Era e detit vinte e lagur, me aromën e kripës dhe të barotit
të vjetër, duke përshkuar çdo cep të Nivicës. Një fëmijë ecte i vetëm, nëpër
rrugicat e shtruara me gurë të lagur nga shiu i rënë, pushka mbi shpatull, më e
gjatë se trupi. Syri i tij i vogël, por plot vendosmëri, përshkonte horizontin
ku dritat e shpërthyera të granatave dhe tymi i betejës së fundit, ishin ende
të freskëta në kujtesën e fshatit. Nuk e njihte ende frikën si gjithë të
tjerët. Për të, çdo krismë, çdo shpërthim, ishte ritëm, muzikë që formonte
shpirtin dhe karakterin e një njeriu, i cili nuk do të dorëzohej. Në këtë
mjedis, filloi të kuptojë se liria nuk është dhuratë, por betejë e përditshme,
se nderi nuk është vetëm fjalë, por rrugë e gjatë e mbushur me sakrifica. Pa e
ditur, po ndërtonte themelet e një legjende, që do të përballonte jo vetëm
armikun jashtë, por edhe ato më të rrezikshmet brenda, tradhëtinë, intrigën dhe
padrejtësinë që mund të shkatërronin shpirtin e një njeriu. Jetë që nuk pranoi
të bëhej hije. Nuk ka jetë, që të matet vetëm me vitet e saj. Ka jetë që
peshohen me ngarkesën e idealeve, me plagët e heshtura, me krenarinë përballë
padrejtësisë dhe me dashurinë që lë pas. Ka jetë, që nuk mbyllen me një datë
lindjeje dhe një datë largimi. Ka jetë që vazhdojnë të rrahin si zemër
kolektive edhe kur trupi është shuar. Jeta e Xhafer Matukës është nga ato, që
nuk pranojnë të heshtin. Kërkon fjalë, kërkon kujtesë. Është jetë e ngarkuar me
histori, me luftë, me sakrifica familjare dhe me karakter, që nuk u përkul, as
kur furtuna vinte nga pas shpine. Ky shkrim, nuk është thjeshtë biografi e
zgjeruar. Është përpjekje për ta rikthyer Xhafer Matukën në këmbë, të plotë, me
dritë dhe hije, me uniformë dhe libër, me dashuri dhe dhimbje, ashtu siç ishte
në të vërtetë, njeri i madh në një kohë të vështirë. Xhafer Matuka mbetet i
gjallë në faqet e kohës, ashtu siç ishte. Partizan, fëmijë, ushtarak i lartë e
strateg, shkrimtar i ndjeshëm, baba i përkushtuar dhe njeri që besonte se
Shqipëria mund të bëhej më e mirë. Jeta e tij, nuk është vijë e drejtë suksesi.
Është rrugë me kthesa të forta, me plagë të padukshme, me beteja të fituara në
heshtje dhe humbje, që nuk u pranuan publikisht. Është historia e një burri, që
i shërbeu shtetit me uniformë dhe kombit me fjalë, por që u la shpesh vetëm nga
të dy. Nuk kërkojmë ta shenjtërojmë Xhafer Matukën. Por diçka më të vështirë.
Të tregojmë ashtu siç ishte. Të fortë, pa zhurmë. Të drejtë. Të ndershëm pa
shpërblim. Historia zakonisht shkruhet nga fituesit, por kuptimi i saj ruhet
nga ata, që nuk pranuan të keqpërdoren. Xhafer Matuka i përket këtij grupi
fisnikësh. Njerëz që jetuan brenda sistemeve të forta, por nuk e dorëzuan
asnjëherë thelbin e tyre moral.Këto rradhë janë përpjekje për të kuptuar, se si
një njeri mund të mbetet i drejtë në kohë të shtrembëra, si mund të mbajë
uniformë pa humbur ndërgjegjen dhe si mund të besojë pa u verbuar. Xhafer
Matuka nuk ishte hero i podiumeve, por i përditshmërisë së heshtur, i vendimeve
të vogla që nuk shihen, por që ndërtojnë boshtin e një shoqërie. Nivica djepi i
karakterit. Xhafer Matuka lindi më 3 korrik 1927, në Nivicë të Tepelenës, fshat
që i ngjan një fortese natyrore dhe shpirtërore. Nivica nuk lind njerëz të
zakonshëm. Rrit burra të fortë, kokëulur vetëm përballë malit dhe qiellit, por
kurrë përballë padrejtësisë. Rrit burra që dinë të durojnë, të flasin pak dhe
të mbajnë peshë të madhe mbi supe. Nivica e Tepelenës, nuk është vetëm një pikë
në hartë, por edhe gjendje shpirtërore. Vend ku burrëria nuk shpallet, por
provohet. Ku fjala peshon më shumë se arma dhe heshtja vlen sa një betim.
