loader
Loading...
GËZUAR DITËN E VERËS !
4 muaj më parë

GËZUAR DITËN E VERËS !

Është një festë pagane, që nga thellësia e shekujve.Kjo festë përkon me 1 Marsin, fillimin e pranverës me kalendarin e vjetër, julian, kurse me atë Gregorian në 14 Mars, (Një marsi allaturka). Është një festë pagane që është festuar që në lashtësi para krishtërimit dhe ngeli e tillë deri në ditët tona. Elbasani dhe Gjirokastra janë dy qytetet ku është ruajtur më mirë kjo festë pagane.Thuhet se Zana është hyjnesha e kësaj feste, ( Diana) për romakët. Ajo përfaqëson dritën ose shkëlqimin ndaj errësirës. Në lashtësi dimri konsiderohej si errësira, kurse pranvera quhej dita, duke u bazuar në ekuinoksin dhe lëvizjen e planetit Mars. Kjo ditë quhet edhe dita e luleve, por përfaqëson edhe bukurinë dhe pjellorinë femërore. Në këtë ditë këndohej:

"Moj zonjë e uruar,/ flë, apo je zgjuar?,/ Hidhi llozin derës,/ se erdh' dita e verës./ Ngreu nuse hap qilarë,/ të gostish këta beqarë"./

Në këtë ditë njerëzit dhe sidomos fëmijët vendosin në dorë, dhe gushë, ( fëmijët), "verore" me penj të bardhë dhe të kuq. Veroret hiqeshin në ditën e Novruzit ( pranverës) në datën 12 mars, (24 alla turka). Ato vareshin në degën e thanës, që fëmija të bëhej i fortë si thana, por ishte edhe pema që çelte e para lule. Ditën që vinin dallandyshet, veroret i i merrnin zogjtë (dallandyshet), dhe thurnin foletë e tyre, andaj dhe u këndonin:

Dallandyshe, dallandyshe,

Na kët' verore të kuqe:

Të ma shpiesh anës detit,

Të mi sjellç bukë shëndetit...

Jo më kot zgjidhej dallandyshja, e cila shtegëton dhe përcjell mesazhin e pranverës në çdo kënd të planetit tonë Tokë.

Ditën e verës ishte zakon të zbukurohej shtëpia me degë që lulëzojnë së pari, si thana dhe kumbulla. Zakon ishte edhe i të shiturit të të "ligave" shoqi--shoqit. Ato mund të liheshin edhe mbi një krua, ku thuheshin:

"Mirmëngjes, o krua!/ lashë të ligat, mora të mirat/...(ndizeshin edhe zjarre.)

Në Zhulat këto festa pagane ishin shumë të theksuara. Në vendin e quajtur "shpella e Gjoke", në Hon, sipas Nexhip Albanit (Pulës), tek "dera e bardhë", (një si portë në mes të shkëmbit), thuhej se hynin dhe dilnin natën zanat. Festat vazhdonin me 25 Marsin që me ardhjen e krishtërimit u quajt Vangjelizmo, dhe myslimanët e quajnë Novruz, që persisht do të thotë Pranverë. Kur lindte vajzë këtë ditë asaj i vendosnin emrin, Sulltana, po të lindte djalë ai quhej Novruz. Fëmijët dilnin me këmborë në duar dhe i tundin për të trembur të këqiat. Kopetë vinin nga kullotat dimërore dhe këputeshin edhe qëngjat. Fëmijët këndonin:

Ikni gjërpinj, ikni shtërpinj,

Ikni shtaza dhe ju minj,

Se vjen Marsi u përpin,

T'u hedhë në përrua,

Tu hajë qen edhe langua....

Çdo festë pagane në Zhulat shoqërohej nga këngë, duke filluar që në ditën e parë të vitit në 1 Janar, ku këndohej kënga duke shkrepur urat me mashan në oxhak (buhar), dhe këndohej:

Çikë , çikë, në dërrasë,

Mos më diq se të kam vashë!

Çikë, çikë në konjill,

Mos më diq se të kam bir!

