Zana Begaj Veshaj,
këngëtaria që bëri histori kënge. Është e para këngëtare femër që jo vetëm u
ngjit në skena koncertesh e aktivitetesh të shumta folklorike por edhe që
realizoi regjistrimet e para në një nga radiot më të njohura të kohës siç ishte
radio Gjirokastra, e shquar sidomos për emetimin e këngëve karakteristike të
Labërisë e Bregut të Detit.Më parë të tjera vajza e gra bolenase patën bërë jo
pak këngë por atë kohë ende mungonin aparaturat regjistruese të cilat na kanë
lënë jashtë memories e historisë sa e sa bartës e interpretë folklori. Bolena
si pjesë e njësisë folklorike të Kurveleshit është shquar për një melos me
diapason të gjerë shtrirjeje ku kënga dhe vallja e saj, si për burra ashtu dhe
për gra, daton hershmëri shekullore e origjinë kaonie iliriane. Nga Ruzhdi
Barjami, një prej krijuesve dhe studiuesve të shquar të Bolenës, mësoj se në
vitet e pas çlirimit, krahas këngës e valles së burrave ka qënë traditë jo e
paktë dhe ajo e grave të cilat kanë kënduar jo vetëm siç ka qenë tradita në dasma
e gëzime familjare por edhe në aktivitete kulturore e festivale, madje edhe
përtej vendlindjes së tyre. Mbetet një shenjë e fortë e fuqisë shpirtërore të
këtij fshati me tradita të mëdha jo vetëm historike por edhe trashëgimore
pjesëmarrja e dy prej grave bolenase, Hatika Birçaj e Kafaze Tartar,i si pjesë
e grupit të Bolenës në festivalin e Beogradit në vitin 1948. Jo më pak
historike mbetet edhe aktiviteti kombëtar në tri-katër vitet e para të viteve
shtatëdhjetë ku grupi i të rejave të Bolenës u përzgjodh për të marrë pjesë
falë nivelit dhe vlerave që ato përfaqësonin. Bukurie Barjami, Selvi Macaj,
Neta Leskaj, Rakibe Lilaj, Qenere Islamaj dhe Votime Dollaj ishin ato që më
shumë se gjysëm shekulli më parë do të udhëtonin nga Bolena në Shkodër për tu vendosur
më pas nën udhëheqjen e kompozitorit të madh Tish Daia, drejtues artistik i
koncertit. Në këtë mjedis kulturor me rrënjë të lashta të trashëgimisë
shpirtërore do të rritej edhe Suzana Begaj për të cilën trashëgimia familjare
por edhe ajo fshatçe do të linin gjurmë të forta dashurie për traditën dhe
këngën. Ishte vetëm gjashtë vjeçe kur do vinte për të mos u larguar më në
vendlindjen e babait të saj në Bolenë, ardhur prej Delvine ku i jati, pas
përfundimit të luftës, për disa vite kishte shërbyer në radhët e ushtrisë
popullore. Begë Halimi apo Begaj u kthye përfundimisht në vatanin e tij aty
përfund fashatit në Hundën e Xhepe ku një fis i tërë, veç të tjerash, ishte
edhe derë e davet, shtëpi e këngë. Këtu mes këngës së të jatit dhe begajve të
shquar të këngës do të hidhte shtat Zana e vogël e mëkuar fare natyrshëm me
këngën e vendit, këngë që më pas do ta këndonte edhe vetë duke lënë emrin e saj
mes të tjerave vajza e gra këngëtare të Bolenës e Labërisë. Kaloi vetëm një vit
dhe Zana do të niste shkollën shatëvjeçare e cila krahas procesit mësimor do të
kishte edhe lloj-lloj aktivitetesh kulturore e sportive, falë pasionit e
dashurisë për profesionin të të gjithë edukatorëve nga do që qenë. U aktivizua
shpejt me grupin e këngës në shkollë, vatra ku merrnin udhë talentet po edhe
brumosja me vlera trashëgimie, si shumë të tjerë kaluar nga ajo derë. Talenti,
pasioni dhe dashuria për këngën do të spikatnin qysh në fillim ndaj Zana do të