Matuka herët mësoi se burrëria nuk është privilegj, por detyrim. Nivica i dha
rrënjë. Jeta do t’i kërkonte krahë. I biri i Rezo Matukës dhe Hanes, Xhaferi
hodhi shtat në një familje të madhe, me lidhje të forta fisnore dhe me
trashëgimi morale, që nuk blihej me pasuri. Rezo Matuka ishte njeri me prona
dhe autoritet sipas kohës, por mbi të gjitha njeri fjale. Nënë Hania mishëronte
urtësinë që mban familjet në këmbë edhe kur historia i përplas.Dashurinë për
vendlindjen nuk e la kurrë. Edhe kur jetonte larg, në akademitë e Bashkimit
Sovjetik, apo në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, Nivica mbetej busulla morale
e jetës. Në atë mjedis u formua ndjenja e përgjegjësisë dhe e drejtësisë tek
Xhaferi. Fëmijëria e ndërprerë nga
pushka Nëna e shikonte të birin që largohej, duke mbajtur në krah një armë
të madhe, e cila simbolizonte përgjegjësinë dhe rrezikun që do të vinte. Çdo
hap mbi dhe, ishte betejë me vdekjen dhe me armikun që shfaqej në çdo qoshe. Në
mendjen e Xhaferit, armiku nuk ishte figurë abstrakte. E ndiente çdo ditë, çdo
natë, duke u kujdesur, duke vëzhguar, duke marrë vendime që nuk i kishte bërë
asnjë i rritur. Një betejë brenda shpirtit të tij. Dëshira për të mbijetuar
kundrejt detyrës, ndaj idealeve që e ushqenin. Ëndërronte. Ëndërronte për paqe,
për një natë të qetë ku të mos kishte thirrje alarmi, ku të mos kishte plumba
dhe shpërthime. Por ëndrrat nuk zgjatnin shumë. Realiteti ishte i egër, i çelur
dhe i padrejtë. Më 15 korrik 1941, në moshën 14-të vjeçare, Xhafer Matuka doli
partizan. Ishte ende fëmijë, por koha nuk pyeste për moshë. Kërkonte guxim. U
bashkua me batalionin “Asim Zeneli”. Në një botë normale do të ishte ende
nxënës, me libra në çantë. Por Shqipëria e atyre viteve nuk njihte qetësi. Nga
Gjirokastra në Sarandë, nga Delvina në terrene të vështira lufte, u rrit
shpejt. Lufta nuk i mori vetëm fëmijërinë, por i farkëtoi karakterin. I mësoi
disiplinën, shoqërinë, sakrificën dhe besimin tek ideali. Lufta e bëri burrë
para kohe, por nuk ia shkatërroi ndjeshmërinë. Në vitin 1949, mori pjesë në
ngjarjet e Vidohovës, kundër forcave greke që kishin shkelur territorin
shqiptar. Aty kuptoi se konfliktet nuk përfundojnë me traktate, por me kujtesë.
