Faleminderit pafund artistit Agur
Toska për realizimin e kësaj elegjie. Inspirimi për krijimin e këtyre vargjeve
vjen nga historia që nëna më tregonte shpesh plot dhimbje dhe mall për dy
djemtë e mitur që vdiqën brenda një dite. Në vitet 40, në malet e Labërisë,
nëna dhe babai im u bashkuan. Lajmësi e dinte mirë që ata kishin ngjashmëri të
mëdha, në tipare dhe karakter. Për koiçidencë edhe mbiemri i tyre ishte
identik. Madje veç të tjerave ata kishin edhe të njëjtën fatkeqësi - secilit i
kishte vdekur bashkëshorti i parë dhe secili mbante në duar nga një djalë të
vogël, kujtim i gjallë i një udhe të ndërprerë në mes. Martesa e tyre nuk ishte
vetëm bashkim zemrash, por edhe rindërtimi i jetës nën trysninë e shkatërrimit
të luftës dhe terrenit të ashpër malor me dimra të gjatë e të egër. Të dy
djemtë ishin nga dy vjeç kur prindrit e tyre u bashkuan dhe po rriteshin pranë
njëri-tjetrit, nën çatinë e shtëpisë prej guri në malin e Çipinit, mbi
Mesaplik. Mes tingujve të natyrës në Dederonjë. Por fati i keq, që shpesh në
ato vite nuk kursehej, goditi sërish. Pas tre vjetësh, brenda një dite, brenda
një ore, të dy djemtë u shuan papritur. Si dy qirinj që fiken nga e njëjta
frymë. Dhimbja ishte tepër e madhe. Gjithashtu edhe përkrahja e ngushëllimi
prej komunitetit ishte i pakrahasueshëm. Kur arsyeja nuk mjafton për ta
shpjeguar situatën, pason një heshtje e rëndë misteri. Atë ditë, në shtëpinë e
tyre kishte hyrë një grua që në zonë i druheshin për “syrin e keq”. Bestytnia e
“syrit të keq” ka qenë prej shekujsh fenomen i njohur kulturor dhe psikologjik
i trashëguar në zonë. Por e vërteta mbeti e pazbuluar. Ishin vite të vështira.
Vdekshmëria foshnjore dhe e të miturve ishte e lartë në atë kohë. Toka mbante
ende gjurmë materialesh të kontaminuara nga lufta, barëra të egra helmuese,
ujëra të pasigurta. Një pickim i padukshëm nga një gjarpër helmues mjaftonte
për të marrë një jetë të brishtë në çast. Historia e tyre mbeti si një rrëfim i
trishtë dhe enigmatik i kohëve kur jeta varej nga fije të padukshme, dhe kur
njeriu, përballë të panjohurës, lëkundej mes besimit, frikës dhe realitetit të
ashpër të natyrës.
Dy djem gjithë lezete
Zerdeli e Jahe
Prurë edhe gjete
Rritur asaj Gllave
Shikon Dederonja
Lisatë me hije
Ku flenë shqiponjat
Pas nënës dy yje
Njëri s’thoshte babë
Tjetri nuk thosh’ nënë
U vunë në një krah
Krahu që kish rënë
Shikon Dederonja
Dhe lisat me hije
Ku flenë shqiponjat
Ndriçojnë dy yje
Te burimi Sqevës
I merrje për dore
Tek gryk e bucelës
Pinin ujë bore
Një e premte zezë
Me fëmijët ç’pati
Ikën sikur sqenë
Brënda një sahati
Babai lis i gjatë
Mbi të gjithë lisat
Jetim i pa fat
Në
zemër dy shtiza
Ҫ’patët o bonjakë
Ligjëron një nënë
Keni për ta thënë
Kur të jemi bashkë