Sapo kishte kaluar mesi i shekullit
të tetëmbëdhjetë. Varfëria mbretëronte kudo në trojet arbërore. Rritja e
taksave ishte shndërruar në një litar që shtrëngohej çdo ditë rreth qafës së
banorëve nën sundimin e Perandorisë Osmane. Fshatarët, që mezi mbanin gjallë
familjet me bukë misri dhe lakra të egra, detyroheshin të paguanin taksën mbi
prodhimin, haraçin për tokën, detyrime të jashtëzakonshme në kohë krizash, si
edhe barrë shtesë nëse ishin të krishterë. Detyrimet shtoheshin pa mëshirë,
ndërsa sofrat varfëroheshin gjithnjë e më shumë. Taksat e rënda jo vetëm që
hapnin plagë të reja në jetën e popullit, por shpesh çonin edhe në përplasje të
armatosura. Sa mbyllej një kryengritje në një krahinë të Labërisë, shpërthente
një tjetër diku më tej. Kapedanët e atyre kohëve qëndronin në ballë të këtyre
përballjeve, të gatshëm të jepnin jetën për të mbrojtur nderin e tokës së tyre.
Lumi i Vlorës ishte kthyer në një problem të madh për administratën tatimore
osmane. Taksidarët ktheheshin duarbosh nga këto anë. Refuzimi ishte i hapur dhe
qëndresa ishte më se e vendosur. Do t’i shtypim me forcë, kishte deklaruar
mytesarifi i sanxhakut të Vlorës. Nëse nuk paguajnë detyrimet, do ta mallkojnë
veten, - kishte shtuar ky pasha i pashpirt. Nuk vonoi dhe ekspedita ndëshkimore
që shoqëronte taksidarin u nis drejt Lumit të Vlorës. U nisën pa lindur dielli,
por me shqetësimin se po hynin në një zonë të rrezikshme, ku pushka dhe
jatagani nuk e njihnin frikën. Taksidari ishte një burrë hijerëndë, i veshur me
pallto të gjatë e të errët që i zbriste poshtë gjunjëve. Në brez mbante një
rrip të gjerë ku fshihte letra, vula dhe ndonjë armë të vogël. Në dorë mbante
gjithmonë bastunin e tij, si shenjë pushteti dhe frike. Ai vendosi ta fillonte
nga Tërbaçi, fshati më problem për rebelizmin e tij kundër taksave. Taborri
arriti në këmbët e kodrës që të çon në Tërbaç, aty ku mali dhe lugina e
Shushicës bëhen njësh. Sapo zbriti nga kali, iu afrua burrit të parë që i doli
përpara, Skëndo Stratit, një burrë shtatlartë me fytyrë të rreptë. Taksidari
kërkoi ujë dhe Skëndua, sipas zakonit të vendit, i solli një bucelë me ujë të
freskët. Ndërsa taksidari rrëkëllinte ujin e ftohtë, e pyeti Skëndon pse
tërbaçiotët nuk paguanin taksat që i takonin Perandorisë. Sapo dëgjoi këto
fjalë, fytyra e Skëndos u ngrys si një ditë dimri. Nuk e la të sapoardhurin të
vazhdonte më tej. Nëse keni ardhur për taksat, aga, më mirë kthehuni andej nga
keni ardhur dhe pa humbur kohë. Refuzimi ishte i hapur. Autoriteti i
Perandorisë u ndje i sfiduar. I fyer dhe i pushtuar nga zemërimi, taksidari dha
shenjë me dorë. Një rojë i fshehur pas shkurreve ngriti armën dhe mori shenjë.