Kjo përvojë do të shndërrohej më vonë në letërsi. Pushka ishte më e rëndë se
trupi , por përgjegjësia ishte më e rëndë se pushka. Hyri në luftë me bindjen,
se po bënte atë që duhej.Nga zjarri tek
rruga e akademive. Pas luftës, Xhafer Matuka, nuk u mjaftua me lavdinë e
armës. Zgjodhi dijen. Studioi dy herë në institucionet ushtarake të Bashkimit
Sovjetik. Fillimisht në Shkollën Ushtarake të Artilerisë Detare në Riga dhe më
pas në Akademinë Detare në Leningrad, qendrat më të rëndësishme ushtarake të
kohës. Në Leningrad, krahas dijes ushtarake, Xhafer Matuka u thellua edhe më
shumë në kulturë. Lexonte shumë. Luante shah jo si argëtim, por si ushtrim
strategjik. Shahu ishte për të një miniaturë e luftës, durim, llogari,
sakrificë, goditje në momentin e duhur. Sikur
të mos mjaftonin këto, kreu edhe Shkollën e Lartë për Oficerë në Tiranë. I
thelloi njohuritë dhe u plotësua në kulturë, kur përfundoi studimet në
Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ky bashkim i rrallë i
strategut me humanistin, e bëri figurë të veçantë në strukturat e ushtrisë
shqiptare. Në uniformë, Xhafer Matuka
ishte tjetër njeri. Nuk e shihte shërbimin si detyrë, por si art të jetës, një
kod moral ku përkushtimi nuk matet me orët, por me sakrifica të heshtura. Çdo
stërvitje, çdo lëvizje taktike, çdo komandë e dhënë me qetësi, tregonte
përvojën e një ushtaraku të shkolluar dhe shpirtin e një lideri. Në radhët e ushtrisë, formoi miqësi të
pathyeshme. Shokët e tij nuk ishin vetëm bashkëluftëtarë, por vëllezër të
zgjedhur dhe nuk kursente asgjë për t’i mbrojtur dhe udhëhequr. Shpesh
kujtonte, se beteja nuk përfundon kur armët heshtin, por kur nderi dhe
besnikëria ndaj shokëve mbeten të paprekura. Në Bashkimin Sovjetik pa nga afër zhvillimin, organizimin,
qytetërimin. Aty lindi krahasimi i pashmangshëm me Shqipërinë e dalë nga lufta.
Nuk mendoi se bëri disidencë, por as nuk rreshti së ëndërruari për një vend më
të zhvilluar, më të ditur, më të drejtë, jo të verbër. Ishte profil i rrallë,
strateg ushtarak dhe intelektual humanist. U vendos në një raport tërheqës,
oficer që lexonte letërsi dhe shkrimtar që kuptonte artin e luftës. Artileria bregdetare dhe Durrësi. Fati
i tij profesional, do të lidhej ngushtë me Durrësin. Nga viti 1962 deri në
1968, Xhafer Matuka shërbeu si komandant i Artilerisë Bregdetare në Durrës.
Ishte një detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Deti nuk fal gabime. Çdo
llogari, çdo pozicion, çdo bateri duhej menduar me saktësi milimetrike. Në Durrës, nuk bëri vetëm komandantin.
Ishte mësues, prind dhe shok për vartësit. Ushtarët e donin sepse ishte i
drejtë. Nuk ngrinte zërin. Nuk fyente. Nuk poshtëronte. Por as nuk toleronte
gabimet. Besonte se autoriteti fitohet me shembull, jo me frikë. Me shtat të bëshëm, gjithnjë korrekt
në uniformë, me grada dhe spaleta që i mbante me krenari, Xhafer Matuka ishte
fizik që binte në sy. Por ajo që tërhiqte më shumë vëmëndjen, ishte aftësia për
të komunikuar. Fliste bukur, qartë, bindshëm. Orator i lindur, pa teatralitet. Kolonel Lutfi Shehu, 89 vjeçar, është
njohur më Xhafer Matukën në Riga dhe punuan së bashku në repartin e famshëm
9115. Mos ma prish, më lutet Shehu. Do të më shënosh disa emra ushtarakësh të
artilerisë bregdetare, që linin kokën për Xhafer Matukën, për të gjitha
cilësitë njerëzore që kishte. Shëno këtu Demir Kanani, Syrja Rada, Thoma
Lubonja, Dhori Matka, Tushi Laçka, Besim Bega, Niko Gjylameti, Hari Loli, Halit
Zhupa, Jaho Stepa. Lista është më e gjatë, por këto mos mi harro. Mendimi teorik i ushtrisë Më pas
shërbeu në Forcat Ushtarake Detare në Tiranë. Pas viteve intensive në komandë
dhe terren, Xhafer Matuka u thirr në Institutin e Studimeve Ushtarake. Ishte
hap, që zakonisht u rezervohej kuadrove me formim të thellë teorik, përvojë
praktike dhe aftësi analitike. Aty nuk kërkoheshin urdhërdhënës, por mendje që
dinin të mendonin luftën përpara se ajo të ndodhte. Edhe këtu bëri miq, kolegë të sprovuar, burra të mëdhenj të kësaj
toke. Ushtarakët e lartë Rahman Perllaku, Todi Naço, Rustem Peçi, Gjergji
Titani, Spiro Shalësi, Boço Muho, Medi Ramohito, Flamur Micko, Reiz Sinani etj.
