Në udhëtimin e gjatë të këngës labe, aty ku fjala bëhet gur dhe zëri kthehet në histori, qëndron me dinjitet e thjeshtësi figura e Piro Latifit. Një emër që nuk kërkoi kurrë bujë, por la pas një mal këngësh; një artist që nuk foli për veten, por foli për popullin, për nënën, për mallin, për jetën dhe për atdheun. Piro Latifi lindi më 10 maj 1961, në Babicë të Vlorës, nga dy prindër të ndershëm e punëtorë, nëna Pashako dhe babai Zyro, me origjinë nga Hekali i Mallakastrës. Që në lindje, ai mbarti në gjak dy krahina me peshë të madhe kulturore, Labërinë dhe Mallakastrën, duke u bërë kështu një urë shpirtërore mes tyre. Në këtë truall të ashpër e fisnik, ku fjala ruhet si amanet dhe kënga këndohet si lutje, u farkëtua karakteri dhe zëri i tij. Që në moshën 15-vjeçare, Piro Latifi nisi rrugëtimin artistik, jo si një zgjedhje e rastësishme, por si një thirrje e brendshme. Kënga për të nuk ishte zbukurim, por domosdoshmëri. Me shkollë të mesme, por me një universitet shpirtëror të ngritur nga tradita, ai arriti të krijojë një profil të veçantë artistik, ku thjeshtësia u bë forcë dhe origjinaliteti u kthye në identitet. Në vitin 1999, themeloi grupin polifonik “Ylberi”, një emër simbolik, sepse ashtu si ylberi bashkon ngjyra të ndryshme, edhe Piro Latifi bashkoi zëra, shpirtra dhe ndjenja në një harmoni të rrallë. Me këtë grup dhe me ansamblin “Bilbili”, ai interpretoi dhjetëra këngë, ku pjesa më e madhe e teksteve mban vulën e tij autoriale. Fjala e tij është e drejtpërdrejtë, e ndershme, e dalë nga jeta reale, nga dhimbja dhe dashuria njerëzore. Këngë si “Nënë o nënë xhani”, “Në gjirin tënd do kthehem”, “Aman moj mike aman”, “Do këndoj një këngë, moj t’u falë xhani”, “Mjerë ju o njerëz”, “Mikja ime”, “Jeta është e shkurtër, eja more eja”, “Kuqezi mbuluar”, “Mallakastra ime”, “Kalaja me histori moj kala, moj Vlora me histori moj kala”, e shumë të tjera, janë dëshmi e një shpirti që di të qajë dhe të këndojë njëkohësisht. Në to gjen nënën si ikonë, atdheun si plagë e krenari, dashurinë si mall dhe jetën si amanet. Në Festivalin e Bejkës në Pilur, ai u nderua me çmimin “Dhimitër Varfi” si këngëtari më i mirë, një vlerësim që erdhi natyrshëm, sepse zëri i tij nuk imiton, por buron. Ai këndon siç flet mali, siç fryn era në Labëri, siç qan e qesh shpirti i këtij vendi. Piro Latifi është edhe poet. Libri i tij me poezi “Lundroj mbi valë” është një vazhdimësi e këngës së tij, një dëshmi se fjala e shkruar dhe fjala e kënduar tek ai janë dy anë të së njëjtës ndjenjë. Poezia e tij nuk kërkon stoli, por sinqeritet. E veçanta e këtij këngëtari brilant është se ai ka qenë gjithmonë vetvetja. Nuk u përpoq të ishte tjetër, nuk u përkul para modës, nuk e tradhtoi këngën labe. Ai krijoi portretin e tij artistik me ndershmëri, duke lënë gjurmë të pastra në çdo interpretim. Fatkeqësisht, Piro Latifi mbetet një artist shumë pak i vlerësuar nga institucionet shtetërore dhe vendore. Por kënga nuk matet me dekorata, matet me kujtesë. Dhe në kujtesën e popullit, ai ka zënë vendin e vet. Piro Latifi është një bilbil i lindur për të kënduar. Një bilbil që nuk këndon për vete, por për të gjithë ne. Dhe sa kohë këngët e tij do të këndohen, ai do të jetë i pranishëm, si zë, si kujtim, si mal këngësh në zemrën