Krisma çau ajrin dhe jehona mbërriti në honet që të çonin deri në majën e malit
të Çikës. Skëndua u rrëzua për tokë. Një rrëke gjaku vaditi dheun e thatë. U
përpoq të ngrihej, por trupi nuk iu bind dhe mbylli sytë përgjithmonë. Këtyre
arnautëve të paudhë as plumbi nuk ua merr jetën, -murmuriti taksidari me mllef,
ndërsa u hodh me nxitim mbi kalë. Shpejt! -të largohemi. Mësimin ua dhamë. Të
tjerët do ta kuptojnë se me perandorinë nuk bëhet shaka- th taksidari
nxitimthi. Lajmi i gjëmës mbërriti në çdo shtëpi të Tërbaçit. U mblodhën të
mëdhenj e të vegjël dhe e përcollën Skëndon me vajtime e ligje për në banesën e
fundit. Asaj që nuk iu thanë asnjëherë lotët ishte motra e tij e vetme, Miro
Kostë Stratit, apo siç e thërrisnin bashkëfshatarët, Mirua e Tërbaçe. Për Miron
kjo ishte drama e radhës. Të atin e kishte humbur si nizam në shkretëtirat e
largëta të Arabisë dhe sot po humbiste edhe vëllanë e vetëm. Motër e vëlla
ishin rritur jetimë, duke u mbështetur te njëri-tjetri si dy degë të së njëjtës
rrënjë. Për Miron, vdekja e Skëndos nuk ishte thjesht humbja e vëllait, por
rrëzimi i shtyllës që e kishte mbajtur atë gjithë jetën në këmbë. Ditën e
varrimit, mes vajit e dhimbjes, Mirua u betua pa zë. Megjithëse grua, ajo
vendosi të merrte hakun për të vëllanë dhe për të gjithë ata që ishin ndëshkuar
për rebelizmin kundër pushtuesve. Hidhërimi i saj u kthye në një urrejtje të
papërmbajtshme që nuk do të ndalej derisa gjaku të paguhej me gjak. Që nga ai
çast, Miro Tërbaçja hipi mbi krahët e legjendës. Nuk priti gjatë. Të nesërmen u
vesh si burrë, mblodhi flokët dhe i futi thellë poshtë qylafit. Mori pisqollën
e jataganin, shaloi kalin e bardhë dhe u nis drejt Vlorës. Djemtë e Tërbaçit
nuk e lanë vetëm por u bënë krahë për të. Gjëja e parë që bëri në Vlorë ishte
të shkonte te berberi për të prerë flokët. Dhe rapsodi gdhendi vargje që nuk do
të harrohen:
O berber, more vëlla,
Një hall kam, Mirua tha,
Dua flokët të m’i presësh,
Porsi djalë të më krehësh…
Sanxhaku i Vlorës në ato vite
përfshinte jo vetëm qytetin me portin e tij, por edhe krahinën e Lumit të
Vlorës, Kurveleshin, Himarën, një pjesë të Mallakastrës dhe fshatrat e gjithë
Labërisë. Sado i mbrojtur të ndihej nga garnizonet që kishte nën hyqmë,
sanxhaktari e dinte mirë se mjaftonte një plumb në një rrugicë të errët për t’i
marrë jetën. Një parandjenjë e rëndë e brente: tërbaçiotët nuk do t’ia falnin
gjakun e derdhur. I tronditur, vendosi të largohej fshehurazi drejt
Mallakastrës e të qëndronte aty deri sa zëmërimi i lebërve të fshitej. Të
gjitha përpjekjet e Miros dhe djemve të Tërbaçit për ta gjetur në Vlorë
dështuan. Por intuita e gruas rrallë tradhton. Mirua u nis drejt sarajeve në
Mallakastër. Porta e rëndë qëndronte e mbyllur dhe rojet kontrollonin çdo hyrje
e dalje. Mirua shkoi drejt e në portë dhe u tha rojave se kishte një ferman
urgjent, që duhej t’ia dorëzonte mytesarifit në dorë. Rojet e besuan dhe e
njoftuan sanxhaktarin. Ai doli rëndë-rëndë në shkallët e sarajeve. Mirua u
ndodhën ballë për ballë me të. Ishte çasti i duhur. Mirua nxori pisqollën.
Plumbi i parë është për tim vëlla që e vratë pabesisht. I dyti për tim atë që
vdiq djalë i ri shkretëtirave të Arabisë. Dy krisma u dëgjuan dhe pashai
hijerëndë u rrëzua për tokë. Betimi u përmbush dhe populli prapë këndoi:
Koburet i nxjerr nga brezi,
Dhe Pashait seç ia ndezi,
Një në zemër, një në kokë,
Të vdekur e la për tokë.
Mirua e përmbushi betimin e saj dhe u ndje e lehtësuar. Hipi si rrufe mbi kalë dhe u kthye si shqiponjë andej nga kishte ardhur. E ndoqën, por nuk arritën ta kapnin. Legjenda thotë se ajo e mbylli jetën te dajot e saj në Dhëmblan të Tepelenës. Që nga ajo kohë, Mirua e Tërbaçes u kthye në një frymë që endet mbi malet e Labërisë. Populli e shndërroi atë në legjendë, dhe legjendat kanë privilegjin të mos vdesin kurrë.