Dhe kur mbylli sytë, e kanë nderuar para arkivolit, të tjerë emra të famshëm të
ushtrisë shqiptare si Muhamet Prodani, Vaskë Gjini, Abaz Fejzo dhe Arif
Hasko.Formati i Xhafer Matukës ishte shumëdimensional. Burrë i mënçur, i fortë,
energjik, i pastër në shpirt, besnik, i thjeshtë, i matur, i urtë dhe i ashpër
kur duhej. Në asnjë rast nuk e harroi Nivicën e bukur dhe aq të dashur. Nivica
dhe Matuka si vëllezërit siamezë. E mbrojti këtë tokë me barot dhe i la emrin
me shkëlqimin e diellit, që i bën nder këtij biri kurvelashas. Kur gradat u hoqën dhe uniformat
kineze zëvendësuan traditën, u trishtua thellë. Heqja e gradave ishin për të jo
thjeshtë reformë, por dhunim i thellë profesional. Një ditë para se të mos e
vishte më uniformën me grada, u fotografua me vajzën Luizën. Ajo fotografi
mbeti simbol, i një epoke që po mbyllej.
Goditjet pa zhurmë. Jeta e Xhafer Matukës nuk u godit nga armiqtë e
jashtëm, por nga prapaskenat e brendshme. Dy herë, në vitet 1962 dhe 1973,
letra anonime u përdorën për ta goditur. U përgjua. U ndoq. U keqinterpretua.
Jeta e Xhafer Matukës u kërcënua jo në ballë, por pas shpine. Jo çdo luftë
bëhet në fushëbetejë. Dhe këtë e pësoi në mënyrën më të hidhur. Kontigjentet e
errëta të sigurimit të shtetit, vepronin në fshehtësi, pasi ia njihnin Xhafer
Matukës fuqinë e argumentit dhe peshën e reagimit. E kishin më të lehtë në
zbatimin e skenarëve të parapërgatitur. Matuka nuk e njihte gënjeshtrën,
servilizmin dhe pabesinë. Fliste hapur, por gjithnjë me synimin që gjërat të
përmirësoheshin. Kjo e bëri të rrezikshëm për mediokritetin. Në vitin 1973, pas
goditjes së ushtrisë dhe shpalljes së “tezave të zeza”, Instituti i Studimeve
Ushtarake u shpërbë. Shumë u pushkatuan, u burgosën, u internuan. Xhafer Matuka
shpëtoi, por u detyrua të dalë në lirim, në pension të parakohshëm në moshën
47-vjeçare. Një oficer i formuar, me
studime të dyfishta jashtë shtetit, me përvojë komanduese dhe akademike, u
largua nga ushtria në kulmin e pjekurisë profesionale. Pa bujë. Pa shpjegim të
qartë. Pa mundësi mbrojtjeje. Kuptoi gjithçka. Ushtria ishte jeta e tij.