ishte e para në të gjitha aktivitetet kulturore të shkollës e fshatit. Edhe pas
mbarimit të shkollës në rrugëtimin e saj mes punës e dijes, dashuria për këngën
mbeti e pa tjetërsuar. Kujtim Mici, rapsodi i shquar i Labërisë, i ardhur nga
Tërbaçi, një tjetër fshat me histori të madhe kënge, do të linte gjurmë jo
vetëm në mësim dhënie por edhe në grupin e këngës së Bolenës. Ishte koha kur
grupet e fshatrave të Labërisë si në një garrë të pa shpallur rendnin të gjitha
drejt majave të këngës. Në këto kohë do të mbrinte në vendlindjen e tij në
Bolenë edhe Ruzhdi Barjami i cili krahas drejtimit të shkollës do ti besohej
edhe drejtimi i punëve të kultures. Tani Zana Begaj është bërë një nga marrëset
kryesore të grupit dhe duket se është koha e saj për të shpalosur vlerat si
këngëtare primo në grupin që përfaqësonte fshatin. Kujtim Mici duket se me
shumë dashuri ka selitur një tufë këngësh, të shumtat besuar Zanës. Kur
vendosën të udhëtojnë drejt Gjirokastrës në pranverën e vitit 1975 për të
regjistruar një mozaik këngësh, Suzana, tani me mbiemrin Veshaj për shkak të
martesës, sa kishte mbushur njëzetë e pesë pranvera. Ruzhdi Barjamit i cili do
të ishte në krye të grupit si udhëheqës i ka mbetur në mendje ai rrugëtim.
Bolenë-Gryka e Zarelit- Progonat- Golëm- Picar, drejt Gjirokastrës. Më këmbë
për këngë. Gati e pa besueshme ajo ç’ka dëgjoj. Në Picar i presin picarjotët,
si lënë të shkojnë më tutje. Halil Bilaj i pari i kulturës po dhe i këngës
picariote organizon gjithçka për të respektuar e nderuar bolenasit e këngës.
Për ta hapën dyert por më parë zemrat. Dhe ajo mbrëmje ndizet flakë me këngët e
Bolenës, një koncert-provë përpara regjistrimit që do të realizojnë të nesërmen
në Radion famëmadhe të qytetit të gurtë. Zana këtu shkëlqen me të gjitha
këngët, një grup i harmonizuar në të gjitha komponentët por mbi të gjitha me
një marrëse brilante. Të nesërmen për udhëtimin në Gjirokastër çdo gjë e
zgjidhur. Picarjotët vendosin në dispozicion të bolenasve makinën e tyre të
kooperativës. Ç’farë mardhëniesh , ç’dashuri, ç’humanizëm, ç’solidaritet
vëllazëror. Nga regjisttrimet e Radio Gjirokastrës, falë interesimit të madh të
bashkëshortit të Zanës, Qatip Veshaj, të paktën kemi të ruajtura të plota katër
nga këngët e saj. Sa me fat kur nga humbja fare arrin të gjesh e ti kesh të
aksesueshme për ti dëgjuar disa nga interpretimet e kësaj këngëtareje. Përmes
një regjistrimi vocal tepër profesional tani kemi mundësinë të dëgjojmë e të
mrekullohemi me këngët e saj, po edhe të gjykojmë produktin artistik të dhënë
në vite në grupin e Bolenës. Jo vetëm si nostalgji se këto këngë vijnë prej një
kohe të largët gjysëm shekullore por se jemi në gjendje të gjykojmë e
vlerësojmë fuqinë interpretative të këngëtares por edhe mënyrën e stilin e saj
të këndimit. Thonë se për të provuar verën, mjafton një gotë. Kështu edhe kur
duhet të flasim e vlerësojmë Suzana Begaj Veshaj nisur nga disa prej këngëve që
kemi mundësi ti dëgjojmë vokalisht. Një zë potent, një artikulim perfekt i
fjalës, zotëruese e padiskutueshme jo vetëm në marrjen e këngës si soliste por
edhe gjatë zhvillimit të saj kur bëhet bashkë me elementet e tjerë të grupit.
Janë vitet që në Labërinë e Vlorës kënga nisi ti nënështrohet një evoluimi ku
këndimi recitativ nisi të zotërojë në sofrën e këngës. Të paktën këto këngë
kështu na vijnë.