Xhi, xhi, kokoshi,

Sa çika në çati,

Aqë dhën e e aqë dhi,

Aqë pela në shtëpi!

Por këngët vazhdonin edhe me të mbjellat:

Ç'bën ashtu moj nëno?

Po bëj hazër farën-o

Nesër mbjellim arën-o.

Kur të ngriheç që me natë,

Ormisu mos ktheheç prapë,

Në prak hidh këmën e djathtë,

Të mos kesh asnjë merakë.

Kur të hedhç' koqen e parë,

Thuaj të na vejë marë,

Të të rritet gjith për farë.

Hidh farën në tenxhere'

Kok e rrënj me kallame,

Si në Vurg në Mizeqe,

Kallëzat me di e tre!..

Por kishte raste që i këndohej edhe motit, (kohës), që të bënte imirë që të bëheshin të mbjellat:

Frij moj jugë, frij moj erë,

Me ngadalë, jo me terrë,

Të dalin retë këtej,

Të na bjerë shi në verë,

Shi i butë e me karar,

Tri në Prill, e tri në Maj,

Në Gusht e në Allonar,

Të bënet misër e bar,

Zahire për gjë të gjallë,

Grur e thekër, plot hamarë,

Të na dali zi e parë,

Të na metet dhe për farë...

Krahas këngëve për të mbjellat u këndohej edhe muajve në veçanti:

Në jenar, -- jepu dhënve bar!

Ugari i jenarit-- vlaga e beharit!

Në shkurt-- mat dheun me kut!

Në mars-- bujku vë maras,

Në prill--zë puna fill!

Në maj-- bën kosa vaj (ose zëje-- t'ja mbaj)

Në qershor-- merr drapër e korr!

Në korrik-- ruhu mos u digj!

Kur e ka bujku ajamnë?

Gushtin dhe vjeshtën e parë.

Në vjeshtën e parë,

Hiq e piq palcarë. * ( misra)

Në vjeshtën e mesme,

Hamarin ngjeshe.

Në vjeshtën e pasme,

Buzagaze.

Dimëdhjetë shënëndre,

Luan si zogu në ve...

Por vitit (motit), i këndohej dhe kështu:

Lisi me dimëdhjetë dega,

Gjasht të buta, gjasht të egra,

Behari për fukaranë,

Gjithë viti është i marë,

Për bejler, e agallarë.

Shën- Mitri vjen i zi

Bubullin, me erë e shi,

Pa do vjelëm dhe kalli!.

Shën- Ndreu edhe më keq,

Seç i ropi qetë pleq.

Janari me borë e shi,

Rrjep gomarët në avlli.

Shkurti shkurton urët,

Marsi ngreh lëkurët,

Prilli mush çoturët,

Maji mbulon gurët,

Vjen qershori me qershi,

Allonarit drapëri,

Gushtinë me sëkëlldi,

Thahemi për pikë shi,

Vjeshta rrush e fiq të zi,...

Por muajve u thoshin edhe me shprehje të tilla si:

Janari-- rrjep gomarët;

Shkurti-- shkurton urët;

Marsi-- ngreh lëkurët;

Prilli-- mbush çoturët;

Maji-- mbulon gurët;

Në Allonar --

Kërcen keci si drëri në mal;

Gusht-- e gunë, etj....etj.

Por pranvera kishte edhe gjithë lulet që çelnin, edhe luleve të ndryshme u këndohej:

O lule, lule sa ini,

Të parën lule kë kini?

Ne të par' kemi kaçen,

Të dYtën manushaqen,

Të tretë, trëndafil--enë.

Manushaqe me kimet,

Prite borën, se u tret,

Pastaj dole për mbi dhet.

U mundova ti hedh këto këngë e shprehje në gjuhën tonë autoktone të Zhulatit dhe Labërisë. Shumica e këtyre mbajnë "vulën" e Zhulatit nga ku janë mbledhur. Edhe njëherë :Gëzuar ditën e verës dhe për shum mote!