Uniforma ishte identitet. Dhe befas, gjithçka iu hoq. Letërsia si dokument moral. I larguar nga ushtria, por qendroi si
rrënjët e lisave të Nivicës. Nuk u rrëzua. U rikthye tek fjala. Letërsia u bë
streha morale. Që nga viti 1969 mbeti anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve të Shqipërisë. Romanet, tregimet dhe monografitë e botuara flasin për
luftën, për ushtrinë, për njerëzit e zakonshëm që mbajnë mbi shpinë barrën e
historisë. Nuk shkroi për të bërë zhurmë, por për të mos lejuar harresën.
Xhafer Matuka hyri në letërsi pa trokitur fort. Pa bujë. Pa vetëlavdërim. Nuk
shpikte drama. I kishte jetuar. Në veprat e tij, lexuesi ndesh njeriun e
thjeshtë, ushtarakun, intelektualin, qytetarin që përplaset me sistemin, me
frikën, me padrejtësinë, por që nuk e humb kurrë boshtin moral. Personazhet
janë të heshtur, por të fortë, të plagosur, por jo të poshtëruar Stili është i qartë, pa zbukurime të
tepruara, me fjali që ecin drejt, si marshim ushtarak, por me ndjeshmëri
njerëzore. Në çdo rresht ndjehet disiplina e mendimit dhe dhimbja e përmbajtur.
Shkruante siç kishte jetuar, me ndershmëri, pa zbukurime false. Nuk krijoi
mite. Ruajti njerëzit. Në veprat e tij, lufta nuk është spektakël, por barrë.
Heroi nuk është i pagabueshëm, por i përgjegjshëm. Publikoi 10 libra ndërmjet të cilave “Bateria e Kepit të Largët”,
monografitë për “Mustafa Motohiti”, “Selam Musa Salaria”, “Xheladin Beqiri”,
“Meleq Gosnishti”, “Fejzi Micoli”, “Vidohovë 2 gusht 1949”, “Ai ishte “Tigri”,
“Takim në luftë”, “Kurvelesh zemra ime”. Shkruante pa u ndalur në gazetat
“Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori”, “Adriatiku”, Luftëtari etj.Bëri miqtë të
shumtë shkrimtarë. Në përditshmëri shoqërohej me Dritëro Agollin, Shefqet
Musarajn, Petro Markon, Agim Cergën, Jakov Xoxën, Xhevahir Spahiun, Eglantina
Mandian, Vath Koreshin, Ibrahim Ganin, Lirim Dedën, Perikli Jorgonin etj. Shumë
babaxhan, i sinqertë, fliste pa teklif, me zemër të hapur. Bënte një disidencë
fine, pasi kërkonte të bukurën, të mirën, joshësen, zhvillimin, progresiven,
çka nuk i prekte në realitetin që vinte i shtirur, artificial. Babai, vëllai, i afërmi. Në jetën
private, Xhafer Matuka mbeti burrë i thjeshtë, i qetë, i përmbajtur.
Bashkëshortja, Ervehe Seferi, ishte qetësia e shtëpisë. Vajza e vetme, Luiza,
arsye më shumë pse duroi padrejtësitë pa u lëkundur. Frika nuk ishte për veten,
por për të ardhmen e saj. Për të mbajti personalitetin edhe kur gjithçka tjetër
i ishte hequr. Për të bëri rezistencë. Për të nuk bëri gjumë. Ndiqte rritjen e Luizës, qeshjen e saj
të parë, fjalët e para dhe hapat e parë, duke ndjerë se çdo moment ishte sukses
më vete, një fitore mbi përplasjet e jetës. Kur Luiza lidhi jetën me poetin,
gazetarin dhe intelektualin e njohur shkodran Tonin Shtjefni, e ndjeu këtë si
një tjetër lloj beteje të fituar. Dashuria dhe kujdesi që kishte dhënë gjatë
viteve, kishin krijuar brez të ri të sigurt. Takimet me të atin e Toninit,
Kolën, ishin gjithmonë plot humor dhe ngrohtësi. Bisedat e tyre ishin si oazë,
ku lodhjet e jetës, përziheshin me buzëqeshje të vërteta dhe qetësi
shpirtërore. Luiza nuk ishte vetëm
emër vajze, por edhe betim. Matuka nuk bënte be lehtë. Ishte njeri i matur, i
përmbajtur. Por për vajzën e vetme, për atë që e kishte parë të rritej në
heshtje, mes zhgënjimeve të tij dhe dashurisë së pakushtëzuar, bënte be pa iu
dridhur zëri. Luiza ishte prova, se jeta nuk e kishte mundur. Ishte vazhdimësia
morale. Ishte arsyeja pse nuk u thye. Edhe
kur u përjashtua nga Partia edhe kur u vu në shënjestër, mendonte vetëm për
Luizën. Dasma e saj u bë pa zhurmë, pa muzikë, pa fotografi, pa fustan të bardhë.