“Fshati i Bolenës,
Vendosur në pllajë,
Shekujt të pa tundur,
Gjithmon’ të kan parë…”
Është kënga kushtuar
dëshmorëve të Bolenës ku rapsodi Kujtim Mici ka derdhur në vargje trimërinë e
bijave dhe bijve të këtij fshati që luftuan për liri e pavarësi në të gjitha
kohërat duke i dhënë vendlindjes së tyre nder e lavdi të parjetshme. Këtu zëri
i Zanës na vjen i qartë fare, ashtu si i larë me ujrat e borës së Çipinit mbi
Bolenë, ai vjen përmes një deklamacioni të spikatur i shkrirë përsosmërisht me
zërin e kthyesit Razip Sadiku dhe atë të hedhëses Qenere Islamaj. Të kësaj
natyre, edhe si strukturë por pak a shumë edhe si vijë melodike, janë edhe
këngët: “Lum kush të rrojë” dhe “Këngë për Fejzi Hysenin” (Micoli), të dya me
vargjet e një prej majave të vjershërimit popullor Kujtim Mici, të cilat
alternohen në kthim e hedhje midis Razip Sadikut, Patriot Matajn e Qenere
Islamaj. Të paktën këto këngë janë të gjitha përtej këndimit tradicional ku siç
thamë për të parën herë duket se i ka lëvruar kjo këngëtare e ku në të gjitha
rastet është një prej këndimeve orgjinale të saj. Si stil por edhe si mënyrë
interpretimi. Fuqia interpretuese e kësaj këngëtareje dallohet qartë edhe në
një nga këngët duet që është mundur të sigurohet nga fonoteka e këngëve labe
pranë radio Gjirokastrës ku grupet polifonike të Vlorës kishin “shtëpinë” e
tyre të regjistrimit e publikimit. Këtu Zana si partner në këngën sa lirike po
aq dhe erotike ka këngëtarin Daver Islami me të cilin komunikon përmes një
dialogu tipik për këndimin hidh e prit:
Djali: “Fustan larme
pika, pika,
Mu zu pështyma te gryka,
Pranë teja sa vërvitja,
Një fjalë dotë s’të
flisja.
Vajza: Djalë dola dhe të
prita,
Akoma pa zbardhur dita,
Të livadhi më zu dita,
Nga malli seç u zhurita…”
Në mbi pesëmbëdhjetë vite jetë aktive pranë grupit të Bolenës Suzana Begaj Veshaj ka dhënë një kontribut jo të paktë në zhvillimet folklorike të këtij fshati duke përbërë një nga zërat më autentikë e më të spikatur të këtij grupi. Mes pesë motrave e një vëllai por edhe me një baba të shquar për këngë ajo krijoi jo vetëm mëvetësi e një karrierë brilante por edhe një trashëgimi për të tjerët më pas. Myrvetja, e motra, një tjetër këngëtare me vlera të qenësishme e me një regjistër interesant vokali thuajse e zvëndësoi si përfaqësuese e të njejtës derë e rrënjë kënge duke u bërë edhe ajo një nga këngëtaret e njohura të Labërisë. Ashtu si edhe brënda genit të saj në derën e Veshajve ku e bija, Silvana, për shumë kohë do të shfaqte dhuntinë e të jemës në marrjen e këngës dhe dashurinë për të. Por, nisur nga koha kur Zana Bagaj Veshaj deputoi e këndoi me grupin e Bolenës, njëherësh ajo bëhet edhe pika lidhëse me të tjera vajza që këtij fshati i erdhën në këngë e për këngë. Zana e Bolenës mbetet pa dyshim pararendësja e këngëtareve të shquara bolenase të cilat shënuan një tjetër majë në këngën tradicionale të këtij fshati. Motrat Hosi, Vitori e Fatbardha, Myrvete Begaj, Sado Zenelaj e deri te Silvana Veshaj i dhanë një tjetër shkëlqim këngës bolenase ku bashkë me Zanën mbeten realizuese të një korpusi të tërë me perla polifonie e Labërie. Këto të fundit me Nertesi Asllanin në krye e me djem e burra bolenas të këngës , këngën e Bolenës e bënë Çipin më vehte.