrihen në  hapsirën qiellore dhe duken se janë ulur në prehër të maleve. Këta male te sertë, që  janë  aleatë të përjetshëm, në të mirë e në të keq! Historia e kësaj krahine dëshmon për shumë ngjarje të rëndësishme duke u vënë përballë rrebesheve të kohës. Por, Kurveleshi ka qëndruar, me dinjitet. Pa e mekur vështrimin, pa e thyer gjurin. Kurveleshi, si gjithë Labëria, ka pësuar mbi kurriz goditje të mëdha tronditëse, djegje, shkatërrime nga të gjitha pushtimet. Por më mizoret kanë qënë ato të vitit. 1913- 1914, ku andartët grekë, me urë zjarri në dorë, dogjën Kurveleshin. E megjithate Lebërit nuk u përkulën. Në udhëtimin e tij  Çajld Haroldi, shkroi: “ Të rreptë bijtë e Shqipes!” Vetitë nuk u mungojnë, por, të ishin më të arrira. Kush e duron si ata mundimin e luftës!? Shkëmbijtë e tyre s’janë më të patundur se ata, në rast rreziku dhe nevoje! Ç’armiq për vdekje, por sa miq besnikë! Kur besa, a nderi i thërret të derdhin gjakun, si trima turren ku i thërret i pari i tyre. Heronjtë dhe trimëritë e tyre  s’kanë  të  sosur. Le të ndalemi  tek njëri  prej tyre, Damua!

Damo Laba, i biri Labës e Fatimes, i datlindjes  1895, lindur në  Progonat të Kurveleshit në një familje tejet të  varfër, ku mungonte edhe brumi në magje, por i mbrujtur dhe frymëzuar nga  tradita të  larta patriotike. Damua  ishte pjesmarrës në luftën e vitit 1914,  kundër andartëve grekë. Ai krijoi një  urrejtje të pa kufishme kundër pushtuesve  dhe ai e dinte mirë  se pa shporrur ata, në vënd nuk do të  kishte qetsi. Në vitin 1920 ai, j’u bashkua qindra luftëtarëve  pjesmarrës me armë  në  dorë  në luftën e  Vlorës. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në  Revolucionin e 24,  kundër  Ahmet Zogut. Vetë prefekti i  Kurveleshit në  atë  kohë, Tahir Kolgjini vuri në dispozicion 500 franga ari, për kokën e  e Mustafa Matohitit, por ai nuk pranoi dhe shkoi tek Mustafai dhe i tha: - Bëj kujdes se koka jote paguhet me flori dhe preku grykën e dyfekut. Këta ishin atdhetarët, që  kur bëhej  fjalë  për Atdheun, pavarësisht përkatësive ata bëhen bashkë. Atdheu është  një  dhe të  gjithë i detyrohemi me jetë. Më  vonë  mori pjesë në  batalionin “Themelko” me komandant Bedri Spahiun dhe me një  sulm të  befasishëm shkatërruan një  autokolonë  gjermane ku i shkaktuan dëme të shumta në  njerëz dhe armatime. Ai u inkuadrua ne batalionin e ndjekjes dhe mori pjesë  në çetën e Muharrem Rushitit, por kur ktheheshin nga Salaria në vëndin e quajtur “Qafa e Kreshës” ranë në pritë, në duart e pushtueseve fashistë italianë, mirëpo, Damua dinte Italisht dhe u foli në gjuhën e tyre. Ai me zgjuarsi, përdori dredhitë e tij dhe e shpëtoi  çetën nga duart e pushtueseve. Por Damua nuk ndalej, ai me murtajën e tij gjatë luftimeve në  Hormovë  bëri  kërdinë mbi gjermanët të cilët kishin pushtuar atë  zonë. Ja c’farë thonë  edhe vargjet e një kënge, e trasmentuar gojë me gojë  nëpër  breza deri në  ditët e sotme;

Kjo Hormova, gërxhe, pllaja,

Qëlllon Damua me murtaja,

Gjermanët bëri bëzhdaja, 

Gjermanët mbrapa ç’ju vunë, 

Damon dot nuk e zunë, 

Nga këmbët ishte furtunë,

Mortaja ç’u hapi punë

Së fundëmi Damua ka marrë pjesë  në  luftimet me çetat teritoriale deri në çlirimin e vëndit. E megjithatë, e  gjithë  kjo narrativë e tij do të  përfundonte jo ashtu si e mendonte Labua  edhe pse ai, e bëri luftën e tij. Nga martesa me Pero Shupo Qëndro shumë  gurë e driza, ja penguan udhën. Aty në  këtë  tokë, ku kërleshen revolta, bindja, urrejtja dhe dashuria. Kështu e kaloi jetën Labua me net pa gjumë, e ëndrën që su pa. Njeriu zhgënjehet, kur shprehet menjëherë, pa u menduar  dhe kur beson shumë. Por Labua i besoi verbërisht asaj për të  cilën kishte luftuar, ndaj  nuk kishte nevojë  për mëshirë. Ai e ndërtoi jetën e tij, aty ku mes klasave të dikurshme u krijua një lumë urrejtjeje. Kjo urrejtje, që kthehej jo në dashuri, por në lëndim. Qëndrimi i pushtetit të ri ndaj  tij, do t’ja  linte në  heshtje bëmat e tij. Por, historia nuk fshihet. Kalvari i vuajtjeve një  ditë do të  merrte fund. Damo Lab Kuca me dosjen nr.353, me vendim nr.28, dt . 09 . 02 . 1996, është  shpallur veteran i Luftës. Një shpërblim i vonuar, por i merituar. Vetë, Damua nuk ja mbriti, por e ndjen, aty ku na kundron, në  hapsirën qiellore,  sepse jeta kur hesht gjithmonë  flet për ata që  dëgjojnë. Jeta është  si një  copë  letre, që  nëse rrudhoset, kurrë nuk mund të kthehet si’ç  ishte  në  fillim  veç, bëmat ngelen! Ndaj Laba jeton!