Një dhimbje e heshtur, që e mbajti brenda shpirtit të përvëluar.Gëzimi nuk
ishte i kufizuar vetëm te Luiza. Pa lindjen e mbesës, të nipit dhe këto momente
i mbushën ditët me dritë. Përpiqej të ruante këtë lumturi, të mbante barrën e
jetës jashtë dyerve të familjes, duke krijuar një kornizë ku tradhtia dhe
shpifja nuk kishin vend. Çdo ditë
ishte përpjekje, për të siguruar që gjenerata e re të rritej me vlera, të njohë
nderin dhe të mos dorëzohet para sfidave.
Kur Luiza i përmend emrin të atit, zëri i dridhet lehtë, por sytë i mbushen
me dritë. I flet ende në heshtje. I rrëfehet, i ankohet, por edhe e falënderon.
Sepse, ndonëse Xhafer Matuka u largua herët nga kjo botë, por jo nga shpirti i
së bijës. Jeton në kujtimet e saj, në vlerat që trashëgoi, në fjalët që u
përcolli fëmijëve dhe në dhimbjen e dinjitetshme që nuk u shua kurrë. Krahas vajzës, që ishte zemra e tij,
Xhafer Matuka nuk harroi asnjëherë babain Rezon. Në varrin e tij mbi Delvinë,
mbolli një lis që populli e quan edhe tani “Lisi i Xhaferit”. Dashuri për nënën
Hanen (Ligon), motrat Minushja, Shyqyrja, Darovia, vëllezërit Beshon dhe Canen.
Kujdesej edhe për fëmijët e tyre. Ishte shumë i lidhur me të afërmit,
veçanërisht me nipin Isa Tare. Madje vëllai Cania, shkruan në kujtimet e tij me
shumë mall: Kur Xhaferi mori
autorizimin për televizorin, më lajmëroi që e priste në Tiranë për ta marrë.
Pasi bëri pagesën, u nisa me mjetin që drejtoja drejt shtëpisë së Xhaferit.
Çfarë je duke bërë? M’u drejtua. Ti je me katër fëmijë, unë një kam. Merre televizorin
dhe çojua fëmijve në shtëpi. Ti ke më shumë nevojë. Cania në vitin 2007 u bë
copash, për të bërë një libër me kujtime kushtuar të vëllait të shtrenjtë
Xhafer Matukës. Shpejtoi, por nuk arriti ta shikonte. Mbylli sytë nga një
sëmundje e pashërueshme. Libri me kujtime “Obelisk Përjetësie” është ringjallja
e Xhafer Matukës. Por Cania i është mirnjohës të birit që i plotësoi një
dëshirë shpirtërore. I kërkova tim
biri, Agimit, shprehet në shënimet e tij Cane Matuka, që emrin e djalit të parë
ta zgjidhja unë. Megjithë qejf o baba, më foli Agimi.Të quhet Xhafer, i thashë
unë me zë të mallëngjyer. Të bëhet Xhaferi i vogël, si Xhaferi dhe të rrojë
emri i tij, sa rron guri, toka dhe jeta.
Sot Xhaferi i ri ndjehet krenar për këtë emër, i lyer me histori të lavdishme. Matuka e dinte fort mirë, se sistemi
mund ta ndëshkonte në çdo çast, por nuk do t’ia falte dot kurrë një prindi
dështimin moral. Prandaj qendresa ishte e heshtur. Së bashku me Luizën, duke
ndjerë intrigat e kurthet e ndjekësve, pastruan nga biblioteka shumë materiale
në rusisht, libra artistikë dhe ushtarake, foto, dorëshkrime, kujtime, relike
që duheshin por i detyruar ti asgjesonte. Kohë me rrezik. Kohë me rrisk.Betimi, heshtja dhe fundi. Në fund të
jetës, Xhafer Matuka nuk ishte më as komandant, as studiues, as shkrimtar.
Ishte një burrë që ecte ngadalë, me trupin e lodhur, por me mendjen ende të
kthjellët, të mprehtë, të pakompromis. Shteti që i kishte marrë rininë, dijen
dhe uniformën, tani i kishte kthyer shpinën. Pa zhurmë. Siç dinte të bënte gjithmonë. Në shtëpi, librat rrinin ende në raft,
të rreshtuar me të njëjtën disiplinë ushtarake, që kishte sunduar gjithë jetën.
Fletoret e shkrimit mbeteshin hapur, ndonjëherë me fjali të pambaruara.
Shkruante ende, por më rrallë. Jo nga mungesa e mendimit, por sepse trupi nuk e
ndiqte më mendjen. Në netët e gjata,
kur dhimbjet fizike dhe shpirtërore shtoheshin dhe kujtimet ktheheshin si
ushtarë të paftuar, mendja e tij shkonte pas. Auditorët e ftohtë të Bashkimit
Sovjetik, hartat e mëdha ushtarake, deti i Durrësit në agim, zërat e ushtarëve,
uniforma me grada që ia hoqën si të ishte faj, varri i Rezos mbi Delvinë. Nuk doli nga jeta duke mallkuar.
Mendoi për familjen, për vajzën, për personalitetin që nuk ia kishte marrë
askush. Shteti mund t’i kishte marrë gradat. Koha mund t’i kishte marrë
shëndetin. Por asnjë forcë nuk i mori dot nderin. Xhafer Matuka jetoi drejt. Vuajti në heshtje. Dhe u largua pa u
përkulur. Më 19-të janar 1982, u nda nga jeta papritur, nga një hemorragji
cerebrale, në gjumë. Një ditë më parë kishte qenë mes shkrimtarëve. Kishte
qerasur miqtë. Kishte folur për libra. Ishte vetëm 54 vjeç. Aq sa edhe i jati
kur mbylli sytë. I lodhur nga betejat të dukshme dhe të padukshme, por i
pathyer.
Standarti i një trimi. Xhafer Matuka ishte një idealist i ndershëm, lloji më i rrezikshëm për çdo regjim që ushqehet me frikë. Jo servil. Jo i lëshuar. Jo i zvarritur. Jo, jo! Njëmijë herë jo. Një burrë që besoi tek fjala, tek arma, tek libri dhe tek familja. Xhafer Matuka humbi poste, grada dhe privilegje, por fitoi diçka më të madhe, respektin e kohës. Mbeti ushtarak pa uniformë, shkrimtar pa bujë dhe baba që jetoi me dashurinë e vajzës. Një njeri që i ishte falur Shqipërisë, dijes, fjalës dhe besës. Dhe nuk i tradhtoi kurrë. Sepse disa burra nuk mbarojnë. Ata mbeten standard. Ky shkrim nuk është mbyllje. Është një hapje kujtese. Është masë. Masë e njeriut në raport me shtetin. Masë e uniformës në raport me ndërgjegjen. Masë e fjalës në raport me heshtjen. Në një shoqëri që shpesh prodhon zhurmë, figura të tilla janë të rralla dhe të domosdoshme. Sepse historia, nuk mbahet vetëm nga ata që flasin fort.Ky shkrim është borxh moral. Përulje përpara një jete, që meriton të kujtohet jo për dhimbjet, por për dinjitetin. Sepse disa burra nuk shuhen. Ata i merr historia në pronësi.